Lehtë e dallueshme është puna e artistit Artan Hajrullahu. Mediumi, mënyra e paraqitjes së veprave e materiali në të cilat i hedh ato e ka bërë tashmë të veçantë krijimtarinë e tij. Një pjesë e opusit të artistit do të shpaloset edhe në Bullgari, në galerinë “Sarieva” në qytetin Plovdiv. Janë afër 50 vepra që bëjnë bashkë rrëfime tradicionale me praktikën bashkëkohore për të prekur edhe në nostalgjinë e shoqërisë së vendit tjetër ballkanik. “A House Without Walls” e Hajrullahut me art kthen publikun pas në kohë prej 1 shtatorit kur hapet ekspozita.
Nëpërmjet pikturës e vizatimit, veprat e artistit janë dëshmuar shpesh në ekspozita në vend për mesazhet që sjellin për të kaluarën. Vjen si një lloj dokumentimi për të dhe nostalgji e ironi për atë kohë. Edhe në Bullgari, veprat e Hajrullahut e dërgojnë përditshmërinë e fëmijërisë së tij e të kohës së më vonshme. Vetë titulli i saj vjen poetik dhe me mesazh të fuqishëm. Flet për shtëpinë e sotme të zhveshur prej kujtimeve e përjetimeve të dikurshme.
“Sarieva Gallery” ka bërë publike veç tri prej veprave që do të shfaqen në ekspozitën e tij personale. “A dream of home” të cilën artisti e ka punuar vitin e kaluar me ngjyra druri në material letre të paketimit ka paraqitur peizazhin imagjinar të fëmijërisë. Superfuqia e njeriut vjen e para në mendje tek shihen dy njerëz që fluturojnë. Hapësirën pranë tyre e përshkon tymi që del prej oxhakut të një shtëpie tradicionale, pranë së cilës qëndron një pemë. Poshtë saj artisti ka shtuar një veturë brenda garazhit të rrethuar e mbuluar me material të tejdukshëm.
Vetë materiali i përdorur jep përshtypjen se ngjarja është realiteti i së shkuarës. Veprave u jep efektin se mesazhi vjen për të kaluarën, duke mos pasur nevojë që të ndërhyjë në sfondin e objekteve të paraqitura.
Në “Silence” të cilën e ka punuar këtë vit, veprën e sjell në formë të një kartoline ku shfaqet përditshmëria brenda shtëpisë, përkatësisht dhomës së qëndrimit ditor. Tri gra të ulura në tavolinë dhe një tjetër tek pushon në divan, janë protagonistë të kësaj vepre. Një fotografi njeriu në mur dhe një pikturë peizazhi e varur aty, bashkë me llambadarin në majë të veprës sjellin intimitetin e jetesës në bashkësi. Vepra është punuar në dimensione 25 me 33 centimetra derisa “A dream of home” është 30 me 32 centimetra.
Në dimensione edhe më të vogla e edhe më minimaliste në përmbajtje vjen vepra tjetër e tij, pa titull. E punuar në vitin 2013, mbase sjell një copëz të kohës së një dekade më parë. Tonet e hapura dhe të mbyllura aty-këtu të materialit me ngjyrë kafe krijojnë iluzionet e formës së oborrit. Një palë sandale brenda të cilave qëndrojnë pantofle të brendshme japin përshtypjen se po ajo hapësirë është para hyrjes në shtëpi. Jo larg tyre qëndrojnë objekte të tjera që kthejnë në mëndje kujtesën për një pjesë të shtëpisë së dikurshme.
Praktika e punës së artistit Artan Hajrullahu i përshtatet lehtë kulturës së jetesës për vendet e Ballkanit në përgjithësi. Kjo pritet të konfirmohet më 1 shtator kur ekspozita do të hapet dhe do të qëndrojë aty deri më 30 nëntor. Në përgjithësi veprat u referohen temave tradicionale, por që përfshijnë edhe lakuriqësinë si temë tabu. Për t’i shprehur ato ka përdorur letra ambalazhi. Imazhet janë të lidhura ngushtë me sekuenca të jetës së zakonshme të fëmijërisë. Format e vogla si narrativë në miniaturë i rikthen në përjetim për përditshmërinë jo vetëm të tij.
“Kjo ka të bëjë më shumë me një lloj jetese personale timen dhe të popullit. Unë nisem prej shtëpisë, familjes dhe mundohem të reflektoj edhe më larg, në rrethin e gjerë, si një ndërlidhje sociale mes shoqërisë, familjeve. Meqë jemi në Ballkan, kulturat nuk është se janë të ndryshme në kuptimin e ekstremes. Çdo punë e detaj në të, sidomos në Bullgari, të paktën kuratorja e drejtuesja e galerisë, ka parë diçka që shumë lehtë pranohet edhe në vendin e tyre”, ka thënë Hajrullahu për KOHË-n derisa ka treguar se ka një vit që po përgatitet për ekspozitën.
