Meqë shqipja nuk ka zyrtarisht një normë drejtshqiptimore, pos disa rregullave fonetike që dalin nga rregullat e drejtshkrimit, po të nisë puna, të bëhen plotësimet e duhura, përvjetorët e tjerë mund t’i festojmë nëse fillojmë ta ofrojmë herët, shumë herët, te fëmijët tanë drejtshqiptimin e tingujve standardë, ata që i kemi, ama duhet t’i qartësojmë disa rregulla që veç të qarta nuk janë, dhe po, atëherë mund të ndodhë pika e katërt, Pranimi
Standard: “send i përgatitur me përmasa, trajtë e cilësi të caktuara, i cili shërben si gjedhe për mallrat që prodhohen në seri”. Ndërkaq sa i përket kontekstit gjuhësor, me gjuhë standarde i referohemi faktit që një gjuhë ka kaluar nëpër të gjitha fazat e standardizimit është kodifikuar dhe shërben si variant mbidialektor për të gjithë folësit e asaj gjuhe. “Varieteti standard i një gjuhe është zakonisht ai varietet që përfaqëson kombin si tërësi dhe institucionet e tij më të larta drejtuese, arsimore dhe të kulturës në përgjithësi” (Fishman 1978: 45). Struktura e funksioni të gjuhës standarde shërbejnë si konvergjencë gjuhësore për folësit e varianteve dialektore të një gjuhe, me qëllimin përfundimtar, njësimin e një kodi unifikues, pra mbidialektor. “Ndoshta është e drejtë të thuhet që i vetmi varietet që mund të konsiderohet si një 'gjuhë e vërtetë' (në kuptimin e dytë të termit ''gjuhë'') është gjuha standarde’’ (Hudson 2002:43). Gjuha standarde mund të jetë gjuha e gramatikalizuar, e përpunuar, e kodifikuar, pra e ngurosur gramatikalisht, por jo e vetmja gjuhë e vërtetë, mbetet thjesht një variant i gjuhës, sidomos në rastin e shqipes, në të cilën edhe sot 50 vjet pas standardizimit vihen në dyshim fazat e standardizimit pa i kaluar të cilat, një gjuhë nuk mund të jetë plotësisht standarde. Ndërkaq fazat e standardizimit sipas sociolinguistëve Garvin dhe Mathiot (1956) dhe Haughen (1966) dhe të përfolura e të pranuara nga Hudson (1996) janë:
1. Përzgjedhja. Në një mënyrë ose tjetrën duhet të jetë zgjedhur një varietet i caktuar për të kultivuar një gjuhë standarde. Zgjedhja është mjaft e rëndësishme në këndvështrimin sociopolitik, sepse është e qartë që varieteti i zgjedhur nis e merr më shumë prestigj dhe njerëzit që e flasin atë nisin ta gëzojnë këtë prestigj.
2. Kodifikimi. Ndonjë institucion, p.sh., një akademi, duhet të ketë shkruar fjalorë dhe gramatika për “të fiksuar” varietetin në atë mënyrë që të gjitha të bien në një mendje për atë që është e saktë. Pasi ndodh kodifikimi, qytetari ambicioz duhet t’i mësojë format e sakta dhe kur shkruan nuk duhet t’i përdorë format “e pasakta”, që mund të ekzistojnë në varietetin e tij të lindjes dhe kjo mund të kërkojë, pa dyshim, disa vjet jetë shkollore për fëmijë.
3. Kultivimi i funksionit. Duhet të jetë e mundur të përdoret varieteti i zgjedhur në të gjitha funksionet e lidhura me qeverinë qendrore dhe me shkrimin, p.sh., në parlament dhe në gjykata, në çdo lloj dokumenti zyrtar, për arsimin, ose dokument shkencor dhe pa dyshim në forma të ndryshme të letërsisë. Kjo mund të kërkojë shtimin e elementeve të tjera gjuhësore në varietet, veçanërisht të termave teknikë: si të formulosh pyetjet e provimit, si të shkruash letra formale etj.
4. Pranimi. Varieteti i zgjedhur duhet të pranohet nga popullsia si varieteti i vetëm i bashkësisë, pra, normalisht, si gjuhë kombëtare. Pasi ndodh kjo, gjuha standarde shërben si forcë e fuqishme unifikuese për shtetin, si simbol i pavarësisë së tij nga shtete të tjera (nëse gjuha e tij standarde është unike dhe jo e përbashkët me të tjerët) dhe si shenjë e dallimit përkundrejt shteteve të tjera.

