Me ndarje çmimesh, Festivali i Teatrove në Ferizaj ka mbyllur edicionin e 54-t, “Tartufi” i Teatrit të Gjilanit është fituesi i shumëfishtë, por mbi të gjitha fitues në një ngjarje si kjo është teatri. Ceremonia e përmbylljes dyzon historinë e rrugëtimit të një ngjarjeje si kjo, lindjen dhe rezistencën e tij kur teatër bëhej edhe ilegalisht e që tash feston lirinë, e sfidë është akomodimi i publikut të shumtë
Pjesë e aktivitetit të teatrit të qytetit të Ferizajt, Festivali i Teatrove zhvillohej edhe në rrethana e kushte të jashtëzakonshme. Kur teatri u mbyll, plejada e shtëpisë së artit skenik ua mësyu shtëpive e objekteve fetare. Sivjet, Festivali mbushi plot 54 edicione zyrtarisht, ndonëse është bërë e ditur se ngjarja organizohej nëpër qytete të ndryshme edhe para 1970-s që konsiderohet vit i themelimit të njërës prej ngjarjeve më të vjetra në vend e në rajon.
I largët është imazhi i ngjarjes dikur me të sotmin. Shenjat e Festivalit tash janë kudo dhe haptazi thërrasin publikun për të ndjekur rrëfimet e radhës që vijnë nga arti teatror në një tjetër edicion. Në kohë moderne, shfaqjet e autorëve të shquar të teatrit janë pasqyrim i vlerave të institucionit. Krijimet e reja flasin për aktualitete e situata në të cilat shoqëria ndodhet dhe fenomene që e rrethojnë.
Ilegaliteti si rezistencë
Teatri “Adriana” është hapësira qendrore ku Festivali i Teatrove në Ferizaj e shtrin programin. Një krahasim i imazhit të hapjes dhe mbylljes së ngjarjes është tregues se numri më i madh i publikut është i rregullt në ngjarjen me traditë. Posterë me programin e festivalit, flamuj që valëviten nga era e lehtë e mbrëmjes, janë shenjat. Dritat e përhershme aty para hyrjes së teatrit e bëjnë të ngrohtë hapësirën. E kaltra ka qenë ngjyra e festivalit sivjet.
Salla për shfaqje ka qenë plot në hapje e në mbyllje, të cilat ngjarje KOHA i ka ndjekur nga afër. Ulëset nuk kanë qenë të mjaftueshme e shikuesit kanë vërshuar edhe dy korridoret e sipërme, anash skenës. Me shumë ngjyra ka qenë skena në të cilën çdo natë është sjellë skena muzikore me bende e muzikantë të njohur. Këtë seri e ka përmbyllur bendi nga Shkupi “Blla, blla, blla”, të premten vonë.
E fundit shfaqje për këtë edicion ka qenë “Togeri i Inishmorit”, produksion i teatrit “Adriana” në Ferizaj, me tekst të britanikut Martin McDonough nën regji të maqedonasit Gjorgji Rizeski.
Me këtë shfaqje teatri e kishte mbyllur sezonin në fund të qershorit. Ajo nëpërmjet terrorit e lufton terrorizmin dhe vjen si satirë ndaj natyrës së njeriut. Është dëshmuar si shfaqje shumë më ndryshe nga çfarë zakonisht teatri ka në repertor.
Rrëfimi vendoset në Irlandën e viteve ’90. Kryepersonazhi është një lloj ndëshkuesi i fenomeneve negative në shoqëri. Një pjesëtar i ushtrisë së Irlandës, Mad Padraic, e keqtrajton një shpërndarës droge. Kjo është si një lloj introje e shfaqjes.
Por drama kryesore fokusohet në gjetjen e vrasësit të maces së tij, të cilën e do më shumë se gjithçka. Kryepersonazhi Padraic, të cilin e luan aktori Blin Mani, kthehet në shtëpinë e tij në ishullin Inishmore, ku mëson se macja e tij nuk është sëmurë, por është vrarë. Synon hakmarrjen. Vret katër njerëz dhe mace të tjera.
“Togeri i Inishmorit” flet për një gjeneratë të re të dhënë pas dhunës. Personazhet janë kryesisht të rinj dhe kjo e bën më të çuditshëm rrëfimin. Vetë shfaqja vendoset në një botë e rrethana të çuditshme. Është shfaqje e atillë që fatin e maces e vë para atij të njeriut.
Vrasja e kryepersonazhit është drama e fundit në shfaqjen “Togeri i Inishmorit”.
Aktori Ali Krasniqi që e luan Jamesin, një kriminel i ndëshkuar nga kryepersonazhi, ka thënë se shfaqja ka qenë përvojë e re për të.
“Në shfaqjen ‘Togeri i Inishmorit’ e luaj Jamesin, një kriminel dhe një viktimë e Pandrekut. Ka qenë përvojë e re për mua pasi regjisori ka qenë maqedonas. Pos kërkesave të tij ishte edhe shumë bashkëpunues, kishte një harmoni kërkesash midis nesh dhe atij dhe kështu arritëm ta bëjmë një rol të pëlqyeshëm besoj për publikun”, ka thënë aktori Krasniqi.
