Me themelimin e Lagjes shqiptare në veri të Damaskut në vitet ‘30 të shekullit XX, u përqendrua atje shumica e shqiptarëve të Damaskut. Në ambient të ri, në ndejat e përditshme përcilleshin nëpër gjenerata rrëfimet për dhunën serbe kundër shqiptarëve, sidomos kundër familjeve të kaçakëve që luftonin pushtetin serb. Fryma kombëtare shqiptare u ndje më shumë në Damask me ardhjen e valës së tretë gjatë 1947-1948, e cila përbëhej prej elitës politike-ushtarake antikomuniste që shpëtoi prej regjimit të ri komunist në Kosovë e Shqipëri
Me krijimin e Jugosllavisë më 1918 dhe presionet sistematike të pushtetit serbomadh kundër shqiptarëve në Kosovë, shumë familje u detyruan të shpërngulen për në Damask. Këto familje mbanin mbiemrat e vendeve prej nga erdhën: Pejani, Prishtina, Gjemnica, Mitrovica, Sllatina e të tjerë, kurse disa mbanin mbiemrat e familjeve të njohura në Kosovë si Orucë e të tjerë. Me themelimin e Lagjes shqiptare në veri të Damaskut në vitet ‘30 të shekullit XX, u përqendrua atje shumica e shqiptarëve të Damaskut. Në ambient të ri, në ndejat e përditshme përcilleshin nëpër gjenerata rrëfimet për dhunën serbe kundër shqiptarëve, sidomos kundër familjeve të kaçakëve që luftonin pushtetin serb sikurse Nezir Abdyli, që u vra afër Junikut më 1927, vëllezërit e të cilit u detyruan të shpërngulen për në Damask, si pasojë e presioneve të pushtetit serb kundër tyre.
Në këto rrethana, ardhja e shqiptarëve në Damask vazhdoi deri në Luftën e Dytë Botërore, përkatësisht deri në shkatërrimin e Jugosllavisë më 1941 dhe krijimin e Shqipërisë etnike. Ndërkohë, situata gjatë Luftës së Dytë Botërore ndikoi dukshëm në keqësimin e gjendjes së kolonisë e vogël shqiptare, sa që diktoi themelimin e Shoqërisë shqiptare në fillim të 1946. Në bazë të Statutit të Shoqërisë shihet se ajo kishte më shumë karakter bamirësie si pasojë e gjendjes së rëndë sociale në disa familje. Vlen të përmendet këtu se qysh në fillim u paraqiten dy rryma në kryesi të Shoqërisë: rryma kombëtare shqiptare, që përfaqësonte Shefqet Gavuçi (1918-2020) nënkryetar i Shoqërisë i ardhur atëherë prej Kajros me frymën kombëtare e asaj kolonie, i cili kërkonte organizimin e kurseve të gjuhës shqipe për të rinjtë; rryma fetare, që e përfaqësonte hoxha Nasredin Nuh Nexhati, i njohur më vonë si al-Albani (1914-1999), sekretar për financa, i cili insistonte në karakterin e bamirësisë të Shoqërisë.
Fryma kombëtare shqiptare u ndje më shumë në Damask me ardhjen e valës së tretë gjatë 1947-1948, e cila përbëhej prej elitës politike-ushtarake antikomuniste që shpëtoi prej regjimit të ri komunist në Kosovë e Shqipëri duke kaluar në Itali e më vonë në Damask. Ardhja e kësaj elite (ministra, deputetë, ushtarakë e intelektualë) u bë me iniciativë të Mbretit Zog, i cili pas suprimimit të Mbretërisë në Shqipëri më 1946 kaloi në Kajro ku u trajtua si mbret legjitim, duke shfrytëzuar rrethanat e reja të Luftës së Ftohtë. Në këtë kontekst, në bashkëpunim me aleatët (SHBA-ja dhe Britania) mori përsipër tërheqjen e elitës politike-ushtarake shqiptare prej kampeve të Italisë në Lindjen e Mesme për ta formuar një qeveri në mërgim dhe për të përgatitur operacionet ushtarake kundër regjimit komunist në Shqipëri. Kështu, në Damask arritën Xhelal Mitrovica, Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Tahir Zaimi e të tjerët, të cilët formuan Grupin Kosovar në mërgim dhe nxorën në Damask në fillim 1948 numrin e parë të revistës “Bashkimi i Kombit”, një ndër gazetat e para të nacionalizmit shqiptar pas Luftës së Dytë Botërore.

