Shkolla “Vaso Pashë Shkodrani” në Pejë veç mund të konsiderohet një galeri më vete. Por katër katet e Shkollës tash janë edhe nikoqire të veprave të gjilanasit Artan Hajrullahu. Pikërisht disa prej veprave të tij, nën titullin “Silence Took a Hold of the Rooms”, janë bërë edhe sebep i nisjes së punës së institutit të artit bashkëkohor “ARKIV” në Pejë. Është një nismë e artistit të njohur Sislej Xhafa, përkrahur prej autoriteteve komunale. “Shenja” e parë e një institucioni të ri të artit bashkëkohor në Kosovë, tashmë është vënë
Të shtunën paradite vëmendja është zhvendosur për pak nga “Manifesta 14” në Prishtinë. Një pjesë e komunitetit artistik ka marrë rrugë drejt Pejës. Të mbledhur afër parkut “Karragaq”, artistë të ndryshëm vendorë e të huaj kanë marrë pjesë në atë që është “shenja” e parë e një institucioni të ri të artit bashkëkohor në Kosovë. Shkolla “Vaso Pashë Shkodrani” në Pejë veç mund të konsiderohet një galeri më vete. Nxënësit janë kujdesur që në mure të ketë piktura, poezi, portrete shkrimtarësh e të figurave historike. Por katër katet e Shkollës tash janë edhe nikoqire të veprave të gjilanasit Artan Hajrullahu. Pikërisht disa prej veprave të tij, nën titullin “Silence Took a Hold of the Rooms”, janë bërë edhe sebep i nisjes së punës së institutit të artit bashkëkohor “ARKIV” në Pejë.
Pikturat e tij i shkojnë fort ambientit që posedon 64 klasa të nxënësve. Janë vepra intime, historia e së cilave krijon tregime që shkojnë në kundërshtim me interpretimin e mirëfilltë. Narrativi dhe fëmijëria e artistit zënë vend në vepra. Kombinohen fort me punimet e nxënësve. Historia poetike e veprave të Hajrullahut ndihet nga figurat e tij, që nxjerrin në pah marrëdhënien e njerëzve me gjësendet shtëpiake.

Para se publiku të hyjë në ndërtesën e Shkollës së mesme të ulët, artisti nga Peja me nam botëror, Sislej Xhafa, ka thënë se ka nderin që sot ta hapë “këtë utopi, këtë dashuri për këtë qytet”.
“Këtë nuk do të mund ta bënim assesi pa përkrahjen e qytetit të Pejës, pasi dashuria gjithmonë ka nevojë për dy”, ka thënë ai. Xhafa, i cili më 2013 ka qenë pjesë e grupit të artistëve që kanë përfaqësuar Italinë e më 2017 Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, është iniciatori i krijimit të “Arkivit”. Në vitin 2019 ai veç e kishte të qartë se si do të vepronte. Komuna e Pejës kishte nisur ndërtimin e një shkolle të re, prapa asaj aktuale. Synohej që më 2020 nxënësit të zhvendoseshin. E Xhafa kishte negociuar me Komunën në mënyrë që ndërtesa e ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore – që kishte shërbyer si spital e më pas shkollë – të vihej në shërbim të artit bashkëkohor. Por planet e Komunës në raport me ndërtimin e objektit të ri nuk kanë shkuar siç duhet. Tashmë veç pjesa e vrazhdë e punimeve është kryer. Por “Arkivi” ka hapur dyert për të pritur vizitorë. Ekspozita aktuale do të jetë e hapur deri në fund të vitit. Prej orës 12 deri në 17:00, ambienti do të jetë i qasshëm për vizitorë, pavarësisht se Shkolla mban ende funksionin e saj.
“Më vjen mirë që Sislej është nga Peja dhe e ka një vend si spirancë, që i shërben dhe kudo që shkon në botë, Pejën e ka prapa”, ka thënë kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri.
E ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se ky është një prej rasteve që duhet marrë shembull për trajtimin e hapësirave publike, ndërtesave, që në momentin që nuk e kanë një funksion, konsiderohen si të braktisura dhe të vjetra e zakonisht idetë që diskutohen janë shumë të vjetra dhe konvencionale.
“Por ky është një rast-model, ku janë bërë bashkë kryetari i Komunës dhe një artist i jashtëzakonshëm. Është pjesë e politikave tona të përgjithshme si shtet dhe si Qeveri, që hapësirat tona publike t’i vëmë në dispozicion të artistëve e të kulturës. Uroj që ky institucion t’i shërbejë të gjithë Kosovës për dokumentim, edukim e arkivim”, ka thënë Çeku.
