Pikërisht në pesëvjetorin e vdekjes së Blerim Pecit, rrëfimet ishin të ndryshme, por e përbashkëta e secilës qe natyra unike e karakterit të tij. Në rrafshin artistik u kujtua si njeriu që zotëronte skenën, në rrafshin njerëzor si njeriu bujar me humor të mrekullueshëm
Kur përmendet emri i tij, përfytyrimet dallojnë. Dikush e kujton si aktorin që në vitet ’90 eksperimentoi ne teatër për të sjellë art dhe kjo erdhi në trajtën e rezistencës. Por kujtimet dinë të jenë edhe më të freskëta. Energjia e tij më së miri kumbonte te “Show Meselation”. Së bashku me kolegët e tij, arrinte që me humor të thumbonte politikën, jetën sociale dhe gjithçka tjetër.
Por nga kujtimet e fundit që la në këtë botë, u bë edhe seriali televiziv “Vikendi”. Fundjava për shikuesit e RTK-së ishte çlodhje përmes rolit që jetësonte Blerim Peci. Ata kishin rastin të përjetonin një udhëtim në kohë. Me ngjyrat bardhezi të cilat që në fillim ngjallin nostalgji, xhirimi te shtëpitë e vjetra, kostumografia e një të moshuari e bënin shumë të natyrshëm rolin e tij: shprehjen e diferencave në moshë, bashkë me Xhejlane Tërbunjën.
Pikërisht në pesëvjetorin e vdekjes së tij, rrëfimet ishin të ndryshme, por e përbashkëta e secilës qe natyra unike e Blerim Pecit si karakter. Në rrafshin artistik u kujtua si njeriu që zotëronte skenën, idetë e tij merrnin vëmendjen e publikut, por mbi të gjitha kujtimi i tij në teatrin e qytetit të Mitrovicës “Muharrem Qena” erdhi si yll që u shua.
U përmend edhe njerëzorja e tij prej bujari, humori i mrekullueshëm dhe afërsia që ia falte gjithkujt. Por për aktorin që la pas vetes skeçe të ndryshme, gjatë ceremonisë u ngrit edhe çështja e kujtimit të tij në ditëlindje dhe jo në përvjetorin e vdekjes. Kjo për shkak të natyrës së tij humoristike dhe mënyrës se si ai do të donte të kujtohej.
“Me dëshirë unë dhe miqtë e mi s’do ta shënonim ditën e amshimit, me dëshirë do ta shënonim ditëlindjen e tij. Kjo është kërkesa ime për Drejtorinë e Kulturës e për ne miqtë e familjarë që na mungon Blerimi”, u shpreh Fehmi Ferati, mik e bashkëpunëtor i Belit.
Ferati ka thënë se mënyra se si ka komunikuar Blerim Peci me shoqërinë ka qenë e veçantë.
“Njerëzit vijnë në këtë botë, dikush lë gjurmë më shumë, dikush më pak. Dikur jeton shpejt dhe ka jetën plotë përmbajtje. Ai pati fatin të jetojë shpejt dhe të punojë shumë”, ka thënë ai.
Skënder Sadiku ka thënë se Beli i ka dhënë shpirt dhe humor Mitrovicës.
“Ka qenë lehtë dhe vështirë të punohet me të. Ka qenë më i mirë se kameramanët. Noli ka hyrë në historinë botërore sepse i ka shqipëruar veprat më mirë sesa origjinali. Unë pa modesti e them se idetë e mia kanë dalë më të mira përmes Belit, s’i kam njohur ato”, u shpreh Sadiku.
Aktorja Xhejlane Tërbunja ka ndarë përvojat skenike dhe të xhirimeve me të. E ka kujtuar si njeriun që gjithmonë i bënte në prapaskenë e para publikut të qeshin aktorët. Të njëjtën kohë ishte zemërmirë dhe bujar me gjithë setin përgjatë punës.
“Beli përveç që e ka pas humorin shumë të veçantë, idetë i ka pasur inovative. E kanë pas shumë zor me e kuptu dhe plotë ide i kanë mbetur të parealizuara”, ka thënë Tërbunja.
Kolegu tjetër i tij, Mirsad Ferati ka thënë se ai ka qenë njeri kokëfortë, por edhe i qetë. Ka arritur që përmes një humori të thjeshtë t’i bëjë të mendohen njerëzit për një çështje.
“E kam taku herët, në klasë të tretë. Kur më kanë marrë në ‘96-n në ‘Show Meselation’. Kam luajtur në skena të ndryshme, por atë kam me e mbajtur në mend si kujtimin për të mirë të jetës”, ka thënë Ferati.
Një histori interesante ka pasur Valdete Idrizi, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Mitrovicës. Sipas saj Blerim Peci i bënte njerëzit për vete.
“Ishim në vitet ’90 në Ulqin. Unë e luaja rolin e një plake. Kisha kule veshur dhe u rrëzova shkallëve. Kur i çova kulet, e pashë që u përgjaka. Edhe ai prej skene tha: ‘Kishe po rrëzohem aty, ec këtu!’ Publiku i besoi atij, më thoshin: Bravo je rrëzu si me kon përnime”, ka thënë në humor Idrizi.
Në fund bashkëshortja e tij, Afërdita Sopjani-Peci ka falënderuar të gjithë për kujtimet.
“Jeta njerëzore dhe humane e tij do të jenë testament e trashëgimi për neve, që do ta shoqërojnë tanë jetën sepse ato i ka pasur madhështore”, ka thënë ajo.
Pas fjalimeve u rishfaq filmi dokumentar i punuar nga RTK, “Përgjithmonë”, i cili ishte shfaqur në Teatrin Kombëtar të Kosovës në njëvjetorin e vdekjes së tij. Me regji të Kastriot Saqipit, intervista e narrativa të vet Sopjani – Pecit, dokumentari sjell versione të ndryshme nga jeta e Blerim Pecit. E nisur me dy fëmijët e tij, rrëfimin e gruas, ajo shtresëzohet te aspekti artistik. Teatri “Muharrem Qena”, teatri “Dodona”, udhëtimi në “Show Mesalation”, “Vikendi” dhe projekte të tjera janë gjurmë të tij, nëpër të cilat kalohen me rrëfimet e kolegëve të tij. Blerim Peci vdiq më 9 dhjetor 2017 në moshën 49-vjeçare.