Shtojca për Kulturë

Shenka – ylli i viteve ‘80 që iku në heshtje

Shermin Zaimi – Shenka në “Akordet e Kosovës” më 1984

Historia e muzikës në Kosovë ka emra të shquar e të harruar. Por Shermin Zaimi – Shenka shënoi një kapitull me peshë. Kur hyri në skenë në vitet ’70 u paralajmërua si yll në ngritje, por u shua shpejt. Vdiq tragjikisht më 2006, duke lënë prapa suksese si ato në “Akordet e Kosovës” e në “Jugovizija”. Zëri i saj ka përjetësuar edhe këngën “Qyteti im” në turqisht, e cila më 1984 ishte një vepër krejt unike. I dedikohet Prishtinës, aty ku këngëtarja nga Mitrovica kaloi si në heshtje vitet e fundit të jetës. Kolegë të saj e kujtojnë si personalitet unik, por një artikull i botuar më 2016 në një revistë turke – i cili botohet pa ndërhyrje – sjell një rrëfim jetësor të padëgjuar më parë, nëpërmjet kujtimeve personale për të.

Përgjatë dekadave, skena muzikore e Kosovës është shoshitur nga shumë gjurmë të artistëve, por ka nga ta shenjat e të cilëve me kohë janë gati ndoshta të paidentifikueshme, të destinuara për t’u harruar. Ka histori e rrëfime të cilat nuk njihen fare, ka nga to për të cilat dihet pak, jo sa duhet, por ka të tilla të cilat mbesin në gjysmë duke çjerrë për t’u përfunduar. 

Por ngjan që ky të mos jetë edhe fati i historisë së Shermin Zaimit – Shenkës, këngëtares nga Mitrovica e cila vdiq tragjikisht më 2006, në moshë të re. 

Katër dekada e gjysmë jetë ishin një parakalim i saji në këtë botë mes muzikës, sharmit e zërit karakteristik. Por, tash, rrëfimi i saj ka nisur dhe pret të zbulohet e të ndrisë kujtimin për të. 

“E njohin Sherminin, i madh e i vogël në Mitrovicë. Jo pse është nxënëse shembullore, por e njohin si vashëza me zë bilbili, me atë zë të bukur e melankolik, si këngëtare të re që s’e ka shoqen [...] Edhe ndonjë ditë e ajo do të bëhet këngëtare në zë”, do të ishin disa nga rreshtat plot shpresë që do të shkruheshin për Sherminin në vitin 1974, kur ajo ishte 13-vjeçare, por e spikatur që në atë moshë nga shtypi i kohës, nga e përditshmja “Rilindja”. Ajo do të zinte vendin e saj në skenën muzikore qysh në vegjëli për të prekur pastaj edhe skenat më me nam të kohës. Emri i saj do të bëhej pjesë edhe e festivalit “Akordet e Kosovës” duke fituar disa herë çmimet si “Mikrofoni i artë” dhe “Mikrofoni i argjendtë” përgjatë pjesëmarrjeve të saj në këtë festival. Emri i saj për shumëkënd që ka jetuar kohët e arta të muzikës kosovare asocion në plot sharm dhe origjinalitet. 

Në vitin 1986, ajo bashkë me Ferki Shalën, ish-solistin e rock-grupit “TNT” , dhe me Ivana Vitaliq, do të përfaqësonin Kosovën në garën muzikore “Jugovizija”. E këtë eksperiencë, Ferki Shala e kujton me plot nostalgji, teksa vlerëson çdo element karakterizues të artistes Zaimi. 

“Kemi bashkëpunuar me Shenkën për këngën e ‘Jugovizija’ dhe më kujtohet shumë mirë kur ishim në studio, ajo e jepte vetën një qind për qind dhe mundohej të ndihmonte dhe Ivanën në këndim që t’ia lehtësonte edhe asaj punën”, kujton Shala në një deklaratë për KOHËN. Thekson pjesë të karakterit të saj të cilat duket t’i kenë ardhur si vrull kujtimesh pas përplasjes së tij me pyetjen se kush ishte Shenka. 

