Shtojca për Kulturë

Fotografia prek të ardhmen në përjetësimin e çastit

Fotoist

“Fotoisti” e ka bërë skenë arti njërën prej pjesëve më të frekuentuara në qendër të Prishtinës me ekspozitën “Keep calm and smile”. Me autor Korab Bashën dhe kurator Elton Koritarin ilustron portretet e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës me mesazhe. Foto: MKRS

“Fotoist” tërë programin ia kushton fotografisë dhe aty ka emocione, histori të trishta e dëshmi. Narrativa në imazhe duket unike, por kur bëhen bashkë këto rrëfime, janë goxha të përafërta, por autentike. Pasojat e luftës janë të parat që vijnë në shprehje. Kjo histori e radhës e “Fotoist” e nisi tregimin me hapjen në sheshin “Zahir Pajaziti”. E qartë, fotografia dëshmon, por fuqia e saj dëshmohet te parashikimi i së ardhmes. Ekspozitat që sjell janë dëshmi

Roli i fotografisë është dëshmuar kaherë. Në të tashmen, e kaluara duket e largët, por imazhet përplasin kontrastet e rrethanave të dikurshme me të sotmet. Këtë e ka bërë Festivali ndërkombëtar i fotografisë “Fotoist” qysh në hapje të edicionit të dytë. Ka thurur rrëfime vendore me ato universale dhe mbrëmja e së premtes ka qenë vetëm intro e rrugëtimit të pakufishëm nëpërmjet imazheve. 
Fotografitë dokumentare janë rrëfime më vete për tragjeditë e shoqërive në botë. Por fotografia vjen në tjetër dimension kur “parashikon” të ardhmen. 

“Fotoist” tërë programin ia kushton fotografisë dhe aty ka emocione, histori të trishta e dëshmi. Narrativa në imazhe duket unike, por kur bëhen bashkë këto rrëfime, janë goxha të përafërta por autentike. Pasojat e luftës janë të parat që vijnë në shprehje. 

Kjo histori e radhës e “Fotoist” e nisi tregimin me hapjen në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, njëjtë siç kishte ngjarë vitin e kaluar me edicionin e parë. Me këtë ngjan se festivale të tilla detaje i bën shenjuese për ngjarjen që synon rrugëtim të gjatë në skenën kulturore në vend. 

E ka bërë skenë arti njërën prej pjesëve më të frekuentuara në qendër të qytetit me ekspozitën “Keep calm and smile”. Me autor Korab Bashën dhe kurator Elton Koritarin ilustron portretet e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës me mesazhe. Titulli, të cilin autori fjalë për fjalë e përkthen “Qëndroni të qetë dhe buzëqeshni” sjell sloganin e ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, me të cilin britanikët motivoheshin për të qëndruar të qetë dhe optimistë, pavarësisht kërcënimit të pushtimit nazist. 

Aty portretet e ushtarëve vijnë të zmadhuara e të buzëqeshura. Imazhet janë pa ngjyra. Janë me uniformë, por jashtë aktivitetit në detyrën që shërbejnë. Shfaqin një tjetër anë. Ata prej njerëzish që angazhohen në kohë paqeje, por kur tensionet nuk janë shuar as një çerek shekulli pas luftës. 
Fotografi Korab Basha, ka thënë se pos mesazheve që vijnë nga imazhet e ekspozuara, vetë procesi ka qenë me përplot të tilla.

“Këta djem dhe vajza të ushtrisë janë institucioni më i mirë, njerëzit më të mirë që kam takuar në jetën time. E kanë një thënie shumë të mirë: Më mirë të djersitemi në paqe sesa të derdhim gjak në luftë. Dhe një thënie tjetër që më ka pëlqyer ishte kur thoshin ‘Ne bazën e kemi shumë të fortë, e kemi UÇK-në’. Secili prej tyre i ka ose prindërit ose ndonjë familjar dëshmor”, ka thënë Basha. 

