Bernd J. Fischer dhe Oliver Jens Schmitt përmendin se në vitin 1875/1878, osmanët filluan ta humbnin kontrollin pas rebelimit në Serbi, e cila kishte shpërfaqur aspirata nacionaliste ndaj territoreve të Arnavutllukut, që nënkupton një zonë e populluar kryesisht me shqiptarët ose një trevë ku elementi etnik shqiptar ishte dominues në mesin e shumë grupeve të tjera etnike. Një tjetër kapitull i librit të tyre të ri, “A Concise History of Albania” është ai për mbretin Zog, që pasohet prej atij që qëmton vendosjen e regjimit komunist
Në “Arnavutlluk osman në krizë, 1800-1912” – kapitull i tretë i librit të Bernd J. Fischer dhe Oliver Jens Schmitt: “A Concise History of Albania”, Cambridge University Press, 2022, f. 440 – përshkruhet sundimi shumë i vonë osman në Shqipëri dhe ndikimi i Austro-Hungarisë, Italisë dhe Rusisë, si dhe rivaliteti i lëvizjeve kombëtare në Ballkan, në kontekstin e çështjes lindore 1875/1878.
Autorët përmendin se në vitin 1875/1878, osmanët filluan ta humbnin kontrollin pas rebelimit në Serbi, e cila kishte shpërfaqur aspirata nacionaliste ndaj territoreve të Arnavutllukut, që nënkupton një zonë e populluar kryesisht me shqiptarët ose një trevë ku elementi etnik shqiptar ishte dominues në mesin e shumë grupeve të tjera etnike. Në të njëjtën kohë, ngritja e një Shqipërie autonome, e përkrahur nga Austro-Hungaria, ishte një nga problemet, me të cilat do të përballet në vijim Perandoria Osmane, e cila në këtë fazë po e humbiste përfundimisht kontrollin mbi territoret e saj në pjesën ballkanike.
Në anën tjetër, Traktati i Berlinit i lejoi Monarkisë së Habsburgëve ta administronte Bosnjën.
Hovi i idesë për mbrojtjen e territoreve shqiptare
Në këtë rrethanë mori hov edhe ideja shqiptare për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe për dekurajimin e shqiptarëve në Stamboll, si dhe inkurajoi bashkëpunimin me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve perëndimore në Stamboll dhe gjetiu. Përveç kësaj, Fischeri dhe Schmitti përmendin vendimin e qeverisë osmane për vendosjen e refugjatëve shqiptarë (Muhaxhirë) nga trevat mes Nishit dhe Vranjës, të pushtuara nga Serbia, të cilat, sipas Traktatit të Berlinit, i ishin njohur asaj dhe u ishin nënshtruar spastrimit total. Në të vërtetë, ky moment shënon fillimin e acarimit të raporteve shqiptaro-serbe dhe, para së gjithash, edhe të përkeqësimit të marrëdhënieve mes bashkësive fetare dhe etnike në Vilajetin e Kosovës.

Megjithatë, mendoj se Fischer dhe Schmitt në këtë kapitull, nuk kanë arritur t’i kushtonin vëmendjen dhe hapësirën e duhur periudhës së Rilindjes Kombëtare, përkatësisht rolit të organizatës politiko-ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) dhe, bashkë me të, edhe protagonistëve të saj kryesorë, që shënon një epokë të rëndësishme historike, për t’u kuptuar plotësisht trashëgimia komplekse kulturore dhe historike e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar. Kjo periudhë historike mbulohet pjesërisht përmes disa pasazheve të vagullta, të cilat lexuesit të huaj nuk ia krijojnë qartë idenë dhe synimet e shqiptarëve për krijimin e një Shqipërie autonome.
“Kryesisht liderët sunitë shqiptarë dhe disa sllavë (këta të fundit nga Sanxhaku i Novi-Pazarit) u mblodhën për t’i parandaluar humbjet territoriale dhe për ta ngritur mbrojtjen rajonale. Programi që ata hartuan ishte bazuar kryesisht në ligjin fetar islam (şheriat) dhe në besnikërinë ndaj Sulltanit”, është formulimi qendror i autorëve të librit lidhur me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Jo aq sqarues është edhe pasazhi se ideja e autonomisë së vërtetë u përqafua nga aktivistët e pjesës jugore të Shqipërisë, kur lëvizja arriti t’i shmanget kontrollit të shtetit perandorak osman dhe kur Sulltani e goditi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1881), me qëllim t’i përmbushte detyrimet e adresuara nga Kongresi i Berlinit. Për më tepër, kjo lëvizje nuk mund të karakterizohet si një lëvizje thjesht fetare myslimane, por si një organizim që përforcoi vendosmërinë e shqiptarëve që të rezistonin ndaj çdo lloj ndarjeje të territoreve shqiptare. Dhe pikërisht qëndrimi i heshtur i Perandorisë Osmane, legjitimimi i ndarjeve territoriale të shqiptarëve (Plavë e Guci), si dhe mungesa e një reagimi më të vendosur ndaj spastrimit etnik të zonave të banuara me shqiptarë ndërmjet Nishit dhe Vranjës, e solli çështjen shqiptare me forcë në qendrën e vëmendjes së qeverive të Perëndimit. Duke e shfrytëzuar këtë rast, në pjesën lindore të Arnavutlukut, përkatësisht në Pejë (Kosovë) formohet Lidhja e Dytë, nën udhëheqja e Haxhi Mulla Zekës. Në librin e tyre, autorët përshkruajnë me saktësi shumë gabime të elitave politike shqiptare dhe qartazi përmendin rolin manipulues të Sulltanit, i cili jo një herë u përpoq t’i përdorte shqiptarët sunitë për t’i kontrolluar subjektet e tij të padisiplinuara të krishtera në Ballkan dhe për ta caktuar të njëjtin rol që u kishte dhënë kurdëve në Anadoll, duke nënvizuar se si Lidhja e Prizrenit, në fazën iniciale edhe Lidhja e Pejës, ishte nën kontrollin e heshtur të qeverisë osmane.
Mjerimi dhe ndalimi i përdorimit të shqipes
Më tej, autorët përshkruajnë gjendjen e mjerë të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Shqipëri (Arnavutluk), si dhe gjendjen e mjerë në fushën e arsimit, mungesën e shkollave dhe të universiteteve, madje edhe vendimin e sulltan Abdyl Hamidit për ndalimin e përdorimit të gjuhës shqipe, “si gjuhë e shkruar nga frika e krijimit të një bashkësie kombëtare shqiptare” (f. 126-127). Kjo situatë e represionit osman kishte ndikuar që peizazhi intelektual i shqiptarisë të mbetej i varfër dhe gjithë krijimtaria për krijimin e identitetit dhe për shtetin modern shqiptar të koncentrohej nëpër kolonitë shqiptare në mërgim. Këtë peizazh shqiptar, nën sundimin osman, autorët e përshkruajnë si vijon: “Me përjashtim të Shkollës së Korçës, nuk kishte sistem arsimor që i kushtohej ekskluzivisht shqiptarizmit. Kjo mund të shpjegohet lehtësisht për shkak të represionit të gjerë shtetëror osman kundër një sistemi shkollor shqiptar dhe për shkak të një pozicioni të ngjashëm të mbajtur nga kisha ortodokse, e dominuar nga grekët kundër një lëvizjeje kulturore shqiptare brenda komunitetit ortodoks”(f.140).
Zhvillimet politike në Shqipëri, në periudhën pasosmane
Në pjesën e dytë “Sendërtimi i shtetit dhe i kombit” përshkruhen zhvillimet politike në Shqipëri, në periudhën pasosmane. Shpjegimi nis me sprapsjen e shtetit osman gjatë luftërave ballkanike 1912/13 dhe Luftës së Parë Botërore, si dhe me krijimin e Shqipërisë së pavarur, i cili më shumë ishte rrjedhim i zhvillimit të ngjarjeve të jashtme, pretendimit të shteteve fqinje për okupimin e territoreve etnike shqiptare sesa kërkesë e brendshme për një pavarësi të plotë. Në këtë kontekst, autorët nënvizojnë se shteti shqiptar, ndryshe nga shtete të tjera ballkanike, u krijua para se të krijohet kombi modern shqiptar. Në këtë kuptim, sendërtimi i shtetit dhe i kombit bëhet shënjestra qendrore e elitave politike dhe intelektuale shqiptare. Pa dyshim, forcë frenuese ishte prapambetja e thellë ekonomike, kulturore dhe politike e shoqërisë shqiptare, e trashëguar nga sundimi i gjatë osman. Prandaj, pikërisht tejkalimi i këtij hendeku u bë moment përcaktues për udhëheqësit shqiptarë, para së gjithash për Ahmet Zogun, i cili nga një prijës lokal u ngrit në pozitën e mbretit të shqiptarëve.
Politika e Zogut për kombëtarizimin e fesë
Çështja e angazhimit të Zogut për kombëtarizimin e fesë është trajtuar në mënyrë të shkëlqyeshme në kapitullin vijues “Shqipëria midis luftërave: rritja e autoritarizmit, 1925-1939”, ku autorët nënvizojnë vendosmërinë e Zogut për të zvogëluar efektin përçarës të fesë në shoqërinë dhe në shtetin shqiptar, duke përmendur se mbreti Zog një qasje të tillë e kishte për qëllim garantimin e pavarësisë politike dhe administrative të feve të ndryshme në Shqipëri dhe shkëputjen e tyre nga çdo ndikim i huaj.
