Shtojca për Kulturë

Claude Lefort, një lexim tjetër i romanit të Orwellit, “1984”

Është lajm i mirë që Teatri Kombëtar i Kosovës u ka hyrë përgatitjeve për ta vënë në skenë veprën e çmuar të George Orwellit, “1984”. Në këtë shkrim desha të përkujtoj mëvetësinë e interpretimit të kësaj vepre nga filozofi francez, Claude Lefort (1924-2010)

Subtiliteti i analizave të Lefortit mbi specificitetin e totalitarizmit si regjim politik, shpërfaqet edhe në interpretimin e tij të romanit të George Orwellit “1984”. Ky interpretim na ndihmon që të hetojmë veçantinë e këtij romani, nëpërmjet një ndriçimi të mëvetësishëm të fenomenit të totalitarizmit.

Në artikullin “Trupi i ndërmjetëm: 1984 i George Orwell”, Lefort zhvillon një lexim origjinal të kësaj vepre. Ai kritikon një varg të leximeve të cilat e kanë reduktuar këtë vepër në një skelet të qëruar. Ajo që është qëruar nga kjo vepër, për Lefortin, është pikërisht arti i Orwellit, sepse vepra është perceptuar jo si një roman, por si një përzierje “e esesë politike dhe science-fictionit”. Skeleti orvatet të thotë “esencën” e librit me disa formulime: “çdonjëri lëviz nën shikimin e Big Brotherit; jeta private është e shkatërruar, çdo banesë e ka një tele-ekran spiun; rregulloret përfshijnë të gjitha aspektet e jetës, edhe deri te praktika e seksualitetit; vlerat fundamentale janë përmbysur në dobi të parullave si ajo ‘lufta është paqe”. Këto tema që janë zhvilluar nga Hannah Arendt në veprën e saj “Origjinat e totalitarizmit”.

Besimi i verbër ndaj regjimit totalitar

Lefort mendon se pjesa thelbësore e romanit “1984” na mbetet e panjohur brenda atyre eseve politike, e madje edhe “qëllimi i veprës na ikën kësisoj”. Me qëllim që të na zbulojë përvojën e vet të botës totalitare, Orwelli, sipas Lefort, i hyn një hulumtimi letrar, brenda një regjioni i cili ”i shmanget dritës së papërpunuar të konceptit”, regjion në të cilin “zhbëhen kufijtë e të brendshmes dhe të jashtmes, ekzistencës personale dhe politikës”. Winstoni, nëpunës në Ministrinë e të Vërtetës të regjimit totalitar, i kapluar nga dyshimet, merr vendimin të shkruaj një ditar të vetin dhe i besohet një anëtari të rëndësishëm të Partisë, O’Brien, i cili prezantohet si agjent i konspiracionit: “Humbja e tij duket kësisoj, e provokuar nga besimi i pakusht që kishte për një kundërshtar të rremë të regjimit”. Por ajo duket së ishte paralajmëruar nga një nevojë dashurie për Zhylinë, e cila në fillim kishte nxitur tek ai një mosbesim dhe armiqësi. Por megjithatë, sipas Lefort, fati i Winstonit nuk është përcaktuar as nga O’Brien e as nga Zhylia, por nga vetë ai.

Arti i Orwellit, shkruan Lefort, është tejet i shquar, ngase ai nuk i vesh personazhit të tij asnjë ndjenjë tjetër veç asaj se gjithmonë e kishte ditur këtë. Ai e citon Orwellin: “Hapi i mbramë do të ishte diçka që do të ndodhte në Ministrinë e Dashurisë. Ai e kishte pranuar këtë. Fundi ishte i pranishëm brenda fillimit”.

