Shtojca për Kulturë

David Lynch – regjisori që përqafoi të çuditshmen në filmat e tij

David Lynch (20 janar 1946 – 15 janar 2025)

David Lynch (20 janar 1946 – 15 janar 2025)

Regjisori i shquar amerikan, David Lynch, filmat e pazakonshëm të së cilit depërtonin në thellësitë e pandershme të psikikës së vendit të tij, vdiq në moshën 78-vjeçare. Për të ruajtur magjinë që sillte puna e tij, refuzoi të merrej me shpjegime. Ai ekspozoi tmerret që fshiheshin prapa pamjeve në dukje të qeta si dhe gjeti bukurinë në përditshmëri

Ryan Gilbey

 

David Lynch, i cili vdiq në moshën 78-vjeçare, ishte regjisori më origjinal që u shfaq në Amerikë pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe surrealisti më i madh kinematografik që nga Luis Buñuel. Kuptimi i tij për dëshirën, fantazinë dhe frikën ishte i pakrahasueshëm, madje revista prestigjioze “The Paris Review” e cilësoi atë, “Edward Hopper i kinemasë amerikane”.

Lynch e shënoi debutimin në film të metrazhit të gjatë me veprën eksperimentale të vitit 1977, “Eraserhead”, xhiruar në bardhezi, me një ngjarje që zhvillohet në një peizazh industrial, ku një burrë kujdeset për fëmijën e tij me pamje jo normale, të ngjashëm me një zvarranik. Që në kuadrot e parë, Lynch krijoi një kinematografi të ndërdijës që lulëzoi në logjikën e vet të ëndrrave dhe imazheve të tmerrshme. Kjo i dha formë çdo projekti që ai realizoi, përfshirë kryeveprën “Blue Velvet” (1986), në të cilin një djalë i pafajshëm, i portretizuar nga Kyle MacLachlan, zbulon një vesh njeriu dhe tërhiqet në botën e shëmtuar dhe të dhunshme të një psikopati, i luajtur në film nga aktori Dennis Hopper, dhe një këngëtareje të tmerruar, e cila portretizohet nga ylli i kinematografisë, Isabella Rossellini. Filmi, përmes një stereotipi të një qyteti të vogël dhe komod të Amerikës, i prezantoi disa shembuj të fuqishëm skepticizmi dhe neverie që nuk janë shpërbërë kurrë. Ky projekt për të depërtuar në thellësitë e pandershme të psikikës së vendit të tij, vazhdoi me serialin televiziv “Twin Peaks”, të krijuar bashkë me Mark Frostin, i cili u transmetua për dy sezone në vitet 1990 dhe 1991. Një vit më vonë në kinema u lansua filmi “Twin Peaks: Fire Walk With Me”, i cili kthehej prapa në këtë histori. Seriali u rikthye 25 vjet më vonë me një sezon të tretë e të guximshëm, por shpesh i mundimshëm dhe i pamundur për t’u kuptuar, i cili megjithëse u krijua për televizion, u votua si filmi më i mirë i vitit 2017 nga revistat “Cahiers du Cinéma” dhe “Sight & Sound”.

Kyle MacLachlan si agjenti special Dale Cooper dhe Michael Ontkean në rolin e sherifit Harry S. Truman në serinë “Twin Peaks”, 1990

Bukuria në përditshmëri

Për të ruajtur magjinë që sillte puna e tij, Lynch refuzoi të merrej me shpjegime. Kur u pyet se për çfarë fliste sezoni i tretë i “Twin Peaks”, ai u përgjigj: “Është për 18 orë”.

Ai ekspozoi tmerret që fshiheshin prapa pamjeve në dukje të qeta si dhe gjeti bukurinë në përditshmëri. 

“Më mirë të shkoj në një fabrikë çdo ditë sesa të eci në pyll”, kishte deklaruar regjisori. 
Pavarësisht errësirës në vizionin e Lynchit, filmat e tij mund të ishin gjithashtu jashtëzakonisht qesharakë, plot me deklarata verbale dhe vizuale, lexime të shtrembëruara të frazave, dhunë të ashpër dhe siklet komik. Përzierja e naivitetit popullor dhe stilit të çuditshëm që fshihej në punën e tij, shtrihej edhe te personaliteti dhe madje te veshja e tij: pantallona të gjera dhe xhaketë sportive në stilin e viteve ’50, dhe një këmishë e mbërthyer deri në fyt.

Freddie Jones dhe John Hurt në një skenë në filmin “The Elephant Man”, 1980

Çdo ditë, për shtatë vjet rresht, Lynch e ka konsumuar një ‘milkshake’ në të njëjtin restorant (“Bob’s Big Boy”), midis fundviteve ‘70 dhe fillimviteve ‘80. Teksa e vëzhgonte në xhirime, shkrimtari David Foster Wallace vuri re shumë gjëra rreth tij: “Është e vështirë të thuash nëse ai është gjeni apo një idiot”, kishte deklaruar Wallace.

Muzikanti Sting, i cili luajti në filmin e tij të zhanrit aventurë dhe fantastiko-shkencor, “Dune”, i lansuar në vitin 1984, e quajti atë “një burrë i çmendur me dy fytyra”, ndërsa Mel Brooks, i cili prodhoi filmin e dytë të Lynchit, “The Elephant Man” (1980), e përshkroi regjisorin si “Jimmy Stewart nga Marsi.”
Megjithëse filmat e tij ishin jashtëzakonisht të pazakontë, Lynch ishte nominuar tri herë për çmim “Oscar” në kategorinë “Regjisori më i mirë”. (Ai e fitoi një çmim nderues akademik në vitin 2019). “Wild at Heart” (1990), një film i karakterizuar nga dhuna baroke dhe homazhet për filmin “The Wizard of Oz”, ia fitoi atij “Palmën e Artë” në Cannes. Po ashtu në vitin 2001 u shpall “Regjisori më i mirë i vitit” nga ky festival, për filmin “Mulholland Drive”, një triler i zhanrit “neo-noir” për një aktore aspiruese, e portretizuar nga Naomi Watts, ëndrrat e së cilës për të arritur famë shkatërrohen pasi krijon miqësi me një grua që i mbijeton një aksidenti me veturë, rol ky i luajtur nga aktorja Laura Harring. I zhvilluar nga Lynchi, nga pilot-projekti i përpunuar i një seriali që ishte refuzuar nga kanali ABC, “Mulholland Drive” ishte një nga filmat e tij më të çuditshëm dhe joshës.

Isabella Rossellini dhe Angelo Badalamenti në kryeveprën e David Lynchit “Blue Velvet” të vitit1986

“Mësova se nën sipërfaqe ekzistonte një tjetër botë”

Por narrativa lineare nuk ishte e panjohur për të, siç e dëshmoi me dy filma tepër prekës të bazuar në ngjarje reale: “The Elephant Man” për Joseph Merrickun, një burrë i deformuar rëndë, i cili ekspozohet si një krijesë e çuditshme cirku në epokën viktoriane dhe “The Straight Story”, një film në të cilin një burrë i moshuar udhëton gati 500 kilometra me një makinë për kositjen e barit, vetëm për të takuar vëllain e tij të sëmurë. Të dy filmat u nominuan për “Oscar” në kategorinë “Aktori më i mirë”, për aktorët protagonistë, John Hurt dhe Richard Farnsworth. Kjo shërbeu si rikujtim se aftësia e Lynchit si regjisor aktorësh, mund të errësohej ndonjëherë nga fuqitë e tij të jashtëzakonshme imagjinuese. 
David Lynch u lind në Missoula, Montana, nga prindërit Edwina, e cila herë pas here jepte mësim të gjuhës angleze, dhe Donald Lynch, puna e së cilit si shkencëtar kërkimor për Departamentin e Bujqësisë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, diktonte stilin e jetesës të familjes. Kur Lynch ishte vetëm dy muajsh, ata u zhvendosën në Sandpoint të Idahos dhe deri sa ai mbushi 14 vjeç, familja veçse ishte shpërngulur edhe katër herë të tjera.

Regjisori e përshkroi veten si një fëmijë “të trazuar”, që shumë shpejt e kishte kuptuar se diçka nuk shkonte mirë.

“Mësova se nën sipërfaqe ekzistonte një tjetër botë, dhe akoma më shumë botë të tjera ndërsa gërmon më thellë. E dija këtë gjë qysh në fëmijëri por nuk mund të gjeja prova. Ishte thjesht një ndjesi. Ka mirësi në qiellin e kaltër dhe në lule, por një forcë tjetër – një dhimbje e egër dhe kalbje – po ashtu shoqëron gjithçka në këtë botë”. 