“Ajo ishte një vajzë e cila shkëlqente edhe në skenë, por edhe jashtë saj. Përveç këndimit të mrekullueshëm në gjuhën turke, ajo ka qenë shumë e mirë edhe në pop e në rock, në jazz, ka mundur të këndojë gjithçka. Përndryshe tingulli i zërit të saj kur këndonte këngët e Stevie Wonder ishte diçka që na mahnitke të gjithëve në shoqëri. Shenka ishte një shoqe e mirë, ka pasur kujdes gjithmonë që mos ta ofendojë dikë, ka pasur shumë prirje për humor, ka qenë ndër të rrallat që e jepte shpirtin për shoqërinë”, ka thënë ai.

Sipas tij, vdekja e Shermin Zaimit, ka lënë zbrazëti në kulturën e Mitrovicës dhe jo vetëm. Ai kujton edhe herën e fundit kur kishin komunikuar. 

“Herën e fundit kur e kam parë, më tregonte se është duke e përgatitur një plan për të ikur jashtë Kosovës, sikur edhe ndodhi pastaj ajo që na tronditi të gjithëve. Me vdekjen e saj është fikur një pjesë e madhe e kulturës në Mitrovicë”, ka thënë Shala. 

Në vitin 1984, Shenka do të rrëmbente çmimin e dytë në “Akordet e Kosovës” me këngën “Qyeteti im”, kushtuar Prishtinës, nga autori Shemsi Megjuani, ndërkaq një vit më pas, në vitin 1985, ajo do të merrte pjesë dhe në njërën ndër paraqitjet e saja të fundit. “Koncert për UNICEF-in” më 1986 ishte një ngjarje e organizuar nga Radio Prishtina e cila në atë kohë kishte bërë bashkë solistë si Nazmije Hoxha, Liliana Çavolli, Sabri Fejzullahu e bashkë me ta dhe Shenka. 

Por historia e saj nuk është vetëm kaq, e mbushur me detaje të shumta që çojnë drejt fundit të saj të beftë. Ajo fton në historinë e saj tek ofron një realitet të mbushur me ambicie e ëndrra që nuk patën epilogun e dëshiruar. 

Por që zëri i saj të dëgjohet e të kujtohet nga e para, sebep ishte bërë po një këngë, kur në vitin 2016, në revistën turke “Dergi OT” u publikua një shkrim nga autorja turke Jehan Barbur e cila sjell një copëz nga historia e Shermin Zaimit e rrëfyer nga disa subjekte të ndryshme të cilëve u është përthyer rruga me Shenkën. Është lloj letërkëmbimi midis autores Barbur dhe mbesës e kolegëve të dikurshëm të Shenkës. Teksti i Barburit botohet pa ndërhyrje.

Teksti i Jehan Barbur dhe rizgjimi i një historie

Më 14 korrik (2016) një e-mail gjeti rrugën për në adresën time. Mes dhjetëra mesazheve të fansave e admiruesve të mi, ky mesazh ishte krejtësisht ndryshe... Një zonjë e quajtur Lejla Zaim shkruante: 
“Kënga ‘Geç Kalmış Şermin'in Yeri’ (I vonuar është vendi i Sherminit) zë një vend shumë të veçantë në zemrën time. Më duket se ju vetë e keni shkruar tekstin e saj. Nuk e di me çfarë ndjesie e ke shkruar, por do të tregoj një histori. Historinë e hallës sime... Emrin e ka pasur Shermin. E kam humbur në vitin 2006... Jam nga Kosova, kemi emigruar familjarisht në Turqi. Halla ime e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Kosovë. Siç e dini, atje ishte luftë, halla ime ka përjetuar shumë gjëra atje. Por kishte ende shumëçka që nuk i jetoi dot. U mbërthye në një shtëpi, në një qytet; E di që kështu përfundoi jeta e saj. Unë ndiej një lidhje të ngushtë mes tekstit të këngës suaj dhe historisë së hallës... Halla ime ka kënduar dhe mendoj se më së shumti është mërzitur që nuk iu dëgjua zëri. Do të doja t'jua dërgoja videot e saj. Do të ishte shumë gjë e veçantë për mua në rast se ju do ta dëgjonit zërin e saj. Faleminderit, Lejla Zaim” 

Kështu, duke klikuar në videot e dërguara në YouTube, takoj Shermin Zaimin, e njohur ndryshe si Shenka, dhe zërin e saj. U mahnita nga bukuria dhe fisnikëria e saj. Kishte edhe informacione të tjera të shkruara në e-mail. Po më ngatërronin mendimet. Kjo histori më vinte në mendje gjatë gjithë kohës, vazhdimisht. Ata që iu ndërpre zgjimi në jetë, ata njerëz të bukur që ju mbetën sytë me drejtim nga jeta... Muaj më vonë, vendos ta thërras Lejlën, mbesën e Shenkës. I ofroj një intervistë. Ajo pranon; sepse në fakt edhe ajo vetë dëshironte që kjo histori të zgjohej dhe të përfundonte. I kërkoj të sjellë disa fotografi me vete. Kishte boshllëqe edhe tek ajo, sa i përket hallës dhe jetës së saj; Kishte shumë gjëra, të cilave as ajo nuk mund t'iu jepte kuptim... Ndër fotografitë që shpërndamë në divan, më bien në sy dy fotografi të veçanta të Shenkës, të realizuara me Suzan Kardeş dhe me İskender Paydaş. Mendoja me vete se si të plotësohen disa boshllëqe së paku... Dëgjoj nga Lejla për hallën e saj dhe një ditë më vonë e telefonoj Suzanin. 

“Mos më thuaj zonja Suzan, më thuaj Suzan”, thotë ajo, duke shtuar, “Shiko, Shenka na bashkoi”. Teksa fliste, merrte frymë, në një moment heshtte dhe qante... po i bëja bashkë disa copëza nga ato që më tregonin Suzani dhe Iskender Paydaşi, me të cilët fola më pas. Unë them se me këtë që po bëj vetëm mbaj një amanet; Siç them gjithmonë... Çdo histori ka nevojë për një njeri që ta ruajë atë...

Fillimisht do ta njihni Shermin Zaimin nga Lejla, më pas nga İskender Paydaş dhe Suzan Kardeş; këtë histori pak të njohur, të cilën mund ta prekim me kujdes. Pastaj dëgjoni zërin e saj. Shikoni fytyrën e saj të bukur... Sikur të kishim mundësinë të plotësonim pjesë nga këto jetë të mbetura në gjysmë... 
Lejlës: Më vjen mirë që më ke shkruar, kështu të njoha ty dhe Shenkën...

Suzanit: Më the: “Dua që të gjithë të dëgjonin muzikën e saj të bukur, zemrën e saj të mirë”... Nëse munda të ndihmoj sadopak në këtë gjë, të faleminderit jetë!

Iskenderit: Mirë që paskeni mundur të ktheheshit disi në Turqi... Përndryshe, edhe historia jote do të kishte humbur mbase.

Faksimile e faqes së “Rilindjes” më 1974 paralajmëronte ardhjen e yllit muzikor kur Shkenka ishte 13-vjeçare

“Historia e hallës më ka mërzitur gjithmonë...” 

Lejla Zaim: “Historia e hallës më ka mërzitur gjithmonë dhe fakti që mbeti e pambaruar dhe që nuk e njihja plotësisht më emocionoi akoma më shumë kur dëgjova këngën tuaj. I dërgova një e-mail dikujt për herë të parë në jetën time. Dhe ajo jeni ju. Mendova se do ta kuptonit këtë ndjenjë timen dhe do ta ndanit atë me mua. 

