Shtojca për Kulturë

“American Buffalo” dënon mëkatin e lakmisë për besimin në mirësi

Është teksti i njohur i David Mametit, i inskenuar në alamet skenash botërore, përherë aktual ani pse ka hyrë në gjysmëshekull. Ka ardhur edhe në skenën e Teatrit të Gjilanit nën regji të Blend Arifit. Publikun e fut brenda shfaqjes – ka një vijë hollë ndarëve me të – dhe një zgjidhje e tillë duket mirë e paramenduar. Synon t’ia tërheqë vëmendjen për lakminë si mëkat me qëllim që t’ia kthejë besimin tek e mira

Skena nuk është ajo e zakonshmja. Publiku i cili futet në sallë nuk ndalon në ulëset e zakonshme ngjyrë të kuqe. Ngjitet në skenë, aty ku luhet shfaqja. Në të tria anët e skenës, janë improvizuar ulëse prej druri, në dy rende. Hapësira e cila u takon aktorëve është kufizuar me anë të një vije e cila vjen krejt afër këmbëve të shikuesve. Në mes gjenden elementet e skenës. Në faqen përballë shihet një derë me dritare e cila është edhe hyrja për në dyqan. Aty është fotografia e dy të burgosurve me rroba portokalli.

Fillimin e shfaqjes e paralajmëron “Song of a preacher man” e Dusty Springfield, hiti i 1969-s i cili qysh me akordin e parë, ia jep atmosferën shfaqjes. Nga dera përballë hyn Donny Dubrow, i portretizuar nga Jurgen Marku. Ai rehatohet në kolltukun e tij, ndez një cigare dhe rregullon disa gjëra në tavolinë. Pas pak minutash, muzika ndalet dhe në skenë hyn Bobby i sjellë në skenë nga aktori Florent Salihu. Teksa Donny është personifikim i një gangsteri i cili dikur kishte qenë në burg, Bobby është krejt e kundërta, një qyqar i cili mezi artikulon mendimet e tij dhe që shërben në dyqanin e Donnyt.

Krejt kjo është pjesë e skenës së parë të shfaqjes “American Buffalo” e dhënë premierë të premten mbrëma në Teatrin e Gjilanit. Është një adaptim i veprës “American Buffalo” të vitit 1975 të dramaturgut amerikan, David Mamet, e vënë në alamet skenash, e me aktorë të njohur, si Al Pacino. Shfaqja zë vend në një dyqan vjetërsirash të Donnyt, vend ku ai shpesh luan edhe bixhoz me miqtë e tij. Historia e saj sillet rreth një monedhe që i kishte shitur një koleksionisti, por që më pas ishte penduar duke kujtuar se ajo vlente edhe më tepër se aq. Nisur nga kjo Donny, së bashku me mikun e tij Profesorin, planifikojnë vjedhjen e koleksionistit, me qëllim grabitjen e asaj monedhe. Shfaqja ishte +18, e kjo për shkak të skenave të vrazhda dhe gjuhës së rëndë. Është Profesori i portretizuar nga vetë regjisori i shfaqjes, Blendi Arifi, ai që sjell vrazhdësinë në skenë. Fjalori i tij shoqërohet përherë nga fjalë të ndyra e ofenduese. Në skenë hyn si i nervozuar e i frustruar dhe kështu rri gjatë tërë kohës. Shfaqja në të vërtetë bart mesazhin e lakmisë së tepërt dhe askush më shumë se Profesori (që në version origjinal është
Walter “Teach” Cole) nuk arrin ta përçojë këtë te publiku. I trullosur nga lakmia për para, ai dyshon te të gjithë dhe edhe te Bobby i gjorë. Në skenën e fundit, ai lidh Bobbyn për karrige dhe e torturon, një herë duke e sulmuar me grushte e më pas duke e plagosur me thikë në brinjë. Shfaqja përfundon me një telefonatë, e cila vërteton pafajësinë e Bobbyt dhe dështimin e planit të grabitjes.

