Një thirrje e lansuar me një poster të një fotografie familjare, qe pikënisja që fotot të cilat ruajnë kujtime individuale, të bashkohen për një rrëfim kolektiv. Adresa e saj vërshoi prej fotografive, e Gresa Nuredini i përzgjodhi gati 200 për t’i bashkuar si një mozaik për vitet ’90. Ishte kohë e zymtë, por me “Album 1990-1999: Arkivë fotografike e kujtimeve të viteve ’90 në Kosovë”, Nuredini gjen shkëlqimin. Mbi të gjitha i kundërpërgjigjet harresës
Në sfondin e muzikës në restorantit emblematik “Durbovnik” te “Kurrizi” në “Dardani”, një dekadë e të cilit e prek edhe albumi i cili rikthen kujtesën kolektive, dëgjohen vazhdimisht tinguj karakteristikë të asaj kohe. Harmonia mes muzikës dhe atmosferës së restorantit, krijon ndjesi udhëtimi në kohë. Lidh ngjarjen me esencën e epokës së pasqyruar.
Fotografitë, të përzgjedhura me kujdes dhe të përmbledhura në “Album 1990-1999: Arkivë fotografike e kujtimeve të viteve ’90 në Kosovë” të Gresa Nuredinit, vijnë si kronikë e gjallë dhe ndjesore e jetës së asaj kohe.
“Kujtimet e para-luftës”, “Kujtimet e pas-luftës” dhe “Për nder të njerëzve të humbur, shtëpive të braktisura dhe kujtimeve të shlyera të kohës”, janë tre kapitujt e “Albumit...” me 167 fotografi të përzgjedhura nga fondi prej 807 sosh sa ishin grumbulluar. Është përuruar të premten mbrëma, duke rikthyer këtë periudhë kohore në restorantin që pak ka ndryshuar prej se nisi historia e tij më 1986.
Është një foto e vitit 1991 që e hap këtë botim që ruan një tis retroje, me kopertina të kuqërremta lëkure e shkronja të arta. Jo pse kjo periudhë qe e artë, por se imazhet të cilat bashkohen, janë thesar i trashëgimisë kulturore. Fotoja nuk ka të bëjë me mjeshtërinë e saj, por me fuqinë e dokumentimit sikurse krejt fotot e tjera. Është shkrepur në “Pajtimin e gjaqeve”, ngjarja e përmasave kombëtare me nismën e Anton Çettës, Zekeria Canës, Mark Krasniqit e shumë intelektualëve të tjerë që kishin filluar procesin për bashkimin e shqiptarëve, në një periudhë të errët të asaj kohe nën okupimin shovinist të Serbisë së Millosheviqit.
“Kujtimet e para-luftës”, paraqet ngjarje dhe aktivitete të ndryshme. Ka në fokus edhe fotografi nga ahengje familjare por edhe të tilla spontane. Aty përfshihen edhe fotografi nga institucionet arsimore të cilat zhvillohen në shkolla-shtëpi për shkak të uzurpimit të objekteve shkollore nga regjimi serb.
Në mesin e këtyre fotove ka edhe nga aktivitetet kulturore kryesisht të mbajtura në teatrin “Dodona”. Institucione si këto kanë qenë një lloj rezistence kulturore.

Kontrasti është i shpejtë me “Kujtimet e pas-luftës”, ku shfaqen imazhe nga çlirimi i Kosovës, ushtarët e NATO-s, tubime njerëzish dhe aktivitete të ndryshme kulturore, kryesisht me veshje kombëtare nga ajo kohë. Janë po aq autorë sa fotografi që i janë dhuruar autores.
“Për nder të njerëzve të humbur, shtëpive të braktisura dhe kujtimeve të shlyera të kohës”, është kapitulli i cili ka edhe fuqinë e mesazhit. Përmban disa fotografi ku shfaqen marshe për njerëzit e zhdukur, shtëpi të rrënuara, gëzhoja plumbash e të tjera.
Për Gresa Nuredinin periudha që rikthen me “Album...” nuk është e përjetuar. Ajo u lind pas luftës dhe ky fakt qe pikënisja e projektit të saj përkrahur në kuadër të “Heritage Space” të organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”.

Ishte rritur duke dëgjuar histori të ndryshme, qofshin ato nga rrëfimet personale të familjes apo të shoqërisë.
“Isha një fëmijë i viteve 2000 dhe gjithmonë kam pasur kureshtje se pse kisha aq pak fotografi nga fëmijëria dhe nuk mund t’u përgjigjesha pyetjeve që më lindnin nga ato pak që dija. Nuk isha e sigurt si ta vizualizoja luftën si fëmijë, sepse në atë kohë nuk kishim internet. Po flas për fillimin e viteve 2000. Kjo kureshtje filloi të zgjerohej me kohë dhe, kur isha e vogël, kisha një ëndërr për luftën. Një ëndërr që më përsëritej shpesh, një vizion i lagjes sime të kapluar nga flakët e sulmeve të luftës, të gjithë duke ikur së bashku, pa drejtim”, ka thënë ajo.
Kur hasi në disa fotografi të luftës, nisi të ballafaqohej me atë realitet. Ka kujtuar se kur për herë të parë i pa ato imazhe, iu krijua një ndjesi e rëndë. Por mendonte se kishte shumë më tepër se kaq dhe se njerëzit duhet të kishin edhe fotografi personale.
“Duke shikuar fotografitë e familjes sime nga ajo periudhë, fillova të shoh diçka krejt ndryshe. Nuk ishte vetëm lufta, por edhe momente të bukura. Kjo më shtyu që kurioziteti im të rritej më shumë. Me kalimin e kohës, kjo ide filloi të kristalizohej dhe materializohej. Sot, për këtë arsye, kemi këtë libër”, ka thënë Nuredini.

Iu fut projektit me disa fotografi që kishte mbledhur nga familja dhe miqtë e saj të afërt. Pas marrjes së miratimit për projektin, fillimisht kishte marrë lejen nga familjarët për të ndarë kujtimet e tyre në një medium tjetër.
“Ideja ime ishte që projekti të përfshinte rajone të ndryshme të Kosovës, jo vetëm qytetet që i shohim gjithë kohën në media. Kisha dëshirë të depërtoja sa më larg. Për ta realizuar këtë, fillimisht kemi shpërndarë posterë nëpër gjithë Kosovën duke treguar se kjo është një thirrje e hapur”, ka thënë Nuredini.
Posterët nëpër Prishtinë u panë qysh në vjeshtën e vitit të kaluar. Kishin për imazh një foto të babait të saj me shokë me mbishkrimin: “Thirrje e hapur për tregim kolektiv”. Adresa e saj ishte adresë për të ndarë me të tjerët fotografitë personale sepse krejt bashkë formojnë rrëfimin e përbashkët.
Sipas Nuredinit, siç ka shkruar në parathënien e “Albumit”, gjatë viteve ’90 në Kosovë, “mediumi i fotografisë ishte bërë formë jetike e dokumentimit ndërpersonal”.
“Arkivat private ishin krijuar si një regjistër vizual të përvojave të çmueshme njerëzore përmes kujdesit të secilit individ, që kishin marrë rolin e fotografit në familje”, ka shkruar ajo duke cituar edhe Susan Sontagun nga libri “On Photography” të vitit 1977, se “fotografitë e kthejnë të kaluarën në një objekt të përkëdhelur kujtimesh, duke turbulluar dallimet morale dhe duke çarmatosur gjykimet historike përmes patosit të përgjithësuar ndaj kohës së shkuar”.
“Thirrja e hapur për tregim kolektiv” nuk hasi në vesh të shurdhër. Gresa Nuredini nuk u mjaftua vetëm me grumbullimin e fotografive që do t’i vinin pa u ndalë e që janë më shumë se 800.
“Shumë njerëz na kontaktuan dhe shprehën dëshirën për të dorëzuar fotografitë e tyre. Jam takuar personalisht me secilin kontribuues, kam mbledhur fotografitë dhe i kam skanuar vetë. Në këmbim, u kemi ofruar digjitalizimin e tyre për t’i ruajtur në një format modern. Kjo ishte një mënyrë për t’i shtyrë njerëzit të ulen me të dashurit e tyre dhe të shfletojnë kujtimet”, ka thënë ajo.

Në përurimin e “Albumit...” i është rikthyer “shfletimit” të fotografisë që e hap atë. Ka zgjedhur momentin e Pajtimit të gjaqeve jo vetëm si dokumentim i çastit. Fotoja është zbërthim i fenomenit sepse vitet ’90 simbolizonin solidaritetin e popullit, i cili në atë periudhë kishte vendosur të falte gjaqet dhe të bashkohej përballë një armiku të jashtëm.
E armiku i kujtesës kolektive, është harresa. Për ta luftuar atë janë edhe fotot. Pikërisht duke njohur peshën e dokumentimit, “Herritage Space” – programi që nisi në vitin 2016 me qëllim inkurajimin e artistëve, studiuesve dhe profesionistëve të tjerë që veprojnë në fushën e kulturës dhe të tjera për të ruajtur trashëgiminë kulturore përmes hulumtimit dhe dokumentimit – e ka përkrahur projektin e Gresa Nuredinit.
Blerta Ismaili, menaxhere e këtij projekti dhe e programit në “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, ka thënë se qëllimet e “Heritage Space”, zgjerohen edhe te projektet që historitë individuale të bëhen të qasshme për publikun dhe të mos mbeten të harruara.
E, sipas saj, fotografia si medium i dokumentimit të përvojave shpesh është e anashkaluar. Për këtë arsye, projekti i “Albumit...” kishte synuar të ndriçonte ato momente personale që mund të transformoheshin në një dimension kolektiv.
“Gresa, si pjesë e gjeneratës së re, ka pasur kuriozitet për vitet ‘90 dhe për mënyrën se si njerëzit mbijetonin nën represion politik. Ajo ka eksploruar dimensionet e solidaritetit, festës, dhe rezistencës, duke krijuar një perspektivë ndryshe nga ajo që zakonisht paraqitet”, ka thënë Ismaili.
Ka thënë se në shoqërinë e Kosovës rëndom fotografitë dhe albumet familjare mbeten private.
“Por është interesante kur një album del nga ky rreth dhe shkon drejt diçkaje më kolektive, se si e përditshmja dhe personalja mund të marrin një dimension të përbashkët, duke u bërë pjesë e përvojës së të gjithëve”, ka thënë ajo.
“Album 1990-1999: Arkivë fotografike e kujtimeve të viteve ’90 në Kosovë” tashmë ka bërë që fotot familjare t’i flasin historisë. Ta shkruajnë atë, nëpërmjet imazhit dhe kujtimeve që ato ngjallin.
Lexo edhe: