I kemi ndjekur studimet e tij në fushën e albanologjisë, qoftë drejtpërdrejt të albanologjisë, qoftë përmes krahasimeve me greqishten apo përbrenda Lidhjes Gjuhësore Ballkanike, qysh nga vitet tetëdhjetë, kur në kuadër të disertacionit të tij në Harvard ka pasur një syth për paskajoren e shqipes. Në librin e tij, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, “Vështrime Albano-Ballkanologjike” janë të përfshira të gjitha kontributet e tjera të Brian Josephit
Brian Joseph është gjasme autoriteti më i madh linguistik botëror që merret me shqipen – thënë më mirë, mes të tjerash edhe me shqipen.
I kemi ndjekur studimet e tij në fushën e albanologjisë, qoftë drejtpërdrejt të albanologjisë, qoftë përmes krahasimeve me greqishten apo përbrenda Lidhjes Gjuhësore Ballkanike, qysh nga vitet tetëdhjetë kur në kuadër të disertacionit të tij në Harvard ka pasur një syth për paskajoren e shqipes.
Në librin e tij, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, “Vështrime Albano-Ballkanologjike”, janë të përfshira të gjitha kontributet e tjera të Brian Josephit.
Ato kontribute mund t’i sistemojmë në disa fusha.
Dy i veçojmë kryesoret. Një, ndryshimet e gjuhës në kuadër të kontakteve gjuhësore brenda Unionit Gjuhësor Ballkanik që përbëjnë numër më të madh punimesh dhe ndryshimet brenda vetë shqipes si gjuhë indoevropiane brenda metodave krahasimtare dhe, dy, kontaktet e gjuhës në sinkroni.
Natyrisht, jashtë kësaj ndarjeje janë edhe disa artikuj që nuk janë më pak të rëndësishëm, por që janë të veçantë në kuptimin se nuk mund të përbëjnë tërësi që të klasifikohen në një grup studimi.
Së pari mund të diskutojmë mbi gramatikën e shqipes, në kuadër të gjuhëve ballkanike.
Një kontribut i veçantë është ai i përshkrimit të sintaksës së shqipes, duke diskutuar dhe përshkruar morfosintaksën e sistemit emëror të shqipes, sintagmat adpozicionale, sintaksën e sistemit foljor, rendin e fjalëve në klauza, si dhe sintaksën e periudhës.
Diskutimet për markerët e plotësve dhe e grupit foljor në shqipen – si analiza morfologjike dhe sintaksore janë realizuar në kuadër të krahasimeve të ngjashmërive dhe të dallimeve me gjuhët e tjera të Ballkanit: dako-rumanishten, maqedonishten, bullgarishten, greqishten, por edhe serbishten, e cila nuk bën pjesë – përveç dialektit torllak – në kuadër të Sprachbundit ballkanik. Ngjashmëritë i sheh si elemente që dalin nga kontakti gjuhësor, por edhe nëse del që të mos jenë të tilla, i sheh sërish të dobishme e të rëndësishme nga këndvështrimi tipologjik i gjuhëve.
Në dy artikuj me rumanishten në plan të parë, shqipja shërben si pjesë krahasimi. Në artikullin mbi rumanishten dhe gjuhët e Ballkanit, trajtohet problemi i ballkanizmave, duke u mbështetur edhe mbi lexime të autorëve klasikë si Schaller e Banfi mes të tjerësh. Artikulli tjetër ka të bëjë me huazimet sllave në rumanishten.
Një cikël artikujsh të Brian Josephit është i lidhur edhe me përfytyrimin e albanologjisë dhe të shqipes në mesin e gjuhëtarëve amerikanë. Në artikullin e parë jepet një histori e trajtimit të shqipes në SHBA, deri në detajet e emërtimeve të shqipes – po e zëmë Bloomfield e quan Albanese – e jo Albanian në pjesën e parë të shekullit XX. Artikulli tjetër është problemi i përdorimeve albanisch, albanesich në korpuse të gjera të diskutimeve të shqipes, duke përdorur programet kompjuterike për matjet dhe vjeljet leksikore.
Një cikël i rëndësishëm më vete është ai i diskutimit të historisë së shqipes, duke trajtuar trashëgiminë indoevropiane të trajtës indoevropiane *me (mos) si trajtë e mohores në shqipen, e pjesëzës *po, si aspekt progresiv, e foljes jam, e urdhërores eja, si dhe e mbaresës *ni të urdhërores në vetën e dytë shumës.
Krahas kësaj diskutohen edhe disa arkaizma semantikë të shqipes, por edhe krahasimi i tuqqari të hetitishtes me duku të shqipes.
Një dalje e vogël në çështje antropologjike dhe etnologjike bëhet me artikullin për ligjin e vjetër indoevropian të bletëve dhe krahasimin, mes tjerash, me pjesën për bletët në Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Një pjesë e madhe e studimeve të Josephit ka të bëjë me kontaktet e shqipes me greqishten. Tre artikuj kanë të bëjnë me parashtesën stër te emrat ndërbreznorë të farefisnisë, të tipit stërgjysh, stër-stërgjysh, katragjysh e kështu me radhë dhe prospapas të greqishtes. Po ashtu, është diskutuar edhe mundësia e ndikimit të shqipes në greqishten te loja xik, buli buli i greqishtes.
Një grup artikujsh ka të bëjë me hulumtime nga terreni në zonën e Himarës, konkretisht në Palasë, me folës të greqishtes në Shqipëri.
Aty kemi të bëjmë me një raport të gjerë nga terreni që përfshin edhe çështje përgjithësisht kulturore, pastaj me një artikull që diskuton përzierjen e gjuhëve në atë ambient biling, pastaj një artikull mbi format hibride, duke i sistemuar në sintaksë, fonologji, morfologji, semantikë, deri edhe në paragjuhë.
Cikli përmbyllet me diskutime mbi arvanitikën; një artikull mbi lidhjet e reja dhe të vjetra në kuadër të ekologjisë gjuhësore dhe një artikull mbi pozitën e tashme të arvanitikës në Greqi.
Brenda librit përfshihen edhe diskutimet e Josephit mbi librin e Psitsipisit për arvanitikën, të Joklit, gramatikën e Newmarkut, të Hubbardit e të Priftit, si dhe korpusin e gazetave nga Coxi. Po ashtu, është edhe një diskutim mbi ligjëratat e Hampit në Ohio.
Brian Joseph është një hulumtues i devotshëm i ndryshimeve të gjuhës. I gjurmon ato në krahasime të natyrës gjenetike, si ndryshime përbrenda vetë gjuhës që trajtohet. I gjurmon në kuadër edhe të kontakteve gjuhësore, të cilave u nënshtrohet gjuha që trajtohet. Këtyre u shtohet edhe krahasimi tipologjik që mund t’u bëhet dy a më shumë gjuhëve e që kanë interes për ndjekjen e universalieve gjuhësore dhe përcaktimin e natyrës së gramatikës universale.
Në këtë kuadër e ka kundruar edhe shqipen.
Fjalimi i lexuar në promovimin e librit, “Vështrime Albano-Ballkanologjike” të Brian Josephit, më 7 nëntor të këtij viti, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës