Nuk isha i vetmi që ndihesha i marrosur. Sasha, një ditë në bulevardin pranë shtëpisë sonë, u përball me Ivan Markoviqin, zëdhënësin e atëhershëm të qeverisë apo që atë kohë po mbante ndonjë pozitë të ngjashme në nomenklaturën e pushtetit. Ai ishte me gruan dhe po krihej në vitrinën e një dyqani. Ajo ka “nisur“ t’i ulërijë: “Çfarë po bën këtu? Po zbukurohesh? Shko në Kosovë! Barabë!. As vetë ajo nuk e mbante mend se çfarë i ka klithur. Ai filloi t’i ikte nga ana e Gvozdiqev, afër lulishtes “Lipovog Lada”, kurse ajo gjatë gjithë kohës e ndiqte dhe i fliste nga pas
Si mundesh vallë ta bësh kujtesën e largët më të freskët? Unë jetoj i ngërthyer nga “njollat” që më kanë lënë në kujtesë ngjarje të ndryshme. Rëndësia e këtyre ngjarjeve nuk mund të përcaktohet nga madhësia e këtyre njollave.
Përvjetori i lindjes duket se ma shtoi dëshirën të vazhdoj të shkruaj historinë që kam lënë pas dore. Ajo që kam shkruar për veten më del si një dëshmi që sot merr një kuptim krejtësisht të ndryshëm. Kjo për shkak se kam vazhduar të jetoj i rrethuar nga të njëjtit njerëz e në të njëjtën hapësirë. Sot shoh se sa shumë kanë ndryshuar njerëzit, madje edhe hapësira ku jetojmë. Gjatë marsit, prillit dhe majit të vitit 1999 vazhdonte pa ndërprerje ndonjë punë komunale. Në bulevard u zbrazën dyqanet e veshjeve dhe u transformuan në disa objekte të reja, shkaku i rregullimeve të të cilave do të zbulohet vetëm në vitet në vijim. Kjo fshirje e sipërmarrjes komunale sigurisht që nuk ishte aksidentale. Në kulmin e mobilizimit dhe të histerisë së luftës u përhapën perandoritë e biznesit, që punonin në Bambiland në Pozharevac (34) në Beograd, Nish e Novi-Sad. Ne lëvizëm për kah një drejtim i panjohur, i cili hapi historitë e suksesshme të jetës së Mishkoviqit, Kariqit, Peconit, Bekas (35). Mrekullia e zotësisë në këto kohë!
Stefani është gjashtë - shtatë vjet më i ri se Ivani. Ne e njohim qëkur ishte dy ose tre vjeç. Ai jeton me të ëmën në lagjen tonë. Stefani kishte frikë se mos e merrnin në ushtri, edhe pse nuk kishte kaluar ende as edhe fazën e rekrutimit. Pothuajse çdo natë shkojmë te Stefani, pasi e ëma ndodhet o në punë, o në rrugë. Stefani i ka ulur grilat dhe i ka hapur krejt dritaret. I mban kështu pa ndërprerje, pavarësisht nëse është apo jo në gjendje gatishmërie. (Dritaret i mban të hapura me qëllim që të mos thyhen xhamat nëse shpërthimi i bombës do të ndodhë në afërsi të lagjes.) Në njërën prej shtëpive dykatëshe pranë nesh, mes dritareve, qëndroi edhe për shumë vite pas bombardimit i suvatuar një shirit i madh ngjitës që përdoret për paketim, në formën e një ”X” të madh. Dikush që e urrente si pamje ka menduar të mos e heqë apo ndoshta thjesht: “Le të jetë aty, sido që të ndodhë”.
Një pasdite, tamam në fund të prillit kur dita zgjatet, shkova tek ai me kushëririn që ta nxjerr jashtë. Megjithëse me ngurrim të madh, pranoi të vijë me ne në këtë ekspeditë. Objektivi: tur zbulues dhe rikonjicioni rrotull ngrehinës së Shtabit të Përgjithshëm (36), apo asaj që ka mbetur prej saj.
U nisëm teposhtë kodrës, përmes drejtimit të Kryqit të Kuq. Prej rrugës “Filip Filipoviq”, e cila tani kushedi mban ndonjë emër të ri – apo është ruajtur i vjetri, arritëm te “Maksim Gorki” dhe pastaj zbritëm disa blloqe më larg, nëpërmjet Bulevardit të Jugut, ku është rrënuar një shtëpi, me sa duket gabimisht për shkak se mbrojtja kundërajrore ka qëlluar kundër ndonjë Tomahawku (37). Nuk besoj më në të bëmat heroike të ushtrisë sonë, ashtu si edhe në qëndresën, madje as në prishjen e ngadaltë të raketave tona patrulluese, por ishte dukshëm e qartë se shtëpia në rrugën “Maksim Gorki” nuk përbënte ndonjë lloj objektivi ushtarak. E gjithë skena ishte natyrisht krejtësisht joreale. Dukej sikur shtëpia të qe rrënuar vetë. Mu sikur të kishte rrëshqitur poshtë shpatit. Ishte mbledhur aty rrotull një botë mjaft e çuditshme që këqyrte se si ekskavatorët po i pastronin rrënojat. Ne vazhduam udhëzën paralele me “Filip Filipoviqin”, dolëm te rruga “Nebojšina” dhe nga atje te “Pasteur” , zik-zak direkt e në “Nemanjine”. Para nesh ngrihej një kanion i dëmtuar rëndë. Stefani u kënaq me madhësinë dhe saktësinë e rënies së ujit. Mua e gjitha kjo më ndikon si një shfaqje e neveritshme teatrale, në të cilën gënjeshtarët dhe frikacakët konkurrojnë me njëri-tjetrin për të lënë përshtypjen më të mirë. Makinat në “Knez Millosh” kalojnë fare rrallë. Ajo ka filluar të erret dhe i gjithë peizazhi ngadalë filloi të mbushet me një mjegull të zbehtë. Arritëm në ndërtesën e policisë, për të cilën unë gjithmonë kam ndier mjaft neveri. Mbaj mend përvojën e thirrjeve të vazhdueshme dhe dhënien e dëshmive. (Viti ’99 në “Knez Milosh”). Unë kam qenë rreth njëzet vjeç, studioja në Fakultetin e Filozofisë dhe i përkisja asaj bërthamës së të ashtuquajturve studentëve “të veçantë”. Kjo mjaftonte të më mbërthenin nga qafa dhe të më shqetësonin vazhdimisht. Atje kanë hyrë dhe miqtë e mi më të ngushtë, të cilëve u janë konfiskuar pasaportat apo i kanë rrasur në burg me pretendimin për kundërvajtje verbale. Cili do të mund t’i harronte vallë këto ndonjëherë? Kjo qeveri, e cila edhe tani përdor Shërbimet e dikurshme Sekrete. Sa shumë mizori, krime dhe gënjeshtra kanë gjalluar në katakombet e tyre! (Natyrisht, më vjen keq për ata që janë persekutuar për shkak se i kapën, por ndoshta për shkak të së njëjtës ndërtesë dhe sidomos simbolit të ndërtesës, në përgjithësi nuk më vjen fare keq.) Kutërbon djegie. Nuk dëgjohet as edhe një zë i vetëm, as edhe një zhurmë motori apo ndonjë bilbil paralajmërues. Përvoja personale është gjithmonë diçka që nuk mund të përgjithësohet, por nga ajo në njëfarë mënyre duhet të fillojë të ngrihet diçka. Kështu ndodhi edhe për inventarizimin e jetës sonë. Ndjeva tani dëshpërimin që sapo kish filluar të peshonte ngado.
Bombardimi do të ngelet gjatë i ngulur jo vetëm tek unë, por edhe te shumë breza të tjerë që do të vijnë më pas. Për të do të flitet si për kombin, si për një shenjë të pashlyeshme më shumë se për Jasenovacin (38) apo bombardimet gjermane të gjashtë të prillit 1941 (39). Gazetat, përveç kësaj, në atë kohë ishin të mbushura plot me krahasime dhe analogji historike. Bombardimet më të këqija, si rregull janë ato të aleatëve. Kjo “Aleate”, veçanërisht theksohet si diçka e rëndësishme. Gjermanët ngadalë janë duke u bërë zotërinj të stilit të lartë, të cilët e dinë se ç’është rregulli dhe që kanë guximin që personalisht të luftojnë vetëm për kauzën e tyre. Ky nuk ishte rasti për zotërit e tanishëm të botës – kryesisht të përfaqësuar nga amerikanët. Unë kam qenë i zhytur në këto mendime me të cilat me sa duket po argumentoja apo kam diskutuar me veten në rrugë. Pashë se si një komb i tërë ngadalë është bërë i fiksuar me idenë se është i flijuar pafajësisht dhe se është një viktimë e shënuar përgjithmonë. E tmerrshme! Sa e tmerrshme dhe e pashlyeshme të shohim se sa bëhet për të sajuar stereotipa dhe marrëzi të reja pa as edhe një lloj mundësie për t’i ndaluar ato.
Nuk isha i vetmi që ndihesha i marrosur. Sasha (40), një ditë në bulevardin pranë shtëpisë sonë, u përball me Ivan Markoviqin, zëdhënës i atëhershëm i qeverisë apo që atë kohë po mbante ndonjë pozitë të ngjashme në nomenklaturën e pushtetit. Ai ishte me gruan dhe po krihej në vitrinën e një dyqani. Ajo ka “nisur“ t’i ulërijë: “Çfarë po bën këtu? Po zbukurohesh? Shko në Kosovë! Barabë! (41)... As vetë ajo nuk e mbante mend se çfarë i ka klithur. Ai filloi t’i ikte nga ana e Gvozdiqev, afër lulishtes “Lipovog Lada”, kurse ajo gjatë të gjithë kohës e ndiqte dhe i fliste nga pas. Pastaj në dritare është shfaqur edhe Stefani, të cilin e ka thirrur Sasha dhe i kërkoi një armë. I gjori nuk ka pasur asnjë armë, përveç, ndoshta, një thike të dhëmbëzuar për bukë. Kur kaloi koha e mjaftueshme për të harruar këtë ngjarje, së bashku, ne qeshnim me absurditetin e gjithë situatës.
Ndërkohë, në sheshin “Republika” mbaheshin koncerte mosbindjeje si shprehje e sfidës “spontane” të vullnetit popullor. Për të shkuar në punë mua më duhej të kaloja afër sheshit “Republika” . Për fat të mirë, “koncertet” u zhvendosën më vonë, me kohë diku pas mesditës. Kam përballur një ditë një skenë të hapur dhe një grumbull njerëzish me kostume të cilët po vërdalloseshin. Mbaj mend se një mëngjes tjetër hasa me një xhaj, në fakt shumë vital, veshur me rrobat klasike fshatare serbe, me gjithë shajkaçën dhe opingat origjinale, teksa po kërcente mu përballë hyrjes kryesore të Teatrit Kombëtar. I thashë: po çfarë po bën këtu o xhaj, po luan ndonjë film?
Shko më mirë e kujdesu për nipërit dhe familjen sesa që bën këtu budallain! Ai u zhduk në anën tjetër.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë