Shtojca për Kulturë

“Generation Next” me harpë e kitare në dialog për të ardhmen

DAM Bujana Ameti

Bujana Ameti në “DAM” ka shënuar koncertin e parë në Prishtinë. Harpistja e re nga Maqedonia e Veriut, që jeton në Belgjikë, e ka nisur me veprën “Divertissements” të kompozitorit francez André Caplet

Harpistja Bujana Ameti dhe kitaristi Urim Maliqi kanë qenë dy protagonistët e “Generation Next” që nuk është thjesht një titull koncerti e platforme, por vizion e mision i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës që dëshmon të ardhmen e skenës muzikore në vend. Në qendrën “Barabar”, koncerti ka qenë një lloj recitali i dyfishtë i dy yjeve në ngritje

Me gjithë emrat e shquar në botën e muzikës klasike që shkelin skenën e festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, koncerti “Generation Next” është po aq i veçantë. Është platforma e hapësira e festivalit për muzikantët e rinj. Është një lloj rikujtese e misionit me të cilin ishte themeluar festivali: promovimi i talenteve të reja, performues e krijues. 

Harpistja Bujana Ameti dhe kitaristi Urim Maliqi kanë qenë protagonistët e këtij fragmenti të festivalit “DAM” për sivjet. 

Në qendrën “Barabar”, koncerti ka qenë një lloj recitali i dyfishtë për të dy protagonistët. Tingujt e harpës e të kitarës kanë qenë një lloj terapie për të pranishmit me veprat që tingëllojnë si rrëfime përrallore. 

E para ka interpretuar Bujana Ameti, e cila ka shënuar koncertin e parë në Prishtinë. Harpistja e re nga Maqedonia e Veriut, që jeton në Belgjikë, e ka nisur me veprën “Divertissements” të kompozitorit francez André Caplet. Pjesa e parë “A la française” ka qenë një lloj zbavitjeje harmonike moderne, shumë e këndshme për t’u dëgjuar. Një tërheqje e gishtërinjve nëpër një numër telash i paraprin veprës. Tingujt janë të butë. 

Pjesa “A l’espagnole” ka qenë me tinguj më dominues, lojë më të ashpër në pasazhe që karakterizohen me ndërprerjen e shpejtë të jehonës së tingullit. 

“E para pjesë është më e lehtë, më ritmike, ndërsa e dyta është më e vështirë sepse ka teknika të ndryshme të harpës dhe e jep energjinë e muzikës spanjolle”, ka thënë harpistja Ameti. 
“Carneval de Venise, op.184” e kompozitorit e harpistit belg, Felix Godefroid, ka qenë shumë më melodike e ritmike, intime dhe romantike në të njëjtën kohë. E krejt këto ia japin fuqinë e hipnotizimit me tinguj njësoj si vetë loja e Ametit që duket si koreografi më vete. 

Harpistja Ameti ka thënë se kjo vepër ka qenë më e vështira në repertorin që e ka luajtur të premten mbrëma. 

“Ndihem mirë të luaj në Prishtinë për herë të parë sepse pjesët e harpës nuk njihen shumë në botën e muzikës. Të gjitha veprat janë të vështira në mënyrën e vet, por ‘Carneval de Venise’ e Felix Godefroid është pjesa më e vështirë në repertor”, ka thënë ajo.

E fundit vepër që ka interpretuar ka qenë “Duaje emrin tënd” e Thomas Simakut si vepër melankolike. 
Bujana Ameti u lind në vitin 2005 në Belgjikë dhe filloi ta mësojë harpën në moshën tetëvjeçare. Ka fituar çmime të rëndësishme përfshirë “Premier Prix” në “Concours Français de la Harpe” më 2018. Ajo ka studiuar me harpistë të njohur si Catherine Michel dhe Sivan Magen. Aktualisht ndjek studimet në Konservatorin e Detmoldit në Gjermani. 

Ameti ka performuar në festivale të rëndësishme si “Arte Amanti” dhe ka qenë pjesë e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor. Siç shkruhet në prezantimin për të, ajo ëndërron të hapë një klasë për harpë në hapësirat shqiptare. 

Ajo e kitaristi Urim Maliqi kanë sjellë repertorin që prek barokun, romantizmin e deri në veprat bashkëkohore. Stile të ndryshme e vepra virtuoze ka sjellë kitaristi Maliqi. “Suita për violonçel nr.1 në g-dur, BWV 1007” e Johann S. Bach, aranzhuar për kitarë nga profesori i ndjerë Valter Deshpali ka qenë rrëfim magjik muzikor e shpalosje dinjitoze e shkathtësive të kitaristit të ri. 
Ai ka interpretuar edhe veprat “Capriccio Diabolico” të kompozitorit italian Mario Tadesco dhe “Suitë spanjolle Nr.1, Op,47” të kompozitorit spanjoll Isaac Albéniz. Koncertin e ka përmbyllur me “Ballet” të kompozitorit kuban, Manuel Barrueco. 

Maliqi ka thënë se ka qenë ndjenjë e veçantë të interpretojë në festivalin ku emra të skenës ndërkombëtare të muzikës klasike po sjellin lojën e tyre. 

“Në këtë program kam zgjedhur vepra nga kompozitorë të ndryshme, me minutazh 25 minuta. Është vështirë të interpretohet muzikë klasike sepse duhet shumë përkushtim dhe kohë e gjatë për t’u profesionalizuar, por unë jam shumë i nderuar që jam ftuar të luaj në këtë koncert”, ka thënë ai. 

Stile të ndryshme e vepra virtuoze ka sjellë kitaristi Urim Maliqi

Urim Maliqi ka filluar të studiojë kitarën klasike në moshën shtatëvjeçare në shkollën e muzikës në qytetin e Gjilanit. Ai ka studiuar me pedagogët Korab Kallaba dhe Drilon Çoçaj. Nën mentorimin e këtij të fundit ka përfunduar studimet në nivelin bachelor në Universitetin e Prishtinës. 

Repertori përfshin vepra që ka studiuar në këtë institucion. I ka konsideruar pjesë të bukura, por edhe të vështira për t’u interpretuar. 

“Programi është i përzgjedhur prej veprave që i kam pasur gjatë studimeve, e sidomos në vitin e fundit me të cilat kam pasur rastin ta përfundoj diplomën”, ka thënë Maliqi. 

Ai ka marrë pjesë në gara ndërkombëtare duke fituar shumë çmime të para dhe të dyta. Sipas prezantimit të tij, ishte pranuar të ndiqte studimet në konservatorin “ESMD” në Lille të Francës, por për shkak të pandemisë kishte vazhduar studimet në UP. Deri më tani ka mbajtur shtatë koncerte recitale dhe ka ndjekur masterklasë me kitaristë të njohur si me polakun Lukasz Kuropaczeëski dhe me Petrit Çekun. 

Bashkëthemeluesja e festivalit “DAM”, Rreze Kryeziu-Breznica, ka thënë se koncerti “Generation Next” që u dedikohet muzikantëve të rinj është më i dashuri për ta si organizatorë. 

“Koncertet që i kemi më së shumti zemër janë këto të cilat u dedikohen muziktarëve të rinj, gjeneratës së re dhe shumë premtuese që kemi, tashmë pjesë integrale jo vetëm e festivalit, por e skenës performuese kosovare në tërësi. Është platformë të cilën e kemi titulluar ‘Generation Next’ brenda përbrenda festivalit, por që ky koncert që ne po e jetësojmë në secilin edicion mision të cilin ia kemi caktuar vetes para 19 edicioneve dhe ky është pikërisht krijimi i hapësirave, mundësive dhe promovimi i muziktarëve të rinj, qoftë krijues e performues”, ka thënë ajo.

Ka thënë se programin e kanë zgjedhur bashkërisht me dy instrumentistët, të cilët i ka vlerësuar yje në ngritje në botën e muzikës klasike. 

“Një përvojë mjaft unike sepse kemi kombinimin e dy recitaleve, në harpë dhe në kitarë. Bujana dhe Urimi, që të dy yje në ngritje, sot para nesh sjellin një rrugëtim nga muzika klasike te modernia me vepra të kompozitorëve që padyshim vënë në pah edhe virtuozitetin e këtyre dy muziktarëve të rinj”, ka thënë Kryeziu-Breznica.