Shtojca për Kulturë

Afresket mahnitëse në “Parisin e Ballkanit”

 Një pjesë e zbehur e afreskut në tavan të Shën Mërisë ilustron disa nga punët e nevojshme për t’i kthyer kishat ortodokse të Voskopojës, Shqipëri, në lavdinë e tyre të mëparshme (Foto: Imagebroker)

Konservuesit e Voskopojës në Shqipëri po bëjnë çmos për të ruajtur qindra kryevepra të kishave ortodokse të shekullit të 18-të, tashmë të shkatërruara nga koha.

Thellë në juglindje të Shqipërinë, një fshat i vogël ka pesë kisha që përbëjnë një nga përqendrimet më madhështore të artit të afreskut të krishterë ortodoks në botë. Nga jashtë, kishat në Voskopojë ngjajnë me hambarë prej guri, pasqyrim i trashëgimisë së tyre të shekullit të 18-të si vende ku mblidheshin të krishterët gjatë Perandorisë Islamike Osmane. Sidoqoftë, brenda ato fshehin kryevepra të pikturuara të bluve, të kuqeve dhe të verdhave brilante që marrin jetë në tema të mrekullueshme (Krishti i Plotfuqishëm ose Pantokrator) dhe të çuditshmen (Shën Nikolla tejkalon perëndeshën Artemis).

“Për ne është si Louvrei”, thotë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.

As në Shqipëri e as edhe në tërë botën nuk ka objekte të tilla si kishat e Voskopojës dhe afresket e tyre prej 43 mijë metrash katrorë. Qeveria i ka vlerësuar si Monument Kulture dhe në vitin 2020 ajo njohu edhe qendrën e këtij fshati, aty ku ndodhen edhe shumica e tyre, si Ansambël Historik. Ndoshta më e rëndësishmja, afresket janë një artefakt mbresëlënës Lindja-takon-Perëndimin e një identiteti multikulturor, multifetar shqiptar që shumë prej tyre patën frikë se do të shuhej nën regjimin e mëparshëm komunist.

Image
Kambanorja e Kishës së Shën Mërisë qëndron buzë rrugës në Voskopojë, Shqipëri. Në një kohë, qyteti kishte më shumë se 20 kisha ortodokse (Foto: Imagebroker)

Madje është një mrekulli e vogël që këto afreske shpëtuan. Duke filluar nga fundshekulli i 18-të, Voskopoja ishte plaçkitur dhe rrafshuar tri herë brenda 20 vjetëve. Ishte djegur në Luftën e Parë Botërore dhe bombarduar në Luftën e Dytë Botërore. Nga mbi 20 kisha sa kishin qenë dikur në fshat, vetëm gjashtë kanë mbetur, përfshirë këtu pesë me afreske.

Në dekadat e fundit, këto thesare arkeologjike dhe artistike kanë rënë në një gjende të mjerueshme. Një kishë pësoi atë që një autoritet rajonal e quajti dëmtim të nivelit SOS, i cili u shkaktua nga reshjet e mëdha të shiut të vitit 2021, atëherë kur çatia e saj u shemb pjesërisht. Një vit më vonë, u deklarua gjendje kritike për një tjetër.

Tani, që turizmi në këtë zonë po shkon duke u rritur, një kuadër studiuesish dhe restauruesish të përkushtuar po garojnë për t’i shpëtuar kishat. Në nëntor, Ministria e Kulturës zbuloi një propozim ambicioz që do t’i sillte ruajtësit e artit dhe arkitektët e konservimit nga e gjithë Evropa, për t’i restauruar ato, para se të jetë tepër vonë.

Image
Një qemer brenda kishës së Shën Gjergjit është shembull i afreskeve të gjalla që dikur zbukuronin kishat e Voskopojës (Foto: Imagebroker)

“Parisi i Ballkanit”

Shqipëria ka histori përplot trazira. Për mijëra vjet, vendi ka qenë i pushtuar nga disa perandori, që nga ajo Romake, tek ajo Bizantine e Osmane. Ishte nën pushtimin e kësaj të fundit kur Voskopoja lulëzoi, duke u bërë, siç shkruante një vizitor, “Parisi i Ballkanit” gjatë vitit 1760.

