Shtojca për Kulturë

Çështja e Kosovës dhe roli i diplomacisë ndërkombëtare në procesin e çlirimit të saj

Pikërisht në momentet kur çështja e Kosovës u bë shqetësim për nivelet e veçanta e të përbashkëta ndërko­mbëtare, kur një konfigura­ci­on i ri etnik e politik u krijua në territorin e ish-Jugosllavisë, sekretari i NATO-s, gjene­rali Manfred Wörner, paralajmëronte Serbinë kundër përpjekjeve për spastrim etnik të shqiptarëve nga Kosova dhe nën­vi­zonte se “një zgjerim i luftërave drejt Kosovës dhe një luftë ballkanike duhet të ndalet me çdo çmim”. Kurse ish-presidenti George Bush para­lajmëroi udhëhe­qjen serbe në dhjetor të vitit 1992 që SHBA-ja mund ta përdorë forcën në qoftë se Serbia shtrin luftën në Kosovë. Mesazhi i Bushit indirekt thoshte që “në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga serbët, SHBA-ja do të përga­titet t’i përdorë forcat ushtarake në Kosovë dhe në Serbi kundër serbëve”

Çështja e Kosovës, deri në fund shekullit XX, nuk gjeti trajtim përkatës nga forumet e politikës ndërkombëtare. Ajo jo vetëm që u mi­nimizua, për më tepër, në të shumtën e rasteve, u injorua tërë­sisht nga faktorët ndërkombëtarë.

Ky “kontribut” i faktorit ndërkombëtar bëri që çështja e Kosovës të jetë çështja më tragjike kombëtare në Ballkan dhe në Evropë.

Gje­neza e kësaj tragjedie zë fill me Krizën Lindore, përkatësisht me Kon­gresin e Berlinit (1878). Ashtu sikurse Kongresi i Berlinit (1878), edhe Konferenca e Lo­ndrës (1912-1913) u bë in­stru­ment justi­fikues i vazhdimit të copëtimit të truallit etnik shqiptar. Edhe me vendimet e Konferencës së Paqes së Versajës (1919­-1920) Kosova dhe trevat e tjera të aneks­uara më parë Serbisë dhe Malit të Zi, u përfshinë në Mbre­tërinë SKS, të krijuar më 1 dhjetor 1918 nën he­gjemoninë serbe. Duke ia hedhur një vështrim të përgjithshëm kësaj periudhe historike, me të drejtë mund të konstatohet se formimi i MSKS-së më 1918 shënon njërën nga periudhat më të vështira dhe më të ndërlikuara për popullin shqiptar.

Inskenimi jugosllav i kundërrevolucionit në Kosovë

Në rrethanat e reja, që i krijoi Lufta e Dytë Botërore, e bazuar edhe në Deklaratën e Teheranit, por edhe në Kartën e Atlantikut dhe të Moskës, e cila u shpall më 1 dhjetor 1943 – nga kryetarët: F. D. Roos­velt, Churchill dhe Stalin – populli shqiptar në ish-Jugosllavi u shpreh për vetëvendosje deri në shkëputje dhe bashkim me shtetin amë.

Këtë vullnet populli shqiptar e shprehu në Konfere­ncën e Buja­nit të Malësisë së Gjakovës, më 31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944. Mirëpo, shtetet evropiane dhe botërore, madje edhe Lidhja e Ko­mbeve, edhe kësaj here nëpërkëmbën të drejtat legjitime të shqipta­rëve. Kjo sjellje e ndërkombëtarëve bëri që jugosllavët shumë shpejt ta inskenonin kundër­revolucionin në Kosovë dhe në rrethana të mbylljes hermetike të së vërtetës për Kosovën dhe popullin shqiptar, Qeveria titiste e mbajti Kuvendin e Prizrenit (8-10 korrik 1945), përmes të cilit dezinformohej opinioni botëror kinse shqiptarët shprehnin dëshirën që t’i bashkoheshin Serbisë federale.

Edhe riokupimit të tretë sllavokomunist të Kosovës shqiptarët i bënë një rezis­tencë permanente. Mirëpo, deri në vitin 1981 shteti jugosllav kishte arritur ta mbante Kosovën jashtë fokusit të informacionit ndërkombëtar.

Duke filluar nga demonstratat e viti 1981, kur shqiptarët ripërsëritën kërkesën për Republikën e Kosovës, e ku u vranë 9 sipas bu­rimeve jugosllave, ndërsa 300 veta, sipas burimeve amerikane, çësh­tja e Kosovës shpërtheu kornizat jugosllave dhe u bë objekt i shtypit dhe i mediave ndërkombëtare të kohës, por jo edhe i qeverive të shte­teve të veçanta apo i organizmave politikë ndërko­mbëtarë.

Image
Shtetrrethimi i Kosovës pas demonstratave (Foto: Ilaz Bylykbashi)

23 mars 1989 – gjithçka nën pushtetin e Beogradit

Pas demonstratave të vitit 1981, statusi shoqëror-politik e juridik i shqiptarëve dhe i vetë Krahinës së Koso­vës erdhi duke u minimizuar. Në rrjedhën e kësaj politike, më 23 mars të vitit 1989, nën gje­ndje të jashtëzakonshme, nën mbikëqyrjen e më shumë se 16 mijë ushtarëve dhe 10 mijë policëve specialë të policisë federale, në seancën e Kuvendit të Kosovës, u aprovuan amendamentet në Kushtetutën e Ser­bisë. Me këtë akt u rrëzuan të gjitha strukturat institucionale, politike, ekonomike, gjyqësore, policore, shën­detësore e kulturore autonome të Kosovës dhe gjithçka u vu nën pushtetin e Beogradit.

Dhuna antikushtetuese që ndërmori pushteti serb ndaj struktu­ra­ve autonome të Kosovës dhe masat represive ndaj popullsisë shqiptare, e përkeqësuan situatën dhe i bën shqiptarët më të vendosur në rrugën drejt shkëputjes. Më 2 korrik 1990, si përgjigje ndaj politikës rrënuese të Beogradit, të 114 deputetëve shqiptarë të Kosovës, miratuan Deklara­tën Kushtetuese, përmes së cilës de jure Kosova shkëputej nga Serbia dhe linte të hapur mundësinë e participimit në Federatën apo Konfe­deratën Jugosllave, si element konstituiv i së cilës ishte edhe sipas Ku­sh­tetutës së vitit 1974, por kjo lihej varësisht se si do të përcakto­heshin edhe popujt e tjerë të saj.

Në kuptimin konstitucional, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 është analoge me Rezolutën e Bujanit /31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944/, e cila në substancë ishte shprehje e vullnetit politik të popullsisë shumicë në Kosovë për vetëvendosje: “Deklarata Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të Federatës / Konfederatës së Jugosllavisë si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në Federatë / Konfederatë”. Lidhur me këtë, akademik Gazmend Zajmi shkruante: “Me këtë Deklaratë Kushte­tuese, me karakter konstituiv politik, përveç të tjerash, ‘ipso jure’ u bë derrogimi i rezolutës së Kuvendit të Prizrenit të vitit 1945 mbi bashkimin e Kosovës “Serbisë federale” (Leges posteriors priores contrairas abro­g­a­nt»).

Një fazë e re historike për Kosovën

Kështu, çështja e Kosovës, pas shpalljes së Republikës së Kosovës, hyn në një fazë të re historike, në rrugën e arritjes përfundimtare të pavarësisë së Kosovës – zgjidhje me peshë madhore e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe me peshë ndëretnike ballkanike.

Në këto rrethana organet shtetërore të Kosovës bënin përpjekje për të riorganizuar mënyrën e veprimit dhe përshtatjen e organizimit të veprimtarisë sipas situatës së krijuar. Kuvendi i Kosovës ishte në një gjendje edhe më specifike në këto kushte. Ai kishte një obligim të veçantë që dilte nga pika 5 e Deklaratës Kushtetuese. Ai duhej ta përgatiste dhe ta shpallte Kushtetutën e Republikës së Kosovës me aktet e tjera të nevojshme që nxirreshin në raste të tilla. Më 7 shtator delegatët u mblodhën në Kaça­nik. Kuvendi në këtë mbledhje shpalli Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktet e tjera përcjellëse, duke e çuar Kosovën në një etapë të re drejt ecjes në rrugën për pavarësi dhe krijim të shtetit sovran.

Për rrje­dhojë, një vit më vonë, më 26-30 shtator 1991 në Kosovë u organizua “Referendumi” për t’ia dhënë Republikës së Kosovës legjitimitetin e nevojshëm. Tani jo brenda Federatës Jugosllave, por shtet sovran dhe i pava­rur.

Shtetet perëndimore në fillim përpiqeshin që në Kosovë të mos shpërthente konflikti i armatosur dhe të zbutet represioni serb, i cili ki­shte për qëllim ndryshimin e strukturës së popullsisë në Kosovë me anë të spastrimit etnik.

Image

Paralajmërimet amerikane për Serbinë

Pikërisht në momentet kur çështja e Kosovës u bë shqetësim për nivelet e veçanta e të përbashkëta ndërko­mbëtare, kur një konfigura­ci­on i ri etnik e politik u krijua në territorin e ish-Jugosllavisë, sekretari i NATO-s, gjene­rali Manfred Wörner, paralajmëronte Serbinë kundër përpjekjeve për spastrim etnik të shqiptarëve nga Kosova dhe nën­vi­zonte se “një zgjerim i luftërave drejt Kosovës dhe një luftë ballkanike duhet të ndalet me çdo çmim”. Kurse ish-presidenti George Bush para­lajmëroi udhëhe­qjen serbe në dhjetor të vitit 1992 që SHBA-ja mund ta përdorë forcën në qoftë se Serbia shtrin luftën në Kosovë. Mesazhi i Bushit indirekt thoshte që “në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga serbët, SHBA-ja do të përga­titet t’i përdorë forcat ushtarake në Kosovë dhe në Serbi kundër serbëve”.

Një muaj më vonë, përkatësisht më 21 janar 1993, edhe Bill Clin­ton në fjalimin e tij të përurimit për president të SHBA-së, në mënyrë indirekte, ia dërgon këtë mesazh Milosheviqit: “Çdo herë që interesat tona kërcënohen, ose kurdoherë që vullneti dhe ndërgjegjja e bashkë­si­së ndërkombëtare përbuzet, ne do të veprojmë me diplomaci paqësore kur është e mundur, me forcë kur është e nevo­jshme”.

Kështu, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, në vitet ‘90 koncepti humanitar fitoi epërsinë mbi konceptin e “interesave të shte­tit”, të “integritetit tokë­sor”, “të sovranitetit absolut”, të mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare. Kjo ishte një risi shumë pozitive me rrjedhime të paparashikuara, por pa dyshim përparimtare dhe e mirëseardhur.

Këto ndodhën kur u shua “bota dy­po­lare” apo e “dy super­fuqive” kur SHBA-ja mbeti e vetmja superfuqi e aftë për të formuar dhe drejtuar koalicione për përballimin e situatave eks­tre­me.

Dy deklaratat e dy presidentëve të SHBA-së, George Bush dhe Bill Clinton, dëshmojnë se kon­cepti i “sovra­ni­tetit” do të kalojë në një fazë transitore për arsye të përparësisë që fiton respekti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos garancia e jetës së lirë.

Vijon në numrin e ardhshëm për Shtojcës për kulturë