Ky kopsht spanjoll i Edenit spanjoll prek disa tela – pjekjen, ngjyrat dhe ditët e pafundme të verës – dhe në të njëjtën kohë është thellësisht autentik dhe të bën të mendosh për brishtësinë e familjes, dhe, sërish, fëmijërinë. Është e jashtëzakonshme kur kujton se ky është vetëm filmi i dytë i Carla Simon, e cila e ka bazuar këtë film në familjen e saj, pasi fshati Alcarrás është shtëpia e saj
Regjisorja katalane, Carla Simón, mban premtimin për vazhdimin e filmit të saj debutues, “Summer 1993”, i cili ishte mirëpritur nga të gjithë, e që tregohet nga perspektiva e një fëmije, por vazhdimi sjell një portet dyorësh të një familjeje rurale, fermerë pjeshkash, të cilët luftojnë heroikisht ndaj të gjithë elementeve – të jashtëm dhe të brendshëm – derisa mbijetesa e tyre shekullore kërcënohet nga lakmia dhe progresioni.
Ky kopsht spanjoll i Edenit prek disa tela – pjekjen, ngjyrat dhe ditët e pafundme të verës – dhe në të njëjtën kohë është thellësisht autentik dhe të bën të mendosh për brishtësinë e familjes, dhe, sërish, fëmijërinë. Me premierën në edicionin e sivjetmë të “Berlinales” prej 10 deri më 20 shkurt, ku mori edhe “Ariun e Artë”, ky film plot ndjenja i ngjan një eseje të menduar mirë, e cila bën edhe zhurmë.
Është e jashtëzakonshme kur kujton se ky është vetëm filmi i dytë i Simon, e cila ka bazuar këtë film në familjen e saj – fshati Alcarrás është shtëpia e saj – ka nxjerrë gjithë ëmbëlsinë edhe me përzgjedhjen e aktorëve joprofesionistë lokalë, për të portretizuar klanin Sole. Me një të folur të thjeshtë, me dialekt rural katalan, ata duken si fermerë, flasin si fermerë, por edhe mund të aktrojnë kur u kërkohet. Në veçanti personazhi kokëfortë e i thinjur i luajtur nga Jordi Pujol Dorcet, Quimet Sole, i cili është djali i madh dhe babai i familjes – performanca e tij si një burrë i fermës është shumë më e mirë se shumë profesionistë para tij.
Ndryshe nga shumë para saj (si p.sh. Alice Rohrwacher), Simon fokusohet plotësisht në tokën që ata e punojnë. Kamera e saj është shpesh e palëvizshme në tokë. Ajo përdor një fermë në krizë dhe humbjen e mënyrës së kaluar të jetesës për të ekzaminuar lidhjen e krisur të shoqërisë me atë që e ushqen. Por ajo paraqet butësisht edhe një rrjet të një familjeje të gjerë e të dashur, e cila fillon të shkapërderdhet kur fillon të përballet me humbjen e rrënjëve të tyre. Simon përdor vajzën më të vogël të Quimet, Iris (Ainet Jounou), si pikënisje për tregimin dhe si “rrëfimtare”, e cila shmang pjesëtaret e familjes Sole sikurse një lepur që ha të korrat. Mes pemëve të pjeshkave dhe fiqve, vreshtave të domateve dhe rrushit e punës së grupit të saj, Iris, njëlloj si shikuesi, kërkon të shohë dhe të kuptojë (ngase është vështirë të kuptohet se kush është kush në “Alcarrás”).
Gjatë Luftës Civile në Spanjë, në kohët kur fjala kishte më shumë peshë, klani i pasur Pinoyl i kishte dhënë të drejtën për të punuar tokën e fermës stërgjyshit të Irisit. Gjyshit të saj i duhet ta pranojë faktin se nuk ka asnjë dokument të shkruar përtej qirasë së shtëpisë. Pinyolët e rinj tani duan të rrezojnë pemishten me pjeshkë për të ndërtuar panel solar dhe nuk u intereson më se Solët i kishin mbrojtur Pinyolët gjatë Luftës Civile. Kur pjeshkat e sezonit të mblidhen, pemëtaria do shkatërrohet.
Gjyshi i Irisit (të cilin e luan Josep Abad) lëndohet së tepërmi, kur Pinyol-ëve ua dërgon një shportë me fiq dhe nuk merr përgjigje. Kjo gjë ishte një simbol i historisë së dy familjeve që kanë kaluar kohë bashkë, mirëpo që tashmë është harruar.
Drama e Simon merr frymë prej këtu. Duke dashur të tregojë saktë se si është të jetosh në një familje të madhe, ajo shfaq këtë dinamikë mes shkëmbimit të fjalëve e emocioneve, të cilat nën sipërfaqe kanë histori të gjatë zënkash e keqkuptimesh, por nga jashtë vazhdojnë të jenë të pathëna. Quimet vazhdon ta punojë tokën, me frikën për të ardhmen dhe merakun për dy fëmijët e tij binjakë (shokë të ngushtë të Irisit), përderisa motra e tij dhe burri i saj pranojnë një punë te Pinyol-ët, gjë që përçan familjen. Vëllai i madh i Iris, Roger (Albert Bosch), që mbjell marihuanë me xhaxhain e tij Cisco (Carles Cabos) dëshiron t’i ndihmojë babait me tokë, mirëpo ai i kërkon atij që të fokusohet në studime. Motra e madhe e Irisit, Mariona (Xenia Roset), është një adoleshente e rritur, e cila si dëshmitare e të gjitha ngjarjeve, fillon të ketë frikë, përderisa nëna e tyre, Dolors (Anna Otin), vetëm vëzhgon. Ndërsa tezja lesbike, Gloria, mundohet që ende t’i mbajë bashkë të gjithë.
Edhe pse ky film është shumë natyral dhe i vërtetë, kjo nuk do të thotë se Simon nuk krijon zjarr e shkëndija. Në bashkëpunim të ngushtë me montazheren Ana Pfaff dhe drejtoreshën e fotografisë Daniela Cajias, ajo kalibron me kujdes filmin e saj, duke çuar drejt një pike kulmore të stërzgjatur në festën verore të qytetit, që sado të vogël, sjell një lloj katarsisi. Mirëpo, mes kësaj pike, ka dhe shpërthime të energjisë. Ferma është e larë nën rreze të ngrohta dielli dhe ëmbëlsi, mirëpo vetë familja është nën turbullira dhe lëvizje tërë kohën. Erëra të thata çojnë lart pluhurin e tokës, uji vërshon tokën dhe pemishtja përmbytet.
Kamera lëviz nga statike në të shpejtë, kur Roger largon tensionin duke u tundur nën ritmet e muzikës; argëtimi në pishinë jep një çlirim dinamik, i cili mund të jetë po aq humoristik sa është prekës. Historia e Simon është serioze, e cila demonstrohet edhe në protestat e fermerëve lokalë që shkatërrojnë të korrat e tyre në shenjë proteste. Dhe kjo histori do të merret seriozisht, edhe pse si vetë jeta, ka aq shumë momente lehtësimi mes gjithë atyre vështirësive. Se si ajo edhe aktorët e saj ia dalin t’u bëjnë ballë tranzicioneve aq rrjedhshëm – heshtje në energji drithëruese, dëshpërim në humor – duke mbajtur secilin moment real, është shkathtësia e vërtetë e “Alcarrás”. Është e jashtëzakonshme kur kujton se ky është vetëm filmi i saj i dytë.
Marrë nga screendaily.com. Përktheu: Flakrona Rexhepi