Jack Nance në “Eraserhead”, 1977

Pasoja apo shija e hidhur e atij kujtimi mund të gjendet në gjitha krijimet e Lynchit, por veçmas në fillimin e filmit “Blue Velvet”, ku një skenë e montuar që shfaq nxënës të shkollës, trëndafila dhe gardhe të bardha, hap rrugë për pamje të insekteve që lëvizin dhunshëm nëpër bimë.
Pasi kishte treguar aftësi për të pikturuar që në adoleshencë, Lynch filloi të studiojë për art në moshën 18-vjeçare në Shkollën e Muzeut të Bostonit, por e braktisi shkollën pas një viti për të udhëtuar në Evropë me mikun e tij, Jack Fisk, për t’u kthyer në SHBA vetëm dy javë më vonë. Ai kaloi më mirë në Akademinë e Arteve të Bukura të Pensilvanisë, ku pikturat e tij morën një kthesë më të errët (një vepër e titulluar “The Bride”, tregon një grua duke kryer abort mbi veten). Pikërisht aty Lynch e takoi Peggy Lentzin, një kolege studimi, e cila në vitin 1967 u bë bashkëshortja e tij e parë, nga katër gratë që pati. Së bashku kishin një fëmijë, Jenniferin, dhe janë bërë shumë përpjekje për të lidhur presionet e prindërimit në rini, me ngjarjen e filmit “Eraserhead”, pasi ka pasur teori të ndryshme mbi atë se çfarë nënkuptonte saktësisht ai film, me krijesat e tij fluturuese që duken si spermatozoide, pulat e pjekura që tunden kur priten, dhe një këngëtare me faqe si balona që jeton pas radiatorit.
Lynch e pati ekspozitën e tij të parë personale në vitin 1967, po atë vit kur realizoi filmin debutues si regjisor, “Six Men Getting Sick”. Ai mori një grant nga Instituti Amerikan i Filmit për të bërë filmimin e tij të gjatë 34 minuta në formatin 16mm, “The Grandmother”. Filmi kombinoi animacionin me video të xhiruara dhe shfaqi punën e jashtëzakonshme në dizajnin e tingullit nga i madhi Alan Splet. Bashkë me Fiskun dhe kompozitorin, Angelo Badalamenti, Splet do të bëhej një nga bashkëpunëtorët më jetikë të Lynchit.

Shpërndarës gazetash për ta realizuar filmin

Në vitin 1972, Lynch nisi punën rreth filmit “Eraserhead”. Xhirimet zgjatën pesë vjet, me pauza të rregullta sa herë që produksionit i mbaronin të hollat. Lynch do të ndihmonte buxhetin e filmit me para të siguruara nga familjarët dhe miqtë e tij (Fisk dhe gruaja e tij, aktorja Sissy Spacek, ishin në mesin e atyre që dhuruan) dhe duke punuar punë të çuditshme, përfshirë shpërndarjen e gazetave. Pasi martesa e tij dështoi, regjisori u detyrua të flejë në stallat ku po xhirohej filmi. Kur më në fund u lansua, “Eraserhead” u prit me habi në shumë aspekte dhe me një fanatizëm të ngadaltë tek ata që e shikuan në oraret e mesnatës nëpër kinematë e Amerikës.

Filmi fitoi admirimin e poetit Charles Bukowski dhe muzikantit Tom Waits, dhe vazhdoi të ndikonte te regjisorët e tjerë, duke përfshirë Terry Gilliamin dhe Darren Aronofskyn, vëllezërit Coen dhe Stanley Kubrickun, i cili, sipas raportimeve, e shfaqi atë për aktorët dhe ekipin e filmit “The Shining”, për t’i vendosur në disponimin e duhur.

Gjatë fazave të hershme të prodhimit të “The Elephant Man”, përpjekjet e Lynchit për të dizajnuar makijazhin e komplikuar, dështuan në mënyrë katastrofike. Por filmi i përfunduar, me grim të realizuar nga Christopher Tucker, ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Filmi bëri bashkë ndjeshmërinë e regjisorit me tregimin klasik dhe të dhembshur, edhe pse luajti lirshëm me disa fakte (për shembull, Merrick i vërtetë, mori një pjesë të madhe të fitimeve për shkak se ishte ekspozuar në film).

