Empatia është ajo për të cilën ka nevojë secili dhe është pikërisht ajo që personazhet e gjejnë te njëri-tjetri në shfaqjen “Deni dhe deti i thellë i kaltër” me tekst të John Patrick Shanley nën regji të Ana Batevas, me lojën e Liridona Shehut dhe Alban Krasniqit. Drama jetësore e dy personazheve, e përkthyer në tragjikomedi është ajo me të cilën u sollën në skenë të vërtetat e hidhura të shoqërisë. Nuk tenton t’i fshehë a t’u bëjë bisht, por përballet me to
I është dashur një vit që Prizreni të vijë në Prishtinë e ta zbërthejë rrëfimin për shtigjet e shpëtimit të njeriut. Shfaqjen “Deni dhe deti i thellë i kaltër” e ka sjellë në kryeqytet festivali “FemArt”. Në formatin e teatrit kamertal, tragjikomedia vë në qendër rëndësinë e marrëdhënies mes dy gjinive për funksionimin jetësor. Trajton marrëdhënien mes dy individëve të thyer shpirtërisht e sallën teatrore e mbush me të qeshura dhe emocione, por mbi të gjitha, lë aty një të vërtetë të hidhur të shoqërisë: vuajtjen dhe dhimbjen prej gabimeve.
Për një orë e dhjetë minuta “Deni dhe deti i thellë i kaltër” nën regji të Ana Batevas me tekst të John Patrick Shanleyt, Liridona Shehut dhe Alban Krasniqit u bënë një me Robertën dhe Denin në një komunikim intensiv me publikun. Roberta (Liridona Shehu) e Deni (Alban Krasniqi) sjellin dramë jetësore. Prej takimit të tyre të parë në tavolinat e një bari ku po mbytnin mërzinë me pijë, deri te përfundimi i tyre si një çift i martuar, sollën për publikun mes fjalëve të shkujdesura, dhimbjen e thellë të dy personave që vuajnë për gabimet. Emocione të thella e jetë komplet e dalë nga kontrolli është ajo që përjetojnë dy personazhet, dhe kjo është zgafellja prej së cilës nuk mund të dalin asnjëri, deri sa takohen me njëri-tjetrin. Empatia është ajo për të cilën ka nevojë secili dhe është pikërisht ajo që personazhet e gjejnë te njëri-tjetri. Tek atëherë kur Roberta dhe Deni dëgjojnë njëri-tjetrin dhe hyjnë në “lëkurën” e tjetrit, lind një diell shpresëdhënës në mbrëmjet e tyre të gjata dhe pa gjumë.
Teksa Roberta mendon se është e çmendur dhe nuk guxon të mendojë për të pasur një marrëdhënie të shëndoshë me dikë, as me familjarët e saj më të ngushtë, vjen Deni. Është ai që i dëshmon Robertës se nuk është e vetmja që ka bërë gabime në botë, ose e vetmja “e çmendur” siç ajo mendon. Kjo marrëdhënie midis personazheve vjen në skenë me mijëra të shara e me shumë përleshje, por ajo që ka rëndësi është se përkundër komunikimit jo të duhur, ata kuptohen dhe ndjejnë dhimbjen e njëri-tjetrit.
Kështu me “Denin dhe detin e thellë të kaltër” publiku i Prishtinës qeshi, e në të njëjtën kohë ndjeu dhembshurinë bashkë me personazhet. I mbushur me të dyja gjinitë, “FemArt” me sjelljen në skenë të kësaj shfaqjeje arriti një gjë të rëndësishme të dëshmuar mes të gjithë të pranishmëve, empatinë. Ditës së pestë të festivalit feminist, kjo shfaqje i dha edhe një tjetër shembull të mirëqenies së personazhit grua, atë të bashkëveprimit dhe kuptimit me të tjerët. Ndonëse personazhi kryesor vjen me bashkëveprimin e dy gjinive, kjo shfaqje pati boll për t’i dhënë këtij festivali, dhe këtë e beson edhe regjisorja e shfaqjes, Ana Bateva.
“Është një pyetje interesante, sepse kur shfaqja u bë pjesë e këtij festivali, më herët nuk kam ditur rreth ‘FemArtit’. Isha duke e menduar pikërisht këtë pyetje. Thashë me vete pse jemi ne me këtë shfaqje, pse jemi pjesë e këtij festivali? Jemi këtu, sepse Roberta si vajzë, është shumë e fuqishme. Ajo ka shumë fuqi të godasë dhe ajo nuk ndalon. Nuk thotë: ‘Unë jam këtu dhe nuk do të shkoj më tutje’”, ka thënë Bateva.
