Krejt jashtë planit, “Autostrada Bienale” të shtunën e ka përjetuar zhdukjen që e lufton me temën e sivjetme. Dhe jo të imazhit, por të një vepre konkrete. Ekskavatori e ka shkatërruar bashkë me shtëpinë ku ishte vendosur dhe s’ka mbijetuar as 24 orë prej hapjes së edicionit të katërt të Bienales që vjen me “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”. Megjithatë, shëtitja vazhdon, tok me shpresën dhe fuqinë e artit që të lërë kujtime e t’i rezistojë zhdukjes së imazhit duke ngjallur shpresë
Ka diçka tejet poetike në “Autostrada Biennale”. Të paktën për aq sa dëshmon se imazhet zhduken, por kujtimet mbesin. Një lloj kontrapunkti vjen kur arti bashkëkohor lë shenja në rrugët e objektet e qytetit historik. Por jo edhe me temën. Se “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë” befas ka qenë dëshmi e trishtë të shtunën. Imazhi i objektit ku një prej veprave ka qenë e vendosur veçse ishte zhdukur. Bashkë me veprën e shkatërruar, krejt ngjarja ka qenë si “ekspozitë që na bën e na zhbën, çfarë na thur me njëri-tjetrin e çfarë na shthur”.
Prej ngjarjeve më të mëdha në vend janë ato që e bëjnë Prizrenin nikoqir. Në këtë fije është lidhur prej kohësh edhe “Autostrada Biennale” që për të katërtën herë përqendrohet në qytetin multikulturor.

Por qendra e artit bashkëkohor “Autostrada Hangar” që e organizon, i mban në jetë “damarët” e këtij lloj arti jo të ri në vend.
Derisa ka nisur edicioni i katërt, shenjat e atij paraprak veçse janë prezente. Nisur që prej vetë hapësirës ku zhvillon veprimtarinë – njërin prej hangarëve që i kanë shërbyer Parkut të Inovacionit dhe të Trajnimit që e kishte shfrytëzuar NATO-ja. Është ekspozita e vitit të kaluar, bashkë me lulediellin e hungarezes Agnes Denes, e cila do të mbushte kopshtin me ngjyra në kuadër të “Fushat e Lulediellit” të edicionit të dytë në vitin 2021.
Siç ishte paralajmëruar në hapje, krejt rrugëtimi kishte nisur prej programit të edukimit. Atëherë edhe kishte nisur të merrte formë hapësira ku do të ushtronte veprimtarinë e ku do të dëshmonte transformimin me art të saj. Krejt hapësira, në fakt, është vepër më vete.
Sikurse qyteti bëhet më i gjallë me ardhjen e verës, një dozë më shumë i shton “Autostrada Biennale”.

Dhjetëra artistë kanë ardhur të vulosin artin e tyre, të paktën deri më 9 shtator. Jo të paktë janë edhe vizitorët. Tashmë Bienalja po e krijon komunitetin e vet artistik. Në të njëjtin hap e përcjellin çdo cep ku “Autostrada Biennale” shtrin rrënjë. Kësisoj ka ngjarë të shtunën, pa u bërë 24 orë prej ceremonisë zyrtare të hapjes.
Në shëtitje edhe me zërat e padëgjuar
Artistë e vizitorë kanë dalë në një lloj ekspedite artistike. Vepra “Playtime” e kolektivit “School of Mutants” që përbëhet prej artistë të shteteve si Senegali, Franca Tajvani, Anglia dhe jo vetëm, është instalacioni lëvizës me shumë ngjyra e me forma tejet interesante. Është vënë në lëvizje në ekspeditën me kuratorë. Nuk është vetëm vepër tejet e veçantë, por edhe shumëfunksionale. Ka shërbyer edhe për argëtim. Derisa tërhiqej nga një makinë, të pranishmit e kanë shfrytëzuar për të pushuar. Zbavitja me muzikë aty i ka paraprirë shëtitjes nëpër kamp. Derisa me tinguj në violinë është luajtur “Baresha”, një vend të veçantë kanë zënë edhe kënga turke e ajo rome. Këtë të fundit e ka luajtur Edis Galushi, i cili në ritëm kënge ka futur edhe tinguj kitare. Dhe pikërisht kënga ka qenë kryefjalë e një pjese të kësaj ngjarjeje.

“Këndoni bashkë, është shumë e rëndësishme”, ka qenë udhëzimi i parë i Övül Ö. Durmuşoğlu, njërës prej dy kuratoreve të edicionit të katërt të Bienales.
