Shtojca për Kulturë

“Arti” ringjalljes së hapësirave të braktisura – shembull e sfidë

“Expanding Spaces – Retrospective and Vision” ka qenë tema e panelit të diskutimit për potencialin që kanë hapësirat publike që shërbejnë për qëllime kulturore, aktivitetet që strehojnë dhe rëndësinë e tyre te komuniteti. Janë dhënë disa shembuj konkretë si puna e “Defy Them” që ka shënuar njëvjetorin në hapësirën e re që e ka ringjallur ish-strehimoren në “Breg të Diellit”

“Defy Them” ka një rrugëtim pesëvjeçar tashmë, fillimisht në një hapësirë të vogël në periferi të Prishtinës, e të shtunën është bërë një vit prej se aktivitetin e ka zhvendosur në lokacion krejtësisht të ri. Hapësira e ndërtuar dikur si strehimore në “Breg të Diellit” tashmë është shndërruar në adresë jo të panjohur për komunitetin artistik e publik. Në shënim të përvjetorit, të “zhvendosjes” është mbajtur paneli “Expanding Spaces – Retrospective and Vision”, ku është diskutuar për potencialin që kanë hapësirat publike që shërbejnë për qëllime kulturore, aktivitetet që strehojnë dhe rëndësinë e tyre te komuniteti.

Njëra prej dhomave të “Defy Them” që shërben për regjistrimin e këngëve ka mbledhur përfaqësues të institucioneve dhe të organizatave joqeveritare për të diskutuar për marrjen në shfrytëzim të hapësirave publike, vështirësitë dhe mënyra se si do të mund të zhvillohet aktiviteti në to.

“Defy Them” është vetë shembulli i tillë dhe si demonstrim i krejt pyetjeve të ngritura përgjatë panelit të diskutimit. E për ta shpërfaqur të njëjtën gjë para publikut të mbledhur, e para ka qenë Bjeshkë Guri nga “Youth Initiative for Human Rights - Kosovo”, e cila ka rrëfyer vështirësitë në tentativën për shfrytëzim të hapësirës publike për themelimin e një muzeu të luftës të Luftës. Ajo ka konsideruar se institucioni i tillë do të ishte shtyllë e punës që ata e bëjnë dhe e ballafaqimit me të kaluarën.

Guri ka treguar se ideja ka qenë të shfrytëzohet një pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës si muze. Përkrahje kishin gjetur prej drejtorit Fazli Gajraku dhe se gjithçka ishte në nisje të përgatitjeve por se nuk u ishte dhënë leje.

“Fillimisht kemi nisur të kërkojmë hapësira për ta jetësuar këtë projekt, kemi bashkëpunuar edhe me Komunën e Prishtinës. Nuk ka qenë proces i lehtë dhe nuk na është bërë e mundur, në mënyrë institucionale duke ditur se ka pasur shumë burokraci dhe janë procese që janë shumë të panevojshme dhe të lodhshme”, ka treguar Guri, derisa ka folur për vështirësitë në marrjen në shfrytëzim të hapësirës publike.

Tjetër shembull që është dëshmuar se si kthehet një hapësirë publike në shërbim të skenës kulturore ka qenë edhe ajo që tashmë shërben si “Rezidenca 17”. Shtëpia e dikurshme e shkrimtarit Hivzi Sylejmani në “Taslixhe” mandej edhe bibliotekë, kishte nisur të restaurohet në maj të vitit të kaluar me qëllim të kthehet në shërbim të komunitetit artistik, konkretisht si rezidencë ku mblidhen dhe zhvillojnë aktivitetin, derisa publiku është i lirë të shohë nga afër krejt procesin. “Rezidenca 17” për pesë vjet në objektin e viteve ‘30 do të jetë institucion vartës i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”.

Drejtoresha e “Shtatëmbëdhjetë”, Nita Zeqiri, e ka vlerësuar të rëndësishëm diskutimin për hapësirat e braktisura, historikun e tyre, gjendjen e rikthimin e tyre te publiku.

“Ne kemi punuar shumë në objekte të ndryshme në Prishtinë duke u fokusuar në mbledhjen e memories kolektive dhe rëndësinë e saj që në njëfarë formë është duke shkuar në zhdukje e sipër. Shumë pak ka mbetur nga materialet arkivore dhe na është dukur që është e rëndësishme të fokusohemi në këtë pjesë. Plani ynë për programin e ‘Rezidencës’ ka qenë ta zhvillojmë edhe më shumë, të krijojmë studio pune për artistë dhe jo vetëm, për fusha të ndryshme që mund të veprojnë mes vete”, ka thënë Zeqiri, derisa ka njoftuar se prej së hënës do të fillojnë zbatimin e rezidencës “Infrared” që do të zgjasë për katër muaj. Artistë, shkrimtarë e aktivistë të natyrës do të mblidhen për të diskutuar për çështjet e ambientit.

Adrian Berisha ka folur në cilësinë e artistit e të ish-drejtorit të Kulturës në Komunën e Prishtinës. Ka krahasuar numrin e hapësirave të kulturës alternative të një dekade më parë dhe me gjendjen e tanishme. Shqetësuese sipas tij, është qasja e qeverisjes aktuale për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike.

“Ka progres krahasuar me më herët dhe duhet të ketë qasje sa më racionale dhe të krijohet një sinergji mes komunitetit, organizatave joqeveritare dhe institucioneve. Por ajo që më shqetëson më së shumti është qasja e Qeverisë ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Tash kemi një Qeveri që ka premtuar se do të ketë një qasje krejt tjetër, unë i di problematikat që janë përbrenda, por besoj se duhet funksionuar me hapa sa më të shpejtë”, ka vlerësuar Berisha.