Ç’është e vërteta, Grupi Kosovar në krye me Devën e Krasniqin kishte meritë për ngritjen e ruajtjen e çështjes së Kosovës me ndryshimin e qëndrimit amerikano-britanik ndaj Jugosllavisë pas vitit 1948. Ndonëse, me ndërmjetësimin e aleatëve, u arrit marrëveshja për formim të një komiteti politik (Shqipëria e Lirë) në vend të një qeveri në mërgim, në krye me Mit’hat Frashërin më 1949, por pa përfaqësim të Grupit Kosovar pasi që aleatët tani nuk pranonin cenimin e kufijve të Jugosllavisë, duke lejuar vetëm operacione (hedhja e parashutistëve) kundër regjimit komunist në Shqipëri. Ky qëndrim i ri ndezi polemikë të ashpër midis Rexhep Krasniqit në Damask dhe Mit’hat Frashërit në Romë në verë të 1949-s dhe ishte bazë për nacionalizmin kosovar që u zhvillua më vonë. Kështu, në një letër të datës 29 qershor 1949 nga Damasku, Rexhep Krasniqi duke kritikuar qëndrimet e partive politike të Shqipërisë më 1913 në mërgim thotë: “Kosova do të mundohet si gjithmonë me gjetë rrugën e shpëtimit, të bashkimit me Shqipërinë 1913, jo vetëm në luftën me armë, por edhe në fushën e veprimtarisë politike”.
Më vonë, me zgjedhjen e R. Krasniqit në krye të komitetit "Shqipëria e Lirë" më 1956, ai e paraqiti çështjen e Kosovës në një sesion të Kombeve të Bashkuara më 1958 në prani të përfaqësuesit të Jugosllavisë, i cili u tërhoq në shenjë proteste. Ky orientim u forcua më 1962 kur R. Krasniqi e formoi më 1962 Lidhjen e Prizrenit në Mërgim, të cilën e drejtoi Xh. Deva deri në vdekjen e tij më 1978, kurse ai e vazhdoi aktivitetin kombëtar me Kosovën në zemër deri në vdekjen e tij më 13 shkurt 1999, pra në prag të çlirimit të Kosovës.
Ndërkohë, përkundër qëndrimit të aleatëve, Xh. Deva insistoi që operacionet e planifikuara të përfshijnë Kosovën, së paku në aspektin e përmbledhjes së informatave, duke propozuar në fillim Shkupin si qendër por që u bë më vonë në Stamboll, krahas hedhjes së parashutistëve në Shqipëri me armë e municion.
Mirëpo, gjendja në rajon nuk duronte më ambiciet e Mbretit Zog në Kajro, pasi që Lufta arabo-izraelite e 1948-s nxori qindra mijëra refugjatë palestinezë në Jordani, Siri e Liban që do të krijonin tensione për disa dekada. Mbreti Zog, sikurse të kishte profeci e pa se rajoni nuk do të jetë më stabil as i përshtatshëm për ardhjen e shqiptarëve prej kampeve të Italisë, ndaj apeloi që shqiptarët që u vendosën në Lindjen e Mesme të shkojnë në SHBA, Kanada e Australi. Si pasojë, prej kësaj vale të tretë mbeten vetëm disa figura politike e ushtarake nga Kosova e Shqipëria (Ismail Gorani, Adem Dushi, Mull Bajraktari, Neshat Kolonja etj.) si dhe familja e Mehmet Konicës.
Fragmente nga një kumtesë e paraqitur në Institutin e Historisë në Prishtinë.