Por ilustrimet e ushtarëve bashkë me mesazhe bëhen edhe universale. Autori hyn në kontekste më globale. Duke ia hequr ngjyrat fotografisë e përgjithëson uniformën ushtarake, duke e vënë fokusin në buzëqeshje si shenjë e paqes. Slogani me të cilin ekspozita emërtohet, edhe sot është simbol i rezistencës. 

Kuratori i ekspozitës, Elton Koritari, ka thënë se veprat tregojnë se “kemi nevojë të jemi të qetë dhe të buzëqeshim, sepse ne jemi ata që kemi fituar”. 

“Forca e kësaj ekspozite është e ardhmja. Zakonisht fotografët fotografojnë të kaluarën, dokumentojnë çfarë ka ndodhur. Maksimalisht fotografojnë edhe atë që po ndodh në këtë moment. Kjo është një ekspozitë që dokumenton të ardhmen, atë që do të ndodhë dhe që ne besojmë se do të ndodhë dhe do të na japë të gjithëve buzëqeshje”, ka thënë ai para të pranishmëve të mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet. 

Portretet e ushtarëve vijnë të zmadhuara e të buzëqeshura. Imazhet janë pa ngjyra. Janë me uniformë, por jashtë aktivitetit në detyrën që shërbejnë

Në ceremoninë e hapjes, të pranishëm kanë qenë edhe kryeministri Albin Kurti, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. 

Kurti ka theksuar rëndësinë e festivalit. 

“Jetojmë në një realitet të ndërtuar mbi optikën e një festival i këtillë në rajonin tonë ka vlerë të madhe përtej fotografisë si medium. Festivali tashmë përfshin një program të pasur të fotografisë, duke na sjellë ekspozita të shumta nga artistë të njohur si dhe të rinj që sjellin perspektiva unike dhe të freskëta”, ka thënë ai. 

E ka shfrytëzuar skenën e “Fotoist” për të treguar mbështetjen e skenës së pavarur kulturore në vend dhe rritjen e investimeve që sipas tij, ka ndodhur. 

“Në vitin 2021, buxhetin për skenën e pavarur kulturore e kemi gjetur me 1 milionë euro ndërsa këtë vit shënon rritjen më të madhe ndonjëherë me nëntë milionë euro duke përfshirë sektorin e pavarur në kulturë dhe trashëgimi kulturore. Qeveria e Republikës së Kosovës bashkë me Ministrinë e Kulturës i mbështesin fuqishëm organizime të këtilla të cilat e zhvillojnë artin, që e ngrenë ndjeshmërinë dhe vetëdijen mbi të bukurën dhe në të njëjtën kohë duke kuptuar se nëpërmjet të bukurës edhe edukohet njeriu, pos që gëzohet”, ka thënë kryeministri Kurti. 

Ka thënë se “fotografia është historiani i heshtur i rrugëtimit tonë, çdo foto është dëshmi e vlerave demokratike të vendit që ka vuajtur shumë”. 

Drejtori i festivalit “Fotoist”, fotografi Burim Myftiu ka bërë të ditur se ky edicion vjen me 11 ekspozita bashkë me dy të tjera në fund të vitit. Ka thënë se festivali është i publikut. 

“’Fotoist’ është për ju, ne bëjmë fotografi për ju që disa gjëra të mos harrohen, të kujtohen prapë dhe disa të tjera të riaktualizohen që të mos përsëriten”, ka thënë Myftiu. 

Njëri nga gjashtë kapitujt e ditës së parë të festivalit ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist” ka qenë ekspozita “See throught the noise” e fondacionit “VII”. Me themelimin e rrjetit të fotografëve, opusi i tyre nisi të marrë formë me dokumentimin e ngjarjeve të rëndësishme që njeh historia. 

“VII” u themelua më 8 shtator të 2001-s. Tri ditë më vonë Al Kaida sulmoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fotografitë që prezantojnë këtë pjesë janë ato të Kullave Binjake në tym. Aty është edhe pushtimi i Irakut, luftërat në Lindjen e Mesme dhe kaosi i asaj kohe. 

Tjetër kapitull i rëndësishëm i kësaj ekspozite është fotografia e amerkanit Ron Haviv. Fotografi i njohur në botën e fotografisë ka kapur krimet e kryera nga forcat serbe në Bosnje e Hercegovinë. 
Haviv ka treguar për KOHËN se kjo fotografi ishte përdorur si dëshmi në Tribunalin e Hagës.

“Fotografitë janë shembuj të mirë të fuqisë së fotografisë, sepse janë përdorur si dëshmi edhe në Tribunalin e Hagës për të shfaqur krimet e luftës”, ka thënë Haviv. 

Në fotografi shihen civilë të shtrirë përtokë derisa shqelmohen nga forcat paramilitare serbe të quajtur “Tigrat e Arkanit”. Më pas ata ishin vrarë.

Haviv, tani fotograf i njohur, fitues çmimesh, kapi një nga krimet e para të Luftës në Bosnjë. Një nga fotografitë që atëherë ishte bërë simbol i vetë luftës. Haviv shpresonte se kjo do të çonte në përgjegjshmëri dhe do të ndihmonte në shpëtimin e jetëve. Por ashtu nuk ngjau atë kohë. 

“Në fillim kur i publikova, askujt nuk i bënë përshtypje dhe lufta vazhdoi e mijëra njerëz u vranë.

Fotografia mund të bëjë diçka, por jo gjithçka”, ka thënë ai. 

Ka thënë se njëri prej ushtarakëve në fotografinë me emër “War crimes in Bosnia and Herzegovina”, tash vepron si DJ në Beograd. 

“Është një fotografi që është shkrepur në fillim të luftës në Bosnjë, në fakt para se të fillonte zyrtarisht. Është një vend afër kufirit midis Serbisë dhe Bosnjës. Janë ‘Tigrat e Arkanit’ duke bërë atë që e dimë se e kanë bërë: spastrim etnik, kanë vrarë njerëz të paarmatosur, civilë myslimanë. Njëri prej tyre është identifikuar si Srgjan Goluboviq i cili tash është DJ në Beograd”, ka thënë Haviv. Është fjala për DJ MAX-in. 

Ekspozita “See throught the noise” përfshin fotografi nga 39 autorë. Një pjesë e saj ishte shfaqur në Francë, megjithatë Haviv në publik e ka konsideruar premierë, pasi për ekspozitën në Prishtinë i janë shfaqur dhjetë fotografë.

“Jemi shumë të nderuar të jemi këtu të takohemi për të dytin vit në këtë festival të mrekullueshëm të fotografisë. Jemi të bindur se do të jetë secilën herë më i madh dhe më i suksesshëm. Jemi shumë të lumtur të shfaqim këtë ekspozitë që duhet shumë më ndryshe sesa ekspozitat tradicionale. Një nga qëllimet që kemi si fotografë, është të kemi një ndikim. Ne duam të ndikojmë në ndryshim. Shumë prej nesh që kemi punuar 25 vjet më parë në Kosovë, kemi ndier që puna jonë nuk ka qenë aq e suksesshme sa kemi dashur por është kontribut i vlefshëm”, ka thënë Haviv, drejtor e bashkëthemelues i “VII Foundation”. 

Ky institucion është organizatë e pavarur, bamirëse për mediat dhe arsimin. U themelua si përgjigje e sfidave me të cilat përballen fotografët dhe shkrimtarët për të financuar projekte afatgjata të gazetarisë hulumtuese. 

“VII u krijua për t'u dhënë anëtarëve të saj pavarësinë dhe për të rritur aftësinë e tyre për të punuar në histori që kishin rëndësi në partneritet me shtypin kryesor në botë. Ajo krijoi mundësi të reja që fotografët nuk mund t’i imagjinonin. Por revolucioni digjital që mundësoi rritjen e VII shkaktoi gjithashtu një humbje katastrofike të të ardhurave për klientët e saj në shtyp”, shkruhet në përshkrimin e fondacionit. 

