Shtojca për Kulturë

“Audienca” parodizon diktatin

Audienca

Në qiell të hapur, një shfaqje teatri merr ngjyrime shtesë. E në rastin e “Audiencës” aty zbërthehet diktati duke e kthyer atë në komedi

Derisa po vazhdon festivali “Etno Fest”, segmente të ndryshme të kulturës së vendit po promovohen në fshatin Kukaj të Prishtinës. Teatri e muzika midis tjerash. Të premten mbrëma shfaqja “Audienca”, produksion i teatrit të Prizrenit, “Bekim Fehmiu” ka sjellë rrëfimin mbi një lloj metafore jetësore nën një sistem totalitar. Në anën tjetër Linda Rukaj me Armend Xhaferin kanë sjellë perlat e trashëgimisë muzikore shqiptare. 

Në ambientin ku imazhi i arkitekturës së vendbanimeve shqiptare me pjesët e tjera përcjellëse është gjithandej, ka jehuar arti teatror e ai muzikor. Derisa ushqimi tradicional përgatitet e kënga popullore jehon, në një hapësirë pak më të largët ku kjo atmosferë nuk vërehet, është dhënë shfaqja “Audienca” e çekut Vaclav Havel, nën regji të Bashkim Ramadanit. 

Në qiell të hapur, një shfaqje teatri merr ngjyrime shtesë. Atmosfera e mbrëmjes në fshat e ka bërë të veten. Shfaqja nis me ftesën që i bëhet Ferdinandit për ta pirë një birrë në një bar. Bëhet e ditur se rolin të cilin e luan Alban Krasniqi në fakt është një shkrimtar që ka përfunduar aty ku është. Derisa bisedojnë zbulojnë çdoherë më shumë për kushtet në të cilat jetojnë ata dy. 

Biseda përcillet me shumë humor në situata absurde që zhvillohen. Skenografia është përshtatur goxha bukur ndërsa edhe pjesa e ndriçimit ka qenë spektakël më vete. Dyshemeja është plot me xhama të imët ndërsa ata shtohen secilën herë si rrjedhojë e tensioneve dhe dramave që zhvillohen në shfaqje. Thyerja e shisheve është njëri element për ta shprehur gjendjen e tyre emocionale. 

Drama zhvillohet gjatë një bisede midis tyre në fabrikën e birrës ku Ferdinandi është detyruar të punojë. Ai ftohet në një zyrë nga ai që konsiderohet si mjeshtër i birrës ku të tilla pi pa fund dhe përpiqet ta manipulojë për të bashkëpunuar me policinë sekrete duke raportuar mbi aktivitetet e tij dhe të miqve të tij. 

Temat kryesore të shfaqjes janë konfliktet, kompromiset që njerëzit bëjnë nën presion dhe absurditetin e ironinë e jetës nën regjim totalitar. 

Shfaqja e një prej emrave të shquar ndërkombëtar të dramës, çekut Vaclav Havel, që e kishte shkruar në vitin 1975, portretizon ndikimin e regjimeve autoritare. Aty kritikohet regjimi shtypës komunist. Skenografia është tregues se vendi ku po zhvillohet ngjarja është në vëzhgim. 

Ferdinandi thirret nga ai që konsiderohet mjeshtër i birrës në një tryezë rrethore që çdoherë bëhet më kuptimplotë kur nga aty shfaqja merr kthesa të ndryshme. Ky i fundit tallet, e poshtëron dhe ngacmon Ferdinandin. E hedh poshtë elitën intelektuale. 

Derisa birrat varg hapen, përplasen, derdhen, ndodhin edhe ngjarje kurioze. Dalja nga skena e mjeshtrit të birrës është e shpeshtë. Sa herë që ai kthehet duket se sjell një tjetër version të vetes që ngjan se birra e nxit atë të bëhet më abuziv.

Derisa biseda e birra rrjedhin, Ferdinandi mban konstant gjakftohtësinë e tij për secilën temë. Aty flitet edhe për vetë teatrin, sesi autorët fitojnë pak, a asgjë. Mjeshtri e inkurajon atë ta lërë këtë punë. 
Është shfaqje përplot komedi. Gotat mbushen një pas një, mjeshtri dehet ndërsa Ferdinandi si duke mos dashur t’i nënshtrohet dehjes, fshehurazi i hedh tutje. Birrat i ndajnë edhe me publikun ndërsa sekuencat e së njëjtës bisedë vijnë shumë herë. 

Dinamika e skenës kaplon papritur kur flitet për punë, si një lloj revolte a trauma. Diçka e thjeshtë që duhet se vjen si rrjedhojë e mbikëqyrjes dhe jetës në regjim. Mjeshtri tenton ta bindë të punojë tek ai në depo me pretekstin se ai si shkrimtar do të gradohej duke u larguar nga puna aktuale. 

Narracioni dëshpërues e zhgënjyes i rolit që portretizon aktori Ernest Malazogu mbështillet me efektet e këngës “Vetë ke mbetë” nga Nexhmije Pagarusha. 

“Audienca” e Havel si produksion i teatrit të qytetit të Prizrenit u dha premierë më 30 maj. Për shfaqjen në “Etno Fest”, aktori Malazogu ka thënë se për ta sa herë që e luajnë shfaqjen, ajo është premierë më vete.

“Kjo shfaqje është bërë për teatrin Bekim Fehmiu në Prizren dhe është punuar si duhet, por sa herë del në teren, tereni ndërron, të determinon ta luash ndryshe. Sonte pos publikut të mrekullueshëm, kishim edhe këta kërcylla që na bënin të ndiheshim edhe më mirë. Shfaqja është adaktuar shumë mirë për këtë festival, është shfaqje shumë e mirë. U ndjemë që shfaqja është bërë për këtë festival”, ka thënë Malazogu. 

Është shprehur se jo fort i largët është rrëfimi në shfaqje me të sotmen. 

“Është shfaqje e kohës së Vaslav Havel. Të mos them pothuajse e njëjtë me epokën në të cilën jemi por është shumë sfidë ta luash një njeri të sistemit komunist të asaj kohe edhe pse është e njohur, nuk është se e kemi pasur larg”, ka thënë ai pas shfaqjes për KOHËN. 

“Audienca” është një nga veprat më të njohura të dramaturgut çek Vaclav Havel, i cili më vonë u bë president i Çekosllovakisë dhe më pas i Republikës Çeke.

Shfaqja e bazuar kryesisht në bashkëbisedën e dy personazheve është përplot humor, absurditet dhe satirë mbi shtypjen politike në regjimin komunist.

Regjisori i shfaqjes, Bashkim Ramadani, ka thënë se shfaqja në ambient të hapur ka qenë përvojë më ndryshe. 

“Festivali ‘EtnoFest’ është një festival ndryshe fillimisht për shkak të natyrës së tij etno, por edhe hapësirave të mrekullueshme të cilat ka krijuar profesori Fadil, i cili e ka ringjallur jetën këtu dhe sjell numër të madh të publikut në gjithë këto evente ku komplet dita është e mbushur nga qytete të ndryshme. Edhe shfaqja jonë pati publikun e bollshëm që e përjetoi shfaqjen në mënyrën siç ne e ofruam. Ishte përvojë më ndryshe sesa siç shijohet në teatër, por ishte e mrekullueshme”, ka thënë Ramadani. 

Ka përmendur edhe sfidat për t’iu përshtatur kushteve të zhvendosjes së shfaqjes jashtë teatrit. 
“Sidomos në ambientet jashtë teatrit ballafaqohesh me disa sfida si prej përshtatjes së skenografisë, pastaj vokali e të tjera, aktori duhet të ketë përgjegjësi shtesë që të dëgjohet te publiku deri në rreshtin e fundit. Në përgjithësi shfaqja u përshtat mirë dhe publiku e priti mirë”, ka thënë ai më tej. 
Derisa një ngjarje mbaron, nis tjetra në programin e “Etno Fest” që sivjet po zhvillohet nga 10 deri më 18 gusht nën moton “Dashni, Liri dhe Lumturi”. Pa mbaruar shfaqja, ka nisur ajo që njihet si “Etno Ndeja” me të cilën mbaron secila ditë e festivalit. Të premten ka qenë e rezervuar për dyshen me këngëtaren Linda Rukaj dhe kitaristin Armend Xhaferi. Kanë sjellë repertorin që nis me xhevahiret e trashëgimisë muzikore shqiptare nga treva të ndryshme e deri në jazzin e huaj. Deri në orët e vona të ditës së shtatë të festivalit ka shoqëruar me ritmet e muzikës elektronike “Dj Philipe”. 

Aktivitetet zhvillohen edhe të dielën në segmentet që e ndërtojnë festivalin derisa shenjat e artit veçse janë aty. Publikut aty i vjen si pasqyrë kultura e vendit.