Spontanisht ka lindur tema “Besëtytnitë” për edicionin e 13-të, në një vit kur midis Evropës tash e 143 ditë janë ndezur flakët e luftës. Por kur ndizen projektorët e kinemave të “Anibarit” hapen dy mundësitë e para: ikja qoftë e përkohshme nga realiteti i trazuar i së sotmes dhe gjetja e përgjigjeve edhe për kauza e tema të mëdha, si lufta në Ukrainë. Me temën e sivjetme festivali thyen besëtytni e paragjykime, lidh kultura. Në esencë hap shtigjet e një rrugëtimi shtatëditor në botë paralele
Nëse gjykohet nga ballina, programi i “Anibarit” mund të duket si një libërth që përmbledh tregime të cilat lidhen me besime të moçme “Superstitions” (Besëtytnitë) shkruhet në të. Një hut dhe maçok mund të duken si personazhet kryesorë. Është një ilustrim i punuar me goxha mjeshtëri. “Festival program” që shkruhet poshtë kopertinës e përmbys idenë e një libërthi. Aty janë të listuar tituj filmash e punëtoritë që edhe janë deri diku të ndikuara nga besime të moçme. Por më shumë qëndrojnë mbi dritëhijet e realiteteve të sotme. “Besëtytnitë” është tema me të cilën festivali i filmit të animuar po e shënon të 13-in vit, tashmë i dëshmuar që me animacion mund ta bëjë të prekshme çfarëdo teme. Edhe atë të besimeve të moçme, edhe atë të shprehive të reja të rrënjosura në këto besime qoftë pavetëdijshëm. Në çdo film që është shfaqur që nga dita kur ka nisur “Anibari”, trileri i filmit u ka kujtuar shikuesve temën e vet. Tashmë dy personazhet kryesore të librit e rrëfejnë vetë tregimin e besimeve. Ata e bëjnë të dukshme praninë e besëtytnive edhe njeriu refuzon t’i tregojë ato. Veçmas kur s’u beson atyre, a pavetëdijshëm u shmanget veprimeve që asocojnë me to. Ose e kundërta. “A je një person i besëtytnive”, e pyet Ludio Brunon. “Jo”, është përgjigja që pasohet pas heshtjes së shkurtër. Kur bie ylli, vetvetiu i bindet shprehisë së besimit për ta menduar një dëshirë. Dhe pastaj udhës së bisedës e ndërron qëndrimin në pohimin se është një “zog i besëtytnive”. Ky është trileri që ka hapur çdo film të “Anibarit” të 13-të. Një vit para tij organizatorët me të qeshura kishin asocuar në një vit “ters” të bazuar në numrin. Dhe kështu qysh atëherë u përcaktuan në temën që për shtatë ditë zgjon besime të ndryshme.
Brenda kinemave ndizet një botë shumëngjyrëshe që prek realitete anekënd. Si përjetime janë të përafërta, por në botën e krijimit të animacionit dalin shkëndija që lidhen me vendet ku janë krijuar. Ndonëse data e hapjes së “Anibarit” nuk qëlloi të ishte e premte, një “GIF” i krijuar nga animatori nga Prishtina, Ari Zharku, e ilustron ditën ters të një personazhi që kotet pikërisht momentin kur metroja i kalon përpara. Dita e fatit të keq është krijuar nga një prej studentëve të Akademisë së Animacionit që është pjesë e “Anibarit”. Nga një besëtytni të ditës, “Anibari” e ka publikuar çdo ditë për audiencën e vet.