Në një orë e katërdhjetë e pesë minuta sa zgjati shfaqja, publiku i pranishëm mbajti qetësinë e plotë, e cila u trazua vetëm pak herë nga disa të qeshura. Fillimi i skenës së fundit ishte edhe momenti kur në sallë nisi të ndihej suspansa. Në këtë kontribuoi më së shumti Donny. Meqenëse miqtë e tij me të cilët kishte planifikuar vjedhjen nuk po dukeshin askund, ai nis e stresohet dhe këtë e shpërfaq nëpërmjet lëvizjeve të shumta. Nuk arrin të zë vend në asnjërën prej karrigeve që gjenden në skenë, i bie telefonit pa pushim, por asnjëri prej miqve të tij nuk lajmërohet. Nis e drogohet dhe një gjë e tillë zgjatë për disa minuta.

Arsyet që regjisori Arifi e kishte zgjedhur ta vinte në skenë mu këtë shfaqje, kanë të bëjnë me faktin se tematika që ajo trajton bart një mesazh, sipas tij, të nevojshëm për shoqërinë.

“Tekstin e kam përzgjedhur sepse barttë një mesazh shumë të përshtatshëm për vendin ku jetojmë. Pra, i flet secilës audiencë, secilës moshë ndonëse vërtetë shfaqja sonte ishte +18 për shkak të fjalorit dhe dhunës, por ka çfarë të nxjerrë mësime çdo moshë nga kjo shfaqje. Kështu që mendoj se çdo gjë ka shkuar mirë dhe u prit mirë”, është shprehur Arifi.

Ajo që ai kishte dashur të përçojë te publiku, nëpërmjet mënyrës se si e ka vënë në skenë shfaqjen, ka të bëjë me lakminë dhe mëkatin e lakmisë.

“Si vepër, si tekst i shkruar, si dramaturgji kjo përcjell mesazhin e lakmisë. Kush lakmon e ka rrugën e shkurtër dhe në fakt lakmia është edhe njëri prej mëkateve njerëzore. Nga këndvështrimi im regjisorial është me e dhënë një moral mbase për shoqërinë, për të besuarit në gjërat e mira, për dashurinë ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë Arifi, i cili ka kryer studimet master për regji teatri në Universitetin e Arteve në Shqipëri.

Jurgen Marku futet në skenë dhe qëndron aty deri në momentin e fundit. Ndonëse ai është një ish i burgosur dhe gangster, ndryshe nga Profesori, ndonjëherë di të shfaqë edhe dhembshuri dhe kujdes ndaj të tjerëve. Marku ka thënë, pavarësisht se të bësh të keqin është në natyrën njerëzore, të luash gangsterin dhe dhunuesin, nuk është edhe aq e lehtë.

“Në fakt roli është goxha interesant. Një problem e ka që mund të mendosh që ka një moshë pak më të madhe ama regjisori Blendi i solli të dy personazhet edhe timin dhe të tijin, i uli në një moshë dhe ne i luajtëm si gangsterë më të rinj, më të dhunshëm, futëm dhe pjesën e burgut. Ndjenja për të bërë të fortin nuk është shumë e vështirë. Shumica e njerëzve e kanë këtë ndjenjë, për të bërë të fortin domethënë e nis direkt, të vjen ta bësh të fortin, ama nuk është shumë e lehtë që ta bësh gangsterin dhe ta bësh atë që dhunon dhe kjo ka qenë ideja. Mjafton që ta kapësh idenë e personazhin dhe ta luash sa më pak atë gjënë që ti ke marrë dhe të bashkohet me ty”, ka thënë Marku ende pa u çlodhur nga performanca.

Provat e shumta sipas Markut, nganjëherë arrijnë edhe ta ftohin ndjeshmërinë ndaj shfaqjes, por që kur del para spektatorëve, gjithçka ndryshon.

