Albanin nuk mund ta kishe vetëm koleg. Natyra e tij nuk e lejonte këtë. E patëm shok dhe do të na rëndojë përgjithmonë pengu edhe i një muhabeti me të
Nuk kemi pasur në redaksi ditë si e premtja. As nuk e kam menduar ndonjëherë që do të mund të kishim. Albani ia doli të na bënte ta ndienim ikjen e tij si një vdekje në shtëpi. Ai nuk ishte aty. Ne e shikonim njëri-tjetrin me sy të përlotur e fytyra të ngrysura. Nuk flisnim por ndienim dhimbjen që e ndanim dhe atë pengun torturues që të rëndon çdoherë kur ke humbur dikë: Pse nuk e bëmë edhe një muhabet?
Ia doli ta bënte çdokënd ta ndiente ikjen e tij. Diçka më e vështirë për t’u arritur se puna që bëjmë për çdo ditë, e që e bëri ai. Thuajse fare e paarritshme në malin e madh të mediave ku çdo gjë është më e ashpër. Ku raportet shpesh jo veç acarohen, por shpartallohen. Albani ishte por edhe nuk ishte aty. Ai të premten mblodhi të gjithë në një vend. Mori emocionin e secilit, respektin e vërtetë dhe lamtumirën e sinqertë. Mori atë që dha.
Të gjithë e vlerësuam sot për punën që ka bërë. Për peshën e fotografisë së tij në dokumentimin e historisë dhe ndërtimin e narrativës për Kosovën. Por, përtej kësaj, nuk thamë se cila ishte pesha që ai barti? Sa ishim aty për të? Sa u vlerësuan ai dhe ata që bënë luftën në mënyrën e vet? Albani ishte në Likoshan para 27 vjetësh, kreu punën e tij. Ne i mbetëm borxh atij dhe viktimave. Albani jetoi ashtu siç punoi. Fotografia e tij shihej, por nuk fliste.
Sikurse ky tekst, mendimet më vijnë të shkëputura. U bë kohë e gjatë që punuam në një vend, në periudha e sfida të ndryshme… sikur të ishin jetë të ndryshme. Disa mbetëm “shkollë e vjetër”. Kështu quhen sot jo ata që nuk kanë përqafuar teknologjinë, por që nuk heqin dorë nga vendosja e faktit në krye dhe që nuk të tregojnë çka të mendosh, por ta nxjerrin foton përpara. Një situatë kontradiktore krijohet kur flet për këtë dhe për peshën e përjetimeve si reporter lufte. Me kalimin e kohës pesha është bërë më e rëndë e rëndësia e faktit më e lehtë. Është krijuar një realitet absurd ku ata që rrezikonin jetën për fakte, garojnë në një mjedis ku parimet e raportimit janë bërë llastik që nuk këputet. Albani ishte profesionist i fotografisë por nuk e komercializoi atë. Qëndroi fotoreporter.
Ai shkrepte. Po të shkruante do të lexonim rrëfime të jashtëzakonshme. Pavarësisht se cili ishte objekti në fotografi, tregimi në muhabet me të ishte jo veç interesant, por plot humor. Një kërmill i bukur që shkëlqente në foto nga vesa e mëngjesit do ta kishte historinë e vet nga oborri i shtëpisë së tij në Velani në pjatën e një restoranti diku në Bregun e Diellit. Apo, fotoja e tymit në natën e parë të bombardimeve të NATO-s do ta kishte rrëfimin e kamuflimit dhe të adrenalinës në derën e hapur të ballkonit te një banesë në kat të lartë në bulevardin “Bill Clinton”. Albani shijonte detajet, ndërtonte me to dhe përjetonte situatat e thjeshta që shumica e njerëzve nuk dinë as t’i shohin. Duhej ta kishe shok e të kënaqeshe me dhuntitë e tij.
Albanin nuk mund ta kishe vetëm koleg. Natyra e tij nuk e lejonte këtë. E patëm mik dhe do të na rëndojë përgjithmonë pengu edhe i një muhabeti me të.
Kujtimet do t’i mbajmë gjallë sa do të jemi vetë!