Shtojca për Kulturë

Autori i romanit “që e njollosi Jugosllavinë titiste”

Sinan Hasani - medredist në Shkup

Megjithatë, në shtypin tonë, Sinan Hasani u bë si Hasan Kaleshi, pasi tani kemi një brez në Kosovë gati nuk di asgjë për të si haxhi i parë shqiptar nga Kosova pas vitit 1945, si autor i romanit të parë të botuar në gjuhën shqipe më 1957, “Rrushi ka nis m’u pjek”, si autori i romanit “Era dhe lisi” që u bë serial televiziv mu në prag të demonstratave të 1981, si akademik me nominimin e akademik Esad Mekulit më 1986 dhe si president i Jugosllavisë më 1986-1987

I

Të shtunën e 14 majit, shtypi arab shënoi njëqindvjetorin e shkrimtarit, diplomatit, akademikut dhe presidentit të Jugosllavisë (1986-1987) Sinan Hasani, duke theksuar ndryshimet e mëdha që ndodhën në vendlindjen e tij (Kosovë) në dekadat e fundit. Shkas për interesim është romani i tij i njohur “Era dhe lisi”, i cili u botua në arabisht në pranverën e vitit 1986 në Bejrut dhe u promovua më vonë në Lidhjen e Shkrimtarëve Arabë në Damask. Gëzoi një pritje të mirë, pasi që prezantoi një gjendje të ndryshme për Jugosllavinë titiste, përkatësisht për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë deri më 1966. Ky roman u bë aq njohur, saqë tani po ribotohet me rastin e 100-vjetorit.

Megjithatë, në shtypin tonë, Sinan Hasani u bë si Hasan Kaleshi, pasi tani kemi një brez në Kosovë gati nuk di asgjë për të si haxhi i parë shqiptar nga Kosova pas vitit 1945, si autor i romanit të parë të botuar në gjuhën shqipe më 1957, “Rrushi ka nis m’u pjek”, si autori i romanit “Era dhe lisi” që u bë serial televiziv mu në prag të demonstratave të 1981, si akademik me nominimin e akademik Esad Mekullit më 1986 dhe si president i Jugosllavisë më 1986-1987. Kuptohet për Sinan Hasanin kemi shumë narrativa, njëra prej tyre është që i dha ai shkrimtarit Tahir Z. Berisha, i cili e botoi më 2005 me titull “Në Fokus të ngjarjeve: Bisedë me Sinan Hasanin”.

Me Hasan Kaleshin kishin gjëra të përbashkëta: martesa me një grua serbe me dallim që Sinani ishte ndër të parët në Kosovë që e pagëzoi djalin me emrin Ilir, fama jashtë Jugosllavisë dhe fakti që i pari (Hasan Kaleshi) u zgjodh më 1967 akademik në Akademinë Arabe në Kajro (me kriteret e asaj akademie), kurse i dyti (Sinan Hasani) u zgjodh më 1986 në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (me kriteret e asaj kohe). Të përbashkët kanë edhe (mos)praninë e tyre të tashme në jetën kulturore-shkencore.

Megjithatë, ka një dallim midis tyre: Hasan Kaleshi ndoshta gjatë këtij viti gëzon një pllakat mbi shtëpinë në të cilën lindi, kurse Sinan Hasanit i mbeti një rrugë në fshatin e tij Pozheran, ndonëse më 2015 ishte një propozim që t’i hiqet.

Image
Sinan Hasani si president i Jugosllavisë, më 1986

II

Gjenerata e re, po edhe më gjerë, nuk di se Sinan Hasani lindi më 14 maj 1922 në fshatin Pozheran afër Vitisë një familje të varfër dhe mezi e kreu shkollën fillore, kurse në sajë të varfërisë, pranoi të kalonte në shkollën e mesme “Medreseja e Isa beut” në Shkup, pasi ky institucion i trashëguar nga periudha osmane siguronte qëndrim në konvikt, ushqim dhe veshje falas për studentë. Sikurse çdo medrese, ky institucion i njohur ofronte dituri të përgjithshme dhe lëndë fetare (duke përfshirë mësimin e arabishtes dhe leximin e Kuranit) për përgatitjen e kuadrove fetare nëpër terren.