Laura Dern si Lula dhe Nicolas Cage në rilin e Sailorit në “Wild at Heart”, 1990

Rikthimi në pozitën e viteve ‘80

Projekti i ardhshëm i Lynchit, një adaptim i historisë epike hapësinore të Frank Herbertit, “Dune”, ishte i vetmi film që ia doli të shpëtonte plotësisht nga kontrolli i tij dhe të dilte në një formë që ai nuk e kishte miratuar. Ai ishte një dështim i shtrenjtë – Lynch e quajti atë “një fiasko” – por ende përmbante skena, kostume dhe tinguj të jashtëzakonshëm. Filmi po ashtu e prezantoi Lynchin me aktorin MacLachlan, i cili e portretizoi heroin në këtë projekt dhe më pas do të bëhej ‘alter-egoja’ ose kloni i regjisorit në ekran. Përvoja e krijimit të “Dune” bëri që Lynchi të ndihet i shterur nga ana kreative dhe në gjendje depresioni. “Isha pothuajse i vdekur”, tha në një deklaratë regjisori. “Filmi ‘Dune’ më këputi në gjunjë. Ndoshta edhe pak më lart”. Por ai e argëtoi veten duke kontribuar në një roman grafik komik, “The Angriest Dog in the World”, i botuar në gazetën “LA Reader”. Ky strip apo roman grafik u botua për nëntë vjet, gjatë të cilave vizatimet e tij të një qeni të lidhur me zinxhirë në një oborr mbetën të pandryshuara dhe vetëm teksti i fjalëve ndryshonte. Fati i mirë i regjisorit u rikthye bashkë me të drejtën e tij për prerjen finale, në filmin e mrekullueshëm dhe njëkohësisht tmerrues, “Blue Velvet”, një projekt që ai kishte planifikuar ta realizonte shumë kohë para filmit “Dune”. Shkrimtari JG Ballard e quajti atë “filmin më të mirë të viteve ‘80 – surreal, soditës, përçarës”.

Naomi Watts dhe Laura Harring në “Mulholland Drive”, 2001

“Wild at Heart” mund të dukej si një film joserioz dhe i paqëndrueshëm në krahasim, megjithëse aktorët Nicolas Cage dhe Laura Dern dhanë performanca të shkëlqyera si dy të dashuruar në arrati. Por Lynch i ishte kthyer kulmit të fuqive të tij me serialin e parë “Twin Peaks”, ngjarja e të cilit filloi me zbulimin e trupit të pajetë të personazhit Laura Palmer, e luajtur nga aktorja Sheryl Lee, e cila gjendet e vdekur dhe e mbështjellë me qese plastike. Ky projekt e ndryshoi botën e televizionit përgjithmonë, duke hapur rrugë për seriale si, “The X-Files”, “Lost”, “True Detective” dhe “The Killing”. Kjo pritje entuziaste për serialin, e bëri edhe më të dhimbshëm për Lynchin kur filmi i tij i lansuar në vitin 1992, “Twin Peaks: Fire Walk With Me”, u kritikua gjerësisht. Me një ngjarje të fokusuar në ditët para se vrasjes së Laura Palmerit, filmi sakrifikoi tiparet e veçanta të serialit në favor të një atmosfere intensive të dhunës dhe vuajtjeve, dhe kaluan disa vite para se ky film të rivlerësohej më pozitivisht nga audienca dhe kritikët.

Filmi i ardhshëm i Lynchit, “Lost Highway”, i lansuar në vitin 1996, ishte një triler thellësisht shqetësues që mbështetej në një ndarje të guximshme narrative: Në një moment një saksofonist i muzikës jazz, i dyshuar për vrasje, qëndron ulur në qelinë e tij të burgut. Në momentin tjetër ai është zhdukur dhe në vendin e tij, rojet e gjejnë një mekanik të ri që nuk ka asnjë ide se si ka arritur atje. Filmi ishte i mbushur me humor e imazhe dhune, si dhe pamje të vozitjes me shpejtësi të lartë që shkaktojnë turbulence dhe përzierje te shikuesi. Më vonë ato do të nënçmoheshin në mënyrë komike në filmin e tij të ardhshëm, “The Straight Story”. Vlerësimet e publikut dhe kritikëve për këtë projekt dhe filmin “Mulholland Drive” e rikthyen regjisorin në rangun ose pozitën e fundviteve ’80. “Mulholland Drive” madje u votua si filmi më i mirë i shekullit në një sondazh të kritikëve të realizuar nga BBC-ja, në vitin 2017.

Laura Dern (majtas) në filmin fundit të Lynchit, “Inland Empire” të vitit 2006 

“Thjesht, askush nuk e di se çfarë sjell e ardhmja”

Filmi i tij i fundit, “Inland Empire”, i lansuar në vitin 2006, përqendrohej te një aktore, Laura Dern, e cila përjeton një çrregullim. Por, projekti i gjatë më shumë se tri orë dhe i realizuar në një stil vizual jashtëzakonisht të shëmtuar (u xhirua nga Lynch me një kamerë digjitale Sony), si dhe një narrativë që shpesh ndërpritej me të qeshura bezdisëse, filmi ofronte pak nga joshja kompenzuese e filmave të tjerë të regjisorit. Thënë këtë, Lynch nuk ishte i vetmi që mendonte se aktorja Laura Dern e meritonte një nominim për “Oscar”, për performancën e saj në këtë film. Ani pse përkrahjen e tij e dha në formë po ashtu të çuditshme, duke qëndruar i ulur në rrugët e Hollywoodit, përkrah posterit me fytyrën e aktores, dhe një lope që qëndronte në anën tjetër të regjisorit. 

Me përjashtim të serialit të tretë “Twin Peaks”, Lynch, pjesën tjetër të ditëve ia kushtoi pikturës, muzikës dhe shkrimit, ndërsa i kundërshtoi sugjerimet që ishte tërhequr nga realizimi i filmave i filmave: “Nuk kam thënë se kam hequr dorë nga kinematografia. Thjesht, askush nuk e di se çfarë sjell e ardhmja”.

Ndër albumet që ai publikoi ishte koleksioni avangard i zhanrit blues me titull, “Crazy Clown Time”. Ai gjithashtu punoi me gazetaren Kristine McKenna në librin me kujtime të vitit 2018, “Room to Dream”, në të cilat kapitujt e saj biografikë për të, alternojnë me ato ku ai reflekton mbi atë që ajo ka shkruar dhe shton reflektimet e tij unike dhe të çuditshme. Lynch po ashtu ishte i pasionuar pas meditimit transcendental, duke shkruar dhe folur gjatë mbi mënyrat se si kjo e kishte ndihmuar në punën e tij dhe i kishte mundësuar të “kapte peshq” – metafora e tij e preferuar për procesin krijues. 

“Nëse keni një ide që ju emocionon, kushtojini vëmendje dhe këta peshq të tjerë do të notojnë në të”, tha Lynch.

Qartësia e krijuar nga meditimi ndoshta ishte në kundërshtim me cilësinë enigmatike të shumë prej veprave të tij.

Vitin e kaluar, ai zbuloi se konsumimi i duhanit gjatë gjithë jetës i kishte shkaktuar sëmundjen emfizema (emphysema).

“Mezi eci nëpër dhomë. Të duket sikur je duke ecur me një qese plastike të mbështjellë rreth kokës”, deklaroi regjisori. 

Lynch u martua katër herë dhe prej secilës martesë kishte nga një fëmij. Vajza Lula erdhi nga martesa e fundit me Emily Stoflen, me të cilën u kurorëzua në vitin 2009. Vajzën Jennifer e pati me gruan e parë, martesë kjo që përfundoi me shkurorëzim. Djali Austin erdhi nga martesa e dytë me Mary Fiskun, motra e mikut të tij Jack Fisk, dhe zgjati plot dhjetë vjet, nga viti 1977 deri më 1987. Dhe djali Riley, të cilin e pati nga martesa e shkurtër me Mary Sweeneyn, e cila i montoi dhe prodhoi shumicën e filmave të tij nga vitet ’80 dhe tutje, përfshirë këtu edhe bashkëshkrimin e skenarit të filmit “The Strait Story”. 
Regjisori kontrovers, David Keith Lynch, u lind më 20 janar 1946, ndërsa vdiq më 16 janar të vitit 2025.