Fazat e shqipes dhe konteksti historik
A i ka kaluar shqipja këto faza? Për ta analizuar progresin e gjuhës standarde 50 vjet pas standardizimit, gjendjen aktuale, mbizotërimin e varietetit dialektor mbi standardin sidomos në Kosovë, patjetër duhet ta shqyrtojmë kontekstin historik, i cili mbase edhe shfajëson ata të cilët flasin gjuhën, shqipfolësit, sidomos verilindorët, që nuk kanë arritur t’i dalin zot një varieteti gjuhësor, përfaqësues të cilin duarhapur e pranuan në vitin 1968. Përzgjedhja – qysh prej dokumenteve të para, e librave të parë të gjuhës shqipe, kristalizohet ideja për vetëdijesimin e shqiptarëve në raport me gjuhën e tyre e kulturën; të veçanta nga gjuhët e kulturat e tjera. Vonë, shumë vonë në vitin 1908 (Kongresi Manastirit) zgjidhet çështja e alfabetit, e pas në vitin 1909 (Kongresi i Elbasanit) diskutohet çështja e njësimit të gjuhës letrare që fillin prej së vërteti e ka në Komisinë Letrare të Shkodrës (1916-18). Për t’u përzgjedhur një variant gjuhësor, që t’i kalojë fazat e standardizimit, faktori gjeografik është ndër faktorët e rëndësishëm. Që këtej meqë Elbasani ishte në një pozitë të tillë gjeografike, në të cilën takoheshin Jugu e Veriu, konventa ideale qe që varieteti i Elbasanit t’i kalonte fazat e standardizimit, e t’i unifikonte fort mirë shqiptarët, nëpërmjet një varianti gjuhësor përfaqësues. U zgjidh pika e parë, Përzgjedhja. Kemi një variant dialektor në të cilin janë të gërshetuara tiparet gjuhësore të të dy dialekteve të shqipes.
Aleksandër Xhuvani, megjithëse nga Jugu, filloi ta shkruante gramatikën e parë të shqipes mbi bazën e variantit të Elbasanishtes, e rregullave të botuara në vitin 1917 (“Rregullat mbi orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme”). Deri këtu mund ta kuptojmë që u zgjidh edhe pika e dytë, Kodifikimi, shqipja standarde po bëhet, është në rrugë të mbarë. Mbetemi me historinë; në Lushnjë, në vitin 1920 miratohet gjithfarë është marrë vendim në Komisinë Letrare të Shkodrës, e vendoset që: “gjuha letrare mbas së cilës do të shkruheshin librat shkollorë u muer për themel dialekti i Elbasanit me disa përmirësime”. Në Tiranë gjithashtu, viti 1923, nga udhëheqësia kërkohej që të: “autorizohen zyrat kompetente që në shkrim të akteve zyrtare gjithmonë të përdoret dialekti i Elbasanit që asht pranue si nji dialekt i përbashkët e zyrtar për Shtetin tonë” . Rrugë e vështirë, por që po merrte krye, gjetëm zgjidhje edhe për pikën e tretë, Kultivimi i funksionit. Kemi një gjuhë standarde, në të cilën gërshetohen dy dialektet mjaft mirë; Jugu e Veriu, shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Askush në atë kohë nuk e vinte në dyshim pikën e katërt – Pranimin. Pa u futur në detaje, 1916-1945 bëjnë 29 vjet punë, angazhim, përpjekje, sukses, standardizim. Sepse, po, varieteti i Elbasanit, i përpunuar, gërshetonte mirë, shumë mirë, gjuhësisht Jugun e Veriun. Politika gjuhësore dhe planifikimi gjuhësor në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe të pavarësisë deri më 1944, ishin rezultat i punës me përkushtim të përfaqësuesve më në zë të inteligjencës kombëtare