Shtojca për Kulturë

Antikja shqipe në harmoni me thjeshtësi simfonike, bis me Mendelssohnin

“Çdo notë, një rrëfim” është motoja e Filharmonisë e me koncertin e radhës ka shënuar edhe një kapitull në rrugëtimin muzikor  (Foto: Arben Llapashtica)

“Çdo notë, një rrëfim” është motoja e Filharmonisë e me koncertin e radhës ka shënuar edhe një kapitull në rrugëtimin muzikor  (Foto: Arben Llapashtica)

“Valle antike” e Vasil Toles ka qenë e para vepër e koncertit të Orkestrës Harkore të FIlharmonisë së Kosovës, që për epilog ka pasur “Simple Symphony” të Britten. Në mes, madhështorin “Koncert për violinë dhe piano” të Mendelssohnit, interpretuar mjeshtërisht nga pianisti argjentinas, José Gallardo dhe violinisti Xhafer Xhaferi, solistë të koncertit dirigjuar prej maestros Dario Salvi. Janë rikthyer në skenë me bis, e refren janë kushtet të cilat institucioni 24-vjeçar i sfidon përherë e më shumë duke ngritur standardet e koncerteve e kushtet mbesin të njëjta

Muzika shqiptare e gërshetuar me një vepër nga repertori britanik, bashkë me një tjetër madhore si “Koncerti për violinë, piano dhe orkestër harqesh” e Felix Mendelssohn, ka qenë kombinimi fantastik i programit të koncertit të dytë për sezonin e ri të Filharmonisë së Kosovës.

Me solistë pianistin argjentinas, José Gallardo, dhe violinistin Xhafer Xhaferi, Orkestra Harkore nën udhëheqjen e maestros skocez, Dario Salvi, ka sjellë rrëfimin unik muzikor të radhës.

Armata e profesionistëve të Filharmonisë së Kosovës, përkatësisht një pjesë e tyre, zotëruesit e instrumenteve harkore, kanë qenë subjekti qendror i koncertit, përkrah me dy solistë që profesionalizmin e kanë dëshmuar kaherë. Por në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, aty ku është adresa e kahershme e koncerteve të institucionit qendror muzikor në vend, improvizimet me sallë nuk kanë fund. Të premten mbrëma kur u mbajt koncerti, u desh një reshje shiu që në sallë të nisin rrjedhjet midis skenës, e po ashtu në pjesën anësore të sallës.

Refren janë bërë kushtet në të cilat institucioni interpreton dhe sjell emra të shquar që kanë luajtur në skena prestigjioze në botë, por Atelieja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve mbetet adresa e vetme stabile e Filharmonisë së Kosovës për programin e tij. Në raste të veçanta –  siç ishte koncerti i hapjes së sezonit të ri më 27 shtator – koncertet i mban edhe në salla private.

Të premten mbrëma një tjetër rrugëtim unik është eksploruar në kuadër të motos “Çdo notë, një rrëfim” të Filharmonisë.

Orkestra harkore e udhëhequr nga maestro Dario Salvi e ka nisur koncertin me “Valle antike” të kompozitorit shqiptar, Vasil Tole. Ka qenë harmonike në fillim me plot kthesa e zhvillime dramatike që e karakterizojnë. Elementet e ritmet tradicionale janë identitare për veprën e akademik Toles. Tema e saj qendrore mund edhe të transformohet e të shkrihet në versione ndryshe, por përherë rikthehet një fragment tingujsh që vijnë si refren i kësaj vepre.

Dirigjenti Dario e ka vlerësuar këtë vepër goxha të vështirë për t’u luajtur.

“Është kënaqësi të kthehem dhe të shoh sa shumë ka avancuar orkestra. Duke punuar së bashku rregullisht bëhet punë e frytshme, shfaq marrëdhëniet e mira dhe rritjen e orkestrës. Programi sonte ishte shumë i veçantë. U hap me pjesën shqiptare ‘Vallëzim antik’, një vepër shumë e vështirë për t’u mësuar. Na mori kohë gjithë javën. Më pëlqyen meloditë, orkestrim shumë i ndërlikuar megjithëse Orkestra ia doli jashtëzakonisht mirë”, është shprehur ai derisa e ka konsideruar privilegj drejtimin e Filharmonisë së Kosovës.

Është një lloj komunikimi virtuoz midis solistëve José Gallardo në piano dhe violinistit Xhafer Xhaferi, në zbërthimin e madhështisë së Felix Mendelssohnit (Foto: Arben Llapashtica)

“Jam i privilegjuar të jem këtu, sepse jam i rrethuar me kaq shumë talentë dhe është bekim të punosh me këta njerëz. Më pas patëm ‘The Simple Symphony’. Më pëlqeu sidomos ‘lëvizja e ngadalshme’ e kësaj simfonie. Flet për dashurinë, pasionin, emocionet, ndjenjat sentimentale. Është vepër shumë e bukur dhe Orkestra ia doli në mënyrë të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

“Koncerti për violinë, piano dhe harqe në d-mol, MWV 04” ka qenë vepra madhore rreth 40-minutëshe me tri kohët e saj si kapitull i radhës së koncertit të dytë të këtij sezoni të Filharmonisë.

Në “Allegro” nis me një instrumental të gjatë nga orkestra duke paraqitur që në fillim temat që do të prezantohen gjatë gjithë kësaj pjese. Tema kryesore sjell një lloj strukture kundërthënëse dhe harmonike. Ajo është edhe lirike e romantike. Tema fillestare rikthehet strikte në qendër. Derisa orkestra shkon drejt zbutjes së lojës, pianoja del në pah. Atë e imiton menjëherë violina dhe të dyja instrumentet luajnë në harmoni.

“Adagio” nis me orkestrën me melodi të bukura ku solistët ndërhyjnë. Sërish, fillimisht pianoja e pastaj ajo ndiqet nga violina. Zbukurojnë temën, ndërsa orkestra heshtet. Në pjesën e fundit violina është në qendër ndërsa pianoja ka një lloj pozite shoqëruese.

“Allegro molto” është koha e fundit. Tingujt janë bas e me të njëjtin intensitet ndërhyjnë ata të violinës solo që i bëjnë jehonë pianos.

Është një lloj komunikimi virtuoz midis solistëve Xhaferi në violinë e Gallardo me pasazhe të shpejta të notave.

Pianisti argjentinas José Gallardo e ka vlerësuar të bukur e madhështore veprën e Mendelssohnit.

“Muzika është shumë e bukur dhe jam shumë e lumtur ta ndaj atë me publikun. Secilën herë mund të jetë më mirë, por unë jam shumë pozitiv për të ardhmen, sepse kaq shumë njerëz punojnë fort dhe duhet të ketë rikompensim në të ardhmen e afërt”, ka thënë ai, derisa ka treguar se e ka shijuar gjithë procesin e punës për koncertin.

“Janë muzikantë të mrekullueshëm. Kemi kaluar shumë mirë në prova, e jepnin më të mirën nga vetja. Ishte atmosferë shumë e mirë dhe jam kënaqur duke punuar me ta”, ka thënë José Gallardo, muzikant i skenave të mëdha të muzikës klasike.

Ai ka filluar mësimet e pianos në moshën pesëvjeçare dhe studioi në Konservatorin në Buenos Aires, ku më pas i vazhdoi studimet në Universitetin e Mainzit në Gjermani. Ai ka performuar në shumë vende prestigjioze si Elbphilharmonie në Hamburg, Wigmore Hall në Londër dhe Teatro della Pergola në Firence. Gallardo ka bashkëpunuar me artistë të njohur dhe ka marrë pjesë në festivale të njohura si Lockenhaus dhe Verbier. Pasioni i tij për muzikën kamertale e ka çuar atë në Evropë, Azi dhe më gjerë.

Solisti në violinë, Xhafer Xhaferi nga Maqedonia e Veriut, i është bashkuar Filharmonisë së Kosovës pas rreth dhjetë vjetësh. Atë kohë ishte solist në interpretimin e “Koncertit për violinë dhe orkestër” të Johannes Brahmsit.

“Jam shumë i lumtur që rikthehet pas një dekade në Filharmoninë e Kosovës. Kësaj radhe kemi përzgjedhur të interpretojmë koncertin për violinë, piano dhe orkestër harqesh nga Felix Mendelssohn me pianistin fantastik argjentinas dhe jam shumë i lumtur se si shkoi koncerti. Kishim një bashkëpunim shumë të mirë dhe orkestrën dhe me dirigjentin Dario Salvi dhe shpresoj të rikthehem në ndonjë moment, ftesë të caktuar”, ka thënë ai.

Ka thënë se ka qenë përgjegjësi më e madhe interpretimi i veprës ku luajnë dy solistë me orkestrën.

“Kur luhet një koncert solistik vetëm ka përgjegjësi tjetër, ndërsa kur ndahet kjo detyrë ka sfidë tjetër, por unë jam ndier shumë komod të luaj afër një pianisti të një kalibri të tillë i cili e lehtëson këtë përvojë. Kjo vepër është shumë e veçantë, është kompozuar nga Mendelssohn në moshën 14-vjeçare. Pra flitet për një gjeni dhe ishte kënaqësi ta interpretoj. Ka qenë një dëshirë e madhe ta luaj dhe më në fund u bë realitet”, ka thënë violinisti Xhaferi, i trajnuar në Maqedoninë e Veriut, Itali dhe Gjermani.

Ka performuar si solist me Filarmoninë e Maqedonisë dhe të Kosovës, dhe në festivale prestigjioze si Festivali i Verës së Ohrit dhe Festivali Ravelli. Ai ka bashkëpunuar me artistë të klasit botëror dhe ka përvojë të gjerë orkestrale në të gjithë Evropën dhe në Japoni. Aktualisht, ai është asistent koncertmjeshtër në “Deutsche Radio Philharmonie” dhe njëkohësisht është i angazhuar si mentor i Akademisë së kësaj orkestre.

Në pjesën e fundit të koncertit, Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës ka luajtur “The Simple Symphony, op.4” të britanikut Benjamin Britten. Vepra për orkestër harkore është luajtur në katër kohë, “Boisterous Bourrée”, “Playful Pizzicato”, “Sentimental Sarabande” dhe “Frolicsome Finale”. Koha e dytë ka qenë goxha e hareshme dhe tejet atraktive. E veçantë tej mase kur e tërë pjesa ndërtohet nga tingujt paralelë të krejt ansamblit që tërhiqen me gishtërinj.

Koncertin e radhës Filharmonia e Kosovës e mban më 12 nëntor në Atelienë e Pallatit të Rinisë. Edhe ky koncert do të dirigjohet nga skocezi Dario Salvi.