Shtojca për Kulturë

Bekim për teatrin dhe kulturën shqiptare

“U artësofshi!”, është thirrja e kumbueshme e Lumit artist. Këtë thirrje, në formë klithjeje e urate, njëkohësisht, e ndiejmë edhe ne sot

“Kthimi i studentit në shtëpi”, ky është titulli i një prej mediave në Tiranë, vite më parë, kur në skenën e Teatrit të Tiranës, po jepej shfaqja “Çifti Martin” e regjisorit Bekim Lumi. Në fakt, ky ishte titulli më përmbajtjesor, që asokohe përshkruante simbolikën e kthimit të Bekim Lumit në qytetin dhe në vendit ku u shkollua profesionalisht, pra në Tiranën e tij të shumë të dashur. Dhe ja ku jemi përsëri në Tiranë, në kujtim të jetës dhe veprës së tij.

Vdekja e hershme e regjisorit të teatrit, profesorit dhe artistit, Bekim Lumi (1966-2018), para më shumë se gjashtë vjetësh, nuk ishte fundi i lojës me jetën dhe teatrin e tij. Siç do ta thoshte shumëkush, vdekja fizike e një artisti është përjetësi dhe shenjtëri, njëkohësisht. Prandaj, që nga ndarja fizike e tij nga kjo botë, kujtimi dhe malli për të nuk zvetënohen. Përkundrazi! Sot, në kohën kur ai nuk është fizikisht me ne, këtu në Tiranë, jemi mbledhur në një ditë të veçantë për të, jo në përvjetorin e vdekjes së tij, por në ditën e lindjes së tij. Nuk ka ditë më të veçantë për të nderuar artistët, se sa dita e lindjes së tyre. Kjo është dita e kujtesës për të, testamenti krijues artistik i Bekim Lumit është i disallojshëm: shfaqje të jashtëzakonshme teatrore, poezi, shkrime e botime diskursive, e deri te këngët e tij. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, jeta dhe vepra e këtij artisti nuk mund të përthekohet me vetëm një ngjarje përkujtimore.  Kujtesa për të dhe veprën e tij meriton të jetë e vazhdueshme, sepse ai me artin e tij foli gjithkohshëm, edhe për brezat, që do të vijnë pas nesh. 

T’i bësh requiem regjisorit Bekim Lumi do të thotë se i ke bërë vlerësim krijuesit më të veçantë teatror në hapësirën shqiptare dhe jo vetëm. Regjisorit kërkues, avangard, ngulmues, detajist, të përkushtuar e gjakues i pakompromis në dhe për profesionin e tij. Rrallë mund të gjenden krijues, si Bekim Lumi, që konceptin për artin performative, pra teatrin, e kishte shndërruar në një bindje të pamohueshme dhe të pandryshueshme, se arti skenik teatrore e kërkon para së gjithash lojën deri në perfeksion, të veçantën estetike dhe përjetimin emocional që të lidh pashmangshëm me audiencën. Loja që kryefjala në laboratorin e tij krijues. Kështu mbeti deri në fund të lojës së tij jetësore. Aktorët i quante lojtarë, duke ua dhënë fronin meritor në panteonin e tempullit teatror. Beka regjisor ishte kërkues në punën e tij, siç i pëlqente ta quante laboratorike, sepse asnjëherë nuk pushoi së provuari e krijuari forma e gjetje të reja teatrore, që dalin nga kornizat konvencionale, si për nga koncepti ashtu edhe për nga ideja e ndërtimit të shfaqjeve teatrore. Një shëtitje përmbledhëse nëpër shfaqjet e Bekim Lumit, mund të tingëllojë kështu: 

Para më shumë se dekadash, Lumi, nga Gjermania mori rrugën për në Kosovën e sapoçliruar duke ecur si “Kësulëkuqja në botën e minave” (2000), dhe na u shfaq me “Mësimin” (2002), e parë dhe të paparë në teatrin tonë. Me syzet me dioptri estetike e kërkoi “Galanin” (2003) nëpër çmendinë e kohës, dhe me “çiften e gjyshit” goditi në shenjë të vlerave teatrore. Na bëri të qeshë me zemër dhe na gostiti bukur e me shije të atmosferës aristokrate të gërshetuar me tradicionalen, në natën e “Arushanit dhe Fejesës” (2005). Iu doli zot tetë grave në “Shtëpinë e Bernarda Albës” (2006), aty ku pushteti i ndjenjës së dashurisë mposht dhunën fizikë e psikologjike. 

Lumi vazhdoi rrugëtimin e tij me mrekullinë artistike të “Çiftit Martin” (2008) duke na dhuruar një spektakël teatror me vetëm dy aktorë e shumë pak faqe tekst. Edhe këtu, shkëlqimi i lojës në teatër e mveshën Lumin tonë me kostumin e përjetësisë artistike.

Tevona, jeta dhe puna institucionale u bënë këmishë e ngushtë për Lumin. Ai, përmes Teatrit Laborator “Loja”, në Muzeun Etnologjik, vendosi ta veshë “Këmishën e gjakut” (2010), dhe si asnjëherë tjetër na e solli Shekspirin kanunor dhe Lekën si Shekspir. Ai na bindi se godinat dhe hapësirat më të mëdha nuk e bëjnë një shfaqje teatrore më të mirë. Sipas tij, teatri i vërtetë duhet të ndodhë në lojën e aktorëve, në fizikun, vokalin dhe emocionin e tyre të vërtetë. 