Halla ime ka lindur në vitin 1961 në një qytet të vogël të quajtur Mitrovicë, në Kosovë. Në fakt, edhe unë kam lindur atje, në qytetin që më parë njihej si Mitrovica e Titos… Halla ime ishte më e vogla e familjes… Ne ishim një familje turke që jetonim në Kosovë për një kohë të gjatë. Meqenëse unë dhe familja ime emigruam nga Kosova në Turqi në vitin 1992, nuk e njihja shumë mirë hallën time. Duke qenë se vitet 1970 përkonin me periudhën e Titos dhe mbretëronte komunizmi, në Kosovë kishte një mjedis relativisht më të rehatshëm jetese. Familja ime kishte qenë shumë e lumtur. Serbë, shqiptarë, turq; një mjedis paqësor ku jetonin të gjithë së bashku... Por me vdekjen e Titos në fund të viteve 1980, gjërat filluan të ndërlikoheshin. Edhe pse nuk kishte ende luftë, familja ime u shqetësua dhe migroi në Turqi. 

Halla ka studiuar për kimi në Shkollën e Mesme Teknike. Por ajo mundi ta ushtronte profesionin e saj vetëm për një kohë të shkurtër. Që në rini ishte marrë më së shumti me muzikë sepse e kishte pasion të madh muzikën. Ajo ishte e dhënë pas muzikës rock, si dhe këndonte muzikën klasike turke dhe këngët popullore të Ballkanit. Ajo e admironte shumë Stevie Wonderin dhe i këndonte këngët e tij jashtëzakonisht mirë. Megjithatë, ajo më së shumti këndoi muzikë klasike turke në radio dhe në skenë. E siguronte jetesën e saj nga muzika deri në vitin 1990, kur erdhi në Turqi. Ajo erdhi në Turqi pasi u martua me një boshnjak, por që jetonte në Turqi. U divorcua në vitin 1993 dhe u kthye në Kosovë. Vazhdoi të bënte muzikë derisa shpërtheu lufta. Madje përfaqësoi Kosovën në Eurovizion në vitin 1986 me një grup.


Kënga “Qyteti im” kënduar nga Shermin Zaim


Edhe pse para se të niste lufta kemi emigruar me familje në Turqi, halla ime ka qëndruar në Kosovë me prindërit e saj. Kur shtëpia e tyre u shkatërrua në luftë, u zhvendosën në një apartament. Ajo kurrë nuk mundi ta rikuperonte veten financiarisht dhe moralisht. Pas luftës, kur shteti filloi t'i punësonte gratë si ushtarake me pagesë që të mos mbeteshin pa zgjidhje, halla ime e shfrytëzoi këtë mundësi dhe punoi tre-katër muaj në një degë ushtarake. Meqenëse ne kishim mundur të shkonim përsëri në Kosovë vetëm në vitin 2005, ishim shumë larg me lidhjet dhe atë se çka ngjante atje. 

Halla ime ishte një grua shumë naive dhe humaniste. Kështu e kujtoj. Pas luftës ajo kaloi kohë të vështira deri në ditën kur vdiq, në vitin 2006. Lufta krijoi dëme të rënda psikologjike dhe vështirësi financiare. Në pamundësi për të gjetur një punë apo për të vazhduar karrierën e saj muzikore, asaj iu desh t'ua vinte pikën shumë ëndrrave. Një pjesë të madhe të jetës së saj, kaloi periudha të vështira në pjesën jugore të Mitrovicës, aty ku jetonte me gjyshin dhe gjyshen time.

Dhe pastaj…

“Viti 2006... Gjyshi dhe gjyshja ime ishin zgjuar në mëngjes nga një zhurmë që dëgjuan në banesën ku banonin. Një i afërm i yni që po dilte nga banesa kishte parë një trup të pajetë në fund të hyrjes së banesës. Kur e kuptoi se kush ishte, kishte lëshuar një britmë të madhe që ishte dëgjuar gjithkund. Pak para lindjes së diellit, halla ime ishte hedhur poshtë nga pushimorja e shkallëve të banesës ku banonin. Bëri vetëvrasje. 

E kam menduar shumë arsyen që e shtyu ta bënte atë. Janë qindra pyetje pa përgjigje brenda meje... 
Pak para vdekjes së saj, halla ime kishte ardhur në Turqi. Lajmi i vetëvrasjes së saj që erdhi pas pak, i tronditi të gjithë, veçanërisht babanë tim; Askush nuk mund t’i jepte kuptim asaj se çfarë ndodhte. Mendoj se lufta dhe jeta në të cilën ajo mbeti më pas, e tërhoqi atë shpirtërisht në humnerë. Sapo kisha filluar të ndërtoj një marrëdhënie me të. Me sa mbaj mend, ajo ishte një grua ndryshe dhe e veçantë. Ajo ishte shumë energjike; Më kishte treguar dikur edhe historinë e jetës së saj. Nuk më kujtohet saktësisht se çfarë më kishte thënë; Do të doja shumë t’i kisha shkruar të gjitha; Por ajo që më kujtohet ishte se sa shumë kishte përjetuar dhe nga ç'aventurë emocionuese jetësore kishte ardhur. Ajo gjithmonë tregonte histori, pa pushuar. Unë isha gjithmonë e mahnitur pas saj. E shihja si një grua të gjallë, e të ndjeshme që e jetonte jetën në maksimum. Vetëvrasja e saj në moshën 44-vjeçare më lëndoi thellë.. Pas vdekjes së saj, për disa arsye, nuk fola kurrë më gjyshen, gjyshin apo xhaxhallarët për hallën time. Emri i saj përmendet gjithmonë në bisedat familjare, por për disa arsye kurrë nuk munda të thellohesha shumë në të.

Babai im thoshte gjithnjë për hallën time: “Halla jote ishte shumë e mirë për këtë botë, më tepër se ç’duhej, ishte emocionale dhe shumë naive”. Kjo jetë për të s’ishte asgjë veç se një barrë... Mund të kishte arritur diçka me muzikë; donte shumë të ishte e suksesshme me muzikë. Ajo kishte një zë të mrekullueshëm, ishte një grua simpatike dhe e bukur. Besoj se ndër arsyet që ajo ishte e mërzitur ishte edhe fakti se nuk kishte arritur ta çonte karrierën e saj me muzikën aty ku donte, ku e meritonte. 
Babai dhe gjyshja ime ishin shumë të prekur nga vdekja e hallës, iu kishte ndikuar shumë dhe kurrë nuk mundën të mësoheshin me mungesën e saj.

Nganjëherë pyes vetën: Po të isha unë në atë pozicion si do të kthehesha prapa, para se të arrija në atë pikë të verbër? Në fakt nuk ka një gjë të tillë, nuk e besoj. Nuk mund të ketë jetë tjetër. Ky ishte fati i saj dhe ajo jetoi sipas zgjedhjeve të saj. Ajo zgjodhi të qëndrojë në një vend ku kishte dhimbje. A do të ishte ndryshe nëse ajo do të kishte mbështetje? A do të ishte ndryshe vdekja e saj? Nuk e di... Sipas tim ati, ose sipas paramendimit të tij, halla ime qëndroi në Kosovë për të ndihmuar njerëzit atje. Ndoshta arsyeja që ajo nuk u kthye ishte për t’u dalë zot njerëzve atje. 

Kur dëgjoj këngët e saj, më emocionojnë shumë. Kur e dëgjova atë për herë të parë, zëri i saj dukej shumë emocionues. Si mund të të emocionojë një grua kështu, kaq shumë? Gjithmonë ka një trishtim në fotografitë dhe zërin e saj. Meqë e humbëm kështu, e dëgjoj me trishtimin tim. Këngët e saj i dëgjoj duke i shtuar edhe mërzinë e fatit të saj të trishtë, akoma më bën të qaj. 

Unë jam bërë psikologe. Tani mund të shikoj një njeri që i jep fund jetës së vet me duart e veta nga një perspektivë profesionale. Ka shumë rrugë në jetët e njerëzve. Pragun e vetëvrasjes e perceptoj si mungesë të njërës prej këtyre shtigjeve dhe pamundësinë për ta parë atë. Ndoshta ajo nuk do të kishte ndodhur nëse do të kishte marrë ndihmë apo mbështetje të duhur. Edhe ajo mbase kërkonte një rrugëdalje. Jeta e saj mbeti në gjysmë; derisa po e rizbuloja atë, edhe unë mbeta për gjysmë, ende me shumë pyetje në kokë. Kjo bisedë me ju për mua është një bisedë për ta përmbyllur disi këtë, për t’i dhënë një përfundim. Sepse Shenka u largua me një jetë nga e cila nuk zgjohej dot dhe u largua pa e përfunduar. Prandaj dikush duhej t'i thoshte këto gjëra... 

Askush nuk i jep fund jetës së vet, por të paktën ata përpiqen t'i zgjidhin problemet me jetën. Nuk mendoj se dikush që e ka zgjidhur problemin e tij ose po përpiqet ta bëjë atë do të zgjidhte të vdesë. Ndiej një paaftësi dhe pafuqi për t’u përballuar me historinë e hallës sime... Ndoshta e ka pasur të vështirë kur personaliteti dhe përvojat e saj janë vënë kokë më kokë. Nuk do ta dimë kurrë arsyen e vërtetë...

Rrëfimi i kompozitorit: “As Kosova dhe as Shermini nuk arritën ta mblidhnin veten...” 

İskender Paydaş: “Shermin Zaim është kushërira ime e dytë. Nuk pata rastin ta njoh shumë mirë. Por kaluam pak kohë bashkë; Kishim takime të shumta me miqtë në tavernën e Suzanit. Aty kam dëgjuar edhe zërin e saj; Sa bukur këndonte! Ajo që mbaj mend nga bisedat tona ishte mërzia që e kishte kapluar ato kohë dhe pasioni për muzikën. Lufta e kishte lodhur shumë, ashtu siç na kishte lodhur shumë nga ne dhe familjet tona që jetonin atje. Njerëzit ishin dëshmitarë të vdekjes së të afërmve të tyre, njerëzve iu prenë kokat, iu dogjën shtëpitë dhe iu plaçkitën banesat. Unë mendoj se Shermini ishte dëshmitare e të gjitha këtyre. Ajo u trondit shumë. Kishte aq shumë njerëz të talentuar në Kosovë saqë shumica prej tyre u zhdukën; Disa prej tyre arritën të migrojnë në Turqi dhe të mbijetojnë. Babai im ishte një prej tyre. Kështu kemi mundur ta mbajmë gjallë artin tonë. Por Shermini duhej të kthehej, ajo rezistoi; Ajo u përpoq të mbronte shtëpinë dhe familjen e saj. Çfarëdo që ndodhi pastaj, as Kosova dhe as Shermini nuk arritën ta mblidhnin veten ... të tjerat i dini... ajo u përhumb, me skenën që kishte mall të madh për të dhe me këngët që i këndonte nga zemra...

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë. Përse Suzan Kardesh, këngëtare me origjinë nga Kosova, e quan Shermin Zaimin si Amy Winehouse e ditëve të sotme? Përse i mbeti peng një këngë me të?

Teksti i Jehan Barburit në “Dergi OT” botohet pa ndërhyrje dhe me leje të saj. Mestitujt janë të Redaksisë. Përktheu nga turqishtja: Enis Bytyqi