Voskopoja, në atë kohë një qytet me mirëbesim, kontrollonte një rrugë fitimprurëse tregtare tokësore midis Adriatikut dhe Stambollit, duke lidhur osmanët me dogët në Venecia, Habsburgët në Vjenë dhe më gjerë. Në kulmin e saj, funksiononin rreth 50 esnafe artizanale, duke tërhequr dhe trajnuar artizanë si rrobaqepës, argjendarë dhe armëpunues. Për njëfarë kohe, qyteti kishte të vetmen shtypshkronjë në Perandorinë Osmane, të ushqyer nga Akademia e Re, një seli idesh iluministe e themeluar më 1744.

Image
Afresket e pikturuara përgjatë portikut në Kishën e Shën Nikollës u dëmtuan rëndë për shkak të luftërave dhe neglizhencës gjatë sundimit komunist. Disa nga panelet janë restauruar së fundmi (Foto: Witold Skrypczak)

Shkathtësia ekonomike e qytetit i mundësoi të lulëzonte si qendër e besimit dhe artit të krishterë ortodoks në perandorinë e dominuar nga islami, duke çuar në lulëzim ndërtimin e kishave. Por, duke nisur nga fundi i shekullit të 18-të, qyteti filloi të dobësohet. Në vitin 1769 grabitësit, me gjasë nga rajoni përreth, plaçkitën Voskopojën. Banorët ikën dhe qyteti, dikur madhështor, u reduktua në fshat të vogël. Ky shkatërrim e shtyu tutje nga luftërat e mëdha të shekullit të 20-të.

Pas Luftës së Dytë Botërore, diktatori Enver Hoxha konsolidoi sundimin e tij mbi Shqipërinë, duke zbatuar ateizmin nën regjimin e tij komunist. Kishat e mbijetuara të Voskopojës u lanë pas dore e ndonjëherë u përdorën si magazina dhe depo. Kishat gjetkë u shkatërruan. Besimtarët fshehurazi fshehën ikona fetare nën dërrasat e dyshemeve të shtëpive të tyre. Priftërinjtë, si dhe imamët dhe klerikë të tjerë, u ekzekutuan ose u dërguan në kampet e punës.

“Mendoj se është e rëndësishme që fëmijët [e sotëm] të dinë se çfarë besonin paraardhësit e tyre, çfarë sakrifikuan dhe për shpëtimin e kujt luftuan”, thotë Fjoralba Prifti, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar aty pranë në Korçë, i cili mban 6 mijë e 400 ikona, përfshirë edhe disa të cilat janë shpëtuar nga kishat e Voskopojës.

Kur regjimi ra në vitin 1991, fshatarët u mblodhën në Shën Nikollë.

“Edhe pse kishin frikë, ata kishin njëri-tjetrin”, kujton At Thoma Samaraj, kryeprift i kishave të Voskopojës që nga ajo kohë. “Perëndia gjithmonë na ka thënë, ‘Unë jam brenda jush’”.

Koha ka vazhduar t’i shkatërrojë kishat. Në vitin 2002 dhe 2004, ato fituan njohje të dyshimtë në listën e "vëzhgimit" të Fondit Botëror të Monumenteve të vendeve të trashëgimisë në rrezik. Në vitin 2018, ato hynë në listën e “7 më të rrezikuarve” të “Europa Nostra”.

“I gjithë fshati ka intervenime të vazhdueshme”, pranon ministrja e Kulturës, Margariti. Por ka kaluar kohë edhe më të këqija. “Kjo është fryma e shqiptarëve – gjithmonë duke rezistuar dhe duke treguar se mund ta drejtojnë artin dhe trashëgiminë e tyre kulturore, ndër vite”, shton ajo.

Bukuri e brendshme

Plagët nga historia janë ende të dukshme gjatë një vizite të fundit në Kishën e Shën Mërisë me Anxhela Zgurin, docente në Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe pronare të bujtinës, “Bujtina Liana”. (Zguri dhe një docente tjetër bëjnë shëtitje; vizitorët mund t’i kontaktojnë ata duke telefonuar në numrin e vendosur jashtë çdo kishe.) Narteksi u shkatërrua dhe naosi u rrënua pjesërisht nga bombat e Luftës së Dytë Botërore. Të shtrembëruara nga ekspozimi i viteve, shumica e afreskeve “nuk janë në gjendje të mirë”, thotë ajo. Megjithatë, ajo mbetet një strukturë mbresëlënëse.

Image
Pamja e jashtme e Kishës së Shën Nikollës. Një plan ambicioz do të mbështeste muret dhe çatitë e varura të të tri nga pesë objektet fetare të mbetura të shekullit të 18-të në Voskopojë. (Foto: Imagebroker)

E ndërtuar në vitin 1699, ajo është më e madhja dhe më e vjetra nga katër kishat me afreske që gjenden ende në fshat. Tri të tjerat u ngritën brenda disa dekadave dhe të gjitha janë të vendosura afërsisht në të njëjtin stil bazilika. (I pesti është në një manastir në një kodër me pamje nga fshati.)

Afresket e pikturuara përgjatë portikut në Kishën e Shën Nikollës u dëmtuan rëndë për shkak të luftërave dhe neglizhencës nën sundimin komunist. Disa nga panelet janë restauruar së fundmi.

Ajo që e dallon secilin është arti në mure. Arti ortodoks duhej t’u përmbahej disa parimeve të ikonografisë fetare dhe afresket, duhej t’i përcillnin historitë e Biblës dhe të krishterimit të hershëm te një kongregacion analfabet. Pjesa tjetër varet nga imagjinata e piktorëve.

Në Kishën e Shën Mërisë, skenat e kryengjëjve Mikael dhe Gabriel janë pika kryesore; Vajza 5-vjeçare e Zgurit imagjinon se ata po fluturojnë. Përreth kthesës, një pikturë lunete në Kishën e Shën Athanasiut përshkruan kullat e Babilonisë që bien mbi banorët e saj fatkeq, midis veprave të tjera të nënshkruara nga vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi, artistë të frytshëm që i shtuan stilit ortodoks të shekullit të 18-të lulëzimin barok, rokoko dhe gotik. Që atëherë, shkelësit kanë zhvlerësuar shumë skena.

Pjesa qendrore e fshatit, Kisha e Shën Nikollës është domeni i David Selenicës, një mjeshtër portreti i cili veproi gjatë viteve ‘20 dhe i cili pikturoi në mënyrë anekdotike fytyrat e fshatarëve mbi trupat e shenjtorëve. Në një panel, Shën Nikolla lutet mbi trupin e një marinari, ndërsa dallgët e një stuhie të frikshme tronditin anijen e tij. Muralisti zgjodhi ta vendoste shenjtorin në mënyrë anakronike mbi një anije galion me katër direkë.

Lëvizja e ringjalljes

Ka shpresë për kishat e mbetura të Voskopojës. Të inkurajuar nga rritja e turizmit, vendasit po hedhin dritë mbi strukturat, fshatin dhe historinë e tij. Në nëntor, Ministria e Kulturës shpalli një plan ambicioz për restaurimin dhe zhvillimin e qytetit.

Plani përfshin fortifikimin e murit dhe çative të varura të të tri kishave. Afresket do të restaurohen jo vetëm nga “mjeshtërit e vjetër” të teknikës, por edhe nga profesorë ndërkombëtarë dhe studentë të ruajtjes së artit, në terren. Gjithashtu në listën e dëshirave hyjnë: ndriçim i ri për një eksperiencë muzeale, audio-guida, turne virtuale dhe madje edhe krijime të pamjeve reale me mundësitë që ofron sot teknologjia.

Ministria ka dorëzuar propozimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Financiar, i cili, sipas Margaritit, mund të arrijë vlerën prej rreth dy milionë eurosh (2.1 milionë dollarë). Projektet e restaurimin do të zgjasin të paktën dy vjet.

Ndërkohë, mjeshtërit kanë nisur tashmë punën për afresket e Shën Nikollës. Pas gjashtë muajsh janë përfunduar dy panele. Diku tjetër në qytet, udhëtarët mund të qëndrojnë në pallate historike të rinovuara dhe të mësojnë për lavdinë e dikurshme të Voskopojës. Në një fushë pak përtej fshatit ekzistues, shenjat shënojnë vendin ku dikur qëndronin: akademia e madhe, biblioteka dhe shtypshkronja. Dhe në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, i cili këtë vit pati një rekord prej 27 mijë të vizitorësh, këta të fundit mund të shohin nga afër një duzinë ikonash të Zografit dhe një Selenicë të rrallë, së bashku me pikturat e bashkëkohësve të tyre, gdhendje në dru dhe punime metalike.

Në këtë cep të Shqipërisë, ruajtja është personale. Të rritur nën regjimin komunist, “njerëzit e moshës sime nuk e dinin se çfarë ishte kisha, çfarë ishte Zoti”, thotë prifti. “Është e rëndësishme që njerëzit e një vendi të dinë traditat e tyre – nga kanë ardhur dhe ç’vendi i përkasin.”

Marrë nga “National Georgaphic”. Përktheu: Mirjetë Sadiku