Rrugëtimin e ka ndërprerë shpesh edhe poezia e Edis Galushit. Poezia e përkthyer në disa gjuhë është shpërndarë te publiku dhe është kërkuar që qoftë edhe nëse nuk ia dinë kuptimin, të bashkohen njëkohësisht. Ajo ka qenë si njëfarë shenjë për efektin e mosmarrëveshjeve midis komuniteteve.
“Për mua si edukator, por edhe artist i pavarur rom ka qenë shumë e rëndësishme të dëgjohen zërat e padëgjuar. Rasti është dhënë përmes edicionit të katërt të ‘Autostradës Biennale’. Jo vetëm, në secilin edicion kemi pasur një pjesë që i është dedikuar kulturës rome. Jam shumë i lumtur që ne si pionier, qoftë të ‘Autostrada Biennale’, apo edhe si Kosovë, po e përdorin diplomacinë kulturore për të ngritur zërin e njerëzve që nuk kanë zë”, ka thënë Galushi.
Ka qenë si njëfarë rrugëtimi poetik në çdo hap nëpër të cilën ka marrë pjesë edhe njëri prej autorëve.

“Vepra është një vegël eksperimentale pedagogjike për klasë, punëtori, lexim, aktivitete. Mundohet të shkojë përtej të diturit dhe të mos diturit. Është kënaqësi të bësh aktivitet sot, të dëgjosh muzikë”, ka thënë francezi Stéphane Verlet Bottéro, njëri prej artistëve në “School of Mutants” derisa ka shtuar se duan që zëri i komunitetit rom të dëgjohet.
“Vatra” e rezistencës përballë regjimit
Prej aty, eksplorimi artistik ka vazhduar në kafe-galerinë “Vatra”. Është objekt i veçantë dhe goxha domethënës për skenën kulturore e artistike në Prizren e më gjerë. Do të hapej nga juristi Adnan Abrashi në vitin 1991 për të vazhduar aktivitetin deri në vitin 1997. I ndjeri, ndonëse me rrugë krejt të kundërta prej artit, do ta hapte si nevojë për hapësirë për aktivitete në kohën kur krejt ishin mbyllur prej regjimit të ish-Jugosllavisë.
Do ta përgëzonte me emrin e së bijës, njëra prej organizatoreve të “Autostrada Biennale”, Vatra Abrashi.
Është parë jashtëzakonisht e emocionuar tek vijonte rrëfimi i kuratores Durmuşoğlu për kafe-galerinë.
“Është shumë emocionuese, kam përjetuar emocione të fuqishme, pasi babi Adnan Abrashi nuk jeton më. Pasi që ky edicion synon edhe arkivat kulturore, galeria ‘Vatra’ ka qenë galeria e parë private në Prizren e cila është hapur nga babi si shkak i nevojës për ta festuar jetën kulturore në vend. Dihet që në vitet ‘90 gjithçka është mbyllur si pasojë e regjimit dhe artistët nuk kanë pasur ku ta shpalosin punën, ku t’i mbajnë aktivitetet e tyre, kështu që babi edhe pse nuk ka qenë artist, ka qenë jurist dhe aktivist, e ka dashur dhe vlerësuar jashtëzakonisht artin”, është shprehur Abrashi.
Ajo ka thënë se intervenimi ka qenë informim për publikun se çfarë ka ndodhur atëkohë dhe sesi këto hapësira të vogla mund të sjellin shpresë për njerëzit. Figura të shquara artistike kishin ekspozuar aty si Nysret Salihamixhiqi, Maksut Vezgishi e Esat Valla. Ishin mbajtur edhe mbrëmje poetike. Disa prej këtyre momenteve janë stampuar me fotografi në derën hyrëse të kafe-galerisë.

“Kjo është një hapësirë për art. Pyetja e artit është rezistenca, t’i bashkojë njerëzit, t’u sjellë shpresë dhe t’i bëjë të shpresojnë për të ardhmen. Pikërisht në atë vend jemi ne. Ky është gjest nderimi i familjes së Vatrës dhe kujtimeve të tyre e pasurisë kulturore. Me këtë duam të ju themi të shihni sipërfaqen e qytetit me të cilën jemi drejtuar. Ju kurrë nuk e dini çfarë kujtime sjellin e mbajnë”, ka thënë kuratorja Durmuşoğlu. Sipas saj, flasin edhe vetë muret e objektit.
