Shtojca për Kulturë

Dekada e re e “Etno Festit” – lidhje e traditës me botën

Fiks 12 vjet më parë dramaturgu e regjisori, Fadil Hysaj, i kishte kërkuar pronarit që një shtëpi gjysmë të rrënuar me tulla në Kukaj, ta vishte me gurë. Shtëpia atëkohë s’shërbente për gjë tjetër veçse si një ahur për kafshë. Ndonëse një komunikim i zakonshëm mes një plani spontan, një vit më pas ai vend u bë skenë e shfaqjes “Dardha pas bunarit” me tekst të Arta Arifit dhe regji të Iliriana Arifit. Por, “Etno Festi”, që nisi edicionin e sivjetmë, të premten është bërë vend i manifestimit artistik të traditës me rite e zakone. Sivjet në edicionin e 11-të kulti i tokës dhe qiellit që nga mbrëmja e 20 gushtit ka filluar të zbërthehet me aktivitete të ndryshme artistike. Nëpërmjet kësaj teme synohet sensibilizimi në krijimin dhe vazhdimësinë e jetës, si dhe lidhjen e fuqishme të paraardhësve me tokën e cila gjendet në shumë rite, shprehje gojore e krijime letrare

Në vitin 2009, fshati Kukaj numëronte vetëm tri shtëpi banimi. I ndodhur jo larg kryeqytetit, fshati ishte parë si terren shumë i përshtatshëm për të xhiruar filmin “Gomarët e kufirit” me skenar të Jeton Nezirajt e regji të Jeton Ahmetajt. Por, s’mendohej dhe për shfaqje teatri. Të paktën deri atëherë kjo s’i kishte shkuar kujt ndërmend. Veçse regjisorit Fadil Hysaj. Por gjithë kësaj historie i ka prirë vendimi i aktorit Bislim Muçaj që ka qenë pjesë e kastës së aktorëve të filmit “Gomarët e kufirit”. Pasi që xhirimet kishin përfunduar, Muçaj nuk kishte arritur të bindet që t’ia kthejë shpinën fshatit që ndodhet në mes të Prishtinë dhe Gjilanit. Po atë vit Muçaj vendosi të lidhet më shumë me të. Ai u bë bindjeplotë ta blejë një shtëpi gati rrënojë dhe të kthehet për të jetuar aty në periudha të ndryshme të vitit. Padyshim, miku i tij Fadil Hysaj ishte një ndër mysafirët e parë të tij në fshatin që ndodhet 28 kilometra në lindje të Prishtinës. Pamja piktoreske nga secili kuadër ia mbushi mendjen regjisorit Fadil Hysaj, që këtë fshat ta shohë përtej një vendbanimi.

Shfaqja e parë

Për Hysajn, ky vend mund të bëhej i përshtatshëm jo vetëm për shfaqje teatri, por edhe për t’i vendosur themelet e një festivali që do të komunikojë me të shkuarën në forma të ndryshme artistike. Kështu kishte nisur ndërtimin e Etno Kompleskit “Kukaj”. Aty ku për një dekadë është organizuar festivali i parë i kulturës dhe arteve tradicionale “EtnoFest”. Fshati sot duket i veshur prej gurëve, baltës dhe drurit. Ashtu siç e kishte konceptuar Hysaj në idenë fillestare. 12 vjet më parë i kishte kërkuar pronarit që një shtëpi gjysmë të rrënuar me tulla ta vishte me gurë. Shtëpia atëkohë s’shërbente për gjë tjetër veçse si një ahur për kafshë. Ndonëse një komunikim i zakonshëm mes një plani spontan, një vit më pas ai vend u bë skenë e shfaqjes “Dardha pas bunarit” me tekst të Arta Arifit dhe regji të Iliriana Arifit.

“Pronari më tha se: ‘Kjo ka qenë shtëpi e vjetër që e kam shndërruar në ahur. Prishe këtë ahurin dhe vishe me gurë’. I thashë që nuk mund ta prish. Më pas më tha: ‘Çfarë po të duhet o burrë, a do ta bësh këtu teatër?’. Më pas pikërisht këtë hapësirë të ahurit e kemi restauruar dhe aty e kemi bërë shfaqjen e parë”, ka rrëfyer mes të qeshurave Hysaj, pak minuta para hapjes së edicionit të 11-të Festivalit. Regjisorja Iliriana Arifi, një dekadë më pas u kthye për një premierë tjetër në Kukaj, tashmë në kompleksin më të zgjeruar që ka pritur edhe dhjetëra shfaqje pas “Dardha pas bunarit”. “N’dry” nga Arta Arifi me regji të Iliriana Arifit nga “Tana Production” & “Sythi” – do të jepet premierë në natën e dytë të festivalit “Etno Fest”, që nisi edicionin e sivjetmë të premten. Për Hysajn, “Etno Kompleksi” është bërë vend i manifestimi artistik të traditës me rite e zakone. Por, veç kësaj, ky ambient përmbledh punën e madhe të mjeshtreve të gurit dhe drurit. Nëpërmjet punës së përbashkët, synimi primar në këtë hapësirë ka qenë që t’ua zgjasin jetën shtëpive buzë rrënimit. Objektet që ruhen sot brenda shtëpisë muzeore përfaqësojnë mjete me të cilat njerëzit kanë kryer funksione të ndryshme në të kaluarën. Si të tilla, ato janë burim të një kujtese kulturore. Sipas Hysajt, për dhjetë vjet janë dëshmitarë dhe kontribuues në tridhjetëfishimin e hapësirës së rregulluar të fshatit.

“Të gjitha shtëpitë kanë qenë duke u rrënuar, sot njëra është bërë muze e një objekt tjetër hapësirë ekspozuese. Sot ky është një fshat me një kompleks të jashtëzakonshëm që si i tillë është i rrallë jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë”, ka treguar Hysaj, i cili ka theksuar se do ta zgjerojnë kompleksin muzeal duke e bërë një ndarje midis së kaluarës dhe së ardhmes, duke zgjeruar hapësirat për performanca e shfaqje.

Kthimi në kohë

“EtnoFest” në rrugëtimin e vet prej një dekade është ndalur në tema të ndryshme. Madje pa u kufizuar në një rajon të caktuar shqiptar, por duke përcjellë për çdo vit këngë, valle e rite nëpërmjet koncepteve origjinale artistike. Këtë e ka bërë duke i prezantuar vetë ata që i përfaqësojnë ato tradita. Në skenën e “Etno Festit” është luajtur pothuajse me secilin instrument tradicional dhe është vallëzuar me secilën veshje tradicionale shqiptare. Festivali që për vite ka parakaluar nëpër kultin e shtëpisë, mysafirit, dasmave, gruas dhe diellit këtë vit është ndalur në një temë tjetër. Kulti i tokës dhe qiellit që nga mbrëmja e 20 gushtit ka filluar të zbërthehet me aktivitete të ndryshme artistike. Nëpërmjet kësaj teme synohet sensibilizimi në krijimin dhe vazhdimësinë e jetës, si dhe lidhjen e fuqishme të paraardhësve me tokën e cila gjendet në shumë rite, shprehje gojore e krijime letrare.

“Synimi i ‘Etno Festit’ është për të krijuar një relacion më miqësor me tokën, ndaj së cilës jemi sjellë shumë keq dhe ajo ka filluar të na hakmerret. Shqiptari tradicional kur ka bërë be në ‘tokë dhe qiell’, s’ka pasur be tjetër. Nuk ka pasur njeri që ka mundur të gënjejë kur ka bërë be në ‘tokë dhe qiell’”, ka thënë drejtori dhe themeluesi i “Etno Festit” Fadil Hysaj.