Tutje, Lumi, në krijimtarinë e tij, ndoqi rrjedhën e jetës dhe frymën urbane. Në një hapësirë të braktisur në zemër të Prishtinës, mes makinerisë së pluhurosur, të dalë funksioni e mode, bëri bashkë “Dilerat” (2013), me të cilët lojtarë teatri në mënyrë të fragmentarizuar e konkretizoi kundërshtimin e filozofisë për një marrëdhënie të moçme sa vet jeta njerëzore në tokë, atë të shitësit dhe blerësit. Lumi idealist kundër dilerëve materialistë. 

Me tingujt e muzikës e bëri heshtjen të flasë në “John Cage’s Hamlet” (2015), aty ku tingujt e fjala e paktë ngjizen e bëhen tërësi organike e pandarë e shfaqjes. Këtu, katarsisi dramatik mbulohet me atë estetik. Pra, Lumi mes tingujsh të bukur e fjalë të zgjedhura, na e ngjalli ndjenjën e frikës e mëshirës, për të bëmat e liga të kohës sonë.

Ai iu rikthye shtratit në shtëpinë e vjetër, si fëmija te nëna. Me “Nana dhe fëmija” (2015), e shenjoi dashurinë për Nanën braktisëse, për fijen e pakëputur që e mban gjallë përgjithmonë këtë dashuri. 
Lumi dramën tonë e përjetoi përmes dramës botërore. Ai i dëgjoi mësimet e Joneskos, doli për gjah me Mrozhekun, u bë dëshmitar në fejesën e Çehovit, që mysafir në shtëpinë e Mrozhekut. Shekspirit, me ndihmën e Lekës, ia bëri gjyqin e gjakut. Me Coltezin përjetoi butësinë dhe thellësinë e fushave të pambukut. Me nënën e Jon Fosse-së foli për herë të parë shqip. Qe dëshmitar i takimit të John Cage dhe Shekspirit. 

“Arturoi Ui” (2018) e Bertol Brehtit ishte ëndrra dhe testamenti i fundit artistik i Lumit. Bashkë me sëmundjen luftoi kundër gangsterëve politikë të kohës sonë. 

Shumëdimensionaliteti krijues artistik i Bekim Lumit nuk përfundon vetëm me regjinë e shfaqjeve teatrore. Ai bëri edhe një studim të jashtëzakonshëm krahasimtar, studimor, të tri tragjedive të Shekspirit (“Hamleti”, “Makbethi”, “Rikardi III”) me “Kanunin” e Lekë Dukagjinit, duke gjetur pikëtakime e përkime interesante të pagjurmuara e pastudiuara deri më sot. Ky libër u botua pas vdekjes së tij. Poezia ishte një prej pasioneve të Lumit. Tufa e poezive të tij me titull “Engjëlli blu” është botuar, po ashtu, pas vdekjes së tij. Lumi poet, është autori i vargut subtil, me ndjeshmëri të thellë poetike që përjetimin personal e mvesh me karakteristika universale e ngjyrime të thella artistike. Për më shumë, Bekim Lumi ka qenë themelues dhe kryeredaktor i revistës së vetme për dramë dhe teatër në Kosovë, “Loja”, që fatkeqësisht nuk arriti të dilte në më shumë se pesë numra. Me vdekjen e Bekimit, përfundoi edhe “Loja” e tij, por jo kujtimi dhe vlerësimi për të si trashëgimi e veçantë. Të gjitha këto vepra, të botuara pas vdekjes së Lumit, po i prezantojmë këtu para jush, për të dëshmuar trashëgiminë e tij të pakrahasueshme unike, artistike. 

“Loja e Bekim Lumit” është përmbledhje që brenda vetes ka kritika, recensione, shkrime e shqyrtime nga më të ndryshmet për krijimtarinë teatrore të Bekimi Lumit. Përmes këtij botimi kemi ringjallur kujtesën për Bekimin dhe shfaqjet e tij. Duke i botuar këto shkrime, i kemi vendosur sërish në sipërfaqe, tashmë në një përmbledhje të veçantë, të gjitha shkrimet për shfaqjet e Lumit, të cilat janë botuar në mediat vendore dhe ndërkombëtare përgjatë këtyre 16 vjetëve të karrierës regjisoriale që pati Bekim Lumi në Kosovë. 

Fotografitë e përzgjedhura, për këtë rast përkujtimor, në ekspozitën që do ta shihni në vazhdim të këtij manifestimi, na e sjellin kujtesën për artin lumian. Në këtë mënyrë, sot, fotografitë dhe elementet e tjera të ekspozitës, na rrezatojnë dhe fisnikërojnë me të bukurën si kategori artistike dhe të madhërishmen si përjetim vleror. Të dyja këto i gjejmë brenda veprës dhe jetës së Lumit. Prandaj, kjo ekspozitë, përveç kujtimit për Bekimin na e rikthen edhe ndjenjën e përjetimit të veçantë në artin teatror. Fotografitë e shfaqjeve kapin momentet më të veçanta dhe më kulmore të situatave dramatike, të ekspresivitetit aktorial dhe gjetjeve kreative regjisoriale. Po ashtu, fotografitë e procesit krijues përjetohen si gërmim në thellësinë laboratorike të krijimtarisë së Lumit. Ngjashëm si në hulumtimet arkeologjike, sa më thellë të gërmohet aq më shumë do të mahnitemi me thesarin artistik e krijues të tij. Këto fotografi dhe shumë të tjera, të paekspozuara, e përafrojnë imazhin për profilin krijues të Bekim Lumit si regjisor teatri.

“U artësofshi!”, është thirrja e kumbueshme e Lumit artist. Këtë thirrje, në formë klithjeje e urate, njëkohësisht, e ndiejmë edhe ne sot! Po, sepse është testamenti i Lumit qiellor. Bekim Lumi ishte dhe mbetet bekim për teatrin dhe kulturën shqiptare. Lum ai komb që ka bekim siç e patëm ne Bekimin tonë!

Tiranë, 17 dhjetor 2024