Shtojca për Kulturë

Armatosja e serbëve dhe e malaziasve në Kosovë më 1997

Nevenka Tromp, duke u mbështetur në procesverbalet e dëshmive në procesin kundër Millosheviqit lidhur me akuzën për krime kundër njerëzimit në Kosovë, konfirmon se popullata serbe dhe ajo malaziase në Kosovë ishte e armatosur qysh në vitin 1997. Ky fakt konfirmon se pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale të udhëheqjes së lartë politike dhe shtetërore të Beogradit për spastrimin etnik në Kosovë ishte bërë edhe popullata civile vendore serbe dhe malaziase. Dëshmia në TPNJ e gjeneralit serb në pension, Bozhidar Deliq, vërteton se Beogradi qysh në vitin 1997 u kishte dhënë serbëve dhe malaziasve të Kosovës “armë të lehta këmbësorie”

Arsyeja tjetër pse Serbia dëshiron të pamundësojë qasje në arkivat e saj, është synimi i saj për ta shmangur zbulimin e fakteve komprometuese, në të cilat ishin të përfshira institucionet shtetërore, respektivisht armatosja e popullatës civile serbe dhe malaziase në Kosovë, në vitin 1997. Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit (Holandë) dhe ish-anëtarja e Ekipit Kërkimor për Çështje të Udhëheqjes në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), Nevenka Tromp, duke u mbështetur në procesverbalet e dëshmive në procesin kundër Millosheviqit lidhur me akuzën për krime kundër njerëzimit në Kosovë, konfirmon se popullata serbe dhe ajo malaziase në Kosovë ishte e armatosur qysh në vitin 1997. Ky fakt konfirmon se pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale të udhëheqjes së lartë politike dhe shtetërore të Beogradit për spastrimin etnik në Kosovë ishte bërë edhe popullata civile vendore serbe dhe malaziase. Dëshmia në TPNJ e gjeneralit serb në pension, Bozhidar Deliq, i cili ishte paraqitur si dëshmitar në emër të Millosheviqit, vërteton se Beogradi qysh në vitin 1997 u kishte dhënë serbëve dhe malazezëve të Kosovës “armë të lehta këmbësorie”.

“Millosheviqi ishte i gatshëm të vepronte si Stalini dhe Hitleri”

Një element tjetër, që flet për fshehjen e planeve dhe të dëshmive serbe për spastrimin etnik në Kosovë, është çështja e planit të koduar ushtarak “Patkoi”, i cili do të bëhet publik përmes shërbimeve të huaja ndërkombëtare. Në librin e tij, ish-ministri gjerman i Mbrojtjes, “Wir dürfen nicht wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa”, rrëfen se nga shefi i diplomacisë së atëhershme gjermane, Joschka Fischer, kishte marrë një letër, që vinte nga burimet e shërbimeve sekrete, në të cilën dëshmohej përgatitja dhe realizimi i operacionit të armatës serbe “Patkoi”. Ishte një dëshmi e plotë se dëbimet e shqiptarëve gjatë ishin planifikuar nga autoritetet e larta të serbëve. Përveç kësaj, Scharping në këtë libër dëshmon se për këtë çështje kishte takuar Loise Arbourin, kryeprokuroren e Tribunalit të Hagës, së cilës ia kishte dorëzuar planin “Patkoi” dhe të gjitha incizimet e fluturimeve të avionëve pa ekuipazh, si dhe protokollet komplete të të intervistuarve deri më tani. Duke vlerësuar përmasat dhe pasojat e realizimit të këtij plani, Fischeri, madje do ta barazonte Millosheviqin me Hitlerin dhe Stalinin: “Ishte një tronditje e vërtetë që Millosheviqi ishte i gatshëm të vepronte si Stalini dhe Hitleri: të bënte një luftë kundër ekzistencës së një populli të tërë” (“Newsweek”, 12.4. 1999).

Megjithatë, ky dokument duket se nuk është trajtuar seriozisht në Tribunal. Ndonëse nuk dihen arsyet, mund të supozohet se janë dy: e para, po të akuzohej Millosheviqi për hartimin e një plani të koduar, që për synim kishte zhdukjen e pranisë së plotë të shqiptarëve në Kosovë, atëherë Serbia do të bëhej përgjegjëse për gjenocid dhe një dokumentim i tillë nga Gjykata ndërkombëtare se Serbia ka kryer gjenocid do ta njolloste atë shtet përgjithmonë.

E dyta, konfirmimi i planit “Patkoi” do ta bënte Serbinë ligjërisht përgjegjëse për shkelje të Konventës për gjenocid dhe ajo do të detyrohej të paguante shuma të jashtëzakonshme, si dëmshpërblim për palën e dëmtuar, shqiptarët.