shqiptare të kohës jashtë çdo lloj paragjykimi a tendence dirigjiste nga shteti, pra zotëronte një koncept kombëtar dhe demokratik a liberal për politikën dhe planifikimin gjuhësor (Ajeti:2017). Por, luftërat, politika, evoluimi? Rrethana të çuditshme socio-politike, e gjejnë Shqipërinë, shqiptarin, për më tepër gjuhën, nën një sistem të ri politik. Sa hapim-mbyllim sytë, 4 fazat e standardizimit të shqipes standarde, të varietetit të Elbasanishtes, hidhen poshtë, “pa dëm të madh”, sikur të bëhej fjalë për një darkë familjare kur për çështje subjektive ndërron vendndodhjen e darkës. Pra, gjithfarë lexuam (shkruam) deri tani nga karakteri historik bëhet një legjendë, mit. Këtu fillon historia e re, historia e Realizmit Socialist, në të cilën: shkenca, historia, gjuha e kultura kalojnë nëpër filtrat e Shokut. Për t’i rënë shkelm zyrtarisht kësaj pune, rikthehemi në pikën e parë, Përzgjedhjen. A mund të quhet kalim nëpër një fazë të standardizimit, shumë të rëndësishme si Përzgjedhja, kur 1946-52 Ministria e Arsimit e Shqipërisë e Një Sistemi të Ri POLITIK vendosi që nga Jugu e në Veri të mësohej në shkolla me një variant gjuhësor të tillë, vetëm të Jugut. Pa ndonjë arsye të fortë gjuhësore? Ndër arsyet kryesore që përmenden gjuhësisht është se Veriu ka më shumë varietete edhe përbrenda llojit, ndërkaq Jugu, toskërishtja ka më pak laramani përbrenda saj.
Realiteti i ri gjuhësor për veriorët
Çuditshëm, por agimi veriorët i gjeti me një realitet të ri gjuhësor; gojën e kishin të mësuar me vokalet u-ue, por iu duhej t’i lexonin si ua... Vitet 1950-60 u punua nga zeroja, për pikën e dytë, Kodifikimin, u punua njëkahshëm me një qasje preskriptive, nga e cila nuk shqyrtohen të gjitha faktet gjuhësore, por shqyrtohen vetëm faktet të cilat subjektivisht mund të shihen si të vërtetat, ku gjuha s’merret siç është, por siç duhet të jetë, në rrethanat në të cilat ishin shqiptaret e gjuha shqipe. Tiparet gjuhësore të një skaji mëtonin ta përfaqësonin kudo shqipfolësin. U punua nga fillimi, për një punë që ishte bërë shumë mirë edhe më herët. Rezultatet ishin të pritshme, arsyet ishin jo edhe aq gjuhësore. Kur në ujë hedhim patate, s’presim të na zihet pasuli. 1967 në Tiranë u botua “Projekti i rregullave të drejtshkrimit”. Me këtë rast nënkuptohej zgjidhja përfundimtare e pikës së dytë, pra Kodifikimi. Pika e tretë, Kultivimi i funksionit, gjithashtu e rëndësishme e standardizimit, e një gjuhe standarde, unifikuese, e të gjithë shqipfolësve e kishte radhën për t’u “zgjidhur”. Si mund ta kultivosh një model gjuhësor për të gjithë folësit e asaj gjuhe, brenda dhe jashtë kufirit, kur kufiri juaj është i mbyllur, e andej kufirit, kemi rrethana të tjera socio-politike, por fatkeqësisht Shoku, edhe ata andej flasin këtë gjuhë, por jo pikërisht këtë varietet të skajit.

Konsulta e Prishtinës dhe Kongresi i Tiranës
Dhe, si do t’i iluminosh, kur dyert janë të kyçura? Ndërsa me duar të lidhura këndej kufirit, në skaj të veriut, verilindje në luftë për identitetin kombëtar, në vigjilje të demonstratave, u mbajt Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968).
