Shtojca për Kulturë

CIA për njerëzit e Zogut në Shkup që synonin rrëzimin e Enver Hoxhës

Një raport minucioz i inteligjencës amerikane, i datës 23 tetor 1952, hedh dritë mbi përmbajtjen e bisedimeve në takimet që përfaqësues të Zogut zhvilluan me njerëz të Titos, prej 28 deri më 30 gusht të vitit 1952, në fshatin Saraj afër Shkupit. Ndër të tjera, sipas raportit të CIA-s, pala shqiptare nuk kishte asnjë dyshim se Qeveria jugosllave ishte e sinqertë në qëllimet e saj për t'u takuar me mbretin Zog dhe se një fillim i ri po agonte në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave

Në përpjekjet e jugosllavëve për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri u përfshinë edhe përfaqësuesit e mbretit Zog. Pak veta e dinë që përfaqësues të Zogut patën zhvilluar një takim treditësh me njerëz të Titos, prej 28 deri më 30 gusht të vitit 1952. Këto takime u patën zhvilluar në fshatin Saraj, disa kilometra larg Shkupit. Në delegacionin e Titos bënin pjesë Branko Miliqi dhe kolonel Çedomir Mijoviq (ky i fundit si një nga njerëzit më të pushtetshëm të Sigurimit jugosllav), ndërkaq delegacioni që përfaqësonte mbretin Zog në këtë takim përbëhej nga Avni Deralla, Safet Lutfi Tozani dhe Irfan bej Ohri. Por, një raport minucioz i inteligjencës amerikane, i datës 23 tetor 1952, hedh dritë mbi përmbajtjen e këtyre bisedimeve.

Image
Shkupi, 1952

Bashkëpunimi me Qeverinë e Jugosllavisë

Në ditën e parë të takimit të delegacioneve, kolonel Mijoviqi u tregua goxha i rëndshëm. Në emër të palës shqiptare, Tozani foli se misioni i tij ishte që të kërkonte një bazë për bashkëpunim me Qeverinë e Jugosllavisë. Ohri, duke folur shqip në takim, ngriti pyetjen nëse Jugosllavia do ta njihte sovranitetin e Qeverisë së mbretit Zog dhe integritetin territorial të Shqipërisë. Ai i tërhoqi vërejtjen delegacionit jugosllav për faktin se mbreti Zog kastile nuk kishte marrë pjesë në kombinimet kundër regjimit të Hoxhës për shkak se ai ishte i mendimit se ndonjë përpjekje revolucionare pa dijen, pajtimin dhe bashkëpunimin e Qeverisë jugosllave do të ishte një aventurë që do t'i kushtonte rëndë popullit shqiptar.

Image
Detaj nga raporti i CIA-s, i 23 tetorit të vitit 1952

Delegacioni shqiptar, sipas Ohrit, dëshironte sinqerisht të fliste për bashkëpunim në çlirimin e Shqipërisë nga Cominformi. Në dritën e rëndësisë së bisedimeve të tilla, delegacioni në emër të mbretit Zog i bëri ftesë Qeverisë jugosllave që të dërgonte përfaqësuesit e saj në takim me mbretin. Në anën tjetër, Miliqi u përgjigj se ai ishte i befasuar me qëndrimin real të delegacionit shqiptar. Ai tha se qeveria e tij ishte e pajtimit që baza e këtyre negociatave duhej të ishte pavarësia politike dhe integriteti territorial i kufijve të tanishëm të Shqipërisë. Po ende ai përmendi edhe kontestin me Greqinë, duke sqaruar se Jugosllavia nuk ishte në aso gjendje sa të ndikonte që Greqia të tërhiqej nga mëtimet e saj territoriale ndaj Shqipërisë. Duke pohuar gatishmërinë e Qeverisë jugosllave për një takim të tillë, duke siguruar edhe njëherë respektin e Qeverisë në Beograd për pavarësinë politike dhe pavarësinë e Shqipërisë. Në vijim, Miliqi sugjeroi që delegacioni i mbretit Zog të njihej me programin e Komitetit të Prizrenit të Lidhjes së Refugjatëve shqiptarë.

Në ditën e dytë të takimit, kolonel Mijoviqi ishte më çakërr-qejf, madje e shfaqi edhe njohjen e tij të rrjedhshme të shqipes. Miliqi e nisi takimin duke pohuar se Qeveria e tij ishte pajtuar me propozimin e mbretit Zog për mbajtjen e një takimi. Të dy përfaqësuesit jugosllavë i bënë pyetje të shumta delegacionit të mbretit Zog mbi persona të ndryshëm dhe lidhjen e tyre të mundshme me Zogun.