“Muret mund të flasin shumë, sikurse gurët. Nganjëherë harrohet dhe jemi shumë të lumtur dhe të nderuar. Faleminderit që na ndihmuat ta bëjmë këtë ngjarje së bashku, kështu që mund të kujtojmë kujtimet dhe historitë që bëjnë pjesë këtu”, ka thënë ajo më tej. Ka qenë cicerone e krejt rrugëtimit nëpër hapësirat ku shtrihet arti i “Autostrada Biennale”.
Zhdukja e veprës bashkë me shtëpinë
Prej krejt ngjarjeve, temës “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë” i është përgjigjur më së miri njëra prej veprave. Ajo e artistes turke, Gözde Ilkin. Vepra “Bimët shoqëruese, gurë besnikë” e punuar në pëlhurë, me shumë ngjyra ishte vendosur në njërën prej mureve të njërës nga shtëpitë në rrugën “Tahir Meha”. Grupi prej dhjetëra personash është shokuar kur në vend të veprës kanë gjetur një ekskavator që veçse kishte hequr çdo shenjë prej shtëpisë, bashkë me veprën.
“Kjo është dëshmi se këto imazhe do të zhduken dhe se si njeriu nuk mund të kontrollojë lokacionet ku jeton nganjëherë bëhet më e dukshme. Kështu që sot për ne, hapësira bosh e këtij objekti nënkupton dhe thotë shumë për shkak se ato të paktën shpëtuan për më shumë se 24 orë”, është shprehur kuratorja Durmuşoğlu
Artistja Gözde Ilkin nuk ka dashur ta komentojë ngjarjen.
“Nuk dua ta ndërlidh procesin me dy koncepte të tjera. Kështu ka ndodhur dhe jam shumë falënderuese për të ndarë punën time me ju”, ka thënë ajo.
Organizatorët kanë njoftuar se çdo vepër është vendosur në pajtim me institucionet, sikurse edhe me pronarët e hapësirave. Por të shtunën pasdite, arsyetimi ka qenë se “shtëpia ka qenë shumë e vjetër”.
Ngjyrat dhe “rikthimi” i Didares
Megjithatë dy veprat e tjera “Companion Plants” dhe “Entrusted Stones” kanë sjellë gjallëri në dhe plot ngjyra me art të veçantë në njërën prej rrugëve të qytetit. Sikurse edhe bën në aktivitetin e saj si artiste, edhe në veprën e punuar enkas për Bienalen ka përdorur tekstil të përdorur shtëpiak. Gjatë hulumtimit të saj u kishte kërkuar familjeve në Prizren tekstilin e tyre për të zbërthyer historitë në to.
“Didarja” është tjetër rrëfim domethënës në “Autostrada Biennale”. Darinka Pop-Mitiq ia ka kushtuar mësueses Didare Dukagjini të cilën e ka paraqitur si heroinë të emancipimit të gruas. Ishte bazuar në veprën “Didarja: Rrëfimi jetësor i një prizrenaseje” të antropologes Mirosllava Mallesheviq.
“Didarja ishte një mësuese shqiptare dhe aktiviste jopolitike që ishte pjesë e grupit antifashisht gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore. Ajo duhej ta linte Prizrenin, u zhvendos në Prishtinë e më pas në Beograd. Ne deshëm ta rikthejmë atë këtu, sidomos në një pjesë ku ishte shumë aktive”, ka thënë artistja serbe Darinka Pop-Mitiq.
Bashkëpunëtorja e saj, turkja Gözde Ilkin, ka thënë se nëpërmjet veprës kanë dashur t’u sjellin rrugëve të Prizrenit historinë e gruas si heroinë që i ka kontribuar emancipimit të gruas nëpërmjet mësimdhënies.
“Shihni intervenime shumë të imëta. Unë e shoh këtë si monument edukativ sepse unë gjithashtu kam mësuar gjithçka derisa e kemi pikturuar. Ky intervenim është më shumë histori e jetës së Didares. Gjëja më e rëndësishme është se këtu histori u regjistruan kur Mirosllava, mikja e Didarjes, na i ka treguar këto histori sikur të ishin disa orë më parë”, është shprehur Ilkin derisa është drejtuar nga vepra.
“Emancipimi në Jugosllavi dhe Didarja do të thotë sy që shohin gjëra të bukura, kështu që unë kam mësuar shumë si të trajtoj tema kaq delikate politike dhe si t’i trajtoj rrugët dhe të negocioj me to. Por nuk ke nevojë ta bësh këtë”, ka shtuar ajo më tej.