Ambienti është shumë shpresëdhënës e po ashtu edhe ideja e Xhafës. Në konceptin e tij synohet që Instituti të jetë në shërbim të artistëve vendorë e ndërkombëtarë. Sipas tij, duke bashkuar artistë vendas e ndërkombëtarë, Instituti do të jetë qendër e kërkimeve të avancuara e eksperimentimit dhe dialogut.
“Ne kemi nevojë që të kemi një arkiv vizual, pasi arti kërkon hulumtim dhe duhet të bëhen hulumtime”, ka thënë ai. Synohet të bëhet ekzaminimi i së kaluarës përmes mbledhjes dhe arkivimit në mënyrë që të ketë sa më shumë informacione dhe të ekspozohen ato. Sipas Xhafës, Instituti do të ndihmojë në avancimi e artit bashkëkohor në Kosovë, nëpërmjet angazhimit të drejtpërdrejtë të artistëve dhe publikut, duke krijuar ekspozita dhe programe që komunikojnë fuqi transformuese.
“Në Institut synohet të bëhet nxitje e ndërtimit të komunitetit, duke i bashkuar njerëzit përmes artit dhe ideve”, ka sqaruar Xhafa.
Ai ka përsëritur atë që kishte treguar në verën e vitit 2019. Në mendjen e tij, krejt ky projekt është e kundërta e asaj që po ndodh në Kosovë e në vende të tjera, ku, sipas tij, universitet publike e private janë shndërruar në biznes. Kjo qendër nuk do të ketë asgjë statike, gjithçka do të jetë lëvizëse. Synimet janë që të afirmohet arti bashkëkohor. Pas krejt kësaj, që sipas Xhafës do të bëhet 99 për qind me fonde ndërkombëtare, donacione private e nuk do të jetë barrë e taksapaguesve, mund të hapet një konkurs ndërkombëtar për rregullimin e hapësirës, duke e ruajtur strukturën aktuale. Mendon që arkitektët më të mirë të kohës mund ta bëjnë lokacionin një vepër në vete të artit bashkëkohor.

“Kur ta arrijnë realizimin e idesë, do të arrijmë një kënaqësi kolektive. Kjo do të ishte shumë e rëndësishme për Kosovën në përgjithësi. Kjo është një ëndërr që ne nuk kemi pasur mundësi ta kemi e duhet ta bëjmë për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Sislej Xhafa
“ARKIV” juridikisht është një OJQ publike. Vonesat për transferimin e nxënësve kanë bërë që disa procese të prolongohen. Por në anën tjetër prania e nxënësve në ekspozita ka komponentin e vet të edukimit.
Xhafa është shpresëplotë. Thotë se kur institucioni ta marrë vetën, do ta lërë atë të ecë me kohën. E konsideron si një kontribut të artistit për artistin.
Nisma ka nxitur shpresë edhe të artistët e rrethit të Pejës. Skulptori Albulen Neziri, një krijues goxha i veçantë, i cili nëpërmjet gdhendjes në gur krijon forma e interpretime, e ka parë nismën si diçka pozitive për Pejën e Kosovën.
“Kjo është një ide shumë e mirë dhe shton hapësirat për komunitetin tonë”, ka thënë ai. E ka lënë që të takohet me Xhafën për ta parë mundësinë e bashkëpunimit.
Sa i përket edukimit për art, Peja ka goxha traditë. Prej vitit 1949 funksionon Shkolla e parë e mesme e arteve aplikative në Kosovë, “Odise Paskali”. Në shtator të vitit 2017 buldozerët kishin rrënuar objektin e vjetër të Shkollës, që ishte ndërtuar më 1926 për t’i hapur rrugë ndërtimit të një objekti të ri për këtë Institucion. Asokohe kishte reaguar shoqëria civile, duke thënë se po rrënohet një pjesë e memories kolektive.
Por objekti aktual i shkollës “Vaso Pashë Shkodrani” do të bëjë bashkë memorien kolektive dhe artin bashkëkohor. Artisti Xhafa thotë se ideja e tij është një projekt që i takon komunitetit dhe pas nja pesë a gjashtë vjetësh ai do të tërhiqet nga ky projekt.
“Kur ta arrijnë realizimin e idesë, do të arrijmë një kënaqësi kolektive. Kjo do të ishte shumë e rëndësishme për Kosovën në përgjithësi. Kjo është një ëndërr që ne nuk kemi pasur mundësi ta kemi e duhet ta bëjmë për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Xhafa.
Se si do të ecë “Arkivi” mbetet të shihet, por nami i Xhafës, vullneti i tij bashkë me përkrahjen e Komunës pritet të japin rezultate. Aso që “Arkivi” të jetë pikë reference edhe përtej Kosovës sa u përket ekspozimit, hulumtimit e edukimit joformal.