Fotoalbumi i Hajro Ulqinakut që i kushtohet Riza Harapit-Shurdhës (1922-2003), fotografit të parë profesionist në Ulqin, sjell dëshmi për vendosjen e afrikanëve në këtë qytet, rrëfimet e individëve të ndryshëm të cilët kanë jetuar e bashkëpunuar me ta në Ulqin. Në këtë aspekt fotografitë e komunitetit të zezakëve, janë dëshmi autentike e një kohe të shkuar në qytetin e Ulqinit
Çdo botim që ka të bëjë me Ulqinin dhe popullsinë e tij është me interes për lexuesit e pasionuar, sepse plotëson gamën e gjerë të botimeve për këtë mjedis i cili ka qenë dhe është inspirues për autorë të fushave të ndryshme. Ndër autorët e tillë bën pjesë Hajro Ulqinaku, i cili opusit krijues ia ka bashkangjitur një botim të ri që është i veçantë për nga forma dhe përmbajtja e tij. Fjala është për fotoalbumin që i kushtohet Riza Harapit-Shurdhës (1922-2003), fotografit të parë profesionist në Ulqin. Në përgatitjen e këtij botimi, autori përveç se ka konsultuar botime të ndryshme kushtuar harapëve (zezakëve) me vlerë janë rrëfimet e individëve të ndryshëm të cilët kanë jetuar e bashkëpunuar me ta në Ulqin. Në këtë aspekt fotografitë e komunitetit të zezakëve, të cilat janë dëshmi autentike e një kohe të shkuar në qytetin e Ulqinit.
Në kuadër të tekstit të albumit autori prezanton të dhëna në lidhje me vendosjen e afrikanëve, që në Ulqin janë quajtur harapë. Në veçanti theksohet për disa familje detare ulqinake (Fici, Shurdha, Shepeteja etj.) të cilat kanë lundruar si tregtarë në Adriatik e Mesdhe duke sjellë me vete afrikanë, të cilët më pas i kanë sistemuar në punë dhe në familjet e tyre. Me vendosjen e tyre në Ulqin, ata kanë marrë mbiemrat e familjeve ulqinake, që i kanë përdorur si dëshmi të identitetit të tyre. Të dhënat për numrin e afrikanëve në Ulqin janë të ndryshme, varësisht prej viteve dhe autorëve të ndryshëm.
Ulqini si vendbanimi i ri i afrikanëve
Pas rënies së Ulqinit nën Perandorinë Osmane në shekullin XIV, vendosja e afrikanëve në Ulqin ishte bërë dukuri e kohës, ndërsa autoriteti i familjeve ulqinake varej edhe nga numri i afrikanëve që kishin.
Detarët turko-arabë me vite kanë grabitur njerëz nga bregu afrikan dhe i kanë shitur si robër në tregun në Ulqin, por edhe nëpër tregjet e tjera gjithandej Evropës, Azisë e Afrikës. Kryesisht kanë qenë shërbëtorë në shtëpia, prona por edhe në anijet e ndryshme tregtare të kohës.
Tregu i robërve në Ulqin ka qenë më i madhi në Adriatik. Robërit i kanë sjellë nga të katër anët, por sidomos nga qytetet bregdetare. Nuk ka dilemë se në historinë e bujshme të Ulqinit nuk mund të anashkalohet tregimi për robërit afrikanë, e pasardhësit e tyre që sot e kësaj dite gjinden në këtë qytet.
Jo rrallë është bërë edhe tregti me ta, që dëshmohet edhe nga guri i robërve në Kalanë e Ulqinit, që si dëshmi ekziston edhe në ditët tona.
Pjesë e qytetarëve ulqinakë
Në sajë të rrethanave shoqërore ata u bënë pjesë e qytetarëve të Ulqinit, sepse këtu ata kanë jetuar, punuar në det si pjesë e ekuipazhit të anijeve të ndryshme, kanë punuar tokën, vjelë ullinjtë, janë marrë me peshkim etj. Jeta e harapëve në Ulqin, ishte identike si e qytetarëve të tjerë në këtë qytet. Ata nuk ishin të diskriminuar në sajë të racës dhe ngjyrës së tyre, përkundrazi ishin pjesë e pandarë e familjeve ulqinake, të cilët i kanë mbështetur në çdo aspekt si pjesëtarë të familjeve të tyre. Në këtë aspekt si rrallëkund në Ulqin në praktikë u dëshmua toleranca dhe solidariteti familjar e shoqëror, që dëshmohet nga shumë fotografi që janë pjesë e këtij albumi.
Prania e afrikanëve në Ulqin u ka bërë përshtypje edhe të huajve të cilët e kanë vizituar Ulqinin, ku me këtë rast autori cek udhëpërshkruesin çek Jozef Jan Svatek i cili shkruan se “...gjendemi në vendin historia e të cilit është histori e piraterisë në këtë pjesë të Adriatikut dhe në qytetin në të cilin piratëria është ruajtur më së gjati në Evropë. Nga kjo kohë grabitqare kanë mbetur mjaft monumente, e vetëm njëri prej tyre janë zezakët-vendës të vjetër, pasardhësit e robërve që u sollën pronarëve të vet të dikurshëm dhe mbetën këtu. Këtu e kanë mirë, fundja në çka jam bindur, aq e kanë mirë saqë nuk kanë kërkesa të shkojnë ndokund tjetër”.
Me ulqinakët shkuan edhe afrikanët
Por, në saje të rrethanave shoqërore e politike, në saje të luftës dhe të presionit të Fuqive të Mëdha, Perandoria Osmane ia dorëzon Ulqinin Malit të Zi, në nëntor 1880, kemi dekompozimin demografik të këtij qyteti. Të pakënaqur nga pushteti i ri, shumë shqiptarë të Ulqinit shpërngulen nga qyteti duke u vendosur në Shkodër e Durrës. Me këto familje ulqinake janë shpërngulur edhe afrikanët të cilët ishin pjesë e atyre familjeve. Nga ajo kohë e deri në ditët tona janë të pranishëm afrikanët në qytetin e Shkodrës, të cilët me krenari cekin se janë nga Ulqini.
Në mungesë të martesave dhe të shtimit natyror, afrikanët në Ulqin janë zvogëluar shumë, andaj edhe prania e tyre mbeti simbolike, ndërsa afro-ulqinakja e fundit nga të dy prindërit File Kastati ka vdekur në Ulqin në vitin 2022.
Fotografitë si kujtim
Në fund duhet thënë se nuk ka banorë nga Ulqini apo jashtë tij e sidomos turistët e shumtë të cilët e kanë vizituar e që kanë pushuar në Ulqin e mos ta kenë ndonjë fotografi të realizuar nga fotografi Riza Shurdha. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse ky ishte fotografi i parë profesionist në Ulqin, ndërsa dyqani “Pinjeshi” në Ranë ishte simboli i fotografisë në këtë qytet për afër gjysmë shekulli. Andaj, sa herë t’i shikojmë fotografitë e vjetra, do ta kujtojmë Riza Shurdhën i cili fotografinë e kishte profesion e pasion si rrallëkush, duke mbetur ikona e fotografisë së Ulqinit.