Kompozitori Liburn Jupolli, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se është shumë e rëndësishme retrospektiva kulturore, sidomos ajo për muzikën moderne në vend.

“Është edhe një narracion e zë i Kosovës që është shumë i rëndësishëm për ne fillimisht, por edhe për jashtë të tregohet se sa modern ka qenë shpirti dhe zëri i Kosovës dhe sa shpejt ka kaluar në një pjesë modernizmi që shumë vende të tjera ndoshta nuk e kanë pasur fatin ta përjetojnë”, ka vlerësuar Jupolli.

Sipas tij, ka ngritje të numrit të aktiviteteve kulturore në të cilat përfshihen festivale, koncerte e publikime të ndryshme. Ato sipas tij, korrespondojnë në data kur ishin bërë ndryshime të mëdha politike.

“Kur kam filluar të shikoj diku para rreth katër vjetëve, shoh se të gjitha janë data që korrespondojnë me ndryshime shumë të mëdha politike. Ka zhvillime të tjera, por aktiviteti më i madh që ndodh në skenë si nga bendet e reja, festivalet e reja, daljet, hyrjet korrespondojnë me këto data. Kjo është një prej pyetjeve më të mëdha të miat dhe që më interesojnë më së shumti është se a duhet të jetë komuniteti çdoherë pre e momentit kur ka nevojë. Unë nuk besoj pasi i kemi të gjitha mundësitë jo vetëm për të mbijetuar”, ka thënë Jupolli.

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka vlerësuar se ka nevojë për kohë për të pranuar zhvillimin e diçkaje të paprecendentë në atë vend. E ka vlerësuar si hap pozitiv, pasi që është premtuese për zhvillimin kulturor, por edhe negativ pasi që kërkon shumë punë.

“’Rezidenca 17’, ‘Defy Them’ e krejt të tjerat janë iniciativa fantastike. Aq sa janë fantastike, është edhe një anë e medaljes në kuptimin që ka pyetje prej vetë komunitetit që ju i përkisni se pse kjo organizatë e ka marrë këtë hapësirë dhe jo një organizatë tjetër. Dhe këtu menjëherë shtrohet mendimi se po vazhdojmë t’ia lëmë rastësisë për të parë një hapësirë të braktisur dhe të kërkojmë nga Komuna për ta përdorur”, ka thënë Sahatçiu në panelin e diskutimit, ku është diskutuar për vizionin e retrospektivën e hapësirave publike.

Kushtrim Canolli, zyrtar i lartë për planifikim të politikave në Zyrën e Kryeministrit Albin Kurti, ka vlerësuar se hapësirat alternative janë më shumë kompetencë e nivelit lokal. Ka përmendur projektin për ndërtesën e ish-Gërmisë në kryeqytet për ta adaptuar në sallë koncertale, projekt që, siç ka thënë, parashihet të fillojë vitin e ardhshëm dhe të përfundojë në vitin 2025.

“Sa i përket vizionit, ne kemi një qëllim që e quajmë strategjik i cili është aprovuar në Qeveri, ku thotë ‘kulturë kreative në shoqëri joaktive’ siç është emërtuar dhe ne kemi identifikuar indikatorë e buxhet për këtë qëllim, i cili pastaj ndahet në objektiva ku hyn natyrisht trashëgimia kulturore, kultura në përgjithësi dhe aspektet e rinisë apo rinia”, është shprehur Canolli.

Derisa ka folur për planet për trashëgiminë kulturore, ka thënë se Ministria e Kulturës nuk e ka planin e detajuar se si të veprojë ndonëse është ndarë buxhet më i madh në këtë drejtim.

“Sa i përket trashëgimisë kulturore dihet se Ministria e Kulturës avokon në këtë pjesë dhe ka ndarë buxhet më të lartë, edhe pse nuk ka një plan shumë të detajshëm se si do të veprojë apo se cilat janë kriteret mbi të cilat duhet të mbrohet apo të promovohet kjo trashëgimi. Janë duke punuar në këtë drejtim, por nuk ka diçka finale”, ka thënë më tej historiani Canolli.

Paneli është moderuar prej drejtoreshës së “Defy Them”, Lira Blakaj, e cila ka vlerësuar se vizioni i organizatës është i qartë: të përkrahet skena alternative e kulturës.

“Prej kur e kemi gëzuar këtë hapësirë projektet dhe veprimtaria jonë janë rritur. Tri shtyllat e organizatës janë shkolla e muzikës, studio e incizimit, qendra për kulturë alternative të cilat kanë krijuar projekte shumë interesante dhe tejet atraktive. Përderisa numri i projekteve po rritet, qendra po shton aktivitetet e saj”, ka thënë Blakaj në nisje të panelit të diskutimit.

Në shënim të festës së përvjetorit të “Defy Them”, paraditen e së shtunës është organizuar koncerti vjetor i fëmijëve të shkollës së muzikës në kuadër të “Defy Them”. Festa në hapësirën prej 245 metrash katrorë, dikur të braktisur, ka vazhduar deri vonë me koncertin “Spring Gathering” ku kanë interpretuar, ndër të tjera, Shpat Deda me bend, Ardian Berisha, “Asgjë sikur dielli”, “Zwada” e “Arise”.