Politika e Zogut, për kombëtarizimin e fesë dhe inkurajimin e diversitetit të mëtejshëm fetar, synonte paqësimin e brendshëm dhe krijimin e unitetit kombëtar. Sipas autorëve, për këtë qëllim, Zogu ndërmori masa administrative dhe ligjore për vendosjen e rendit, deosmanizimin e shoqërisë shqiptare, përkatësisht krijimin e një Shqipërie evropiane. Përveç kësaj, ai e kishte miratuar edhe ligjin që ndalonte mbulimin e grave në Shqipëri dhe këmbëngulte në veshjen perëndimore. Pavarësisht nga natyra patriarkale konservatore e shoqërisë së atëhershme shqiptare, Zogu krijoi diçka të ndjeshme dhe angazhimi i tij u konsiderua një sukses i madh. Në mbështetje të këtij misioni, Zogu “dërgoi tri nga gjashtë motrat në një turne të shpejtë, në veri të vendit, ku islami konservator ishte ende i fortë. Tri princeshat e pamartuara arritën atje të zbuluara, të veshura me veshje moderne të Evropës Perëndimore, me funde të shkurtra, të ngushta dhe me grim. Ato kaluan një javë duke vizituar shkolla, kisha, faltore fetare, spitale, tregje dhe rrënoja, duke qëndruar së bashku me njerëzit”(f.209-210).
Sipas Fischerit dhe Schmittit, Zogu, në mënyrë sistematike, u përpoq ta shtrinte kontrollin e brendshëm mbi kisha, duke i lartësuar krerët fetarë që shpërfaqnin unitet shqiptar. Ndërkaq, sa i përket ortodoksizmit, ai u mbështet në punën e peshkopit Fan Noli, të cilit i takon një meritë e madhe për kombëtarizimin e Kishës Ortodokse Shqiptare, një punë që kishte filluar në Kongresin e Beratit, më 1922, kur u deklarua autoqefalia e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe me këtë edhe përdorimi i gjuhës shqipe në vend të asaj greke për qëllime liturgjike. Në këtë mënyrë, Zogu u bë kontribuues meritor për zhvillimin e nacionalizimit shqiptar dhe forcimin e identitetit kombëtar. Por, sa i përket Kosovës, as Zogu dhe, më vonë, as Enver Hoxha dhe të tjerët nuk ishin në gjendje të ndiqnin një politikë irredentiste, ngase Shqipëria ishte një shtet i vogël dhe i varfër në çdo pikëpamje dhe, në këtë mënyrë, rrezikonte të ballafaqohej me një invazion jugosllav. Por, fundi i mëvetësisë së shtetit shqiptar erdhi nga pushtimi italian, të cilin askush nuk e kundërshtoi, me përjashtim të Turqisë.
Shqipëria Etnike dhe regjimi komunist
Në kapitullin vijues “Lufta e Dytë Botërore dhe vendosja e regjimit komunist, 1939-1944”, autorët shpjegojnë se pas pushtimit italian dhe, më pas, atij gjerman u krijua Shqipëria Etnike, ku, me përjashtim të Mitrovicës, do të përfshiheshin pjesa më e madhe e territorit të Kosovës (Shqipërisë së re) dhe pjesa perëndimore e Maqedonisë, e banuar kryesisht me shqiptarë. Kosova u konsiderua si pjesë integrale e Shqipërisë, prandaj, si rrjedhim, u hapën shkolla shqipe aty ku nuk kishte pasur asnjë. Për këtë arsye, Fischeri dhe Schmitti vlerësojnë se derisa aneksimi i Kosovës, që i dha fund shtypjes së egër serbe dhe shkombëtarizimit të saj, shikohej me një lloj simpatie nga shqiptarët etnikë, në Shqipëri italianët dhe, më pas, gjermanët e kishin më të vështirë ta fitonin lojalitetin e popullatës shqiptare.

Pikë kthese nisi të shënonte fillimi i rezistencës nga njësitet e para guerile shqiptare që nuk kontrolloheshin ende nga komunistët shqiptarë, të cilët deri në verën e vitit 1941 ishin ende një forcë e papërfillshme dhe e ndarë në grupe të ndryshme. Dhe pikërisht invazioni gjerman kundër Bashkimit Sovjetik, më 1941, krijoi një momentum të ri për themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Sipas autorëve të librit, ishin jugosllavët, Miladin Popiviqi dhe Dushan Mugosha, ata që i dhanë vulën formimit të PKSH-së, roli i të cilëve, pa dyshim, do të mbetet vendimtar edhe në zhvillimet e tjera politike në Shqipëri, siç ishte rasti i prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, gusht 1943, ndërmjet PKSh-së dhe Ballit Kombëtar, për shkak se “marrëveshja bënte thirrje për krijimin e një Komiteti të ri kombëtar për shpëtimin dhe për mbështetjen e një Shqipërie etnike”(f.253).