Qe maji i vjetëm kur teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit e inskenoi si premierë. Mbresat e thella që ka lënë në paraqitjen e parë, ishin ato që shtynë organizatorët e “FemArtit” ta ftonin atë të bëhej pjesë e festivalit.
“Specifikisht në kontekst të ‘FemArtit’ dhe politikave të ‘ArtPolisit’ shfaqja trajton përdhunimet që ndodhin brenda familjes, si në rastin e Robertës, personazhit që e ka luajtur sonte Liridona. Besoj që kjo është pika ku përputhen ‘FemArti’ dhe shfaqja “Deni dhe deti i thellë i kaltër”, ka thënë Butrint Pasha, pjesë e “FemArtit”. “Kjo ka ardhur si rezultat i pëlqimit që ka pasur drejtoresha e festivalit Zana ndaj kësaj shfaqjeje. Ka vendosur që ta ftojë të bëhet pjesë e festivalit dhe mezi kam pritur ta shoh”, ka shtuar tutje ai.
Drama jetësore e dy personazheve, përkthyer në tragjikomedi është ajo me të cilën u sollën në skenë të vërtetat e hidhura të shoqërisë. Nuk tenton t’i fshehë a t’u bëjë bisht, por përballet me to.
Me një skenë e regji minimale, e me barrën mbi supet e aktorëve, kjo arrihet në fund të shfaqjes, e mesazhi kalon edhe përtej saj. Lë të kuptohet se mënyra më e mirë të kalosh vështirësitë është që t’i japësh vetes dhe të tjerëve mundësi.
“Ideja kryesore e kësaj shfaqjeje është që të krijojmë ngatërresa rreth dashurisë, rreth asaj që të jemi më empatikë me njëri-tjetrin, të jemi më të hapur me njëri-tjetrin. Të mos jemi shumë të mbyllur dhe të nevrikosur. Të jemi më empatikë. Po, empatia është linja kryesore e shfaqjes. Kur dikush është duke pasur një dhimbje, ai ka nevojë për dikë që të kuptohet nga dikush”, ka thënë regjisorja e kësaj shfaqjeje. Ajo është shprehur e lumtur edhe për ekipin bashkëpunues, pa të cilët ka thënë se nuk do të arrihej e gjithë kjo.
“Ndihem se jam një regjisore shumë me fat, sepse kam pasur aktorë shumë të mirë që kanë punuar me mua”, ka thënë ajo.
Shfaqjen e sjellë në Prishtinë për ditën e pestë të “FemArtit” erdhën për ta parë edhe të tillë që e kishin parë më herët. Erdhi edhe Fatos Berisha, që është njëherësh edhe udhëheqës artistik i teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit. Ajo çka ai pa në të premten mbrëma ka thënë se qenë progresi e përsosja.
“Mendoj që është një ndër shfaqjet më të mira që i kam parë unë kohëve të fundit. E di që jam subjektiv, por po flas edhe si regjisor edhe si koleg. Bile kjo shfaqje sonte që e pamë është më e mira e kësaj shfaqjeje. Unë i kam parë edhe provat, e kam përcjellë edhe procesin dhe i kam parë disa repriza. Mendoj që kjo sonte me publikun e Prishtinës dhe të ‘FemArtit’ ka qenë më ndryshe në kuptimin që ka qenë më emocionale. Publiku ka reaguar shumë mirë. Në vendet kur ka qenë komike ka reaguar, në vendet kur ka qenë dramatike ka reaguar po ashtu”, ka thënë Berisha.
Ai ka thënë se kjo është një shfaqje shumë e vështirë për realizim dhe është aktoreske në esencë, që përtej regjisë barrën e mbajnë aktorët dhe aftësitë e tyre. Ka thënë se Shehu e Krasniqi e kanë ngjizur në mënyrë perfekte konceptin e regjisores dhe të autorit. I ka pëlqyer që ky bashkëpunim u bë pjesë e “FemArtit”.
“Jam i lumtur që jemi këtu, jemi në ‘FemArt’ dhe publiku i Prishtinës po e sheh për herë të parë. Kjo shfaqje është e Prizrenit dhe ka udhëtuar nëpër festivale të ndryshme. Sonte është për herë të parë në Prishtinë dhe për mua është një ndjenjë e veçantë, e sidomos në ‘Dodonë’, ku kam momente personale të mia, të studimeve. Kështu që për mua ishte një natë emocionale dhe e veçantë”, ka thënë Berisha.
Nata e pestë e “FemArtit” pos shfaqjes nga Prizreni, solli edhe shfaqjen nga Polonia “Gruaja dhe jeta”.