Shtojca për Kulturë

“Arbanasit e ruajtur në shekullin X midis maleve të Shkupit”

FolegjendaArbanasi_1: Vendndodhja e Arhilejevicës sipas A. Stojanovskit

FolegjendaArbanasi_1: Vendndodhja e Arhilejevicës sipas A. Stojanovskit

Stojan Novakoviq me dorë të vet shkroi se arbanasit janë ruajtur midis maleve të Shkupit, por kur u fut në politikë, bëri një “rindreqje” të gabimit. Kopja e botuar e Aktdhuratës së Manastirit të Arhilejevicës në librin e Novakoviqit në faqet 446-448, përveç tjerash, zonën përreth nuk e paraqet të banuar nga arbanasit por tani banorët janë vlleh! Dëshmi kundër kësaj janë edhe shkrimet e bizantologëve rusë që shkruajnë se “në asnjërën nga aktdhurarat e shqyrtuara nga ne, as në Aktdhuratën e dytë të Arhilejevicës, bile as në Aktdhuratën e parë, askund nuk haset shprehja ‘vlleh’”. Por cilat janë dëshmitë për vendndodhjen e Manastirit të Arhilejevicës?

“Mjafton fakti që ne e dimë sot se rreth shekullit X, arbanasit janë ruajtur midis maleve të Shkupit. Fisi mendjehollë i arbanasve, këmbëngulës dhe i rezistueshëm, është zgjeruar edhe më tej duke e shkrirë në vetvete të gjithë përzierjen e dikurshme të popullsisë alogjene (banorët e një popullsie të huaj nga popullsia autoktone –  S. L.)”, janë fjalët që me dorë të vet i shkroi Stojan Novakoviq vetëm nëntëmbëdhjetë vjet para se ta botonte librin “Monumentet ligjore të shteteve serbe në Mesjetë” (1912). Mirëpo, përfshirja e tij në veprimtarinë politike jo vetëm që e shtyu atë që ai të mos i kthehej asaj që e shkroi për arbanasit, por në botimin e sipërpërmendur ai e bëri një “rindreqje” të gabimit të bërë!

Kopja e botuar e Aktdhuratës së Manastirit të Arhilejevicës në librin e Novakoviqit në faqet 446-448, përveç tjerash, zonën përreth nuk e paraqet të banuar nga arbanasit por tani banorët janë vlleh! 

Për ta pasur më të qartë shtrirjen  e zonës gjeografike të përfshirë në Aktdhuratën e Arhilejevicës së vitit 1381, në ndihmë na vjen akademik Mark Krasniqi (1920 – 2015), i cili ka precizuar se  “zona malore që nis në lindje të Kaçanikut dhe në formë vargmalesh shtrihet deri në Preshevë, quhet Karadaku i Shkupit.” Si pikëmbështetje të përcaktimit të kësaj zone Krasniqi i ka marrë parasysh elementet etnografike siç janë veshja, doket, zakonet, gjuha dhe elemente të tjera antropologjike por edhe psikologjike të popullatës vendore. Kështu brenda zonës së lartpërmendur është gjetur edhe manastiri apo kisha e Arhilejevicës.

Duhet të kujtojmë se deri më tani janë të njohura dy Aktdhurata të Arhiljevicës, e para e viteve 1349 -1350 dhe e dyta e vitit 1381.

Bizantonologët rusë, Timotei Florinski dhe A. P. Naumov

Me (dy) Aktdhuratat kishtare të Arhilejevicës janë marrë edhe bizantonologët rusë Timotei Dimitrieviç Florinski (Тимофей Дмитриевич Флоринский 1854 -1919) në studimin ”Monumentet legjislative të Dushanit, mbretit të serbëve dhe grekëve” (Памятники законодательной деятельности Душана, царя сербов и греков) të botuar në Kiev në vitin 1888, dhe A. P. Naumov në trajtesën “Aktdhurata e dytë e Arhilejevicës si burim historik” të botuar në Moskë, në gjysmën e dytë të viteve të gjashtëdhjetë të shekullit të XX.

Florinski i ka vënë në dyshim të dy botimet duke u shprehur se “vula në Aktdhuratën e Arhilejevicës shkakton jo pak dyshime përkundër që dokumenti ruhet në Arkivin e Hilandarit”. Më pastaj ky studiues i është qasur edhe botimit të kësaj Aktdhurate në “Monumenta serbica...”.   

Franz Mikloschic, ishte i sigurt që e kishte botuar aktin e vërtetë, origjinal dhe autentik të Aktdhuratës së Arhilejevicës (të vitit 1349 -1350 – S. L.). Po a është vallë kështu? – ka  pyetur ai, duke vazhduar me radhitjen e argumenteve: “Përkundrazi më duket se nëse ky botim është paraqitur në mënyrë të saktë, atëherë këtu nuk kemi të bëjmë me dy vula origjinale të Dushanit, por me një kopje të keqe të tijën ose ka mundësi me një falsifikim bile shumë të vjetër”. Këtë qëndrim Florinski e ka mbështetur duke u thirrur në tekstin e Aktdhuratës së Arhilejevicës si në vijim: “I mirëbesueshmi car Stefani”, pason nënshkrimi: “serb dhe grek”, (срблемь и грьком) por nuk ka vulë në të! Data kronologjike në vetvete përmban kontradikta dhe aspak nuk i afrohet vulës së paraqitur. Leximi në mënyrën si “вь лвтоsoиз индиктион юi” pra indikti i 10-të, nuk përputhet me vitin  6857 (vitet 1349 – 1350 )...”, ka konstatuar ai.