Sidoqoftë, pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë luftë, si pjesë e koalicionit botëror antifashist, vlerësohet e rëndësishme, ndonëse shqiptarët nuk i mundën as italianët, as gjermanët në Shqipëri, ata kontribuuan në Evropë për mposhtjen, humbjen e fuqive të Boshtit, si një i tërë. Në këtë kontekst, vihet në dukje se Musolini ra pjesërisht për shkak të dështimit të tij në Shqipëri, dhe kjo ndikoi që gjermanët të shtriheshin dhe t’i zinin ato rajone të Evropës që kontrolloheshin nga trupat italiane, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Rezistenca shqiptare i detyroi gjermanët të mbanin më shumë trupa sesa kishin dashur në Shqipëri, duke e dobësuar kështu Gjermaninë, në tërësi.
Fischer dhe Schmitt nënvizojnë se vendosja e regjimit komunist imponoi një politikë të represionit kundër opozitës së djathtë dhe të dobët shqiptare. Pa dyshim, ishte kjo faza kur jugosllavët po i përcaktonin orientimet e tyre politike dhe ideologjike, në përpjekje për eliminimin e Shqipërisë së pavarur. Në këtë kuadër, vihet në dukje Tito përballë Enver Hoxhës, të cilit nuk i besonte për shkak se e shihte me prapavijë intelektuale borgjeze, parapëlqente fuqizimin e Koçi Xoxes, një teneqexhi me prejardhje sllavo-maqedonase. Dhe nëse mund të krahasohet terrori i Xoxes kundër elementëve antikomunistë dhe nacionalistë në Shqipëri, atëherë ai mund të krahasohet me figurën represive të Rankoviqit në Jugosllavi, pasi ishte jo vetëm zëvendëskryeministër, por edhe ministër i Brendshëm, që i kishte dhënë atij kontroll edhe mbi shërbimet e sigurimit. Pos kësaj, në këtë periudhë, Shqipëria ishte bërë një satelit ekonomik jugosllav dhe ishte prishja e Titos me Stalinin ajo që e shpëtoi mëvetësinë shqiptare. Por, edhe pse Xoxe u likuidua, terrori komunist dhe stalinizmi i Shqipërisë mori hov dhe u konsolidua dekadë pas dekade. Fischer dhe Schmitt thonë se miqësia e Hoxhës me Stalinin i dha mundësi konsolidimit të diktaturës dhe pushtetit personal të Hoxhës dhe se inxhinierimi dhe arsimi social stalinist ishin përbërësit kryesorë në përpjekjet e Hoxhës për krijimin e “njeriut socialist”.
Fischer dhe Schmitt shpjegojnë se komunizmi shqiptar ishte më i veçantë dhe më brutal se në çdo vend tjetër të Evropës Lindore, që u ndoq me spastrime masive të elitave intelektuale dhe politike gjatë gjithë dekadave të regjimit diktatorial të Hoxhës. Edhe pse Hoxha i kushtoi rëndësi emancipimit të grave dhe, në përgjithësi, emancipimit kombëtar, shteti shqiptar i ndjeu gjatë pasojat e revolucionit ideologjik dhe kulturor, madje regjimi i Hoxhës, për dallim nga ai i vendeve ballkanike dhe evropiane lindore, me kalimin e kohës, ishte më brutal dhe më ekstrem, sidomos pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe afrimin me kinezët. Përveç kësaj, për dallim nga Zogu që e kombëtarizoi fenë, Hoxha ndërmori masa radikale: ai e ndaloi fenë dhe ndërmori një kryqëzatë kundër fesë, e cila në vitin 1967 kulmoi me ekzekutime dhe burgosje të klerit fetar. Por, kulti i fesë u zëvendësua me kultin e Skënderbeut, përkatësisht me kultin më të madh të Shqipërisë, Hoxhën. E rëndësishmja, Shqipëria u bë vendi më i bunkerizuar, me 173 mijë bunkerë, dhe më i izoluari në botë, sidomos pas prishjes me kinezët, në vitet e 70-ta. Deri në muzgun e saj, shtyllat më të forta të regjimit njëpartiak komunist të Hoxhës ishin Sigurimi i Shtetit dhe ushtria, të cilat përthithën pothuajse krejt bruto-produktin shqiptar.