Lefort e çmon po kështu mjeshtërinë artistike të Orwellit edhe në një pasazh nga fillimi i librit, në të cilin ai evokon ëndrrën e Winstonit. Nëna e tij dhe motra e tij e shikonin nga një vend nëntokësor – nga fundi i një pusi ose nga një varrezë shumë e thellë. “Ai ishte jashtë”, shkruan Orwell, “në hapësirën me ajër dhe dritë, ndërkaq ato i tërhiqte vdekja nga poshtë. E ato ishin aty, ngase ai ishte atje lart”. Lefort e ndriçon këtu rrjetin e imazheve nga e kaluara dhe e tashmja të cilin ato e kapin.

Image
George Orwell (1903 – 1950)

Mirëpo, qëllimi i shkrimtarit nuk kufizohet vetëm në një përshkrim të gërshetimit të mendimeve të Winstonit, ngase ai synon të zbulojë “kërkimin e tij të dyfishtë të së vërtetës politike dhe të vërtetës e cila e kaplon atë si individ. Ai sugjeron se ajo që përbën ndërgjegjen e Winstonit, ajo që vë në lëvizje më së thelli mendimet e tij, dëshira e cila i ushqen, jo vetëm se është e përcaktuar për ta humbur atë, që nga dita e parë, sepse për atë dëshirë nuk ka vend në botën në të cilin ai jeton, por se ka diçka brenda tij që vihet në shërbim të fantazmës e cila e qeverisë totalitarizmin”. Lefort vë në pah hollësisht se në ç’mënyrë ndërgjegjja e revoltuar e Winstonit është një ndërgjegje “e shtrembëruar, e magjepsur me imazhin e trupit i cili është fshehur brenda tij sikurse që është e fshehur edhe e kaluara e tij”. Imazhe këto kompakte, të zymta, të zhveshura nga njerëzimi, imazhe të nëpunësve të ministrisë dhe militantëve të Partisë”. Mirëpo, Winstoni nuk është vetëm viktimë e përfaqësuesit të pushtetit totalitar, ai është së pari viktima e vetvetes, ngase kishte rënë në grackën e vet. Lefort e vë në dukje ambivalencën e vetëdijes mbi veten të Winstonit: pasioni i tij mbi kufishmërinë është në shërbim të lirisë së tij. E në anën tjetër, megjithëkëtë, Vetja luhatet përballë enigmës së trupit, të së kaluarës, të vdekjes: “Cilësia joshëse e trupit dhe e së kaluarës e vënë në dukje kësodore besimin në pavdekësi – në atë pavdekësi të cilën zëri i O’Brien e bën të kumbojë në apologjinë e Partisë”.

Zaten, kjo pavdekësi e Partisë ushqehet me vdekshmërinë e të burgosurve. Tortura e mbrame në dhomën 101 të Ministrisë së Dashurisë, e ekspozon Winstonin para rrezikut që të jetë i gëlltitur nga minjtë. Para kësaj sprove përfundimtare, ai i thotë vetes së është i kënaqur që nuk e ka tradhtuar Zhylian, gruan të cilën e dashuron. Mirëpo përballë minjve: “Gjithçka u bë e errët”, shkruan Orwelli. Ai u bë i çmendur, një kafshë që ulërit. Megjithatë, ai doli nga errësira ku ishte duke u kapur për një ide. Ishte vetëm një mënyrë dhe vetëm një për të shpëtuar. Ai duhej ta vinte një qenie tjetër njerëzore, trupin e një tjetri midis vetes dhe minjve (nënvizim i Lefortit). “Duke e tradhtuar dashurinë e vet, ai ia jap pëlqimin dhe dashurinë e vet Big Brother-it, regjimit totalitar. Skena me minj “e zbulon derën nëpër të cilën këta hynë: dera sekrete e fantazmës, ajo e cila mund të thuhet se është në thellësinë e vetes, për çdonjërin, apo si diçka mbrapa vetes. Ata hyjnë mbrapa tij… ”Mirëpo ata minj, siç na sugjeron Lefort, dalin po kështu nga vetja e tij, nga një derë e brendshme…”. Ngase në këtë situatë, del Winstoni si djalë i vogël, gllabërues dhe i egër, djalë i cili gllabëronte madje edhe një copë çokollatë e cila i takonte motrës së tij: “Miu i ndyrë”, shkruan Lefort, “objekti të cilin Winston nuk mundet as ta durojë e as ta shikojë, është pjesërisht vetja e tij.” Lefort na sugjeron kësisoj se një pistë e mundshme e kërkimit do të ishte ajo që e lidh imazhin e trupit të ndërmjetëm përballë tmerrit “nga një gllabërim ku shuhet dallimi midis gllabëruesit dhe të gllabëruarit[…].”

Mirëpo, Winstoni do të ndjekë megjithatë një pistë tjetër, atë që do t’ia bënte të mundur të eksplorojë “domethënien politike dhe ontologjike të trupit të ndërmjetëm”, trupit të cilin e kishte vërë midis vetes dhe të dashurës së vet.

Image
Claude Lefort (1924-2010)

Amputimi i imazhit të trupit të dashur

Orwell, kësodore, nuk na sugjeron vetëm se shkatërrimi i vetëdijes mbi veten është njëherazi gati si shkatërrim i trupit të vet: shkatërrim ky që shoqërohet me “amputimin e imazhit të trupit të dashur.” Duke e sakrifikuar trupin e Zhylias, “ai e ka shkatërruar mishin e mishit të vet”, atë që i ka bërë të mundur ta ushqejë aty dashurinë e vet, dëshirën e vet dhe vetëdijen mbi veten e tij. Winstoni kësisoj e ka zëvendësuar trupin e dashur të Zhylias me trupin e Big Brotherit, i cili i duket i përjetshëm, e i cili njëherësh “e shpronëson nga vetvetja e tij, duke e zhytur brenda qenies së përbashkët të Partisë.” Lefort dikton brenda paraqitjes së aventurës së Winstonit zbulimin e “diçkaje nga esenca e totalitarizmit”. Në fakt, kërkimi i të vërtetës te Winstoni është “i drejtuar nga siguria për pashkatërueshmërinë e asaj që shfaqet dhe asaj që ka qenë, e cila njëherazi i kundërvihet sigurisë totalitare, por edhe nuk është e huaj për të.” Sipas Lefort, O-Brien dëshmon kësodore se “robëria mund të shkojë shumë larg edhe aty ku lirinë duket se e kërkojmë me ngulm.” Ky eksperimentim mbi kufijtë deri te të cilët shtrihet sundimi totalitar lidhet me sa duket me atë që ushtrohet brenda kampit.

Ndonëse nuk pretendon ta heqë enigmën me të cilën na ballafaqon sistemi totalitar komunist, Lefort megjithatë mendon se mund ta ndriçojë atë duke e paraqitur si “një mënyrë e re dominimit në të cilin është mjegulluar kundërvënia midis sunduesve dhe të sunduarve, apo më përgjithësisht, e asaj lartë dhe asaj poshtë, e në të cilën njëherazi hiqet parimi i dallimit midis vendeve ku aksioni, njohja, imagjinata ushtrohen brenda sprovës së kufirit. “Synimi i këtij lloji të sundimit është”, për Lefort, “ngurtësimi i sociales në brendi, mbyllja e sociales brenda vetes dhe ndonëse ai shoqërohet me një diskurs mbi krijimin e një bote të re dhe të një njeriu të ri, (në veçanti me paraqitjen e rekordeve të prodhimit industrial) dhe me thirrjet e pandërprera të mobilizimit të energjive kolektive”.

1984 në Teatrin Kombëtar të Kosovës

“1984”, shfaqja tjetër, bazuar në romanin e autorit anglez i cili u botua për herë të parë me 8 qershor 1949, vjen i përpunuar në skenë nga regjisori Igor Mendijsky. Provat për shfaqjen kanë filluar pak ditë më parë.

Regjisor: Igor Mendijsky

Luajnë: Adrian Morina, Ard Islami, Arta Selimi, Edona Reshitaj, Flaka Latifi, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci dhe Ylber Bardhi.

Konsulent artistik: Imer Kutllovci

Skenograf: Mentor Berisha