Në simbolikën e temës së sivjetme, “Etno Festi” ka sjellë punimet me ngjyra dheu të piktorit të njohur Adem Kastrati. Por në një ambient më shumëngjyrësh e kanë shndërruar veprat e Halil Matoshit në ekspozitën individuale “Kujtesa e ujit” dhe veprat e Gani Bytyqit në ekspozitën “Hijet që vijnë”. Veprat e Jasmir Morinës e Jakup Ferrit të vendosura në një ambient të ndarë u japin vizitorëve ndjesinë e shtëpisë. Në karriget prej druri, ekspozita është e konceptuar si një rijetësim i identitetit shqiptar në veprat që për motiv kanë qilimat. Për t’iu përshtatur temës së Festivalit, piktorja Zake Prelvukaj është kthyer 22 vjet prapa. Kësaj radhe nëpërmjet fotografisë. Në njërën prej dhomave të objekteve në kompleksin “Etno Kukaj”, Prelvukaj ka ekspozuar fotografitë që i kishte bërë në fund të viteve të ’90 në Kosovë. “Kosova gjer te molla e kuqe”, është një nga mbishkrimet në një ndërtesë të shkatërruar që Prelvukaj e kishte fotografuar asokohe.

“Këto shkrime dhe pamje nuk ekzistojnë më, andaj fotografitë mund të na duken interesante dhe janë dëshmia më e fortë e kohës”, ka thënë Prelvukaj për KOHËN. Në dhomën tjetër që i ndan një mur në mes, Prelvukaj e ka orvatur publikun në parashikimet e saj. “Fytyra tona në të ardhmen” është koncepti i saj në pikturat e ekspozuara aty ku paraqiten fytyra me mimikë të deformuar.

“Unë besoj që me medikamente dhe gjëra eksperimentale po ndryshojmë siç na ka ndryshuar edhe koronavirusi me medikamente. Po frikësohem për shkak të kësaj epidemie që po krijon mutacione. Kjo lidhet me temën e ekspozitës se me medikamente po ndryshojmë dhe çdo gjë do të ndryshojë në fytyrat tona”, ka shpjeguar piktorja Zake Prelvukaj.

“Njerëz prej dheu”

Skulpturat janë një histori tjetër. Ato memorizojnë pikërisht personalitetet e së kaluarës. Këtë e ka shprehur edhe Agron Blakçori në ekspozitën “Njerëz prej dheu”. Aty ka paraqitur modelime buqetash prej melle që bëjnë bashkë figura ushtarësh e atyre që përfaqësojnë paqen si Nënë Tereza, Ibrahim Rugova e Anton Çetta. Një kënd tjetër me skulpturat e Sabri Behramajt përfaqëson vetëm burrat. Mu në mes të pjesës qendrore të festivalit janë vendosur bustet e familjes Meha të Prekazit të punuar nga Behramaj.

“Emrat e kësaj toke” e realizuar nga Vehbi Murati bëri tok portretet e emrave më me nam të Kosovës, të atyre që kanë lënë e vazhdojnë të lënë gjurmë të thella në histori. Në ballë u rri Nora Gjakova, Majlinda Kelmendi e Distria Krasniqi. Në krejt këtë ambient veprash të artit pamor, publiku të premten është ulur për të dëgjuar performancën muzikore të sopranos Zana Abazi-Ramadani dhe mexosopranos Elikona Hysaj. Derisa dielli i jepte një tjetër shkëlqim ambientit, ato me performancën e tyre muzikore u bënë jehonë këngëve “Kroi i fshatit tonë” e “Agimet Shqiptare”. Për Abazi-Ramadanin, të interpretuarit jashtë sallave muzikore është një ndjesi në vete. Një ndjesi tjetër e përjetimit të ambientit e publikut.

Image

“Këtë herë interpretuam në një natyrë piktoreske e mbresëlënëse dhe me një audiencë të madhe e të mrekullueshme, të etur për të konsumuar art”, i ka thënë KOHËS sopranoja kosovare. Programi i ngjeshur i mbrëmjes së parë të koncertit e ka mbajtur publikun në lëvizje. Fill pas koncertit, të pranishmit janë ngjitur në katin e dytë të ndërtesës kryesore të kompleksit “Etno Kukaj”. Nikoqirë të tyre kanë qenë balerinët kosovarë, Vjollca Llugiqi e Fatmir Smani. Nën tingujt e violonçelistes Gresa Broqi, ata kanë përcjellë lëvizjet e trupit në qiell të hapur pranë zjarrit, ujit, gurëve dhe tokës.

“Një emision më ndryshe ishte duke e përjetuar dheun. Koncepti i kësaj ka qenë si ne krijohemi nga dheu, lindim, dashurohemi dhe përsëri hyjmë në dhe”, ka thënë balerina e Baletit Kombëtar të Kosovës, Vjollca Llugiqi.

Fotografi francez, që “Etno Festi” e solli tri herë në Kosovë

Aty ku promovohet kultura tradicionale, ushqimi është pjesë e rëndësishme. Edhe këtë vit, për disa orë rresht, saçi është vendosur e larguar nga oxhaku në oborrin e kompleksit të familjes Hysaj. Lume Hyseni nga Gjilani, që udhëheq një biznes familjar të ushqimeve tradicionale, e lëshon saçin në tokë dhe e dorëzon flinë e pestë te kuzhina ku shërbehen mysafirët. Thotë se aty do të qëndrojnë edhe disa ditë për t’i njoftuar të ftuarit me ushqimet tradicionale. Ushqimet e tilla shërbehen tash e sa vjet në Festivalin që zakonisht mbledh rreth 4 mijë vizitorë. Në mesin e tyre edhe të huaj. Kishte qenë pikërisht ky festival arsyeja përse fotografi francez që vepron në Belgjikë, Charles Delcourt, të vijë për të tretën herë në Kosovë. Teksa lëviz me kërshëri nga njëra pjesë te tjera, ai me aparatin e tij fotografik nuk ndalet së dokumentari atë që i ofron ambienti i atyshëm.

“Festivali është rritur mjaft shumë dhe Fadili është duke e bërë një punë të mirë. Tashmë po i njoh dhe njerëzit që vijnë këtu dhe ata po më mbajnë mend. Është një kënaqësi të bëhemi shokë përsëri. Çdo herë e më shumë po bëhem më kureshtar dhe ambicioz për këtë vend. Herën e parë kam ardhur vetëm për ‘Etno Fest’, herën e dytë kam ardhur për fshatin Kukaj dhe kësaj here kam ardhur për të mësuar më shumë për Kosovën”, ka thënë fotografi i agjencisë “Lightmotiv”.

Depërtimi përtej vendit është edhe synimi që ia kanë vënë vetes organizatorët. Për ta, ky është një premtim i dekadës së re të Festivalit. Për dhjetë vjet vlerësojnë se Festivali ka arritur ta shtrijë ndikimin e trashëgimisë në identitetin e artit bashkëkohor edhe në aktivitete të tjera në Kosovë, përtej ngjarjes që organizohet për rreth një javë në Kukaj. Tash sytë i kanë te vendet më larg. Etnokompleksi “Kukaj” për Fadil Hysajn është një oazë kulturore që Kosovës mund t’ia zbukurojë imazhin në botë.

“Shpresoj që në këtë dhjetëvjetësh tjetër të kemi një moment të ri që atë që e kemi krijuar në Kosovë ta këmbejmë edhe me botën përreth, dhe Kukaj të bëhet një qendër ndërkombëtare e artit. Njerëzit nga jashtë kur vijnë këtu të mund të shohin diçka të mirë që mund të marrin si histori në vete”, ka thënë Hysaj.

Me meloditë e vjetra nga zëri i Nezafete Shalës, nën flladin e mbrëmjes së mesit të gushtit, “EtnoFesti” e ka mbyllur mbrëmjen e parë të edicionit të 11-të. Me shumë aktivitete që në natën e parë e deri më 26 gusht, “Etno Festi” po ecën drejt një dekade me misionin për të pasqyruar identitetin shqiptar përtej kufijve.