Paralelet e rastësishme
Ashtu si “besëtytnitë” që organizatorët i kanë parë si lidhje e kulturave të ndryshme edhe filmat e bëjnë të njëjtën: i kthejnë përjetimet në kontekste të kohës me të cilën përjetohen. Në disa prej kategorive ka rrëfime që preken nga koha e luftës. Animatorët i kanë krijuar pa pasur ndërmend një luftë të re. Sot kur nga qyteti i Pejës vazhdojnë të dëgjojnë lajme jo të mira për një luftë që po vazhdon, shkëputja disaditore bëhet e mundur te dinamika që sjellin projektorët që sa fikën në një kinema, ndizen në një kinema tjetër të qytetit të Pejës. Bota e animacionit, e cila lëviz shpejt në ekran ia shton dinamikën edhe më filmave që pasohen nga njëri-tjetri.

Regjisori grek, Dimitris Simou, në filmin e tij të realizuar në vitin 2021 i kthehet së kaluarës për të shpërfaqur krizën e refugjatëve. Personazhi kryesor përpëlitet në pasojat e një jete të vështirë në të kaluarën. Charlie i filmit “Tourist” kthehet në ishullin grek ku pati përvojën më traumatike – aty ku djali i tij kohë më parë u mbyt në det. Trauma e tij personale përzihet me traumën kolektive të krizës së refugjatëve.
“Kur e realizova këtë film isha i koncentruar më shumë në atë që ta kuptoja se si ndihesha nga ajo që merrja nga lajmet. Kjo lidhet me situatën në Ukrainë, nuk e kisha të qartë çfarë doja të eksploroja në filmin tim, por tash e shoh se ka shumë të përbashkëta me atë që ndodh në Ukrainë”, i ka thënë ai KOHËS. Sipas tij, në situata të tilla ekrani që të zhvendosë në një botë paralele shpesh shërben si ikje nga realiteti. E festivalet edhe e kanë këtë synim – që nëpërmjet ekranit të ofrojnë diçka më ndryshe nga realiteti i përditshëm. Por, sipas tij, festivalet e tilla edhe i nxjerrin në tavolinë diskutimi këto tema.
“Arti nuk na bën gjithmonë të harrojmë atë që ndodh, ai na bën t’i diskutojmë temat serioze dhe t’i shohim ato në këndvështrime të ndryshme. Derisa mediat japin një perspektivë, arti mund të nxjerrë shumë perspektiva”, ka shtuar tutje Simou.
Stile të ndryshme e teknika janë bërë bashkë në 233 filma që kanë për stacion këtë vit. Prej tyre, 177 janë pjesë e shtatë kategorive garuese: ndërkombëtare, kategoria e studentëve, e të drejtave të njeriut, kategoria e Ballkanit, kategoria e filmave artistikë, kategoria e filmave të animuar video-muzikorë dhe kategoria e audiencës së re – e cila është kategori e re garuese në program. Të gjithë kanë përballë juri profesionistësh që përfshijnë emrat më të dalluar të animacionit në vendet prej nga vijnë.

Ngjyrat e Ukrainës në film e muzikë
Pjesë e animatorëve që janë ftuar kanë qenë edhe ata të Ukrainës. Për shkak të situatës, Anastasiya Verlinska, drejtoreshë e Festivalit të animacionit në Ukrainë – “Linoleum” nuk ka mundur të vijë në Kosovë. Por rrëfime nga atje të qëndisura në animacion që përfshijnë emigracionin e përpjekjet për shpëtim të heroit kanë mbërritur Pejën nëpërmjet ekranit. Një dëshmi tjetër që arti arrin t’i thyejë kufijtë pavarësisht situatave. Me solidarizimin për shtetin e pushtuar nga Rusia, “Anibari” ka nisur rrugëtimin e vet të 13-të. Jo veç nëpërmjet filmit, por edhe nëpërmjet muzikës.
Artistja ukrainase, Olesia Onykiienko, e njohur si NFNR po lëviz nëpër shtete të ndryshme ku nëpërmjet muzikës po përpiqet të ndihmojë popullin e saj. Që nga fillimi i pushtimit të luftës, NFNR ka banuar në Ukrainë dhe tani po bën turne nëpër botë si pjesë e një kolektivi artistësh të quajtur “Institute of Sound and Woman Sound” për të mbledhur para në ndihmë Ukrainës.