Marrëveshja e Beogradit me Tribunalin e Hagës

Përveç kësaj, është e njohur edhe storia e bashkëpunimit të vështirë ndërmjet Serbisë dhe Tribunalit të Hagës, ku, krahas strehimit të përgjegjësit për krime të luftës, është shoqëruar edhe me refuzimin e palës serbe për dorëzimin e dokumenteve arkivore për proceset gjyqësore të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, që njihet si Tribunali i Hagës për krime të luftës në Kroaci, në Bonjë dhe në Kosovë gjatë viteve të 90-ta. Në rend të parë bëhej fjalë për dokumentet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes (KSM) të Republikës Federale të “Jugosllavisë”, i përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi, i krijuar më 28 prill 1992. KSM ishte mbledhur shtatëdhjetë e katër herë ndërmjet mesit të vitit 1992 dhe mesit të marsit të vitit 1999, prej të cilave pesëdhjetë e shtatë herë gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Ishte organ që mblidhte kryeministrin e qeverisë federale, kryetarët e dy republikave federale, Serbinë dhe Malin e Zi, si dhe komandantin e ushtrisë. Millosheviqi ishte i vetmi nga të gjithë pjesëmarrësit që ka qenë prezent në të shtatëdhjetekatër mbledhjet.

Geoffrey Nice, prej një viti po bënte një luftë të hidhur, për të siguruar origjinalin e mbledhjeve të larta në Beograd të KSM-së, të Jugosllavisë së mbetur të Millosheviqit. Por, Beogradi reziston, pavarësisht nga obligimi për bashkëpunim me Tribunalin, ngase ato arkiva përmbajnë fakte më evidente të rolit të Millosheviqit dhe udhëheqjes serbe në luftërat në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.

Procesi i marrjes së dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes në Beograd çoi në një përplasje ndërmjet dy qasjeve të kundërta brenda vetë Prokurorisë në Hagë – nga njëra anë, ekzistonte qasja ligjore që mbështetej nga Nice dhe, nga ana tjetër, qasja politike që ndiqej nga Del Ponte, e cila zhvilloi bisedime me udhëheqjen politike të Serbisë, që shpuri në kompromis. Për këtë qasje politike, Del Ponte pati mbështetjen e drejtpërdrejtë të ndihmësve të saj të marrëdhënieve diplomatike dhe publike brenda Prokurorisë. Që të nxirret nga qorrsokaku nga fundi i fazës së akuzës në proces, Karla del Ponte, në letrën dërguar në fillim të majit 2003 ministrit të Jashtëm, Goran Svillanoviq, obligohet se nuk do të kundërshtojë që një pjesë e arkivit të mos publikohet, nëse masat mbrojtëse, të cilat i kërkon Beogradi, mbesin “të arsyeshme” dhe në pajtim me rregulloren e Tribunalit. Beogradi, i qetësuar me letrën e Karla del Pontes, lëshon pe nga fundi i majit të vitit 2003. Një eksperti të Prokurorisë së Tribunalit iu lejua të shkonte e ta shikonte përzgjedhjen e arkivit të KSM-së, por, nuk mund të kopjonte asgjë, vetëm mund të merrte shënime! Në tetor 2003, Goran Svillanoviqi dhe ekipi i tij i juristëve, të cilët kishin ardhur për ta mbrojtur shtetin e Serbisë para Tribunalit të Hagës, ishin aq të befasuar me fitoren e tyre, saqë i frikësohen revizionit të këtij vendimi, të cilin prokuroria e kontestonte.

Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, më 30 korrik 2003, gjykatësit ia kishin përsëritur urdhrin Beogradit që t’i dorëzonte procesverbalet.

Beogradi e kundërshton menjëherë këtë kërkesë. Serbia e kishte bindur kolegjin gjyqësor të “rastit Millosheviq” që t’ia lejonte kufizimin e përdorimit të këtyre dokumenteve vetëm për procesin e Millosheviqit dhe që ta ndalonte përdorimin e pjesëve që e komprometojnë Serbinë në publik dhe në çfarëdo instance tjetër, pos Tribunalit. Beogradi e fitoi këtë duel duke u mbështetur në “interesin jetik nacional” të shtetit serb. Rregullorja, megjithatë, parashihte se kjo masë miratohet vetëm për mbrojtjen e informatave që do të mund ta rrezikonin sigurinë e shtetit. Prokuroria e Hagës, në tetor të vitit 2003, nuk dinte asgjë për argumentet dhe motivet e vendimit të kolegjit gjyqësor, që me kërkesë të Beogradit mbesin sekrete dokumentet serbe të KSM-së. Këtë fakt e mësoi vetëm në janar 2004, kur përpiqet ta thërrasë në dëshmi Zoran Liliqin, njëri nga pjesëmarrësit e mbledhjeve të KSM-së.

Sipas Marrëveshjes me Svillanoviqin, Beogradi nuk ia dorëzoi Prokurorisë së Tribunalit procesverbalet nga mbledhjet e caktuara. Prokuroria e Hagës duhej të kënaqej me raportet zyrtare që i ishin dorëzuar arkivit të KSM-së, të cilave ndonjëherë u mungonin disa faqe.

Shpëtimi i Serbisë nga dënimi për gjenocid

Beogradi me çdo kusht synonte ta ruante dënimin e shtetit serb për gjenocid. Po të shpallej fajtor shteti serb, pushteti i ri në Beograd do të duhej të merrte përgjegjësinë dhe t’u paguante miliarda dollarë dëmshpërblim fqinjëve të vet.