“Në Kosovë një gjuhë e përbashkët shqipe nuk trajtohej si fakt gjuhësor a shkencor, por si një çështje identitare’’ (Ismajli 2005:45). Prishtina në Konsultë s’shqyrton faktin, tryezën e servisuar, ka probleme të tjera, më të rëndësishme se kjo për momentin, identitetin, prandaj, njëzëri, pranojnë Projektin e Rregullave të Drejtshkrimit të Tiranës zyrtare të vitit 1968, edhe pse deri diku u shfaqën dyshime, Jugu le që tejkaloi Shqipërinë e Mesme, Veriperëndimin, tashmë u përqafua edhe këtu në Verilindje. Po flasim për një varietet që rrugën e ka të shkëputur, nuk ka kontinuitet, të paktën edhe sot, s’e kemi parë. Që këtej, pra, jemi në fazën e pranimit, në e dekonceptualizojmë thjesht këtë punë, i bie që, sidoqoftë, e kam nënë…
Viti 1972, 20-25 nëntor, mbahen punimet në Tiranë, ndodh Kongresi i Drejtshkrimit, me një listë të gjatë profesorësh të nderuar, nga të gjitha trojet shqiptare. Kongresi i drejtshkrimit, megjithëse zgjati 5-6 ditë, natyra e tij qe përfundimtare, në kuptimin që, puna është e kryer, tani do ta zyrtarizojmë. Ndërkaq parimet e drejtshkrimit të shqipes nga aty konstatohet se janë: Parimi fonetik, morfologjik dhe tradicional. …“Parim themelor i rregullave të drejtshkrimit të shqipes të jetë parimi fonetik. Ky parim do të zbatohet në të gjitha rastet kur shqiptimi letrar paraqitet i njësuar; në këtë mënyrë do të vendoset një lidhje e ngushtë midis formës së shkruar dhe formës së folur të gjuhës letrare. Kur në shqiptimin letrar ka variante normative, drejtshkrimi do të mbështetet tek ajo trajtë që është më e përgjithshme dhe që pajtohet me prirjen e zhvillimit të sistemit fonetik të gjuhës letrare. Meqenëse shkrimi pasqyron jo vetëm strukturën fonetike, por edhe veçoritë e strukturës gramatikore, leksikore e fjalëformuese të gjuhës, rregullat e drejtshkrimit do të mbështeten edhe në parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore që shkaktohen nga ligjet e gjalla fonetike që veprojnë në gjuhën tonë. Parimi morfologjik do të zbatohet në ato raste kur parimi fonetik do të çonte në errësimin e në prishjen e strukturës së sotme morfologjike e fjalëformuese të fjalës. Parimi historik-tradicional do të pranohet në pak raste, kur në gjuhën letrare ka një traditë shkrimi të vjetër, të ngulitur prej kohësh. Rregullat e drejtshkrimit të jenë sa më të thjeshta, të qarta e përgjithësuese…” Pra, në pikën e parë thuhet që parimi fonetik të jetë parimi themelor, tingulli të shënjohet siç dëgjohet dhe të nyjëtohet ashtu siç dëgjohet. Në këtë format, një verilindor deri në moshën 12-13-vjeçare mund ta ketë fatin e tillë që kurrë mos t’i dëgjojë tingujt: -ë, q, gj, e- të nyjëtuar sipas normës së drejtë të standardit e të alfabetit të gjuhës shqipe. Prej një qasjeje psikolinguistike fëmijët në moshën 7-vjeçare veçse e kanë nxënë një gjuhë (në këtë rast varietetin nativ, dialektor). Abetarja nuk ka format të audios, mësuesin e ka të përkushtuar, por, edhe ai rrafshon mesgjuhoret -q-gj- me alveodhëmboret -ç-xh. Edhe ai e nyjëton e-në në të gjitha variantet e saj dhe jo vetëm, e nyjëton edhe si hundore e të gjatë, që për të ka funksion fonetik e fonologjik, sepse arrin të krijojë fjalë të reja. Ndërkaq në arealin e zanoreve të gegërishtes, gjithsecila prej tyre pra ka funksion fonologjik, është 100 për qind e aftë të krijojë kundërvënie kuptimore.
Mohimi i zanoreve të gjata
A janë fajtorë mësuesi, nxënësi, verilindori, që në sistemin e tyre artikulues, të dëgjuara i kanë të gjithë këta tinguj zanorë, dhe, iu duhet të provojnë t’i nyjëtojnë e shkruajnë vetëm ata të standardit, që disa prej tyre, në formën e saktë s’i kanë dëgjuar kurrë, sepse nuk iu janë ofruar? Tjetër problem i dalë nga Kongresi, në parimin fonetik, që u mbështeten më së shumti. është mohimi i zanoreve të gjata. Nëse e analizojmë thellësisht funksionin e ë-së së theksuar e patheksuar në aspektin fonetik, në gjuhën shqipe, ajo dëgjohet veç sa për t’i dhënë formën tingullore tingujve bashkëtingëllorë në gjuhë madje jo në variantin standard, por në formën e trashëguar të indoevropianishtes, si -shchwa-. E dëgjojmë edhe si nistore për standardin, por jo për veriorët, ose si mbushës verbalë – kur s’na kujtohet çfarë të themi dhe mbetemi duke thënë -ëëëë-. Në rastet e tjera, ajo ka funksion morfologjik sepse formalisht mund të ofrojë kundërvënie në trajta gramatikore por fonetikisht nuk ekziston. Në të gjitha kundërvëniet e gjinisë mashkullore- femërore- mbiemra- ndajfolje në raporte sintagmatike pothuajse të njëjta, ku theksi është parafundor, morfologjikisht shkruhet ë-ja fundore e patheksuar; dallimi fonetik bëhet në gjatësinë e zanores dhe jo praninë e ë-së fundore formale - morfologjike. Krahaso Blert- Blertë, drejt-i drejtë. A ka faj veriori?