Kjo është hera e parë që veprat e tij do të prezantohen para publikut bullgar. Artisti gjilanas ka thënë se prezantimi jashtë vendit është i rëndësishëm si për nga konteksti personal e për prezantimin e kulturës së vendit të tij.
“Për artistin çdoherë është i rëndësishëm prezantimi i tij jashtë vendit, në një shoqëri tjetër, në atë që nuk të njohin në kuptimin artistik dhe prezantimi yt është shumë i rëndësishëm sepse e tregon atë pjesën tënde të punës dhe ndoshta edhe të kulturës prej nga vjen. Kudo që ta kesh një prezantim personal jashtë vendit është i rëndësishëm”, është shprehur Hajrullahu.
Praktika e tij e punës ishte shpalosur për publikun vendor e të huaj edhe në kryeqytet vitin e kaluar në kuadër të bienales nomade evropiane “Manifesta 14”, në hotelin “Grand”. Hajrullahu ka treguar se drejtoresha e galerisë dhe kuratorja e ekspozitës, Vesselina Sarieva kishte në fokus veçanërisht sjelljen e këtyre veprave në galerinë që drejton e në ato të reja.
“Në fakt Vesselina ka insistuar të jenë edhe disa vepra që janë ekspozuar në Kosovë, sidomos ato në bienalen ‘Manifesta’. Ka kërkuar që ato të jenë edhe në galerinë e saj, gjithashtu janë edhe disa vepra që janë ekspozuar në ekspozita kolektive. Kryesisht mbi 50 për qind janë punë të reja që i kam krijuar gjatë këtij viti që kemi filluar bashkëpunimin”, ka thënë artisti Hajrullahu.
Ishin 24 punime gjithsej që ndërtonin ekspozitën “Mbi dashurinë” që ngjanin në sekuenca kujtimesh. Ato vinin si nostalgji e përmallim për ngrohtësinë në familjen ku anëtarët ndanin të njëjtën hapësirë për shumë funksione, në të njëjtën mënyrë siç ndodhte dikur. Narrativet nga përditshmëria dhe kujtimet e projektuara në atë ekspozitë ishin pasqyrim në veprat e artistit. Aty e gjente veten secili vrojtues i punimeve dhe e rikthente në kujtimet e momenteve brenda familjes.
Seria me vizatime i Hajrullahut me titull “Mbi dashurinë” ishte pjesë e mozaikut të ekspozitës tematike “Grand Scheme of Things”.
Artisti ka treguar se në përgjithësi numri i veprave që do të prezantohen në kuadër të ekspozitës “A House Without Walls” sillet rreth 40 deri 50.
“Në bazë të përzgjedhjes që kemi bërë me kuratoren janë rreth 40 deri 50 vepra që mendojmë se mundemi t’i ekspozojmë, është numër relativ. Meqenëse punët e mia janë minimale në kuptimin e formatit, po mundohemi të bëjmë një selektim sa më të denjë që prezantimi të jetë sa më i qartë dhe i fuqishëm’, ka treguar artisti Hajrullahu.
Hajrullahu ka marrë pjesë në shumë projekte vendore dhe ndërkombëtare. Atij i ishte dhënë çmimi “Artistët e së nesërmes” në vitin 2013, ndërsa në vitin 2018 ishte nderuar me çmimin “Muslim Mulliqi” nga Galeria Kombëtare e Kosovës.
Ekspozita e tij e fundit “A House Without Walls” (Një Shtëpi pa Mure) edhe e hap sezonin e ri të galerisë “Sarieva”. Kuratorja e ekspozitës, bullgarja Vesselina Sarieva ka shkruar për veprat se në to paraqiten situata tipike të përditshme dhe se temat janë të sakta për jetën ballkanike.
“Ato paraqesin objektivitetin tipik ballkanik dhe estetikën e së kaluarës – mobilie modeste, soba me dru, batanije punëdore, mbulesa dantelle dhe shalqinj, të kombinuara me simbole të modernitetit – televizorë, raketa, automobila dhe makineri. Bashkëjetesë me objektet janë imazhet e anëtarëve të familjes dhe të komunitetit – bashkëshortëve, prindërve, fëmijëve, vëllezërve, motrave, hallave, vjehrrës, kolegëve, shokëve të klasës, etj.”, ka shkruar kuratorja e ekspozitës.