Në një kohë komercializmi kur jo pak zhanre të muzikës u venitën, “Defy Them” vjen me kontrapunkt. Qendra e cila edhe me anketë e dëshmoi se rocku – e bashkë me të edhe zhanret që dalin prej tij – po rilindin, e ka bërë këtë edhe me koncert. “VOID – The Global Metal Scene In Prishtina” ka bashkuar dy bende nga Kosova dhe nga një nga Italia e Shqipëria, të cilët kanë shkundur skenën, por kanë shpalosur edhe tendencat e reja të këtij zhanri
Ka qenë shkurti i sivjetmë kur “Defy Them” do të njoftonte se për dy vjet janë formuar hiç më pak se njëzet rock-grupe e anketa me rreth dy mijë respondentë, kryesisht të rinj, do të nxirrte se gati çereku i tyre kishin deklaruar se dëgjojnë rock. Është rocku baza e heavy metalit, e pikërisht ky zhanër ka qenë kryefjalë e së premtes mbrëma me “VOID – The Global Metal Scene In Prishtina”. Nuk ka qenë vetëm dëshmi e anketës, por edhe e përplasjes së tingujve dhe shkundjes së skenës nga katër grupe – dy prej të cilave ishin nga Kosova – “Shlem” e “Solar flare”, tok me “Septem” nga Italia dhe “Morgu” nga Shqipëria.
Qysh në shkallët që çojnë për te qendra e kulturës alternative “Defy Them”, e vendosur në strehimoren e dikurshme në “Breg të Diellit”, fryma e “heavy metalit” është aty. Nis nga veshja dhe dukja e njerëzve. Në përgjithësi në të zeza fanella rock bendeve të ndryshme apo thënie që lidhen me muzikën rock prej së cilës është shartuar muzika për të cilën janë mbledhur aty.
Pak para orës 20:00 të mbrëmjes dhe nga brenda sallës dëgjohen tingujt të paekuilibruar instumentesh. Ishte bendi “Solar flare”, i cili po bënte kontrollimin e zërit dhe përgatitjet e fundit përpara se të fillonte. U desh edhe gjysmë ore që koncerti të niste e bashkë me të edhe salla të mbushej. Në përgjithësi publiku u takonte moshave të reja duke nisur nga gjimnazistët apo edhe më të rinj, që kishin pasur të drejtë të hynin në përcjellje të më të rriturve. Porsa u dëgjua tingulli i parë i kitarës elektrike e më pas edhe zëri i vokalistit, Liburn Bajraktari, në sallë nisi të rritej atmosfera. Ata të cilët kishin dëshirë të vallëzonin duke shkundur flokët para-prapa janë në rendin e parë, pranë këngëtarëve, por një atmosferë e ngjashme mbizotëron edhe në anët e tjera të sallës. Bendi i përbërë prej Art Çibukçiut dhe Art Spahiu në kitarë, Rion Kikaj në bas, Jon Raçit në tupanë dhe Liburn Bajraktari si vokalist solli një performancë të fuqishme teksa edhe u dëshmua si bend ende në fillimet e veta. Performoi këngë si “At The Top”, “Face off”, “Eclipse”, “Summit/snow blindness”, “Clueless” e të tjera.
Koncertet e rock muzikës e zhanreve si heavy metal nuk janë të panjohura për publikun e “Defy Them”. Qysh nga themelimi në prill të vitit të kaluar, “Defy Them” ka mbajtur një sërë koncertesh teksa si qëllim ka pasur promovimin dhe përkrahjen e bendeve të reja duke u bërë vendtakim për ato të cilat veçse kanë krijuar identitetin e tyre. Arbër Selmani nga “Defy Them” ka konfirmuar edhe një herë vazhdimësinë e organizimeve të tilla.
“Në ‘Defy Them’ e kemi një kulturë të prezantimit të grupeve sikurse kjo sot ku ka gjithmonë audiencë të flaktë dhe të zjarrtë, kështu që sot janë katër grupe dhe është një gërshetim midis Kosovës, Shqipërisë dhe Italisë. Secili grup e ka një veçanti të emocioneve dhe ndjesive që dinë me sjellë në skenë kështu që sot e kemi bërë njëfarë bashkimi të metalit dhe rockut të disa vendeve këtu në këtë organizimin dhe patjetër do të vazhdojmë kështu patjetër si ‘Defy Them’”, ka thënë ai.
Pas një koncerti të mbajtur vetëm një natë më parë në Tiranë grupi italian “Septem” kishte ardhur edhe në Kosovë. Bendi i themeluar më 2013 solli një atmosferë përplot performancë. Ka mbajtur rimtin mbi gjysmë ore dhe publiku nuk u pa duke pushuar asnjëherë. Vokalisti i grupit Daniele Armanini është shprehur i lumtur për mikpritjen e publikut, në një koncert i cili për ta ishte i pari në Kosovë.
“Jemi shumë të lumtur dhe krenarë që jemi këtu. Është përvojë e mirë që të shkosh në vende të reja dhe të takosh njerëz të rinj. Është me të vërtetë një nder për ne të sjellim muzikën tonë për këta njerëz. Publiku ishte i mrekullueshëm”, është shprehur ai.
Përveç Armaninit “Septem” përbëhet edhe nga Andrea Albericci në bas, Luca Riggio e Giacomo Lomasti në kitarë dhe Matteo Gigli në bateri. “Lord of wasteland”, “Pseudonica”, “Midnight sky”, “Living storm” kanë qenë disa prej këngëve të interpretuara prej albumeve të tyre të mëhershme si: “Living Storm” e “Chose your death” e të tjera.
Së bashku me bendin italian, me të cilin kishin performuar një natë më parë, nga Shqipëria ka ardhur edhe grupi “Morgu”. “Canto III”, “Unearthly Altitudes”, “Vello e hirtë” kanë qenë disa prej këngëve ku anëtarët nuk kursejnë energji për atmosferë të zjarrtë.
Solisti i grupit Edvald Alikaj, me vokal të fuqishëm, është shprehur i lumtur që më në fund pati rastin të performonte edhe në Kosovë.
“Përgjithësisht jemi shumë të lumtur që po vijmë të luajmë sepse kemi kohë që duam të vijmë të luajmë këtu. Kemi pasur disa komunikime të mëhershme me grupin ‘Septem’. E bëmë një koncert së bashku në Itali. Mbrëmë së bashku me ta dhe një grup tjetër lokal luajtëm në Tiranë dhe më në fund ia dolëm të vijmë edhe këtu në Kosovë dhe gjetëm një atmosferë fantastike”, ka thënë Alikaj.
Teksa ka folur për këngët, Alikaj ka bërë të ditur se janë në përfundim të albumit të radhës që do të titullohet “The discipline of suffering”
“Kemi gjithsej katër këngë dhe një dyshe që e kemi bërë bashkë. Të gjitha janë nga albumi që do të publikojmë, këngë origjinale. Kemi mbi dy vjet e gjysmë që punojmë në kompozimin, regjistrimin dhe momentalisht jemi në përfundim, kështu që së shpejti shpresoj që do të kemi edhe albumet gati”, ka thënë ai.
Ndonëse një bend i ri i cili nuk ka mbushur ende dy vjet nga themelimi, “Solar Flare” qe e akorduar në “modern metal”. Teksa ka folur për grupin, basisti Rion Kikaj ka folur për atë që i bën të dallojnë nga të tjerët.
“Ne si grup jemi formuar në tetor të vitit 2021. Jemi formuar si një grup shoqërisë për muzikën metal që kemi dashur ta bëjmë. E kemi parë që në Kosovë nuk dominon pak më shumë fryma moderne dhe kemi dashur që ne ta thyejmë barrierën e kësaj fryme dhe të sjellim diçka që nuk është dëgjuar më herët në Kosovë”, ka thënë ai.
Bendi i cili ka performuar edhe herë të tjera në “Defy Them”, ka paralajmëruar edhe albumin i cili pritet të dalë gjatë verës.
“Si bend ne luajmë kryesisht veprat tona. Covera, mixa e gjëra të tjera nuk kemi dëshirë të bëjmë, sepse kemi dëshirë që ta zgjerojmë frymën tonë për me i tregu popullit që e bëjmë tonën, s’mund të vazhdojmë të bëjmë diçka tjetër. Të gjitha këngët i shkruajmë vetë. Tani jemi në proces të incizimit të ‘Eclipse’ që shpresoj të dalë gjatë verës së këtij viti dhe më pas procesimin dhe incizimin e albumit tjetër”, ka bërë të ditur ai.
Performancën e grupit “Solar Flare” e ka pëlqyer kitaristi Birol Urcan i rock-grupit “Connecting Dots”.
“Shumë mirë, shkëlqyeshëm. Bendet, domethënë bendi i parë, së pari edhe si produksion, por edhe si muzikë, si interpretim, e edhe si kompozim qe i shkëlqyeshëm, kështu që është natë e veçantë ky koncert”, është shprehur ai.