Mijoviqi ngulmonte që të njihte mendimin e Derallës dhe Ohrit për Gjon Markagjonin, Kol Bik Mirakajn, Myslim Pezën, Lutfi Spahiun, kolonel Muharrem Bajrktarin dhe peshkopin Fan Noli. Ohri iu përgjigj të gjitha pyetjeve me njëfarë kujdesi duke u përpjekur që të mos jepte gjykime ose denoncime në çfarëdo mënyre. Delegacioni shqiptar vuri re simpatinë dhe interesin që tregonte Mijoviqi rreth grupeve fashiste.

Image
Detaj nga raporti i CIA-s i 23 tetorit të vitit 1952

Plani për kryengritjen e shqiptarëve të përkrahur nga jugosllavët

“Krejt papritur, kolonel Mijoviqi pyeti se çfarë mendimi kishte mbreti Zog dhe ndihmësit e tij për komunistët shqiptarë. Ohri u përgjigj se komunistët shqiptarë ishin vëllezër të shqiptarëve me bindje të tjera dhe se mbreti Zog nuk kishte ndonjë qëllim për t'u hakmarrë ndaj tyre”, shkruhet në raportin e CIA-s. Sipas tij, dëshira e vetme e mbretit ishte të shihte Comiformin jashtë Shqipërisë. Në takimin e tretë, më 29 gusht, Miliqi kërkoi të dinte nëse mbreti Zog kishte ndonjë organizim të gatshëm për të lëvizur kundër Hoxhës ose nëse mbreti po pranonte prej burimeve të tij informata nga Shqipëria ose nëse kishte nevojë për informacionet e Qeverisë jugosllave. Ohri u përgjigj duke thënë se mbreti nuk dëshironte të themelonte ndonjë organizim të tillë pa u arritur fillimisht bashkëpunimi me Qeverinë e Jugosllavisë. Ai bëri të ditur se mbreti kishte dërguar disa njerëz në Shqipëri, të cilëve u ishin dhënë urdhra të prerë që të mos përfshiheshin në asnjë veprim deri në çastin e përshtatshëm.

Në takimin e katërt, më 30 gusht, Mijoviqi shprehu dëshirën e jugosllavëve për të “shkatërruar Cominformin”, prandaj sipas tij, ata parapëlqenin që të shihnin një kryengritje të filluar nga vetë shqiptarët e që më pas do të përkrahej fshehtë nga jugosllavët. Mijoviqi la takimin në gjysmë meqë u urdhërua të shkonte në Beograd menjëherë. Kur po merrte të nisej, ai tha se kjo ishte një shenjë e mirë sesi po shkonin gjërat. Më 31 gusht, tre anëtarët e delegacionit shqiptar u kthyen në Stamboll përmes Shkupit dhe Selanikut. Si shënime anësore, përpiluesit e këtij raporti vunë në dukje se përfaqësuesit jugosllavë u paraqitën me emra të ndryshëm para anëtarëve të ndryshëm të delegacionit shqiptar. Kështu, Branko Miliqi u paraqit me këtë emër para Ohrit dhe Derallës, por Tozanit ai i tha se quhej Branko Stankoviq. Edhe Çedomir Mijoviq u paraqit me këtë emër para Ohrit dhe Derallës, por Tozanit i tha se quhej Miliq Sava.

“Një fillim i ri po agonte në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave”

Në shënimin tjetër anësor thuhet se Qeveria jugosllave bëri çmos që të krijonte një atmosferë të përzemërt gjatë takimit, ku fshati Saraj ishte një zgjedhje e shkëlqyer. Ushqimi dhe shërbimet e tjera ishin të organizuara si mos më mirë. Delegacioni shqiptar nuk u lejua të bënte asnjë shpenzim meqë gjithçka u pagua nga nikoqirët jugosllavë. Ata këmbëngulën që t'u paguanin edhe biletat kthyese, por pas kundërshtimit të delegacionit shqiptar, ata u dhanë bileta për në Selanik. Në shënimin anësor, përpiluesi i raportit të CIA-s vëren edhe përshtypjet e delegacionit të mbretit Zog. Ata nuk kishin asnjë dyshim se Qeveria jugosllave ishte e sinqertë në qëllimet e saj për t'u takuar me mbretin Zog dhe se një fillim i ri po agonte në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.