Megjithatë, Sinan Hasani punoi si mësues në fshat për një kohë të shkurtër e pastaj mori pjesë në aradhet partizane deri kur u arrestua prej gjermanëve më 1944 dhe u dërgua në një kamp afër Vjenës, ku mbeti deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Më t’u kthyer në Pozheran më 1945 filloi të aktivizohej në vendlindje e në rrethinë, deri kur në qershor 1948 shpërtheu konflikti ideologjik midis Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, i cili solli si pasojë bllokadën staliniste kundër “Jugosllavisë revizioniste”. Për ta shpërthyer këtë bllokadë, udhëheqja jugosllave mori iniciativë për çarjen e kësaj bllokade me depërtim në vendet arabe islame. Duke e shfrytëzuar rastin e haxhillëkut në vjeshtë 1949, u formua grupi i parë i myslimanëve të Jugosllavisë për të shkuar në Mekë për haxhillëk, njëkohësisht për ta paraqitur më ndryshe “Jugosllavinë socialiste”, pra një vend ku myslimanët gëzojnë të gjitha të drejtat. Në krye të grupit ishte kryetari i Bashkësisë Islame të Jugosllavisë h. Ibrahim Faikagiq, kurse nga shqiptarët ishin vetëm dy: Sinan Hasani nga Kosova dhe Shuaip Asllani nga Maqedonia. Grupi u ndal në Kajro për të takuar kreun e Azharit, kurse anëtarët e grupit u trajtuan si mysafirët e mbretit në Arabinë saudite. Sinan Hasani, pasi i kreu të gjitha ceremonitë e haxhillëkut, u kthye në Kosovë me titull haxhi, pra i pari që shkoi në haxhillëk pas vitit 1945.

Më vonë, për nevoja të tjera, S. Hasani u dërgua në shkollën e lartë në Beograd, prej nga u kthye në Kosovë për të punuar në funksione të ndryshme si drejtor i shtëpisë botuese “Rilindja” e të tjera. Ndërkohë, filloi të paraqitej në jetën letrare dhe përnjëherë u bë emër i njohur më 1957 kur iu botua romani “Rrushi ka nisë m’u pjekë”, i cili u prit me entuziazëm si “romani i parë i botuar në gjuhën shqipe”, pra një indikacion për zhvillimin e letërsisë shqiptare në Jugosllavi. Më vonë, ai botoi disa romane deri kur iu botua më 1980 kompleti me tetë romane nga shtëpia botuese “Rilindja”, i cili u promovua në një ceremoni të madhe me pjesëmarrjen e shkrimtarëve që ende janë të gjallë. Kuptohet, për ato romane kemi shumë shkrime lavdëruese të botuara në gazetat dhe revistat letrare nga shkrimtarë e kritikë që ende janë gjallë. Në mesin e tyre është akademik Mehmet Kraja, që nuk di për komplimente në shkrimet e tij, i cili me rastin e botimit të romanit të shtatë, thotë: “Sinan Hasani, me shtatë romanet e botuara deri më tash, pa mëdyshje mund të konsiderohet si një ndër shkrimtarët tanë më produktivë, veçanërisht si lërues i romanit...”(Rilindja 10.12.1977).

Image
Kopertina e përkthimit arab të romanit “Era dhe lisi”

III.

Në mesin e këtyre romaneve meriton të përmendet “Era dhe Lisi” i botuar më 1973, i cili është më i pjekur artistikisht dhe veçohet më guxim të madh në trajtimin e “deformimeve” në “Jugosllavinë titiste”, përkatësisht për dhunën e rëndë që u shtrua mbi shqiptarët në Kosovë gjatë 1948-1966. Mu për këtë, ky roman u prit më mirë si në Kosovë dhe më gjerë dhe kur u prodhua si film artistik, është dashur që vetë Titoja ta shikonte e ta jepte pëlqimin për shfaqjen e tij sepse u duk atëherë “shumë i guximshëm”. Filmi jehoi shumë dhe fitoi “Arenën e Artë” në Festivalin e Pulës më 1979.

Ndonëse ky roman u përkthye në gjuhën serbokroate, në Beograd u ndie më ndryshe përkthimi arabisht i këtij romani, pasi që prezantoi më ndryshe “Jugosllavinë titiste” në një rajon ku dominoi me dekada një imazh tjetër që shërbente interesat e Jugosllavisë. Kështu, ndonëse autori ishte president, shtypi i Beogradit kritikoi këtë përkthim, duke e cilësuar “përkthim nacionalist”.

IV

Në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur shkrimtarë që u kritikuan për shkak të qëndrimeve të tyre politike gjatë Luftës, por ata nuk janë eliminuar prej teksteve shkollore dhe prej antologjive dhe veprat e tyre vazhduan të ribotohen “në kohën e lirisë dhe demokracisë”.

Në rastin tonë duket pak më ndryshe: mund të fshihet emri i Sinan Hasanit nga tekstet shkollore dhe të injorohet totalisht, por nuk mund të fshihen dhjetëra shkrime lavdëruese të shkrimtarëve tanë të njohur (nga Ramiz Kelmendi deri te Mehmet Kraja) nga faqet e gazetave dhe revistave letrare të kohës.