Shtojca për Kulturë

“Bota e rrethit tim” e Skender Boshnjakut

Tek ekspozita e “Hanit të 2 Robertëve”, e titulluar “Bota ime në rreth”, Boshnjaku shkëputet nga koleksionisti i së bukurës në plehra, dhe kërkon pastërtinë dhe harmoninë domethënëse në vetë format e përsosura që i ka gjetur te rrethi, si metaforë më sublime e ekzistencës kuptimplote. Te ky cikël veprash, që nuk janë edhe aq pretenduese në thjeshtësinë e tyre, dominon një ndjenjë e estetizmave të pasherr, madje edhe të dëlirë, që të absorbojnë sikur akordet e një simfonie të pazë

Rrethi është simboli i përsosmërisë. Që nga fillesat e zhvillimit të njerëzimit, dijetarët dhe besimtarët e ndryshëm, rrethin e kanë konsideruar si formë primoridiale dhe hyjnore. Si i tillë rrethi pothuajse denbabaden paraqitet si trajtë emblematike e besimeve që adhuronin fuqitë natyrore (p.sh. Diellin dhe Hënën, që për nga forma janë rrethe), sikundër edhe në kultet e tjera me shumë ose një Zot të plotfuqishëm.

Skender Boshnjaku në ekspozitën e tij të dytë personale, për motiv kryesor e ka përsosmërinë e formës së rrethit me variacione të thurjeve emblematike që paraqiten si kompozicione abstrakte gjeometrike. Kjo ekspozitë e Boshnjakut ndërlidhet me prezantimin e tij të parë si artist në vitin 2018. Edhe kjo ekspozitë u pat organizuar në një lokal gastronomik, te pabi “Miqtë” në Prishtinë. Për këtë ekspozitë unë e pata shkruar një ese ku në mënyrë të thuktë theksova disa nga karakteristikat veçuese të artit të Boshnjakut. Nga ai shkrim po i cek disa rreshta sqarues edhe për ekspozitën aktuale: Skender Boshnjaku, neuropsikiatër i njohur, profesor i UP-së, themelues i Klinikës së neuropsikiatrisë, ka qenë gjithnjë i apasionuar me artin. Gjatë katër dekadave të kaluara, ka botuar rregullisht kritika dhe vështrime mbi artin, të përmbledhura si libra në tre vëllime. Boshnjaku njihet edhe si koleksionues dhe interpretues i grafitëve muralë kosovare dhe më gjerë. Ndërkaq në vitin 2018 befas ai u paraqit edhe me një cikël prej 30 kolazhesh. Për çudi autori zbuloi se këto 30 vepra janë përzgjedhje nga një opus i rreth 3 mijë kolazhesh të realizuara gjatë gati pesë dekadave. Pra, një punë kolosale që deri atëherë nuk e kishte bërë publike. Specifika tjetër e artit të Boshnjakut është karakteri riciklues I tyre. Për t’i bërë kolazhet, ai shfrytëzonte materiale të hedhura produktesh për konsum publik, ambalazhe mallrash si kuti duhani, mbështjellës çokollatash etj.. Nga ky material ai përzgjidhte dhe kombinonte detale ornamentesh dhe ngjyrash duke i ndërthurur si art abstrakt me kompozicione gjeometrike. Nuk shfrytëzonte vetëm atraktivitetin e vetë motiveve në ‘lëndën e parë’ që gjente te plehrat, por e aktivizonte edhe imagjinatën dhe shijen prej krijuesi. Kjo punë me hedhurina të mbledhura edhe nëpër rrugë, duket si vepër përçudnuese e një drejtuesi të institucioni shëndetësor dhe profesori i universitetit. Krijimi i mijëra kolazheve pas punës së përditshme si neuropsikiatër mendoj se nuk motivohet vetëm me ambicien artistike, por më pare është e lidhur me vetë peshën e rëndë të profesionit bazë të Boshnjakut. Në interpretimin e ekspozitës së vitit 2018, angazhimin për të bërë përditë kolazhe e kam cilësuar si një formë të autoterapisë, nevojës që të ballafaqohet me përditshmërinë e mjekimit të çrregullimeve dhe sëmundjeve psikike, si depresionet, neurozat, fobitë etj. deri te format e ndryshme të çmendisë dhe skizofrenisë. Për këtë barrë të angazhimeve ditore si psikoterapist, Boshnjaku gjente një angazhim relaksues thuajse lunatik: është zhytur rregullisht në krijime të kolazheve që ia rregulloi drejtpeshimin mental prej psikiatri. Sepse s’është vetëm fjalë goje paragjykimi i përhapur – gjithsesi i keqpërdorur – se psikiatri, duke punuar me të krisurit, edhe vetë mund ta humbë arsyen. Kolazhet e Boshnjakut janë metafora komplekse e kërkimit të arsyes dhe racionalitetit, nga njëra anë, dhe e harmonisë dhe bukurisë, nga ana tjetër, në raportet ekzistuese sociale ku disa kategori të individëve më sensitive, ose atyre të pafat dhe të damkosur nga vrazhdësia e kushteve të jetës, vuajnë pasojat e të përjashtuarit nga shoqëria ose e humbin drejtpeshimin dhe çmenden. Të kërkosh harmoni, racionalitet, bukuri abstrakte e ritmike etj. në hedhurina, “plehra”, por edhe ndër shpirtra të humbur të njerëzve të pafat, për Boshnjakun nuk ka qenë punë e pashpresë as ditën, kur punonte me pacientet, e as natën, kur sajonte me kujdes ornamentet e kolazheve.

Tani, tek ekspozita e “Hanit të 2 Robertëve” e titulluar “Bota ime në rreth”, Boshnjaku shkëputet nga koleksionisti i së bukurës në plehra, dhe kërkon pastërtinë dhe harmoninë domethënëse në vetë format e përsosura që i ka gjetur te rrethi, si metaforë më sublime e ekzistencës kuptimplote. Te ky cikël veprash, që nuk janë edhe aq pretenduese në thjeshtësinë e tyre, dominon një ndjenjë e estetizmave të pasherr, madje edhe të dëlirë, që të absorbojnë sikur akordet e një simfonie të pazë që kanë efektin vetvetiu çlirues të shkrirjes dhe përhumbjes në gjithësi.