Për një muaj trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës i ka dhënë formë premierës së parë për sivjet. Në të hyrë të amfiteatrit të Pallatit të Rinisë, dëgjohen urdhrat e koreografit, në njërën prej provave finale për “Time”. Taulant Shehu drejton balerinët teksa së bashku me ta improvizon mënyrën e saktë të lëvizjeve.
Në sfond dëgjohet muzika, e cila sa vjen e bëhet më dramatike. “Time” kap lëvizjen e kohës e në të njëjtën kohë, u jep hapësirë balerinëve të dëshmohen edhe individualisht. Lëvizjet e ngadalta e të gjata duket sikur e zbërthejnë titullin. Aq sa mund të kuptohet prej provave shfaqja do të ketë disa formacione: atë ku balerinët do të luajnë së bashku, kur do të ndahen në grupe dhe pjesën kur skenën do ta kenë vetëm për vete.
Profesionalizmi i Shehut vërehet edhe në insistimin e tij për ta arritur të përkryerën. Duket sikur ai nuk lë hapësirë për gabime. Nuk përton ta rikthejë një lëvizje edhe me dhjetëra herë, që ta arrijë rezultatin e dëshirueshëm. Mesazhi duhet të jetë i qartë për publikun.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin që Baleti ka pasur me koreografin nga Shqipëria, i cili jeton e vepron në Gjermani.
“Jemi në fazën finale të premierës ‘Time’, një bashkëpunim me koreografin dhe kërcimtarin shqiptar, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, Taulant Shehu. Deri sot edhe me Taulantin, por edhe me asistenten e tij, Diletta Antolini, ka shkuar gjithçka për së mbari dhe sigurisht balerinët kanë qenë në krye të detyrës për çka i përgëzoj, duke u përshtatur në mënyrën e punës së koreografit, sepse secili koreograf i ka specifikat e veta dhe kërkesat e tij. Jam tejet i lumtur me rezultatin e një pune njëmujore”, ka thënë Kajtazi.
Teksa ka përmendur mbylljen e objektit të Teatrit Kombëtar tash e nëntë muaj dhe zhvendosjen në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, i cili ka njëqind ulëse më pak e skenë më të ngushtë, Kajtazi ka thënë se fatmirësisht shfaqja “Time” ka qenë e përshtatshme për hapësirën ku veprojnë aktualisht.
“Siç e shihni jemi në ambientin e amfiteatrit të Pallatit të Rinisë, sepse skena e Teatrit, aty ku kemi performuar gjithmonë, për momentin nuk mund ta shfrytëzojmë, sepse është në rinovim të ndërtesës. Për të qenë krejt i sinqertë, kemi pasur fat që stili dhe lloji i shfaqjes që Taulanti i aplikon kanë qenë shumë të përshtatshëm për Amfiteatrin këtu dhe na ka ndihmuar edhe neve që të mos shikojmë për alternativa të tjera”, është shprehur ai.
Është hera e parë që Taulant Shehu po drejton trupën e Baletit në Kosovë. Me “Time” ai i fut balerinët në terrene pak të njohura.
“Provat po shkojnë shumë, shumë mirë. Unë ka një javë që kam ardhur në Prishtinë. Asistentja ime ka tri javë që punon me balerinët këtu. Jemi duke punuar intensivisht për shfaqjen e së dielës dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë. Është në fakt një stil pak i ri edhe për balerinët, kështu që janë në një terren pak të panjohur, por besoj, do të jetë shumë bukur”, ka thënë Shehu.
Edhe titulli i shfaqjes lidhet me stilin e punës. Eksploron jetën në raport me kohën.
“Në fakt janë dy momente që janë vënë edhe diku tjetër, por në këtë konfigurim është hera e parë që vihet këtu. ‘Time’, sepse secili nga artistët do të ketë një moment kryesor, që do të ketë momentin e vet dhe ‘Time’ është jeta, koha që jetojmë dhe secili do të ketë një moment të veçantë gjatë premierës”, ka bërë të ditur ai.
Me lëvizjet nën ritmin e kohës, në skenën ku po mbaheshin provat për premierën e shfaqjes, u dëshmua edhe balerina Jeta Musolli. Ajo është shprehur e lumtur për ecurinë e provave dhe bashkëpunimin me Shehun.
“Jemi në ditët e fundit para premierës dhe provave në skenë. Si proces gjithçka ka shkuar mirë dhe në rregull. Jemi kënaqur edhe me asistenten e Taulantit, Dilettan, të cilën e falënderojmë shumë. Pra, gjithçka po shkon shumë mirë dhe jemi shumë të kënaqur”, ka thënë ai.
“Time” është njëra nga pesë premierat që i planifikon Baleti Kombëtar i Kosovës për sivjet. Pas premierës të dielën (sonte) “Time” do të ketë dhe tri repriza gjatë marsit.
Baleti me “Time” synon edhe skenat jashtë vendit
Besartë Elshani
Provat për premierën e shfaqjes “Time” të Baletit Kombëtar të Kosovës kanë vazhduar deri pak minuta para kohës së paraparë për konferencën për media, të shtunën në mesditë. Një ditë para daljes së parë para publikut, sonte (e diel) në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, koreografi i shfaqjes Taulant Shehu, asistentja e tij Diletta Antonili dhe balerina Aulona Nuhiu, kanë dalë pikërisht në skenën ku vjen premiera e parë për sivjet. Kajtazi, teksa ka vënë në pah vështirësitë e të funksionuarit jashtë ambienteve të Teatrit Kombëtar për shkak të mbylljes së objektit që prej verës së kaluar ka thënë se kjo “ka shkaktuar jo pak probleme në aspektin e funksionimit dhe në realizimin e repertorit”.
Kur përshkruar shkurt provën e parë gjenerale të realizuar të premten mbrëma, Kajtazi është shprehur se secili nga 15 balerinët që do të paraqiten para publikut ka mësuar transformimin në aspektin e stilit dhe të lëvizjes trupore. I ka harruar telashet me objekt, kur ka folur për synimet që kanë me “Time”.
“Shfaqja është e një stili bashkëkohor dhe besoj që është shfaqje mobile, që lehtë mund ta lëvizim. Sigurisht, pretendojmë ta shfaqim edhe jashtë vendit dhe sigurisht se në momentin që lëviz jashtë Kosovës, gjithnjë është sfidë numri i madh i ekipit, kështu që me Taulantin e kemi diskutuar mundësinë e shfaqjes mobile, edhe për shkak të kushteve, por edhe për shkak të performancave që potencialisht do t’i kemi jashtë vendit”, ka thënë drejtori Kajtazi.

Për koreografin Taulant Shehu, shfaqja i përshtatet krejtësisht ambientit të Amfiteatrit që është bërë shtëpi për BKK-në dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke e vlerësuar si terren më të panjohur për balerinët.
“Ne donim ta bënim këtë projekt në Kosovë, patjetër se ishte ideja që nuk është skena klasike dhe gjetëm këtë hapësirë që nuk është ajo klasikja ku zakonisht balerinët performojnë. Mendova që mund të sjellim diçka më ndryshe dhe besoj se kemi arritur edhe me ndriçimin edhe me balerinët të sjellim diçka për publikun”, ka thënë Shehu.
Ka ritheksuar se koncepti i shfaqjes është koha, e cila edhe e i jep emër. U dedikohet momenteve e rrugëtimit në jetë.
“Çfarë më pëlqen te kërcimi, dhe që kemi punuar shumë në këtë drejtim, është që mënyra më e mirë për t’u shprehur dhe të shfaqësh një emocion është gjuha e trupit, për mua është edhe më e fortë se gjuha e të folurit në teatër. Jemi munduar të tregojmë një emocion shumë të fortë që vjen vetëm nga trupi”, është shprehur Taulant Shehu.
Paraprakisht, trupa e Baletit kishte punuar për tri javë me italianen Diletta Antolini, asistente e koreografit Shehu.
“Ishte hera e parë në Kosovë për mua, jam kënaqur vërtet duke punuar me ekipin. Më pëlqen energjia dhe mundësia për të krijuar së bashku. Mendoj se ka qenë eksperiencë mjaft sfiduese, por kemi punuar shumë dhe vërtetë e vlerësoj këtë”, është shprehur ajo.
Balerina Aulona Nuhiu ka thënë se shfaqja do të rezultojë e suksesshme edhe pasi për një kohë të gjatë Baleti ka qenë larg publikut në kryeqytet. BKK-ja, ka shëtitur në disa vende të Kosovës.
“I kemi munguar publikut të Prishtinës dhe po rikthehemi me një shfaqje mjaft të veçantë. I falënderoj shumë pasi që kanë sjellë një stil më ndryshe se shfaqjet e tjera të cilat i kemi pasur deri më tash. Ka qenë pakëz e vështirë të përshtatemi, por jemi munduar shumë gjatë kësaj kohe”, ka thënë ajo.