Të premten mbrëma skena e “Anibarit” ka qenë një hapësirë tjetër mbështetëse e kauzës së saj. Me performancat e saj ajo përpiqet ta bëjë të dukshëm vendin e saj, veçmas kulturën. Sipas saj, jo të gjithë mund të jenë pjesë e frontit të parë të luftës – skena është manifestim i rezistencës për të mbrojtur kulturën e vendit të saj.
“Rusia thotë se ne jemi pjesë e Rusisë, kultura jonë nuk ekziston dhe tani jam i sigurt se kjo dukshmëri e kulturës ukrainase duhet të ekzistojë, sepse nëse të gjithë njerëzit shkojnë në vijën e parë për të luftuar, ajo do të zhduket”, është një nga thëniet e saj që po e përcjell në të gjithë këtë turne artisten Onykiienko.
Mjeshtrit kanadez të animacionit, Steven Woloshen, lufta me pandeminë ia kishte pamundësuar ardhjen në Kosovë tre vjetët e kaluar. Është i lumtur që bagazhin e tij 30-vjeçar mund ta shfaqë në ekran dhe që me punëtoritë e realizuara në Kosovë mund të lërë gjurmët e punës së tij në Kosovë. Për bashkimin e njerëzve para ekranit është një fitore lumturie në punën e tij.
“Arti na ndihmon të largohemi nga realiteti, por edhe të bashkohemi si njerëz. Këtu po takoj shumë njerëz që nuk i kam takuar më parë. Nëse arrij t’i bashkoj njerëzit nëpërmjet kinemasë atëherë e di që kam bërë një punë të mirë”, i ka thënë ai KOHËS. Thotë se vazhdimisht mendon për situatën në Ukrainë pasi që atje ka të afërm e miq.
“Jam duke shpresuar që dikush është duke menduar për realitetin dhe miqtë tanë që jetojnë në Ukrainë”, shton ai.
Gjenerata e re e rritur në festival
“Anibari” me 13 vjet rrugëtim ka shtruar rrugë për gjenerata të reja premtuese në fushën e animacionit. Gjatë dekadës së ngjitjes së festivalit ata që ishin emra studentësh e vullnetarësh, kurse në këtë edicion disa kthehen si emra regjisorësh në ekranin e madh të kinemasë ku “Anibari” gjatë gjithë vitit është adresa kryesore e animacionit.
Njëra prej tyre është Flaka Kokolli, e cila këtë vit ka shfaqur premierë filmin “Shpija” në “Anibar”. Bashkë me filmin e saj është shfaqur edhe filmi “Magneti” i Arvan Berishës. Ata garojnë bashkë me filmat e regjisorëve të tjerë ballkanas. Kjo garë, sipas organizatorëve, është mundësi më e mirë për t’i lidhur ata mes vete. Për Kokollin, e cila filmin do ta dërgojë edhe jashtë Kosovës, asnjë çmim s’mund ta matë gëzimin që ia ka sjellë shfaqja e filmit në kinemanë ku kishte mësuar fillimisht për animacionin. Sot është animatorja e parë profesioniste vendore pasi që për këtë zhanër ka përfunduar studimet në Budapest të Hungarisë. Por, kthimi në kinemanë ku filloi të prekë ëndrrën e saj ia ka shtuar shumëfish gëzimin.
“Me këtë festival në njëfarë mënyre jam rritur, kam qenë pjesë e tij që prej moshës 14-vjeçare. Çfarëdo që ndodh me garën, s’ka rëndësi. Isha shumë e lumtur vetëm ta shoh në këtë ekran dhe në këtë ambient”, ka thënë Kokolli për KOHËN.
Me një program special edhe për fëmijët, ata zhvillohen në botën e animacionit nga një perspektivë tjetër. Punëtoritë janë ato që tregojnë gjithçka që bëhet prapa ekranit. Aty të rinjtë nga emra të dëshmuar të animacionit mund të mësojnë krejt hapat për t’u bërë animatorë.
Steven Woloshen, që është një prej emrave më të njohur të botë së animacionit, thotë se në Kosovë nuk të duhet shumë të shpjegosh. Të rinjtë e këtij vendi thotë se janë procesues të shpejtë të kësaj fushe.
Bora Aliu është një prej tyre. Ajo është nxënëse e shkollës së mesme në Prishtinë, por me entuziazëm i ka numëruar ditët deri në hapjen e “Anibarit”.
“Gjithçka këtu është shumë relaksuese. Për mua si nxënëse e shkollës së mesme është një eksperiencë shumë e mirë dhe po më duket shumë interesante të shoh pjesën të animacionit dhe ta shoh nga afër se si shkon një festival i këtij lloji”, ka treguar Aliu.
Virtualiteti në një botë të pafundme
Ndryshe nga filmat në kinema, një përvojë krejt tjetër mund ta përjetojnë adhuruesit e filmave në Galerinë e Qytetit të Pejës. Aty secili e ka ekranin e vet. Një përvojë të veçantë e sjell këtë vit “Anibari” nëpërmjet programit të posaçëm të realitetit virtual (VR), i cili vjen për herë të parë në Pejë. Shikuesit i duhen vetëm syzet speciale për t’u futur në botën e pafundme që sjellin shtatë filma të kuruar për këtë program. Gjithçka përreth e humb kuptimin. Asgjë më nuk ekziston përveç filmit. Krejt ndryshe nga kinemaja. Mund të jesh ulur afër me dikë, por të shohësh diçka krejtësisht të ndryshme.

Që nga mëngjesi, Trimur Urcan që është koordinator i këtij programi pret vazhdimisht të interesuarit për këtë program, ku i ndihmon të rehatohen dhe t’i ndjekin filmat.
“Ata që kanë ardhur krejt në fund të filmit kanë qenë të mahnitur, sepse ka qenë diçka që nuk e kanë provuar kurrë”, ka thënë Urcan për KOHËN.
Filmat shfaqen në një mënyrë interaktive, duke vënë në fokus një interaktivitet eksperimental e jo një shikim filmi të zakonshëm, përderisa simuluan mënyrën se si industritë kreative mund të tregojnë storie.
Ari Nekoviq për një orë ka shijuar këtë eksperiencë. Pasi është kthyer në realitet i janë dashur disa sekonda të këndellet me hapësirën përreth.
“Kjo eksperiencë ta jep një ndjesi që je brenda filmit. Je i rrethuar prej 360 shkallëve prej filmit, diçka që më bëri të ndihem shumë brenda filmit. Më bëri të ndihem një me filmin”, ka thënë Nekoviq për KOHËN.
“Anibari” synon të krijojë përvoja të reja të të përjetuarit të animacionit. Këtë e bën edhe teksa audienca mund të jetë në lëvizje. Në varka gome duke lundruar nëpër liqe, audience nën fllad ka ndjekur animacionet e kategorisë ndërkombëtare. Po ashtu, nën qiell të hapur më pas kanë vazhduar me filmat e kategorisë së studentëve në kinemanë “Kubat”.
Kur ekranet e kinemave fiken, “Anibari” zhvendos publikun nga ulëset e tyre me mbrëmje të përzgjedhura me muzikë. Me shumë ritëm e këngëtarë të përzgjedhur, “Anibari” feston ditët kur Peja merr vëmendjen më të madhe kulturore. Mëngjeset përsëri janë një rikthim në diskutime për botën e animacionit dhe jo vetëm. Në diskutime si këto edhe mund të lindin ide të reja për krijuesit. E për ata që bëhen pjesë e tij, “Anibari” është oferta e përgjigjeve për kauza të mëdha dhe zhvendosje prej realitetit që e rrethon. Qoftë edhe përkohësisht.