Mendon në gegërisht mëton standardin
Nëntor 2022, në Kosovë (por jo vetëm), në skaj të veriut, Verilindje, 50 pas, në një situatë zyrtare, televizion apo mbledhje, shkollë apo kuvend, ai që mëton të thotë diçka përballet me dy probleme psikolinguistike: idenë e konceptit dhe mënyrën si ta shprehë konceptin. I kujtohen fjalët, por jo trajtat, ndihet inferior, s’ka të bëjë me fjalorin, ka të bëjë me normën. Ka të bëjë me determinizmin gjuhësor, kulturën, mendon në gegërisht mëton standardin, mbetet me mbushës verbalë e joverbalë, bëhet horë. Ideolekti, sociolekti, (netlekti), dialekti, standardi, përzierje stili, përzierje kodi; zoti hair e bëftë. E hap televizorin e dëgjon tek thotë: “Problemi esht çe femijet s’po lexojn sa duhet, tjeter problem o qe edhe mesuesit jon te pa pergatitun”. Do të thotë: ta përzien stilin 3-4 herë përbrenda 7-8 fjalëve, sepse s’ia qet goja, s’i ka organike, nuk i dëgjon tingujt, s’di si t’i thotë. S’mund të mbështetesh te varianti fonetik, kur ke kaq shumë dallime fonetike përbrenda gjuhës, prandaj ke këto telashe.
Gjuha është ajo të cilën e kemi
Ndër pikat më të mira të Kongresit të Drejtshkrimit është këshilla “Kongresi porositi që, duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj, si edhe çështjet e reja që nxjerr praktika gjuhësore, ‘Rregullave të drejtshkrimit’ t’u bëhen, në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet dhe plotësimet e duhura.” Por, kjo nuk mund të ndodhë me një qasje të këtillë, ku faktet kërkohet t’i gjejmë vetëm përbrenda standardit, sepse, faktet jashtë tij mund të jenë zgjidhja që gjuha standarde t’i tejkalojë vetëm situatat e saj formale, dhe, të flitet e evoluojë shumë mirë, por jo të mbrohet siç është, sepse s’po arrin të pranohet e ndërkaq gjuha është e të gjithë shqiptarëve. Ne për të festuar e mburrur jemi të parët, por jo, faktet në terren, faktet gjuhësore janë të tjera, janë reale, ndodhin, njerëzit komunikojnë mjaft mirë.
Meqë shqipja nuk ka zyrtarisht një normë drejtshqiptimore, pos disa rregullave fonetike që dalin nga rregullat e drejtshkrimit, po të nisë puna, të bëhen plotësimet e duhura, përvjetorët e tjerë mund t’i festojmë nëse fillojmë ta ofrojmë herët, shumë herët, te fëmijët tanë drejtshqiptimin e tingujve standardë, ata që i kemi, ama duhet t’i qartësojmë disa rregulla që veç të qarta nuk janë, dhe po, atëherë mund të ndodhë pika e katërt – Pranimi. Është shumë e thjeshtë, shqipja nuk ka model vokal, por, shqipja standarde ka format si duhet të nyjëtohen tingujt e alfabetit, rregullimin e theksit, rregullat morfologjike e gramatikore. Këto të ofrohen siç duhet në libra e televizione dhe po, mund ta festojmë përvjetorin, por jo pa plotësimet e duhura më gjithëpërfshirëse. Gjuha s’është vetëm si do të donim të ishte, gjuha është ajo të cilën e kemi.