Për festivalin në kuadër të cilit kanë interpretuar e të cilin e organizon institucioni në të cilin është i angazhuar, ka thënë se i jep secilën herë ngjyra e gjallëri komunitetit artistik.
“Është ndër festivalet më të vjetra jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion. Festivali është festë. Bashkon njerëz e artistë dhe çmimet janë më pak të rëndësishme karshi emocioneve që na ofron publiku”, ka thënë Krasniqi.
Festivali i Teatrove në Ferizaj është pasqyrë e angazhimeve pa kompromis të komunitetit artistik për ta mbajtur gjallë jetën kulturore. Nuk u ndal para asnjë rrethane a ngjarjeje.
Dashuri Rexhepi është një prej aktorëve të kësaj plejade. Ai ka thënë se festivali ka kaluar nëpër sfida të papërshkrueshme.
“Me iniciativën e disa miqve në atë kohë, kur u mbyll teatri, në vitet ’90, ne veç filluam të gjejmë vende të tjera për ta mbajtur atë gjallë. Njerëzit na kanë ofruar shtëpi private, kemi mbajtur aktivitete në tavanet e podrumet e shtëpive, gjithkund, vetëm të mos e ndalim aktivitetin. Ka qenë periudhë e rëndë pasi kjo që bënim ka qenë e rrezikshme, por ka qenë dashuria e madhe për teatrin që na ka bërë të vazhdojmë”, ka thënë Rexhepi duke kujtuar hapësirat e pazakonta që kishin shfrytëzuar si skena për shfaqjet e tyre.
“Ka qenë rast unik kur kemi bërë shfaqje edhe në Kishën Katolike. Prifti na e ka lënë në shfrytëzim. Për shkak të pamundësisë për të shfrytëzuar teatrot, shfaqjet i kemi dhënë nëpër kishat e qyteteve të Kosovës”, ka kujtuar ai.
Ka thënë se festivali u sjell shumë kujtime ngjarjes në të kaluarën. Gjallëria, liria, mbështetja e programi më i zgjeruar sipas tij janë dallimet atëherë dhe sot.
“Festivali është bartur në disa qytete. Pjesëmarrja e atëhershme me sot është më e madhe, mirëpo edhe pse e rrezikshme ka qenë shumë e kënaqshme për ne. Nuk mund t’i harroj ato vite. Gjithçka na kujton Festivali. Në vitet e fundit ka ndryshuar pak, atëherë ka qenë garues, kanë marrë pjesë gjithë shfaqjet dhe ka pasur debat për çdo natë, për çdo shfaqje, quhej ‘Tryeza e rrumbullakët’ ku njerëzit debatonin për shfaqjen. Tash ka ndryshuar, besoj për të mirë”, ka thënë Rexhepi, pjesë e stafit të Festivalit të Teatrove në Ferizaj.

Sfida me publikun
Drejtori i teatrit “Adriana” në Ferizaj, Fatmir Hyseni, ka thënë se festivali ishte organizuar edhe në Preshevë e Prizren midis tjerash, por se prapë ishte kthyer në origjinë, në Ferizaj.
“Festivali ka traditë jashtëzakonisht të gjatë, ne vetëm e kemi vazhduar rrugën e atyre që e kanë themeluar në vitin 1970 ku ka filluar së pari herë pasi ka informacione se ka filluar shumë më herët, por në atë kohë është mbajtur në regjione. Prej atëherë ka vazhduar pa ndërprerje. Festivali ka pasur ecje interesante, më parë është mbajtur festivali amator para lufte, është organizuar nëpër shtëpi, ka qenë ilegal. Kemi shfrytëzuar edhe kafiteritë për organizimin”, ka thënë ai.
Ka thënë se sfida më e madhe e festivalit ka qenë dhe vazhdon të jetë akomodimi për gjithë publikun.
“Teatrot në përgjithësi kanë rritje të vlerave kurse me publikun pas pandemisë kemi zvogëlim të numrit, nuk e di a është një ndryshim i gjeneratave, por sfidë Festivali i Teatrove e ka pasur, siç e kam përmendur gjithmonë, që nuk kemi pasur bileta të mjaftueshme. Publik ka pasur gjithmonë, ka prapë por dallon prej më parë”, ka thënë ai.
Drejtori i FTF-së, regjisori Besim Ugzmajli, e ka vlerësuar ngjarjen si një prej më të rëndësishmeve në fushën e teatrit.
“Pas tetë shfaqjeve të jashtëzakonshme e shumë reprezentative nga teatrot nga Tirana, Shkupi, Prishtina, Gostivari, Durrësi, Prizreni, Gjilani e Ferizaj, jemi bashkë në mbylljen e edicionit të 54-t të Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Për gjashtë net me radhë ndoqëm prurje ndër më të mira mbarëkombëtare, performancën e jashtëzakonshme artistike të punuar nga Gjorgj Rizeski - ‘Lufta IV Botërore’ por gjithashtu ekspozitën të kuruar shumë mirë ‘Teatri ilegal’, panele diskutimi me shumë përmbajtje e ndejat e jashtëzakonshme këtu në oborrin e teatrit”, ka thënë Ugzmajli nga skena, pak para se të nis ceremonia e ndarjes së çmimeve të edicionit të 54-t të festivalit.
Fitorja e “Tartufit” dhe epilogu me mesazhe
“Tartufi” i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, është shfaqja fituese në Festivalin e Teatrove në Ferizaj për sivjet.
Drejtori i këtij institucioni, Erson Zymberi, pasi ka pranuar çmimin ka falënderuar festivalin e regjisorin e shfaqjes.
“Faleminderit teatrit ‘Adriana’, Festivalit të Teatrove në Ferizaj dhe më së shumti Qëndrimit që me punën e tij ka arritur të krijojë një shfaqje e cila uroj të ketë jetë të gjatë. Ne e kemi prodhuar ‘Tartufin’ në dhjetor të vitit të kaluar dhe e ka ndjekur edhe një rrugë shumë të mirë të shfaqjes ‘Fausti’ të profesorit Fadil Hysaj”, ka thënë Zymberi.
Shfaqja me tekst të Molièrit nën regji të Qëndrim Rijanit, pos çmimit kryesor – atë për shfaqjen më të mirë – ka marrë edhe çmimin për regjinë më të mirë.
“Është hera e dytë që marr çmim, por hera e parë që flas në publik. Faleminderit shumë Teatrit të Gjilanit që përzgjodhi që unë të punoj me ta, faleminderit gjithë trupës që arritën ta bënin këtë shfaqje. Gjithë njerëzve që e kanë bërë këtë festival për vite me radhë dhe ku pos që marrim çmime ka rëndësi edhe për shkak të moshës që ka”, ka thënë regjisori Rijani.

Ndërsa çmimi për rolin më të mirë episodik ka shkuar për aktorin Alban Shahiqi për rolin në shfaqjen “Tartufi”.
“Ndihem shumë i privilegjuar, faleminderit jurisë që ma ka vlerësuar rolin, regjisorit për rolin që e kemi punuar bashkë. Kam marrë edhe çmime të tjera por për këtë rol ndihem shumë i vlerësuar sesa rolet që kam marrë më parë”, ka thënë Shahiqi në skenë pasi ka pranuar çmimin.
Po nga kjo shfaqje, Aurita Agushi ka marrë çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor.
“Tartufi” ishte dhënë premierë në Teatrin e Gjilanit në dhjetorin e vjetëm. Duke i qëndruar besnik thelbit të origjinalit, gërsheton mjeshtërisht çështjet bashkëkohore, duke krijuar një eksperiencë klasike teatrale. Ishte vlerësuar që ripërpunimi i “Tartufit” i flet qartë të sotmes me gjithë prezencën e pashlyeshme të fenomeneve negative që e përcjellin shoqërinë. Shkon përtej kësaj dhe prek edhe etjen për pushtet e vërtetësinë e qëndrimeve të pushtetarëve.
Çmimin “Ismail Rama” për aktorin më të mirë e ka marrë Ernest Malzogu për rolin në “Audienca” me tekst të Vaclav Havel, nën regji të Bashkim Ramadanit, produksion i teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit.
Malazogu në skenë ka theksuar emrat e figurave të shquara prej të cilëve emërtohen institucionet teatrore.
“Në teatrin që mban emrin e Adriana Abdullahut mora çmimin ‘Ismail Rama’ për shfaqjen e teatrit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren”, ka thënë shkurt aktori në skenë.
Çmimin “Adriana” për aktoren më të mirë e ka marrë Suela Bako për rolin në shfaqjen “Çifti i hapur” nën regji të Sulejman Rushtit, produksion i Teatrit të Gostivarit.
Çmimi për kostumografinë më të mirë ka shkuar për Yllka Bradën për shfaqjet “Kamarja e turpit” të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe “Tartufi” të Teatrit të Gjilanit.
Çmimin për skenografinë më të mirë e ka marrë Enes Deari për “Mish i egër”, produksion i Teatrit Shqiptar të Shkupit me tekst të dramaturgut Goran Stefanovski, nën regji të Martin Koçovskit, e cila të dielën e kaluar e hapi Festivalin.
Juria ka qenë në përbërje prej regjisorit Fadil Hysaj dhe aktoreve Luli Bitri e Albulena Kryeziu-Bokshi.
“Ka qenë kënaqësi e madhe t’i përzgjedhim gjashtë shfaqje. Publiku në Ferizaj na ka dhënë emocione të jashtëzakonshme. Ka qenë vërtet punë e vështirë jo për klishe por kemi pasur emra, shfaqje shumë të mira dhe produksione shumë të mira. Nuk ka qenë aspak punë e lehtë, sidomos për mua që isha për herë të parë në këtë juri”, ka thënë Kryeziu-Bokshi në skenë, para se të nisë ceremonia e ndarjes së çmimeve.
Çmimet janë epilogu i një feste për teatrin. Mbi të gjitha për mbijetesën dhe fuqinë e tij. Festivali i Teatrove në Ferizaj është shembull unik.