Florence Hartmann, ish-zëdhënëse e Tribunalit të Hagës, thotë se zyrtarët serbë ishin të bindur se arkivat e KSM-së mund të shkaktonin dënimin e Serbisë për gjenocid. Kjo marrëveshje politike mes Del Ponte-Svillanoviq konsiderohet si një nga faktorët kyç pse Bosnja humbi padinë për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, pasi dokumentet do të kishin vërtetuar rolin e drejtpërdrejtë të Serbisë/Jugosllavisë së mbetur/ në luftën e Bosnjës dhe me këtë shteti serb do të detyrohej. Ky rast është një mësim i rëndësishëm për të kuptuar dinamikën e politikës së drejtësisë në ish-Jugosllavi.

Pra, “interesi jetik nacional” i shtetit serb i paraqitur para Tribunalit, në fakt, ishte fshehja e të gjitha informatave para GJND-së, që do ta akuzonin. Por, Prokuroria nuk e kupton pse gjykatësit e Tribunalit i ndihmojnë një shteti që t’ia mohojë ekzistimin e dëshmive një instance tjetër ndërkombëtare të OKB-së. Trupi gjykues i Tribunalit, i ngarkuar në rastin e Milosheviqit, lejon që

Beogradi ta bindë se ndëshkimi i GJND-së do ta rrezikonte pozitën ndërkombëtare të Serbisë dhe do të shkaktonte dëme të pariparueshme në shtet dhe në ekonomi.

Gjykatësi britanik, Richard May, xhamajkani Patrick Robinson dhe koreanojugori O-Gon Kwon i dhanë përparësi stabilitetit të supozuar të shtetit para interesit të drejtësisë e të vërtetës dhe satisfaksionit të viktimave. Me këtë, ata u bënë bashkëpjesëmarrës të gënjeshtrës, duke u shtirur se nuk e dinin se “interesi jetik nacional” tashmë ishte përdorur për arsyetimin e krimeve, për të cilat tash ishin ngarkuar të gjykonin. Pesë gjykatës të trupit gjyqësor të apelit konsideronin se “interesi jetik nacional”, në të cilin mbështetet Serbia që të sigurohet e që GJND-ja të mos e dënojë për gjenocid, nuk ishte i pranueshëm dhe se trupi gjykues, i ngarkuar me rastin e Millosheviqit, e kishte pasur gabim, kur në vitin 2003 e kishte barazuar me çështjen e “sigurisë nacionale”, ashtu që të arsyetojë shpëtimin e masave mbrojtëse në arkivin e KSM-së. Serbia arriti ta ndalonte përdorimin si prova të disa pjesëve të dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes në procesin gjyqësor të GJND-së. Kështu, pesë gjykatësit e trupit gjykues të apelit u bënë pjesëmarrësit vullnetarë të manipulimit nën organizimin e autoriteteve të Beogradit, me qëllimin e vetëm që ta nxitin një trup tjetër gjyqësor, GJND-në, ta bënte gabimin e njëjtë gjyqësor, ngase nuk kishte qasje në dokumente. Ky rrezik u konfirmua në vitin 2007, kur GJND-ja, 14 vjet pasi Bosnja kishte ngritur padi kundër Serbisë për gjenocid (1993), insistoi se shteti serb nuk ka vepruar drejtpërdrejt në Srebrenicë, duke e liruar nga fajësia Millosheviqin. Për këtë arsye, nënkryetari i trupit gjykues, gjykatësi jordanez Ali-Kasauneh, u ankua përse GJND-ja nuk kishte kërkuar “qasje në dokumentet e KSM-së, që pa dyshim do t’ia thjeshtësonte punën Gjykatës”. Dhe, pa dyshim, do të mundësonte zbulimin e lidhjeve më të drejtpërdrejta ndërmjet Beogradit dhe varrezave masive në Srebrenicë, në Kroaci dhe Kosovë, si dhe për vendosjen në lidhje me përgjegjësinë juridike të shtetit të Millosheviqit për gjenocidin në Bosnjë, Kroaci dhe në Kosovë. “Interesi jetik kombëtar”, në të cilin mbështeteshin autoritetet në Beograd, e që e kishin vërtetuar gjykatësit e Tribunalit, ashtu që e ndalonin qasjen e publikut në tërësinë e arkivit të KSM-së, më në fund mundësoi të shtrembërohej e vërteta. Pra, kur Serbia flet për arkivat, ajo e ka të qartë se tashmë ka mbaruar punë, ajo ka marrë masat që arkivat, të cilat zbulojnë përgjegjësinë e shtetit serb, të mbahen të mbyllur dhe, në këtë mënyrë, të mbetet e padënuar doktrina serbomadhe. Serbia “demokratike” pranoi që Millosheviqi të gjykohej vetëm për përgjegjësi individuale, por jo që shteti serb ta merrte përgjegjësinë për krimet e luftës, domethënë i bie që krime bëri Millosheviqi, por jo Serbia!

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturës