Shtojca për Kulturë

“Autostrada...” e imazheve që do të zhduken lë shenjat e përhershme

“Të gjitha imazhet do të zhduken, një ditë”, ka qenë tema e edicionit të sivjetmë të “Autostrada Biennale”, por në ditën e përmbylljes është rikonfirmuar se shenjat e saj do të jenë të përhershme. Prizreni tok me Mitrovicën deri tash janë të sigurta se do ta mbajnë nga një vepër. Programi i edicionit të katërt është finalizuar me vizitën finale të udhëhequr nga kuratoret Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu, për t’u frymëzuar edhe një herë me llojllojshmërinë e temave të trajtuara në veprat e shumta të artit bashkëkohor

Edicioni i katërt i “Autostrada Biennale” me programin e realizuar gjatë dy muajve të shkuar në Prizren, Prishtinë e Mitrovicë është përmbyllur të shtunën. Ndonëse tema e sivjetme ka qenë “Të gjitha imazhet do të zhduken, një ditë”, megjithatë disa prej veprave të krijuara e ekspozuara ka gjasa që të sigurojnë jetëgjatësi më të madhe, shkaku i ndikimit që kanë pasur në komunitetin lokal, por edhe te vendimmarrësit e Komunës së Mitrovicës dhe të Prizrenit. Një gjë e tillë ka shtyrë organizatorët që të shqyrtojnë mundësitë që një ndërveprim i tillë të jetë tradicional, ashtu që “Autostrada Biennale” në çdo edicion të dhurojë nga një vepër për qytetarët.

Programi i edicionit të katërt është finalizuar me vizitën finale të udhëhequr nga kuratoret Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu, për t’u frymëzuar edhe një herë me llojllojshmërinë e temave të trajtuara në veprat e shumta të artit bashkëkohor.

Ndërkaq në ceremoninë përmbyllëse të mbajtur në “Autostrada Hangar”, përmes një videomateriali janë prezantuar të gjitha veprat, por edhe aktivitetet e realizuara nga 7 korriku deri më 9 shtator.

Bashkëthemeluesit e “Autostrada Biennale” kanë vlerësuar rritjen e këtij organizimi dedikuar artit vizual si në aspektin e veprave të krijuara e ekspozuara e po ashtu edhe në praninë e audiencës e krijimin e partneriteteve të qëndrueshme.

Leutrim Fishekqiu ka vlerësuar se përparësia e këtij edicioni ka qenë krijimi paraprak i “Autostrada Hangar” në ITP.

“Në këtë edicion kemi hyrë me një institucion, që kemi krijuar mes edicionit të tretë dhe të katërt, pra ‘Autostrada Hangar’. Qysh para hapjes së Biennales është parë ndikimi, meqë kjo hapësirë nuk është vetëm hapësirë ekspozuese, por një institucion që ka prodhuar vepra për edicionin e katërt. Kësisoj ka mundësuar edhe rritjen e numrit, por edhe të cilësisë së veprave, ku për herë të parë mbi 50 për qind të veprave janë prodhuar nga ne, pra 17 vepra nga 30 sosh”, ka thënë ai.

Image
“Monumenti në lëvizje – Kthimi prapa, 2021-23”, vepër e Alban Mujës në Mitrovicë

Fishekqiu ka theksuar se e veçanta tjetër kanë qenë kuratoret Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu, meqë ato këtë rol e patën kryer edhe në edicionin e tretë.

“Kjo ka ndodhur për shkak të rrethanave, ku edicioni i kaluar ka qenë gjatë pandemisë dhe shumë hulumtime të artistëve në proces kanë mundur të kenë kufizime. Në këtë edicion kemi dashur të dëshmojmë që po krijojmë një vazhdimësi në bashkëpunim me kuratoret, me disa prej artistëve që i kanë vazhduar tutje hulumtimet dhe kanë prodhuar veprat, ku në mes tjerash kemi pasur edhe prodhim të filmit sivjet, me ç'rast filmi i Blerta Hazirajt ka fituar dy çmime në ‘DokuFest’”.

Sipas tij, ndikimi i këtij edicioni pritet të vazhdojë në hapësirat publike. “Disa skulptura ose instalacione që janë prodhuar këtu, presim që të mbesin këtu, për publikun më të gjerë, duke vazhduar ndikimin e këtij edicioni, si vepra ‘Monumenti në lëvizje – Kthimi prapa, 2021-23’ e Alban Mujës në Mitrovicë. Po ashtu edhe në Prizren pas interesimit nga qytetarët, edhe Komuna ka shprehur gatishmërinë për vazhdimësinë e veprës ‘Në thellësinë e natës qielli sheh diellin’ nga autorja Neda Saeedi dhe diskutimet janë duke ecur mirë me artisten në fjalë. Pikërisht ky interesim na bën të mendojmë që tani e pas çdo edicion një vepër t’ua ia dhurojmë qytetarëve e qytetit”, është shprehur Fishekqiu.

Ka veçuar edhe bashkëpunimin me komunitetin e akademisë, me ç’rast me kërkesë të Fakulteteve të Artit nga Berlini e Stokholmi kanë ardhur studentët në vizitë studimore në “Autostrada Biennale” e ku kanë marrë pjesë edhe në punëtori.

Barësh Karamuço ka përkujtuar se qëllimi i “Autostrada Biennale” është që të ofrojë diçka për komunitetin lokal, artistët dhe aktivistët.

“Në një mënyrë dëshirojmë të bashkojmë të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen në një pikë, ashtu që të diskutohen temat që konsiderohen edhe si tabu. Tërë këtë e bëjmë me art”, ka thënë Karamuço, teksa ka shtuar se ndërveprimi me publikun ka qenë i shtuar falë edhe vizitave të organizuara, në gjuhë të ndryshme. “Këto vizita kanë qenë të dobishme dhe kemi marrë reagime pozitive nga audienca e grupmoshave të ndryshme”, është shprehur ky bashkëthemelues.

Image
Në Prizren pas interesimit nga qytetarët, edhe Komuna ka shprehur gatishmërinë për vazhdimësinë e veprës “Në thellësinë e natës qielli sheh diellin” nga autorja Neda Saeedi

Vatra Abrashi ka theksuar se “Autostrada Biennale” gjatë ecurisë së vet ka për qëllim që artin ta dërgojë te njerëzit.

“Jemi të lumtur që kjo punë është angazhimi ynë i përditshëm, për të qenë afër komunitetit që t’i bëjmë pjesë e veprave të artit, të programit tonë publik, duke i bërë madje bashkëkrijues të veprave të artit. Qysh para Biennales, ne inkuadrojmë komunitetin me artistët në programin tonë të hulumtimit, ku hulumtohen hapësirat, konteksti ynë lokal, aspekti ekonomik, social, politik, kulturor, dhe pikërisht kjo qasje ka bërë që të rritet audienca jonë”, ka deklaruar Abrashi, duke nënvizuar edhe partneritetin me institucione qendrore e lokale, organizata të ndryshme e komunitetin e donatorëve.

Pas përfundimit të edicionit të sivjetmë, sipas bashkëthemeluesit Leutrim Fishekqiu, ka filluar puna për edicionin e pestë të Autostrada Biennale. Por paraprakisht në vitin 2024 do të kremtohet 10-vjetori i themelimit.

“Do të kemi një program mjaft interesant për 10-vjetorin e themelimit, i cili do t’i paraprijë edicionit të pestë. E edicioni i pestë mund të themi se do ta ketë një format krejt tjetër”, ka përfunduar Fishekqiu.

Shndërrim të qytetit në muze të hapur për artdashësit e ka cilësuar të shtunën “Autostradën...” kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

“Ekspozita përfundoi sot, por jo edhe ndikimi i këtij organizimi ndërkombëtar, pasi qyteti ka treguar interes për ta mbajtur njërën nga veprat e instaluara në qendër të qytetit edhe pas përfundimit të këtij edicioni”, ka shkruar Totaj.

Edicioni i katërt i “Autostrada Biennale” ka sjellë temën “Të gjitha imazhet do të zhduken, një ditë”, që është një ekspozitë për atë që na bën e që na zhbën, çfarë na thur me njëri-tjetrin e çfarë na shthur, për liritë përtej zgjedhjeve, për të imagjinuarat që rrjedhin pavarësisht nga kufijtë dhe përmatanë tyre. Sipas kuratoreve, Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu, është një ekspozitë për autobiografitë kolektive që mbahen në arkiva kulturore, në ata rezervuarë të thellë fjalësh, gjësendesh, yrnekësh, ndjenjash ose keqkuptimesh, dhe ka të bëjë me lidhjen me të panjohurën.

“Ajo që është e paarkivueshme na kujton që një ditë, të gjitha imazhet do të zhduken, duke u rrëzuar në gollen e kohës. Prapëseprapë arti mbijeton si gjuhë qëndrese dhe paepurie, si mënyrë për të përligjur të qenët tonë në këtë botë, si një horizont që feks përtej regjimeve sundimtare pamore”, thuhet në deklaratën e kuratoreve.

“Autostrada Biennale” organizon Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor që nga viti 2017, që synon të kontribuojë në zhvillimin e jetës kulturore, edukimit dhe turizmit kulturor.