Në ekspozitë janë edhe veprat e fotografëve: Alexandra Boulat, John Stanmeyer, Gary Knight, Christopher Morris, Maggie Steber, Nikol Sobeki , Franco Pagetti, Ziyah Gafic, Paul Loëe, Ilvy Njiokikjtinen, Sara Terry, Stefano de Luigi, Jocelyn Bain Hogg, Anush Babajanayan, Maciek Nabrdalik, Ali Arkadi, Eric Bouvet, Ed Kashi, Seamus Murphy si dhe të Espen Rasmusen. 

Narrativa globale vijnë edhe nëpërmjet imazheve që sjellin autorët Joakim Ladefoged, Philip Blenkinsop, Daniel Schwartz, Tomas van Houtryve, Linda Bourne Engelberth, Danny Wilcox Frazier, Ashley Gilbertson, Adriana Zehbrauskas, Finbarr O'Reilly, Paskal Maitre, M'hammed Kilito, Brenda Ann Kenneally, Mary Gelman, Rena Effendi, Leonardo Carrato si dhe Nicole Tung. 

Njëri nga gjashtë kapitujt e ditës së parë të Festivalit ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist” ka qenë ekspozita “See through the noise” e fondacionit “VII”. Aty janë edhe veprat e amerikanit Ron Haviv. Fotografi i njohur në botën e fotografisë ka kapur krimet e kryera nga forcat serbe në Bosnjë e Hercegovinë

Në të njëjtën adresë, në njërën hapësirë të qendrës “Barabar” në hotelin “Grand” është hapur edhe ekspozita e fotografit serb, Imre Szabó. Aty shpaloset arkivi me fotografi i autorit në Kosovën e 1981-s e deri më 1999. 

Secila fotografi është histori më vete dhe kështu edhe ajo prej së cilës është emërtuar ekspozita – “House for sale”. Shfaq se si serbët po shisnin pronën e tyre dhe po largoheshin nga Kosova. 
Aty janë fotografitë e varrimeve në Likoshan, fotografia e Millosheviqit, pamje nga takimi kundër dhunës ndaj serbëve të Kosovës, imazhi i një fshatari të burgosur, fotografia e ish-presidentit Ibrahim Rugova në Patriarkanën e Pejës, përplasjet midis protestuesve e policëve, shtëpia e familjes Jashari në Prekaz, demonstratat e 1998-s e peizazhi i Prishtinës më 1990. 

Në të njëjtin termin janë hapur edhe ekspozitat “Born Free – Mandela’s Generation of Hope" nga fotografja holandeze, Ilvy Njiokiktjien, pjesë e rrjetit botëror të fotografëve “VII”. 
Gjithashtu janë sjellë edhe ekspozitat “Visual Trilogy About Wartime Missing Persons” nga fotografë vendorë dhe ndërkombëtar, “Last Seen” nga siriani Hrair Sarkissian, “Echoes Of The Past” nga Atdhe Mulla dhe “Time Burdens The Wound” nga Korab Krasniqi. 

Të shtunën “Fotoist” ka zgjeruar narrativën e deritanishme me dy ekspozita të tjera. Në Galerinë e Fakultetit të Arteve është hapur ekspozita “Ark of Memory” e kuruar nga Ardian Isudi dhe Lindar Muça, ndërsa në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës edhe “Behind the veil” e britanikut Barry Lewis. Të dy ekspozitat sjellin imazhet e Shqipërisë në kohën e komunizmit. 

Të dielën më 1 shtator, publikut i shfaqet tranzicioni i vendit me “Kronikë tregimesh të venitura - Kosova 2010-2012” nga Eni Nurkollari në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës si dhe pasojat afatgjata të konflikteve në shoqëri nëpërmjet “Efekte të konfliktit” nga Armando Babani.

Deri më 3 shtator kur “Fotoist” e mbyll programin, pos atij qendror, shfaqjes së ekspozitave, do të ketë edhe shfaqje filmash në ambient të hapur, punëtori, ligjërata, dhe vlerësime të portfoliove të artistëve në programin e ekspozitave. Rikthhet me “Efekte të konfliktit” të Armando Babanit dhe në fund të tetorit.