Gurë të vegjël të pikturuar, të vendosur në vrima muri në njërën prej hapësirave publike vijnë si artefakte të vërteta të arsimit shqip. Mësuesja Didare Dukagjini shfaqet me plot ngjyra në proces mësimi aty.
“Pykë-presje” për gratë dhe zogjtë e emigrimit
Po për gratë ka vijuar hulumtimi dhe eksplorimi në art edhe i artistes Blerta Haziraj. Dy vjet më parë kishte hulumtuar dokumente dhe kishte rastisur në disa revista, të parat të publikuara nga gratë. Përfshijnë vitet ‘40.
“Fillova të hulumtoj edhe të tjera dokumente, pra burime dytësore dhe kështu hulumtimi ynë synon të mobilizojë gratë për emancipim social. Në këtë ekspozitë mund të gjeni imazhe të cilat jam munduar t’i sjell në numër sa më të madh”, ka treguar Haziri në hapësirën ku janë ekspozuar veprat e saj në “Pykë-presje”. Ajo ka treguar se për katër javë kishte vizituar gratë në zonën e Dukagjinit dhe Drenicës me të cilën ato kishin ndarë historinë e tyre.
Në krejt hapësirën janë shpërndarë ballina të revistës “Buletini” e “Agimi”. Këto të parat mbajnë njëfarë nëntitulli që pas emrit “Buletin” vijon me “i Këshillit Krahinuer të Frontit Antifashist të gravet për Kosovë e Metohi. Rrëfimi i grave është përmbledhur në dokumentarin ku gratë shihen kryesisht duke punuar në shtëpi.
Më se e veçantë ka qenë edhe ajo që artistja Neda Saeedi e ka quajtur “Në thellësinë e natës qielli sheh diellin?”. Vepra me shpezë të zinj, të veshur me plot ngjyra që vijnë si reflektim drite mbi flatrat e tyre ka zënë vend në qendër të qytetit. Në formë rrethore dhe prej qelqi, vjen si njëfarë perspektive që fokusin e ka mu në qendër, në atë që artistja e kuratorët i janë referuar si “syri i qytetit”.
Artistja Saeedi që jeton në Berlin ka thënë se qysh prej ditës së parë në Prizren ishte ndjerë si në shtëpi. “Erdha në një vizitë të shkurtër në qytet dhe këtu ishte vendi specifik në të cilin isha e interesuar, sepse mund të shohësh kohë të ndryshme, periudha që nga antikja. Mund të shohësh të gjitha shtresat dhe thashë se ky monument mund të funksionojë si sy i qytetit’, është shprehur ajo.
Emigrimi ka qenë gjithashtu kryefjalë e këtij edicioni të Bienales. Sipas Neda Saeedit vepra korrespondon edhe me njerëzit në Kosovë, të cilët migrojnë, por njëkohësisht kanë lidhje të forta me vendin e tyre. Se kthehen për ta ndihmuar.
“Pastaj gjeta se ‘Kosovë’ në fakt do të thotë ‘vendi i zogjve të zinj’. E në hulumtim kam parë se zogjtë e zinj emigrojnë, por veç në kohë të vështira, dhe kthehen prapë. Kjo për mua ishte shumë frymëzuese dhe thashë se ndoshta mund të bëj diçka për t’i tërhequr të kthehen”, ka shpjeguar Saeedi.
Kuratorja Durmuşoğlu ka thënë se vepra është “domethënëse se çfarë lloj shtresash e identifikojnë qytetin. Është një piedestal i momentit të monumentit joekzistent”. Pikërisht aty pranë është edhe njëfarë “hapësire arkeologjike” ku zbulohen shtresat antike të qytetit dhe krejt historia e tij.
Por kryefjalë e krejt ngjarjeve ka qenë se të gjitha imazhet do të zhduken një ditë.
“Ne e përkthejmë në atë momentin që shihni diçka shumë të bukur. Por kjo është veç një instancë sepse kur i prekni, këto imazhe zhduken. Kjo për ne është bërë një lloj shprese, por edhe pjesë e një lloj padukshmërie”, ka thënë kuratorja polake Joanna Warsza.
Shenjat e “Autostrada Biennale” do të jenë në Prizren deri më 9 shtator. Deri atëherë ndoshta imazhet mund të zhduken, por kujtimet do të mbesin.