“U ndjemë shumë mirë dhe mendoj që shkoi shumë mirë. Vjen një moment që për aktorët shfaqja ftohet. Ne kemi një javë që bëjmë vetëm kalime. Vetëm e kalojmë shfaqjen dhe vjen një moment që ftohet dhe ti je shumë i thatë ndaj saj dhe bën gjatë gjithë kohës të njëjtën gjë. Por, kur ka spektatorë ndryshon se janë 80 a 100 vete, të gjitha energji të ndryshme dhe ti duhesh të komportohesh me gjithë ata. Mendoj që shkoi mirë”, është shprehur ai.

Aktori Florent Salihu ka folur për bashkëpunimin me aktorët e tjerë të shfaqjes, me të cilët ai nuk ishte njohur më herët, por që ia kishte dalë shumë lehtë të kuptohej në qëllimin e përbashkët.

“Puna me regjisorin dhe me Jurgenin, që e kemi mysafir prej Shqipërisë, jemi kënaq shumë. Me këta nuk jemi takuar më herët. Krejt rastësisht me Blendin jemi takuar sepse, vitin e kaluar, ai ka qenë në Flakë të Janarit. Na ka bashkuar shfaqja, na ka bashkuar qëllimi i caktuar. Por jemi kuptuar shumë lehtë. Kemi folur shumë qartë me njëri-tjetrin. E kemi kuptuar në këshilla, sugjerime. Nuk kemi thënë pse ashtu apo kështu. Jemi munduar ta arrijmë më të mirën”, ka thënë Salihu.

Ndonëse shfaqja pati premierën, Salihu shpreson që atë ta presin edhe repriza të tjera, teksa thekson se me kalimin e kohës, shfaqja vjen duke u bërë gjithherë e më e mirë.

“Kjo që e keni parë sot nuk do të thotë që ka përfunduar. Mund të vazhdoj në repriza tjera dhe çdoherë shkon në perfeksionim, gjithmonë shkon duke u bërë më mirë e më mirë por sot, patëm pak emocione meqenëse kemi pasur shumë tekst dhe kemi pasur edhe hyrje-dalje ka qenë pak stresuese por prapëseprapë ia kemi dalë mirë. Unë jam kënaqur shumë”, ka thënë ai ende nën emocionet e shfaqjes.

Aktori Alban Shahiqi, ka thënë në “American Buffalo” është bërë një punë e mirë dhe shfaqja – përkundër faktit se zgjat një orë e 45 minuta – e mban ritmin. Për këtë ka numëruar disa shkaqe.

“Mua më ka pëlqyer shumë. Seriozisht. Nuk e kam pritur ndoshta dhe më ka dalë shumë më e mirë që e kam pritur duke u bazuar që janë aktorë që ende nuk kanë shumë përvojë. E kanë bërë një lojë aq të mirë që ka dalë sikur të kenë përvojë shumë të madhe. Rolet kanë qenë të punuara me shumë detaje dhe rrethanat i kanë krijuar mirë dhe i kanë luajtur mirë që të tre aktorët. Edhe Blendi, edhe si regjisor dhe si aktor që ka pasur dyfish punë, me të vërtetë ka bërë një shfaqje që ka qenë befasuese për së miri”, ka thënë Shahiqi.

“American Buffalo” është projekt individual i regjisorit Blendi Arifi ndërsa është përkrahur nga Drejtoria e Kulturës së Komunës së Gjilanit. Repriza e parë e shfaqjes është dhënë edhe të shtunën mbrëma. Është premiera e tretë e Teatrit të Qytetit të Gjilanit, pas “Faustit” me tekst e regji të Fadil Hysajt e dhënë premierë në janar dhe “Big Brother” me tekst të Lirak Çalajt nën regji të Florent Mehmetit, e dhënë premierë në marsin e sivjetmë.