Në filmin “Biba May: ‘Jo më’” ekranizohet historia e Resmije Rahmanit, e njohur ndryshe si Biba May, e cila vuan nga distrofia muskulare progresive. Në gjithë rrëfimin e saj në ekran, i cili nis që nga fëmijëria e saj lidhen sfidat, pengesat dhe humbjet e saj mbi mesazhin inkurajuese për të mos u ndalur kurrë duke u përpjekur të bëjë ndryshimin për personat me aftësi të kufizuara
Resmije Rahmani, e ulur në karrocë pranë dyerve ku gjendet ekrani i madh në “Kino Armata”, i pret me buzëqeshje mysafirët. Kjo është si një përshëndetje inkurajuese për të dëshmuar se historia e saj është përtej asaj që duket. Është histori frymëzuese. Mbi këtë kontekst ajo e ka zhvilluar gjithë jetën e saj me misionin për t’i mposhtur sfidat. Në filmin “Biba May: ‘Jo më’” ekranizohet historia e Resmije Rahmanit, e njohur ndryshe si Biba May, e cila vuan nga distrofia muskulore progresive. Në gjithë rrëfimin e saj në ekran i cili nis që nga fëmijëria e saj lidhen sfidat, pengesat dhe humbjet e saj mbi mesazhin inkurajuese për të mos u ndalur kurrë duke u përpjekur të bëjë ndryshimin për personat me aftësi të kufizuara.
Filmi i shkruar dhe prodhuar nga Shqipe Malushi, nën regji të Arlinda Morinës dhe me producente ekzekutive dhe nën drejtimin artistik të Zana Hoxha, nis me mesazhin inkurajues të Samuel Becketit: “Nuk mund të vazhdoj, duhet të vazhdoj, do të vazhdoj”. Filmi që rrugëton në vitet e Bibës tregon se për të gjithçka ndryshoi në 24 orë kur filloi të ecte në majë të gishtave – duke e menduar si diçka të përkohshme. E lindur në Prizren, në Kala ishte ngjitur veç një herë si fëmijë. Sipas saj, filmi shfaq disa skena të luftës së saj të përditshme.
“Kjo është jeta ime në pak skena, përditshmëria ime është lufta përditë. Unë qëmoti e kam ndarë mendjen që të luftoj përditë dhe sot e asaj dite e di që është tjetër ditë. E di që unë nuk zgjohem nga shtrati vetë, por me forcë shkoj çdo natë në gjumë dhe zgjohem me atë forcë”, ka thënë Rahmani për KOHËN.
Filmi dëshmon se Biba përveç kurajës së saj, brenda kishte pasur një fat të madh – përkrahjen e pakusht të familjes. E bart gjithkund me vete mesazhin e babait që ishte e fortë si kalaja dhe mund t’i bënte ballë çdo furtune. Pjesë e filmit përveç rrëfimit në vetën e parë të Rasmije Rahmanit, janë edhe familjarët, miqtë e bashkëpunëtorët e saj. Kudo Biben e kishin trajtuar si të barabartë, në familje nuk e kishin kursyer nga grindjet njëlloj si secilin. Dhe ky është mesazhi që ajo e jep në film: “Të mos silleni me keqardhje, duhet të jeni bashkë me mua”. Pruducentja dhe autorja e filmit, Shqipe Malushi, ka më shumë se tre vjet që është përpjekur ta bëjë këtë film. Vështirësitë kishin qenë financiare edhe për shkak të rrethanave me pandeminë e koronavirusit. Por, s’është dorëzuar nga forca e madhe që i ka dhënë personazhi kryesor i filmit – Biba. Kur çdo gjë dështonte thekson se Biba ishte përherë e gatshme. Thotë se ajo ka qenë e vetmja që gjithmonë ka qenë e gatshme ta ndajë jetën e vet – e këtë thotë se nuk e ka bërë për vete por për të tjerët, për të inspiruar dhe për të ngritur zërin për të tjerët si ajo.
“I gjithë ekipi ishte pjesë e një jetë inspiruese dhe fituese, me kurajë edhe me fuqi për t’i kaluar të gjitha sfidat dhe pengesat që i ka. Ka njerëz që luftojnë përtej kufizimeve të veta dhe mundohen për të tjerët”, ka thënë Malushi për KOHËN.
Rahmani punon në Organizatën e Personave me Distrofi Muskulore të Kosovës – OPDMK në Prizren. Filmi depërton edhe në punën e saj e përditshme të saj. “Biba May: ‘Jo më’”, i mundëson asaj të ngjitet dhe njëherë në Kala. Prej atje ajo shpreh fjalët më inspiruese.
Regjisorja e filmit, Arlinda Morina, ka thënë se të gjitha pengesat për këtë projekt për të janë larguar në momentin e takimit me Biben – pas atij takimi thotë se gjithçka ka ecur natyrshëm për të ekranizuar copëza të rrëfimit të saj.
“Forca e Bibes më ka bërë që bashkë me Shqipen të arrijmë ta çojmë në Kala dhe që të xhirojmë atë pjesë në Kala, aty ku ajo nuk ka shkuar që nga mosha 7-vjeçare. Këta njerëz kanë çfarë të na dhurojnë dhe ne duhet të mos i shikojmë si viktima, sepse mendja e tyre është e pasuruar”, ka thënë Morina për KOHËN.
Rrëfimi i Rahmanit përtej emocionit është inkurajues. Filmi është shfaqur në javën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut dhe Muajin e Filmit Evropian. Pjesë e filmit ka qenë edhe marshimi në shesh, për t’i thënë “Boll Ma!” abuzimit dhe vrasjes së grave dhe vajzave. Rahmani ka qenë njëra prej prijëseve të këtij marshi ku edhe u është drejtuar të pranishmëve. Jo pak nga publiku kanë dalë të emocionuar.
Profesoresha në Fakultetin e Arteve, Arbnesha Grabovci-Nixha, ka thënë prej këtij filmi ka marrë ndjenjën e thellë të mirënjohjes për personazhin e filmit që ka ndarë jetën e saj personale me publikun për të dhënë një mesazh të madh për vetëdijesim ndaj kësaj kategorie.
“Sa ishte frymëzuese që do të më mbajë për një kohë të gjatë, aq ishte edhe e dhimbshme dhe emocionuese ta shoh një grua të fuqishme që sfidohet me të përditshmet e jetës sonë që ne në normalitet disa gjëra as nuk i vërejmë në jetën e përditshme se sa janë të rëndësishme për njerëzit, mos të them me aftësi të kufizuara, me njerëzit me nevoja të veçanta që kanë nevojë për ndihmë”, ka thënë Grabovci-Nixha për KOHËN.
Filmi “Biba May: ‘Jo më’”, pas premierës të premten në Kinemanë “Armata”, të shtunën është shfaqur edhe në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.