Shtojca për Kulturë

Debati në Bundestagun gjerman për planin e koduar “Patkoi”

Në Petersberg të Gjermanisë po zhvillohej një konferencë humanitare e ministrave të jashtëm të shteteve fqinje të Jugosllavisë së cunguar, në mesin e tyre edhe ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Nadezhda Mihailowa, e cila në margjinat e kësaj konference zhvilloi një bisedë në katër sy me homologun e saj gjerman Joschka Fischer. Në këtë takim Nadezhda e njoftoi Fischerin se shërbimi i fshehtë bullgar kishte njohuri për planin operacional të serbëve për luftën e Kosovës, i cili me emrin “Operacioni Patkoi” ekzistonte që nga vjeshta e vitit 1998 dhe i cili në vete përmbante planet për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës

“Milosheviqi po zhvillon luftë tokësore kundër popullatës shqiptare në Kosovë dhe po përpiqet me një brutalitet të pamëshirshëm, me dëbime dhe luftë etnike ta ndryshojë hartën politike në Kosovë. Megjithatë, unë jam i sigurt se Milosheviqi në fund do të humbasë”.

Me këto fjalë, zëvendëskancelari federal dhe ministri i Jashtëm i atëhershëm gjerman, Joschka Fischer, u shpreh në një intervistë për revistën “Der Spiegel”, lidhur me angazhimin ushtarak gjerman në luftën ajrore të NATO-s për Kosovën, që ishte angazhimi i parë i Forcave të Armatosura Federale (Bundeswehr) në një luftë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kriza në Kosovë kishte shpërthyer tashmë në vitin 1989, kur lideri i atëhershëm komunist serb Slobodan Millosheviq revokoi me forcë autonominë e Kosovës dhe më 1990 shpërndau në mënyrë arbitrare qeverinë dhe parlamentin e Kosovës. Kjo situatë çoi në një seri demonstratash të popullatës shumicë shqiptare, të cilat rregullisht rezultuan në akte dhune dhe vrasje të civilëve shqiptarë. Për shkak të shtypjes në rritje të shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe partia e parë politike shqiptare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nën udhëheqjen e shkrimtarit Ibrahim Rugova, synonte një zgjidhje paqësore të çështjes së Kosovës.

Përshkallëzimi i situatës, dëbimi në heshtje i shqiptarëve

Por, vit pas viti, situata vazhdoi të përshkallëzohej. Me programet e synuara të ndryshimit të strukturës etnike, Milosheviqi në mënyrë të heshtur dëboi shqiptarët dhe në vendin e tyre filloi vendosjen e serbëve nga Kraina (Kroaci) dhe Bosnja. Pas anashkalimit të Kosovës në dy konferencat ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, në Hagë (1991) dhe Londër (1992), dhe sidomos injorimit të Kosovës në Konferencën e Dejtonit, dhe kur shumica e vendeve të BE-së nxituan të njohin Jugosllavinë e cunguar të Miloshevqit, situata në Kosovë filloi të radikalizohej dhe në nëntor 1997 publikisht u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), një formacion politik-ushtarak që u zgjerua me shpejtësi. Reagimi i palës serbe ishte brutal. Pika e kthesës ndodh kur ushtria dhe policia serbe, në përpjekje për të frikësuar dhe disiplinuar shqiptarët, ndërmori sulmin më masiv kundër familjes Jashari, duke vrarë mbi pesëmbëdhjetë anëtarë të kësaj familjeje, në mesin e tyre, fëmijë, gra dhe pleq. Më 31 mars 1998, Këshilli i Sigurimit i KB miratoi Rezolutën 1160, e cila dënoi me forcë dhunën e forcave të policisë serbe kundër civilëve dhe demonstruesve paqësorë në Kosovë dhe bëri thirrje për një zgjidhje paqësore. Sidoqoftë, kjo rezolutë nuk pati asnjë efekt. Qindra shqiptarë të Kosovës u vranë në vitin 1998, si pjesë e një ofensive të madhe serbe kundër UÇK-së, dhe mbi 300,000 u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Reagimi gjerman ndaj spastrimit etnik në Kosovë

Dhuna serbe e përshkallëzuar në Kosovë dhe numri i refugjatëve në rritje të vazhdueshme shtruan e presionin e publikut gjerman dhe ndërkombëtar për të vepruar. Para Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, ministri i Jashtëm i atëhershëm gjerman, Klaus Kinkel, bëri të ditur se, megjithëse fillimisht ndiqej një zgjidhje diplomatike, një zgjidhje mund të ishte gjithashtu e një natyre ushtarake.

"Një zgjidhje paqësore e problemit të Kosovës është pjesë e biletës së kthimit të Republikës Federale të Jugosllavisë (Jugosllavia e cunguar S.U.) për në Evropë!". [Auswärtiges Amt. Rede von Klaus Kinkel vor dem Bundestag (5. März 1998). Me këtë, Kinkel nënkuptonte se Beogradi me veprimet e tij po rrezikonte marrëdhëniet politike me Evropën. Por, Këshilli i Sigurimit i KB-së miratoi një rezolutë tjetër më 23 shtator 1998 (1199), e cila përsëri i bëri thirrje Milosheviqit ta ndryshonte kursin e tij. Sidoqoftë, regjimi kriminal i Milosheviqit, nga frika e kërcënimeve të NATO-s me sulme ajrore, u tërhoq përkohësisht dhe pranoi marrëveshjen për stacionin e misionit vëzhgues të OSBE-së (Marrëveshja Hollbrooke-Milosheviq). Por, dimri i vitit 1998 dhe masakra e Reçakut hoqën çdo iluzion se çështja e Kosovës mund të zgjidhej me mjete politike.

Në ndërkohë, edhe në Bundestagun gjerman gjithnjë e më të fortë u bënë zërat për një zgjidhje ushtarake të krizës së Kosovës. Kinkel nxori mësimin nga historia gjermane dhe tha për krizën në Kosovë: “Atje nuk na lejohet të themi se nuk duhet të ketë Bosnjë të dytë, por duhet të sigurojmë që të mos ketë Bosnjë të dytë.”

Nga ana e ministrit të Jashtëm gjerman u tha që kërcënimi i dhunës duhet të parandalojë dhunën më të keqe dhe të shmangë një katastrofë humanitare. Këtë qëndrim e ndanë gjithashtu edhe 500 deputetë nga 580 anëtarët e Bundestagut të 13-të gjerman kur votuan pro angazhimit për pjesëmarrjen në “Extraction force”. Deputetët gjermanë votuan në favor të opsionit që në rast të dështimit të rezolutave të mëparshme do të lejonte një sulm ajror ushtarak nga NATO dhe garantonte pjesëmarrjen e Bundeswehr me 500 ushtarë.

Në Bundestagun gjerman, votat kundër angazhimit Bundeswehrit erdhën nga disa deputetë të krahut të majtë brenda Aleancës 90/Të gjelbërit dhe nga i gjithë fraksioni i PDS-së, një parti që ishte pasuese e ish-partisë komuniste të Gjermanisë Lindore. Drejtuesi i grupit të PDS-it, Gregor Gysi, e arsyetoi këtë si më poshtë:

“Ne gjithmonë kemi paralajmëruar kundër militarizimit të politikës së jashtme. Kaq shpejt mendohet sot për ushtrinë dhe kaq rrallë për mënyrat dhe mundësitë të tjera që kanë pasoja shkatërruese, jo vetëm në Evropë, por për gjithë botën. Nëse në këtë mënyrë militarizon marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën e jashtme, atëherë krijohet përshtypja se vetëm të fortët ushtarakisht kanë ndikim”.

Në fjalimin e tij në Bundestag, Gregor Gysi me asnjë fjalë nuk ishte kritik ndaj politikës së “tokës së djegur” dhe spastrimit etnik që po ndiqet regjimi i Miloshevqit, ndërsa sulmi ndaj NATO-s më tepër reagonte vazhdimësinë e konceptit të vjetër ideologjik të trashëguar nga ish-partia gjermano-lindore e diktaturës së Erich Honekrit, SED-së. Gysi, i cili e shihte të nxitur mundësinë e goditjes ajrore nga NATO, propagandonte se jo të gjitha mjetet paqësore ishin përdorur për ta parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë.

“Në Gjermani dhe në Evropë nuk shihej asnjë demonstrues nëpër rrugë duke demonstruar kundër kësaj. Askund. Fati i shqiptarëve duke se nuk i interesonte të majtës radikale në Evropë”, shkroi më vonë ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, në memoaret e tij për angazhimin gjerman në luftën e Kosovës.

Pavarësisht nga kritikat e së majtës ekstreme, shumica e koalicionit qeveritar kuq-gjelbër dhe opozita CDU/CSU dhe FDP, ranë dakord se Gjermania duhej të merrte përgjegjësinë, t’i bashkohej aksionit të mundshëm të NATO-s.

Për të qenë e përgatitur për një situatë të tillë, NATO paralelisht me stacionimin e misionit të OSBE-së në Kosovë kishte formuar edhe “Extraction force”, të përbërë nga disa mijëra ushtarë, në mesin e të cilëve ishin përfshirë edhe 200 ushtarë të Bundeswehrit gjerman që ishin stacionuar dhe qëndronin në gjendje gatishmërie në Maqedoni.

Edhe pse Gjermania u bë një nismëtare dhe mbështetëse e madhe e organizimit të konferencës së Rambouilletit (shkurt–mars 1999), një marrëveshje paqësore sipas modelit të Dejtonit dhe përmes të së cilës provohej arritja e një zgjidhje politike, Beogradi bëri gjithçka që kjo ndërmarrje diplomatike e vendeve të Grupit të Kontaktit të dështonte. Ky ishte momenti kur Gjermania dhe vendet e tjera të Grupit të Kontaktit, me përjashtim të Rusisë, konsideronin se ishin shterur të gjitha instrumentet politike dhe diplomatike për arritjen e një zgjidhjeje për çështjen e statusit të Kosovës dhe po ashtu u bë e qartë se Beogradi kishte marrë vendimin për një konfrontim ushtarak me NATO-n.

Ushtria dhe policia speciale serbe në ofensivë

Gjatë ditëve që pasuan, ushtria dhe policia speciale serbe filluan një ofensivë të madhe tokësore në Kosovë. Ishte kjo një dëshmi se lufta në Kosovë kishte filluar prej më shumë se një viti dhe jo më 24 mars, ditën kur NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve ajrore kundër caqeve ushtarake serbe. Por, për shkak të qëndrimit bllokues rus në Këshillin e Sigurimit të KB-së, aksioni i NATO-s ndodhi pa një mandat paraprak të KB-së. Qeveria federale gjermane e konsideroi të pashmangshme përfshirjen e Gjermanisë në aksionin ushtarak të NATO-s. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, ushtarët gjermanë po merrnin pjesë në një luftë jashtë territorit të shteteve anëtare të Aleancës. Gjermania demonstroi vendosmërinë e saj për t’u dhënë fund vrasjeve dhe dëbimeve masive në Kosovë.

Në anën tjetër, posa Qeveria e Gjermanisë kishte bërë të njohur se i bashkohej vendimit të NATO-s për t’i goditur pozicionet e ushtrisë dhe policisë serbe, sërish politikanë të së majtës radikale gjermane, kryesisht nga radhët e PDS-it, dhe grupi i pacifistëve dogmatik nga radhët e të gjelbërve të Fischerit u kujdesën ta kritikonin vendimin e Qeverisë federale. Derisa qeveria e kancelarit Schrӧder e arsyetoi domosdoshmërinë e aksionit ushtarak, se përse ai ishte i pashmangshëm, duke qartësuar se përgjegjësia për vrasjet në masë dhe spastrimin etnik i takonte Milosheviqit, e majta radikale nën liderin e saj Gregor Gysi doli në mbrojtje të Beogradit.

Sipas ish-ministrit të Jashtëm të Qeverisë federale, instrumenti kryesor i udhëheqjes kriminale në Beograd ishte dëbimi i shqiptarëve të Kosovës. Nëpërmjet valës së refugjatëve, Milosheviqi synonte të provokonte kaos në Shqipëri dhe në Maqedoni, me qëllim që ta rrezikonte zonën vendimtare për marshim dhe furnizim të NATO-s. Në javën e Pashkëve, situata në Kosovë u ashpërsua në mënyrë dramatike. Vala e refugjatëve në Shqipëri dhe në Maqedoni mori përmasat e një katastrofe humanitare, ngase ishte e qartë se forcat serbe të policisë dhe ato ushtarake kishin filluar dëbimin sistematik të shqiptarëve. Askush nuk kishte mundur të parashikonte shpejtësinë dhe shkallën e dëbimit të popullsisë shqiptare, edhe pse në Beograd nuk kishin munguar paralajmërimet, madje edhe nga vetë kreu shtetëror. Sipas komisionerit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), gjatë tri javëve të para të bombardimeve të NATO-s, 525,787 refugjatë nga Kosova vërshuan në vendet fqinje. Siç thuhet edhe në një studim të Human Rights Watch (UNDER ORDERS: War Crimes in Kosovo, tetor 2001), “forcat e qeverisë shpërngulën 862,979 shqiptarë etnikë nga Kosova dhe disa qindra-mijëra të tjerë u zhvendosën brenda për brenda Kosovës, përveç atyre që ishin zhvendosur para marsit 1999. Më shumë se 80 për qind e gjithë popullsisë së Kosovës – 90 për qind e së cilës përbëhej nga shqiptarë – u zhvendosën nga shtëpitë e tyre”.

Kjo gjendje e mobilizoi treshen e njohur gjermane: Grehrad Schrӧder, kancelar, Joschka Fischer, zëvendëskancelar dhe ministër i Jashtëm, dhe Rudolf Scharping, ministër i Mbrojtjes, për kapërcimin e krizës së refugjatëve shqiptarë në Maqedoni dhe Shqipëri. Edhe Bundeswehri bëri një punë të mrekullueshme. Me urdhrin e Scharpingut, kishin filluar përgatitjet dhe pjesëtarët e Bundeswehrit, shkroi Scharping në ditarin e tij të publikuar më vonë, për t’u dalë në ndihmë shqiptarëve të dëbuar nga Kosovë, që ishte aksioni më i madh humanitar në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë.

Njoftimi nga shërbimi i fshehtë bullgar për planin e serbëve

Në të njëjtën kohë, 1 prill 1999, në Petersberg të Gjermanisë po zhvillohej një konferencë humanitare e ministrave të jashtëm të shteteve fqinje të Jugosllavisë së cunguar, në mesin e tyre edhe ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Nadezhda Mihailowa, e cila në margjinat e kësaj konference zhvilloi një bisedë në katër sy me homologun e saj gjerman Joschka Fischer. Në këtë takim Nadezhda e njoftoi Fischerin se shërbimi i fshehtë bullgar kishte njohuri për planin operacional të serbëve për luftën e Kosovës, i cili me emrin “Operacioni Patkoi” ekzistonte që nga vjeshta e vitit 1998 dhe i cili në vete përmbante planet për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës. Menjëherë ekspertët e shërbimit të jashtëm gjerman të inteligjencës u kërkuan qasje bullgarëve me qëllim të vlerësimit të këtij materiali. “Pas disa ditësh raportuan se njohuritë e siguruara nga shërbimi bullgar përmbajnë në vete informata mjaft bindëse”, shkroi Fischer në ditarin e tij. Ky plan, shkroi ai, i koduar me emrin “Patkoi”, për argumentet e Qeverisë federale kishte vlerë për shkak se rrëzonte tezën e dëbimit “spontan” të kosovarëve nga ana e forcave serbe policore dhe ushtarake, siç pretendohej atëbotë nga përkrahësit dhe miqtë e Milosheviqit në Evropë dhe në Gjermani. Në të vërtetë, për këtë nuk nevojiteshin fare informatat e shërbimeve të fshehta, por duhej të bëhej vetëm rikonstruktimi i veprimeve ushtarake të forcave serbe gjatë kësaj periudhe. Duke u bazuar vetëm në këto informata publike, të cilat i kishin të gjithë, konfirmohej se spastrimet etnike në Kosovë nuk ishin reagim spontan i serbëve ndaj bombardimeve të NATO-s, por një aksion i cili ishte planifikuar qëmoti dhe me kujdes. Dhe vërtet rikonstruktimi i aktiviteteve ushtarake të forcave serbe, që nga fillimi i luftës në Kosovë, i ngjasonte një plani “Patkoi”, pasi ofensiva me shpejtësi lëvizej përpara nga veriu në drejtim të jugut të Kosovës.

“Politika e Milosheviqit nga viti 1989 pothuajse deri në detaje ishte identike me planin e nacionalistit radikal serb, Vasa Çubriloviq, i cili ishte hartuar në mars të vitit 1937 në Beograd”, shkroi Fischer.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë