Tema është skena kulturore e Kosovës. Qëllimi: të thyhen paragjykimet e Spanjës për një vend që politikisht s’e njeh. “Ne erdhëm nga Spanja, një vend që politikisht nuk e njeh Kosovën, ndjemë se duhet të dërgojmë këto imazhe në vendin tonë. Menduam se mënyra më e mirë për të lidhur njerëzit dhe rrëzuar paragjykimet do të ishte nëpërmjet artit. Duke parë artin e një vendi tjetër, kupton një tjetër gjuhë, një tjetër kulturë. Mendoj se arti është mënyra e drejtpërdrejtë për të komunikuar me njerëzit e tjerë”, ka thënë regjisori bask, Karlos Alastruey, i cili bashkë me Myriam Cruz po e konkretizojnë rrëfimin
Në terma gjeografikë, bifurkacioni do të shenjonte ndarjen. Simbol i tillë do të bëhej edhe në kontekst më të gjerë. Projekti kinematografik me të njëjtin titull në njërën rrjedhë të lumit e vë trashëgiminë, në tjetrën gjeneratën e re të artistëve. Përtej ndarjes, dokumentari “Bifurkacioni” nga dy regjisorë baskë synon të kundërtën. Të eksplorojë artin e kulturën kosovare te populli spanjoll e me këtë të heqë shenjat e barrierave e të stereotipave. Mbi të gjitha t’i bashkojë rrjedhat artistike të të dy vendeve.
Sheshxhirimi i së premtes pasdite në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është veç një pjesëz e asaj që rrëfehet në film dokumentar. Kjo është edhe arsyeja e vizitës së regjisorëve baskë Karlos Alastruey dhe Myriam Cruz nga ishujt Kanarine.
Detajist ka qenë ekipi i realizimit të xhirimeve kryesuar prej dy regjisorëve, që nga pamjet e objektit ku do të realizonin intervistën. Dyshja synon të kapë detajet e të mos ishin të rastësishme, por të kishin pozitë të pashmangshme për artin e kulturën. Letërsia do t’i shkonte më se për shtati temës së letërsisë. Personazh për tregimin e këtij segmenti të dokumentarit, sa i përket skenës vendore të krijuesve të rinj letrarë, e ka eksploruar Mirjetë Sadiku, që ka mbaruar studimet master për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Muzika, piktura, dizajni, filmbërja e vallëzimi janë ndër temat që regjisori bask i dhjetëra filmave artistikë e dokumentarë gjurmon me “Bifurkacionin”. Projekti i fundit ku është bashkëregjisor, ka thënë se është emërtuar sipas lumit të Nerodimes në Ferizaj që ndan rrjedhën në dy degë.
“Në këtë rast është një lloj ndarjeje historike nëpër të cilin po kalon vendi. Në këtë rast donim të eksploronim se si ky transformim po manifestohet nëpërmjet artit”, ka thënë regjisori bask.
Alastruey ka zbuluar se për protagonistë të secilës fushë janë ftuar pjesëtarë të brezit të ri të krijuesve e artistëve pasi “janë të gatshëm për ndryshime dhe për t’i pranuar sfidat dhe adaptuar ato me situatat e reja”.
“Mendoj se arti lëviz në nivele të ndryshme për dallim nga politika. Unë si filmbërës nuk jam aspak i interesuar në politikë, por e kuptoj se arti mund të luajë rol në politikë. Mendoj se arti mund të luajë rol në ndryshimin e mentalitetit kuptimin më të gjerë nëpërmjet artit. Mendoj se ky është roli kryesor i artit: të krijohet vizioni i përbashkët i së ardhmes nëpërmjet tij”, ka thënë regjisori Karlos Alastruey, i cili ka marrë pjesë në më shumë se 100 festivale ndërkombëtare të filmit dhe ka fituar 20 çmime. Filmi i tij artistik "Sometime in the Night” i vitit 2016 mori çmimin si filmi më i mirë i huaj në festivalin “Action On Film Festival” në Kaliforni, po atë vit. Me “Roca Bon: In Search of the Sublime” më 2008 mori çmimin “Best Arts in Film” në “Napa Sonoma Wine Country Film Festival” në Kaliforni.
Filmi i tij më i fundit artistik “Between Water and Land” u dha premierë më 29 qershor 2023 në “Kimolos International Film Festival” në Greqi. Te “Bifurkacioni” janë dy personazhe kryesore: një pianiste dhe një valltare. Të gjithë vijnë nga skena vendore. Ka thënë se pikësynimi kryesor është që njerëzit jashtë Kosovës të njihen me skenën artistike e kulturore të saj. Veçmas publiku i shtetit që ende s’e njeh Kosovën, ani pse së fundmi ia ka njohur pasaportat.
“Ne erdhëm nga Spanja, një vend që politikisht nuk e njeh Kosovën, ndjemë se duhet të dërgojmë këto imazhe në vendin tonë. Menduam se mënyra më e mirë për të lidhur njerëzit dhe rrëzuar paragjykimet do të ishte nëpërmjet artit. Duke parë artin e një vendi tjetër, kupton një tjetër gjuhë, një tjetër kulturë. Mendoj se arti është mënyra e drejtpërdrejt për të komunikuar me njerëzit tjerë”, ka thënë regjisori bask Karlos Alastruey duke treguar se fazën e parë të xhirimeve e kishin zhvilluar në shtatorin e kaluar ku kishin qëndruar për dhjetë ditë në Kosovë.
Tetë ditë të tjera i kanë planifikuar për këtë muaj. Prej së premtes u kanë mbetur edhe tri. Kanë bërë të ditur se do të xhirojnë edhe në Prizren, Kaçanik dhe Ferizaj. Muajin e ardhshëm dokumentari pritet të kalojë në montazh e në vitin tjetër të jepet premierë pasi aktualisht në proces pune ka një dokumentar tjetër ku kishte trajtuar një performancë artistike që kishte shkaktuar polemika në Spanjë. Ka treguar se me të synon të garojë në Festivalin ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest”.
Pasi ka përfunduar xhirimet në Bibliotekën Kombëtare ka thënë se motivi i filmit dokumentar “Bifurkacioni”, ka qenë të rrëzojë muret dhe kufijtë e shteteve nëpërmjet artit.
“Për herë të parë kur erdha në Kosovë në vitin 2022 në Festivalin e Filmit në Ferizaj, nuk dija asgjë për Kosovën. I thashë vetes se nëse nuk di asgjë për këtë vend duhet të bësh diçka që të dish ti dhe të tjerët. Vitin e kaluar erdhi edhe Myriam ku shfaqi dy filma dhe përfundimisht vendosëm të krijojmë kontakte ndërmjet njerëzve të Kosovës dhe Spanjës nëpërmjet filmit”, ka thënë regjisori Karlos Alastruey.
“Bifurkacioni” që ka qenë titull pune deri më tani është vendosur edhe si titull final i filmit dokumentar që pritet të zgjasë ndërmjet 40 dhe 45 minuta.
Regjisorja baske nga Ishujt Kanare, Myriam Cruz, ka thënë se njohuritë për Kosovën së pari i ka marrë nëpërmjet artit që e ka hasur në muret e qytetit të Ferizajt kur ishte ftuar në festivalin e filmit “FerFilm” në Ferizaj. Me filmin e saj “The Human Game” vjet mori Çmimin Special në edicionin e 11-të të “FerFilmFestit”. Me “Bifurkacioni” ka thënë se synojnë të përcjellin të njëjtën energji te populli i tyre që nuk e njeh shtetin e Kosovës.
“Mendoj se me këtë film duhet të hapim dyert, kufijtë për në Evropë, veçmas për në Spanjë. Po thyejmë edhe kufijtë e mentalitetit, ideve tona. Duam të lidhim shpirtrat e njerëzve me art. Sepse kur shpirti yt shprehet, ti bën art dhe lidhesh direkt me shpirtin tjetër”, ka thënë bashkëregjisorja baske e dokumentarit për artin e kulturën e Kosovës.
Si shembull mbi paragjykimet e shoqërisë ka marrë reagimet e familjarëve e të shoqërisë kur u kishte treguar se sheshxhirimet e dokumentarit do të jenë në Kosovë.
“Kur u them miqve se po bëj një dokumentar, ata habitshëm më pyesin se ku po shkoja, ndërsa reagimi i familjes sime ishte se ‘si po shkon në Kosovë, e vetme’. Ne nuk dimë atje asgjë për këtë vend. Duhet të shkatërrohen këto ide. Unë lëviz lirshëm në çdo qytet këtu dhe të njëjtën liri nuk e ndiej në Madrid ose në Barcelonë”, ka treguar Cruz, duke shtuar se me këtë dokumentar do të shkonin përtej një kërkimi sipërfaqësor për Kosovën si vend i luftës.
“Nëse po bën një dokumentar, po shfaq realitetin jo të trilluarën. E pashë filmin nga Kosova dhe ishte shumë impakt për mua me gjithçka që përbënte. Donim të shfaqim vetëm realitetin si një mënyrë për të shkatërruar atë bllok në trurin tonë. Qëllimi është që të shfaqim se çfarë po ndodh tani në Kosovë, të shkatërrojmë të menduarit se keni mbetur në atë periudhë të luftës. Qëllimi është po ashtu të shfaqim se këtu ka artistë, në veçanti njerëz të mirë”, ka thënë ajo më tej.
Sipas regjisorit Karlos Alastruey gjasat janë që të kthehen në Kosovë në maj për të siguruar material për filmin dokumentar.