Si pasojë e shtrembërimeve edhe në librin “Historia e popujve të Jugosllavisë” (Istorija naroda Jugoslavije) të botuar në Beograd në vitin 1953, autori Tomo Tomoski ka shkruar se “vllehtë e Arhilejevicës në afërsi të Zhegligovës (Kumanovës) kanë paguar të dhjetën e deleve, kanë bartur si hamall deri në lumin e Strumës etj”.

Kundër Tomoskit, katërmbëdhjetë vjet më vonë, ka reaguar bizantonologu tjetër rus, A. P. Naumov në punimin e sipërpërmendur. Ka konstatuar se “në asnjërën nga aktdhurarat e shqyrtuara nga ne, as në Aktdhuratën e dytë të Arhilejevicës, bile as në Aktdhuratën e parë, askund nuk haset shprehja ‘vlleh’”.

(Fragmenti i përkthyer nga origjinali) …t’i bartin (prodhimet që i japin për kishës S. L.) deri në lumin Struma, shërbëtorët e kishës mund t’i kryejnë obligimet e tyre duke i përdorur kuajt, ndërsa vllehtë duhet t'ia japin kishës një të dhjetën e deleve…

Vendndodhja e Arhilejevicës?  

Përgjatë tërë shekullit XX, por edhe më vonë, autorët serbë me bindje të plotë kanë pohuar dhe shkruar se Arhilejevica e dikurshme në fakt gjendej në rrethinat e Rahovicës së sotme, tre  kilometra në verilindje të Preshevës. Lidhur me këtë janë botuar punime e mjaft libra. Një gjë të tillë kanë vazhduar ta paraqesin në shkrimet e tyre dhe autorë shqiptarë që janë marrë me të kaluarën e Luginës së Preshevës, përfshi këtu edhe autorin e kësaj trajtese! 

Ndërsa, në regjistrimin e zgjeruar të vitit 1519 në Nahinë e Nagoriçit (në rrethinat e Kumanovës) regjistruesit osmanë (tapi defteri) e kanë gjetur fshatin Arhilovicë. Pas studimit të hollësishëm të regjistrimeve osmane, nuk ka dyshim se manastiri i Arhilejevicës ka qenë në afërsi të fshatit të sotëm Bellanoc (Karadaku i Kumanovës). Identifikimin e Arhilejevicës së dikurshme me Rahovicën e sotme të Preshevës e ka hedhur poshtë osmanologu Aleksandar Stojanovski (1929 – 2009).

Është për t’u habitur se vendndodhjen e Arhilejevicës e ka paraqitur në mënyrë shumë konfuze edhe studiuesja Olga Zirojeviq, në librin “Kishat dhe manastiret në territorin e Patrikanës së Pejës, deri në vitin 1683 (Цркве и манастири на подручју Пећке патријаршије до 1683. године)! të botuar në vitin 1984.

“Kisha e Arhilejevicës gjendet në veri të Preshevës! Në regjistrimin osman të vitit 1570 Arhilejevica figuron të jetë si zabt eder apo tokë e uzurpuar dhe banorët e këtij fshati paguajnë tatim në vlerë prej 150 akçeve në vit”. Po ashtu kjo autore, duke u thirrur në regjistrat osmanë, ka shkruar se në afërsi të fshatit Bellanoc ka qenë një manastir që ka ekzistuar deri në gjysmën e shekullit XVIII”.

Megjithatë, rrëfimin mbi Arhilejevicën e dikurshme duket se e kanë ruajtur në formën më origjinale banorët joshqiptarë të fshatrave fqinje. 

Timotei Dimitrieviç Florinski

“Unë kam dëgjuar prej pleqve tanë se kur ishin vendosur themelet e kishës së Arhilejevicës, një vajzë e re e ka sjellë diku prej së largu pllakën e parë të gurit që është vendosur në themelet e kishës. Për ne besimtarët ortodoksë ajo vajzë është quajtur Evicë, ndërkaq për romakët  (arbanasit) Arievicë!”.

Kështu ia ka rrëfyer legjendën mbi ndërtimin e manastirit një banor tetëdhjetëvjeçar, mbledhësit të vyeshëm të folklorit të Vranjës dhe viseve përreth, Momčilo Zllatanoviq (1934 – 2022) në gjysmën e dytë të viteve të tetëdhjeta të shekullit të XX. 

“Është interesante se në popull me të madhe flitet se manastiri i Shën Mërisë së Arhilejevicës është ngritur mbi themelet e kishës së dikurshme romake (latine). Madje edhe vetë emërtimi Arhilejevicë e bën të ditur se aty ka mundur të jetë ndonjë faltore e lashtë, por edhe seli kishtare!”,  ka dëshmuar Zllatanoviq, për bindjet e rrënjosura thellë në kujtesën e banorëve joshqiptarë.


Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë 

© KOHA Ditore