“Përgatitja” dhe “siguria” s’janë thjesht fjalë në Finlandë, por pjesë e natyrshme e shoqërisë. Finlanda ka ndërtuar strukturë që u jep mundësi qytetarëve të ndihen të sigurt edhe në mendimet më të errëta për kriza. Balancimi mes sigurisë, përgatitjes, lidhjes me njëri-tjetrin dhe relaksit e lidhjes me natyrën, i bën finlandezët të ndihen më të lumturit në botë. Janë 50 mijë bunkerë që do të mund të strehonin 4.8 milionë banorë. Por finlandezët shpresojnë të mos u hyjnë kurrë në punë, e shumica prej tyre janë hapësira argëtimi ose bunkerë paqeje
“Për aq sa kemi ndjeshmëri për njëri-tjetrin, do të kemi shpresë”, thotë aktorja e famshme finlandeze Alma Poysti, sipas titullit të revistës “This is FINLAND” (Kjo është Finlanda) në edicionin e 2025/2026-s. Është pikërisht kjo ndjenjë që përshkruhet si arsye që ua jep finlandezëve epitetin e popullit më të lumtur në botë për të tetin vit rresht. Janë gjërat e thjeshta që e bëjnë Finlandën shteti që është. Kujdesi për njëri-tjetrin, ndarja e momenteve, mirëbesimi, barazia, arsimimi, lidhja me natyrën, janë vlerat e tjera që ndajnë finlandezët. Mbi të gjitha - gjithëpërfshirja.
Lumturia nën tokë
“Mund të duket e habitshme, por ne lumturinë e gjejmë edhe këtu”, shpjegon duke qeshur Nina Jarvenkyla, specialiste e komunikimit në Departamentin e Shpëtimit të qytetit të Helsinkit. Bën me dorë drejt lodrave për fëmijët që gjenden në thellësi të bunkerit “Merihaka”, afër qendrës së qytetit.
Nuk është një bunker tradicional. Bëhet fjalë për mbrojtje civile moderne që organizohet shpejt nën kushte të kërcënimeve ushtarake apo emergjencave të tjera. Pas rreth 20 metrash nëntokë, nga dalja e ashensorit shihen dyer të mëdha e që sipas cicerones peshojnë dhjetëra tonë. Qëllimin e kanë për të ndaluar edhe toksinat që mund të futen në raste emergjente. Aq të mëdha janë dyert saqë duhet kohë përgatitjesh për t’i mbyllur. Para tyre janë shtigjet për ecje, që do të duhej të largoheshin në mënyrë që të lirohej hapësira e mjaftueshme për t’u mbyllur dyert e rënda dhe që të sigurohet izolimi nga jeta normale.
E gjendur krejt në mes të një guri të madh graniti – i cili shërben si mur për bunkerin – hapësira e ndarë në disa dyer mund të shërbejë si strehë për rreth 6 mijë qytetarë. Stafit do t’i duheshin vetëm tri ditë për të organizuar gjithçka, që çdo gjë të jetë ashtu siç kërkohet për strehim edhe pse bëhet fjalë për një prej bunkerëve më të mëdhenj.

“Urojmë të mos na duhet kurrë”, thotë Jarvenkyla.
Për secilin prej njerëzve që do të mund të strehoheshin aty ka shtretër, tualete dhe pajisje emergjente. Sistemi i ajrimit është i obliguar, e në vazhdimësi nga salla në sallë kalohet nëpërmjet dy dyerve, të mëdha e të trasha. Dyert kanë ngjyrë të kaltër, që në kombinim me të bardhën e granitit shfaqin flamurin finlandez. Dera e parë ka qëllimin që të ndalojë ndonjë shpërthim të mundshëm. Tjetra, që në brendi të hapësirës shpërthimi të mos ketë ndikim.
“Përgatitja është diçka që ne e kemi në gjak”, është përshkrimi më i mirë që Jarvenkyla, ish-gazetare, ia bën sistemit modern të bunkerëve të vendit më të lumtur në botë.
50 mijë bunkerë për 4.8 milionë banorë
Sapo të kalohen hapësirat që duken si korridore të gjata, por që në fakt paraqesin “dhomat e gjumit”, rruga shpie në të paktën dy salla të mëdha sportive. E shtruar me material specifik për sporte të ndryshme, hapësira e pashfrytëzuar deri tash për situata emergjente, përdoret për argëtim. Nuk mungojnë rrjetat sportive e as shenjëzimet në tokë. Nuk ngjan fare me bunker, siç do të imagjinohej. Ngjitur tyre janë lodrat e fëmijëve, e prindërit mund të shijojnë kafetë apo pijet pranë. Bunkeri ka edhe parkingun, që në kushte të jashtëzakonshme do të mund të shfrytëzohej për të sjellë furnizime a diçka të tillë.
Bëhet fjalë për vetëm një prej 5 mijë e 500 bunkerëve sa ka Helsinki. Finlanda si tërësi ka kapacitete të bunkerëve për të strehuar 4.8 milionë njerëz në mbi 50 mijë bunkerë. Shumica e bunkerëve janë privatë nëpër ndërtesa të ndryshme banimi. Parakushti është që çdo bunker duhet të jetë në gjendje që të përgatitet për mbyllje për tri ditë të vetme. Kjo bazuar në atë që njihet si Akti i Shpëtimit në shtetin me mbi 5.6 milionë banorë.

Ndërtimi i sigurisë
Rrënjët e përgatitjes për siguri dhe paqe janë që nga fillet e Finlandës. Zyrtarë shtetërorë e njerëz të thjeshtë ndërlidhin gjithçka me përfshirjen e të gjithëve në proceset e sigurisë e të zhvillimit të gjithmbarshëm. Njerëzit ndihen të vlerësuar e të rëndësishëm për rolin e tyre në mbrojtjen e Finlandës.
Shteti verior i Evropës e shpalli pavarësinë më 1917. Por qysh në vitin 1906 gratë finlandeze u bënë të parat në botë që patën të drejtë vote dhe të garojnë në zgjedhje. Parlamenti finlandez është ndër më të hapurit në botë sot. Edhe qytetarët e vizitorët mund ta përcjellin nga afër mbledhjen e 200 njerëzve të zgjedhur me votën e tyre. Sot nga 200 anëtarë të Kuvendit, 91 janë gra. Barazia e të gjithëve para ligjit, e sidomos përfshirja e grave në vendimmarrje dhe të gjitha hallkat tjera, sipas deputetes Saara-Sofia Siren, që është përfaqësuese speciale e kryesuesit të OSBE-së për çështje gjinore, konsiderohen hapa të mëdhenj drejt arritjes së demokracisë.
Përgjatë përpjekjeve për demokraci, Finlanda u sfidua me çështje të sigurisë. Nisur nga kërcënimet për pushtim, te përgatitja për skenarët më të këqij, Finlanda sot si shtyllë të shtetit e konsideron pikërisht atë që e quan “siguri gjithëpërfshirëse” si themel të qëndrueshmërisë së shoqërisë finlandeze.
“Në konceptin e sigurisë gjithëpërfshirëse ruhen funksionet kyçe të shoqërisë, në bashkëpunim ndërmjet autoriteteve, bizneseve, organizatave e qytetarëve”, thuhet në Konceptin e Finlandës për Sigurinë Gjithëpërfshirëse, të prezantuar para një grupi prej 10 gazetarësh ndërkombëtarë në mes të muajit mars në Helsinki.
“Individi është qendra”, thotë Annukka Ulivaras, ndihmëssekretare e përgjithshme e Sekretariarit të Komitetit të Sigurisë, organizatë qeveritare që ka për detyrë të ndihmojë Qeverinë dhe ministritë në përgatitjen proaktive lidhur me sigurinë gjithëpërfshirëse. “Koncepti është i bazuar në legjislacione, por ajo që e bën më unik është bashkëpunimi”.
Kur bëhet fjalë për bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje përfshihen edhe kampe trajnuese për qytetarët. Ata mund të marrin pjesë në kurse të mbrojtjes në nivele lokale e shtetërore, që mund të zgjasin deri në pesë javë, ndërsa ka edhe kurse më të shkurtra e më speciale në aspektin e gjithëpërfshirjes dhe të sigurisë.
“Mbrojtja kombëtare u përket të gjithëve”, shkruan në faqen “suomi.fi” me këshillat për përgatitje të qytetarëve në rast të krizash apo incidentesh.

“Mënyrë e re për të kuptuar Tokën”
Avancimin e Finlandës për një shekull në të gjitha fushat, e përshkruan edhe rrugëtimi i kompanive teknologjike në këtë shtet. “Nokia” shpejt para dy dekadash ishte bërë lider botëror me telefona mobil. Tash po punon në teknologjinë më moderne të ndërlidhjeve, por edhe në pajisje të mençura. Në Qendrën Ekzekutive të Nokias në Espoo afër Helsinkit shfaqet edhe logoja e re e brendit me nam – si sinjal që kompania po synon teknologjitë e reja në rrugën përpara.
ICEYE është një kompani e re që me hapa të shpejt është bërë lidere. “Mënyrë e re për të kuptuar Tokën”, është thënia që dominon në uebfaqen e kompanisë. Ajo aktualisht operon me 48 satelitë që bartin radarët sintetikë të cilët mundësojnë ofrimin e pamjeve të tokës nga hapësira në kohë reale, e madje në kushte të vështira atmosferike. Kompania është kthyer në partnere të besueshme për qeveritë e industritë botërore. “ICEYE ofron inteligjencë në sektorë të ndryshëm si mbrojtja dhe inteligjenca, sigurimet, përgjigjet ndaj katastrofave natyrore dhe rikuperimet, monitorime detare e financiare, duke mundësuar vendimmarrje që kontribuon në qëndrueshmëri të komunitetit dhe zhvillim të qëndrueshëm”, thuhet në përshkrimin e kompanisë që udhëhiqet nga një grup të rinjsh, e që në mbarë botën ka mbi 700 punonjës.
Partner i institucioneve finlandeze dhe më gjerë, në aspektin e sigurisë, është edhe Qendra Evropiane e Ekselencës Kundër Kërcënimeve Hibride (Hybrid CoE). Rrjeti i pavarur ndërkombëtar me bazë në Helsinki merret me përgjigjet ndaj kërcënimeve hibride, nën patronazh të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Markus Kokko, shef i repartit të komunikimeve në “Hybrid CoE” ka thënë se luftimi i dezinformimit është i rëndësisë së jashtëzakonshme në ruajtjen e reziliencës shoqërore. Si masë për luftimin e dezinformimit ai përmend arsimimin e mirëfilltë.

Barazia si parim mbi gjithçka tjetër
“Çelës të suksesit të qëndrueshmërisë shoqërore në Finlandë janë sundimi i ligjit dhe barazia për të gjithë si parime mbi gjithçka tjetër”, ka vlerësuar Tyyne Karjalainen, hulumtuese bashkëpunëtore e Institutit Finlandez në Çështjet Ndërkombëtare. Ky është institut që shërben si i pavarur, por është lidhur me Parlamentin finlandez. Karjalainen ka thënë po ashtu se Finlanda ka bërë në vazhdimësi përpjekje për të qenë bashkëpunuese dhe ndërtuese e mirëbesimit edhe ndër shtete të tjera.
“Trajtimi i barabartë i të gjithëve”, është parimi kryesor i prezantuar edhe nga organizata joqeveritare CMI (Iniciativa e Menaxhimit të Krizave) e themeluar nga ish-presidenti finlandez dhe fituesi i “Nobelit” për paqe, Martti Ahtisaari.

“Paqja nuk mund të mbërrihet mes miqsh, por armiqsh. Dhe prapë secili keqbërës duhet të trajtohet me respekt”, ishte parimi tjetër i nobelistit që shërbeu edhe si negociator në mes të Kosovës e Serbisë.
Ambasadori Pekka Kosonen, nga Qendra për Ndërmjetësim Paqeje në Ministrinë e Punëve të Jashtme përshkruan shkurt situatën aktuale dhe përpjekjet për qetësi.
“Respektimi i të drejtave të njeriut është themeli i paqes”, thotë ai.
Barazinë e vë në theks edhe ambasadorja Terhi Hakala, e dërguar speciale e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. “Përjashtimi s’kryen punë”, është përgjigjja e saj kur pyetet se përse Rusia vazhdon të jetë pjesë e OSBE-së edhe pse ka nisur tash e tre vjet pushtimin e Ukrainës.

“Ne duhet të jemi me viktimën”
Siguria është lartë në agjendën shtetërore të Finlandës, ka konfirmuar edhe nënsekretarja për çështje politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Outi Holopainen.
“Ne duhet të jemi me viktimën” dhe “siguria e Ukrainës lidhet me sigurinë e Evropës”, janë dy çështjet të cilat ajo vazhdimisht i potencon.
Nisja e luftës fare afër ka bërë që shoqëria finlandeze të mobilizohet në afat rekord. Për vetëm një vit nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë, Finlanda u mobilizua dhe u bë anëtare e NATO-s. Deri sot ka ndarë rreth 3.2 miliardë euro ndihma për Ukrainën. Pikërisht gjatë qëndrimit të grupit të gazetarëve, Helsinki u bë edhe qendër e mediave botërore. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, qëndroi për vizitë në prag të marrëveshjes bilaterale për bashkëpunim në fushën e sigurisë.
E nën udhëheqjen e Finlandës, qëndrueshmëria shoqërore do të jetë një nga pikat kryesore që OSBE-ja do t’i ndjekë në programin e sivjetmë. Përballja me sfidat aktuale dhe përgatitja për të ardhmen janë dy nga elemente të tjera.


Arkitektura e harmonisë midis tradicionales e modernes
Ishte “Finlandia Hall”, salla e kongresit dhe koncerteve që tash përfshin restorante e shumëçka tjetër, në të cilën përfaqësues të OSBE-së folën për ruajtjen e bashkëpunimit dhe vlerave të përbashkëta për ruajtje të stabilitetit në Evropë. E pikërisht në këtë ambient 50 vjet më parë, u nënshkrua nga 35 shtete ai që sot njihet si Akordi i Helsinkit, në të cilin shtetet u pajtuan për konkluzat e parë të Konferencës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë, tash OSBE.
“Finlandia Hall” është kryevepër arkitektonike e Alvar Aaltos. Si sallë koncertesh e kongresesh ka qenë nikoqire e figurave të njohura politike e kulturore për 50 vjet. Me salla moderne, masive shumëngjyrëshe e me ca edhe më klasike, “Finlandia Hall” iu nënshtrua rinovimit për tre vjet dhe u rihap për publikun në janar. Renovimi kushtoi mbi 130 milionë euro.
Fare pranë “Finlandia Hall” është ndërtesa e Parlamentit (1931). E dizajnuar nga arkitekti Johan Sigfrid Siren, ndërtesa përfaqëson klasiken e të ‘20-ave. Pos sallës moderne brenda dhe korridoreve të gjera, janë ashensorët e pazakontë që e veçojnë objektin nga kati i parë. Janë të hapur dhe nuk ndalen fare, ashtu që deputetët të mbërrijnë më shpejt në hapësirat për ta. E vizitorëve, për shkak të sigurisë, u ndalohet testimi.
Afër zonës është edhe Biblioteka Oodi. E ndërtuar më 2018, e me dizajn modern, ka hyrë në mesin e arkitekturës së veçantë të Helsinkit.
Për arkitekturë më historike, Helsinki ka katedralen si ikonë të qytetit, Pallatin Mbretëror e ndërtesën kryesore të Universitetit dhe Bibliotekën Kombëtare. Në zemër të qytetit është objekti i madh me gurë mitikë, si stacioni kryesor i trenit. Në krejt qytetin është i shtrirë transporti modern, i shpejtë e lehtë i qasshëm.

Saunat si relaks e trashëgimi kulturore
Rrugë të gjera e pak qarkullim në qytet. Jo shumë njerëz si në metropole të tjera.
“Të gjithë janë nëpër sauna”, thonë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme duke qeshur. “Duhet ta provoni”, është insistimi i vazhdueshëm i tyre pasditeve.
Në dalje të Helsinkit, rreth 40 minuta vozitje, një rrugë që “ndan” malet në mes, shpie te disa shtëpiza druri. Metrat e fundit duhet të bëhen në këmbë. E tek gjatë ecjes, shihet se aty është një liqe me shtresa akulli mbi. Është parku kombëtar “Nuuksio”. Me horizontin që shfaq vetëm akullin dhe yjet mbi të, qetësia prishet rrallë me zhurmën nga erërat e forta.
Me oborr të thjeshtë, të pastër por jo të rregulluar, shtëpiza e drurit ka nja 10 metra pranë një shteg ecjeje me drurë që çojnë te liqeni. Nga larg mund të shihen dhelpra, e zonja që pret mysafirët tregon se aty ka skifterë, bufë, rrëqebull e shumë lloje të kafshëve. Ajri i pastër, pemët dhe shkëmbinjtë e mbushur me ngjyrë të gjelbër e bëjnë të pazakontë shtegun.

Brenda shtëpizës është tradita finlandeze. Një oxhak duket i thjeshtë e i mbushur me dru. Temperatura shkon duke u rritur e finlandezët hedhin ujë për të rritur lagështinë.
“Do t’ia ndieni efektin për pak”, thotë nikoqiri. Tek mbërrin temperaturën mes 80 dhe 100 gradë celsius, finlandezëve si traditë u mjafton një minutë për të dalë në ambient të hapur, qoftë edhe natën, e në temperatura minus, para se të zhyten për pak sekonda në liqe. Nga i nxehti që zë frymën në të ftohtin që jo të gjithë guxojnë ta provojnë. Pas freskisë në mes të akullit, kthimi në saunë rikthen edhe ndjenjën e çlodhjes.
Saunat janë pjesë e kulturës kombëtare finlandeze. Në të shkuarën ishin vendi ku njerëzit laheshin gjatë dimrit kur s’kishte ujë të nxehtë të rrjedhshëm. Në Finlandë ende mund të takohen njerëz që kanë lindur nëpër sauna. Supozohet se janë tre milionë sauna në të gjithë Finlandën. Kompanitë e mëdha e institucionet shtetërore madje kanë sauna të tyre. Edhe presidenti e ka një zyrtare, e njësoj edhe kryeministri. Saunat mund të gjenden nëpër banesa e hotele. Tradita finlandeze e saunës është pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale në UNESCO.
Një ndjenjë relaksi që vjen kombinueshëm me sigurinë, lehtësisht sqaron se përse finlandezët janë të lumtur: e kanë njëri-tjetrin afër dhe i kanë...saunat. Për aso momentesh kur edhe bunkerët nuk hapen për emergjenca, por për jetën në paqe të njerëzve më të lumtur në botë.