Shtojca për Kulturë

“Rendi i ri” godet botën në kaos

DokuFest - New Order

“New Order” si emërues i përbashkët, pushton shpesh ekranet e “DokuFestit” si për të paralajmëruar atë që kërkon: një tjetër realitetet përballë atij që shfaqet edhe në filma (Foto: Elmedina Arapi, Agon Dana)

Kishte qenë gati punë e kryer përcaktimi i temës së edicionit të 23-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Diçka si puna e kaosit, mbase edhe vetëm kjo si fjalë e vetme por një ngjarje si kjo, përherë shkon përtej. Rezultati: “New Order” ose “Rendi i ri”. Në esencë i kundërpërgjigjet kaosit, e definon atë edhe si “rend të ri” por mbi të gjitha kërkon daljen prej tij, ndryshimin e realitetit. “Ne duam të diskutojmë gjërat që po ndodhin dhe ato që mund të bëjmë që të na vijë një rend i ri”, thotë Linda Llulla, drejtoreshë e “DokuFestit”. “Kjo është krejt çfarë është duke ndodhur në botë – luftë. Është ngritja e të djathtës ekstreme, urrejtje e madhe ndaj të huajve, ndaj emigrantëve. Jemi duke parë që është krijuar një rend i ri botëror”, thotë Eroll Bilibani, udhëheqës i “DokuLab”. Skenaristi francez Sylvain George thotë se “DokuFesti” po bën atë që s’po bëhet as në Lojërat Olimpike, e një vizitore nga Hungaria dhe një tjetër nga Polonia, është pikërisht “New Order” që i lidh me Prizrenin ku një temë si kjo sapo ka nisur të zbërthehet

Temat e “DokuFestit” janë përherë ato që me dy a tri fjalë mund të zbërthehen gjerë e gjatë pa shpjegime. Një tjetër për secilin edicion me misionin e njëjtë: reflektimin te shoqëria nëpërmjet artit kinematografik. Bashkë me programet përcjellëse sivjet i përshtaten temës “New Order” (Rendi i ri). Përtej eksplorimit të imazheve nga vatrat e luftës në botë, zbërthehet edhe si mënyrë e shpalosjes së formës së dokumentimit të ngjarjeve. Në anën tjetër është mbijetesa e rezistenca e festivaleve të filmit në vendet e okupuara. 

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore në vend e sjell botën në Prizren edhe në një tjetër edicion. Nëpërmjet ekraneve të shpërndara nëpër qytet dokumenton ngjarjet që kanë shënuar vitet e fundit. Atmosfera që krijon e bën unik përjetimin e ditëve të festivalit. 

Ndryshe prej dinamikës në ditën e hapjes së festivalit, të premten mbrëma, dita pasuese ka qenë më e qetë. 

Paraditja për festivalin është shënuar me disa filma që janë pjesë e programeve jashtë gare.

Megjithatë shenjat e festivalit janë të qarta dhe gjallëria që vjen si rrjedhojë e tij është e dukshme. 
Që nga periferia, flamujt e ngritur me temën e sivjetme “New Order” shërbejnë si udhëzues për deri në hapësirat qendrore të “DokuFest”. Përshkojnë krejt qendrën. E ka mbushur me plot ngjyra sivjet. Të rinj të veshur me bluzat portokalli janë si udhërrëfyes se secila ditë është një tjetër kapitull i punimeve për ditët e festivalit. 

Rrugët e kafenetë kanë shenjat e festivalit. Me plot ngjyra është kioska e “DokuShop” matanë Urës së Gurit. Kinemaja “Lumbardhi” si hapësira kryesore e festivalit, pret vizitorë edhe në kohë pauzash, jashtë programit. Është një fluks i njerëzve që nuk ndalet as në temperaturat përvëluese të cilat shënjojnë ditët e verës veçmas Prizrenin si qytet jugor i Kosovës. 

Me mëngjes nis gjallëria e qytetit. Aty në mesditë është shfaqur i pari film që garon për sivjet, pas “Dr. Strangelove…” të Kubrickut të premten në hapje. Pjesë të ndryshme të qytetit tashmë janë shndërruar në shfaqje filmash, argëtimi, punëtori e si vendtakime të të gjitha moshave e si diversitete shoqërore midis nacionalitetesh. Vetëm në orët e para të mëngjesit vërehet fluks më i vogël i njerëzve. 
Ajo çfarë “DokuFesti” sjell për publikun e tij sivjet është maratonë filmash për nëntë ditë e ofertë e larmishme që nis nga rrëfimi për vendin e zgjeron horizontet e botës nga imazhet që kanë kapur objektivët e kamerave. 

Kinematë janë ngritur edhe në luginën e lumit Lumbardh, në kala e hapësirë tjetër e përhershme e festivalit është edhe qendra për kulturë e art “Shani Efendi”. Sivjet ekrani i festivalit shfaq gjithsej 103 filma në gara në tetë kategori. Krejt këto si pjesë e edicionit nën temën “New Order”.

Filmi si mjet për zbërthimin e burimit të konfliktit

Drejtoresha e përgjithshme e festivalit ‘DokuFest”, Linda Llulla, ka thënë se tema është diskutuar me muaj të tërë dhe është kompletuar duke e përfshirë në dy fjalë luftën, jostabilitetin financiar e të sigurisë. 

“Ne duam të diskutojmë gjërat që po ndodhin dhe ato që mund të bëjmë që të na vijë një rend i ri, sepse bota në të cilën po jetojmë për momentin, nuk është ideale. Ka kriza gjithandej, luftëra gjithandej. Djathtistët po fitojnë zgjedhjet gjithandej nëpër vende të fuqishme, kështu që ne mundohemi që nëpërmjet filmave e paneleve, me ekspertë të ndryshëm të ngrehim çështjen e rendit të ri dhe sesi njerëzimi dëshiron ta shohë dhe ta përjetojë të ardhmen”, ka thënë ajo. 

Nëpërmjet filmave që sjellin rrëfime nga Ukraina e Palestina do të mund të zbulohet burimi i konfliktit dhe të shihet sesi ka eskaluar pikërisht tani. 

“E dimë që lufta nuk ka sjellë gjë të mirë, kështu që me pjesën e filmave ‘Focus on Palestine’ flasim për Palestinën, por jo për konfliktin, për atë sesi kanë jetuar njerëzit më parë. Ndoshta edhe ta zbulojmë burimin e konfliktit para shumë vitesh dhe pse ai konflikt tash eskalon, pse nuk është zgjidhur problemi shumë më parë. Po ashtu diskutojmë edhe për Ukrainën”, ka thënë Llulla. 

Emri i Prizrenit shënjohet me atë të “DokuFestit” dhe anasjelltas. Festivali e ka vënë në hartën e ngjarjeve të rëndësishme kulturore edhe në skenën ndërkombëtare. Çdo vjet mbledh kineastë nga e gjithë bota. 

Llulla ka theksuar edhe një tjetër herë atë që veçse e ka dëshmuar festivali me 22 edicionet e kaluara – se misioni i tij është të promovohet tolerancë, dashuri e filma. Ka thënë se kjo e fundit e ka fuqinë për të ngritur zërin për çështje të rëndësishme të shoqërisë.

“Kinematografia është e fuqishme. Atë e vërejmë edhe gjatë vitit kur punojmë me shkolla kur e përdorim si mjet alternativ edhe në shkolla. Filmi, çfarëdo zhanri, ka fuqinë më të madhe se fjala a diskutimi. Kur të dyja bëhen bashkë, jo vetëm ‘DokuFesti’, por të gjithë duhet të ngrihemi të bisedojmë për një të ardhme më të mirë, më të sigurt dhe ku nuk do të ketë më luftëra dhe ku nuk kemi frikë se një ditë do të zgjohemi dhe gjithçka do të jetë ndryshe”, ka thënë ajo.

Secila kinema është nikoqire e një tjetër rrëfimi (Foto: Tuğhan Anıt) 

Lufta për mbijetesë e festivaleve në vendet e luftës

Eroll Bilibani, një nga organizatorët e festivalit, ka thënë se kaosi në botë ka qenë pikënisja dhe shkëndija e idesë për temën. 

“Kjo është krejt çfarë është duke ndodhur në botë – luftë. Është ngritja e të djathtës ekstreme, urrejtje e madhe ndaj të huajve, ndaj emigrantëve. Jemi duke parë që është krijuar një rend i ri botëror. Natyrisht se ne duam të diskutojmë për këtë, të hapim diskutime. Ato prekin edhe aspekte të ndjeshme sesi është duke ndodhur ky rend i ri”, ka thënë Bilibani. 

Ka thënë se ky “Rend i ri” flet edhe për atë sesi festivalet mbijetojnë në rrethana e kohëra të tilla. Ka përmendur se tema nuk do të thotë se po bëhet një rend i ri, por se ajo e hap këtë diskutim. Festivali është platforma. 

“Për shembull rasti me festivalin ‘DokuDays’ në Ukrainë që nuk është anuluar as në rrethana luftërash, por ka ndryshuar formën. Është bërë si platformë për të dokumentuar krimet që janë duke ndodhur gjatë luftës e që mendoj se është shumë e rëndësishme sepse në kohën kur ka ndodhur lufta në Kosovë, dokumentimi nuk ka qenë aq i mirë. Sot e kësaj dite kemi probleme në dokumentim, arkiva, interpretim të ngjarjeve që kanë ndodhur, ka shumë shtrembërime të ngjarjeve. Ndoshta mysafirët nga Ukraina do të tregojnë sesi dokumentojnë ata”, ka thënë ai. 

Sivjet, si tradicionalisht, shfaqen edhe filmat e prodhuar nga gjenerata e 12-të e shkollës “Future is Here”. Bilibani, i cili është udhëheqës i “DokuLab” të “DokuFestit”, ka thënë se këta filma janë një prej gjërave me të cilat krenohen më së shumti. 

“Më datë 6 do t’i shfaqim tetë filma të ‘Future is here’ që është një ndër krenaritë tona më të mëdha sepse është gjenerata e 12-të e shkollës së filmit. Kemi dhjetë vajza dhe një djalë, si dhe do të jetë premiera botërore e filmit të Flaka Kokollit të cilin e kemi financuar vitin e kaluar. Është animacion në garë”, ka thënë Bilibani.

Që nga periferia, flamujt e ngritur me temën e sivjetme “New Order” shërbejnë si udhëzues për deri në hapësirat qendrore të “DokuFest”. Përshkojnë krejt qendrën. E ka mbushur me plot ngjyra sivjet. Të rinj të veshur me bluzat portokalli janë si udhërrëfyes se secila ditë është një tjetër kapitull (Foto: Tuğhan Anıt)

Censura dhe një paralele me Lojërat Olimpike në Paris

Skenaristi francez Sylvain George ka thënë se “New Order” është titull provokativ dhe një lloj qëndrimi i festivalit. E ka konsideruar si kanal të sjelljes së imazheve e rrëfimeve të trishta derisa ka përmendur se paralelisht në Paris po mbahen Lojërat Olimpike dhe këto shenja mungojnë. 

“Ka të bëjë me ato që janë të papranueshme, tenton ta sjellë imazhin në një festival të tillë për realitetin, por jo t’ia heqë turpin e pjesës tjetër të botës. Për shembull, unë që vij nga Franca, atje po zhvillohen Lojërat Olimpike dhe është shumë e komplikuar, jo vetëm tani kur kupton se nuk ka asnjë imazh të asaj se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme dhe veçmas në Palestinë. Mendoj se është i rëndësishëm ky festival dhe dedikimi i programit, i cili është shumë i rëndësishëm”, ka thënë George derisa e ka konsideruar krejtësisht jonormale atë që po ndodh në Palestinë. 

Ka thënë se publikut duhet t’i servohet kompleksitet dhe jo vetëm argumente të ilustruara sipërfaqësisht. 

“Janë argumente të thjeshta të cilat synojnë të kuptojnë kompleksitetin nëpërmjet programit dhe mendoj se ky kompleksitet na nevojitet. Si pjesë e festivalit, si pjesë e jurisë, por edhe si shikues i filmave, jam shumë i lumtur të zbuloj këto tema të cilat hapin dyer e dritare dhe mundohen të rikonstruktojnë prezantimin kryesor. Na duhet kjo”, ka thënë George. 

Ai është anëtar i jurisë për kategorinë e filmave të gjatë artistikë. Ka thënë se pret të zbulojë gjuhë të reja kinematografike në “DokuFest”. 

“Pres të befasohem, të mësoj rreth këtyre temave, të zbuloj gjuhë të reja kinematografike gjë në të cilën jam i interesuar, si i ‘perëndojnë’ këto tema filmbërësit, por edhe si i menaxhojnë dhe si e eksplorojnë mediumin e kinemasë në përkthimin e temës”, ka thënë ai më tej.

Programi i filmave është rrëfim më vete. Rëndom mbyllet me “DokuNighs”. Jo domosdoshmërisht i përshtaten temës, por kështu ngjan me performancën e “47 Soul”, kolektivi palestinez që sjell zhanret moderne me ritmin tradicional. 

Leart Rama, që e ka kuruar programin e sivjetmë bashkë me Nita Dedën, ish-kuratoren e edicioneve të para të programit me muzikë të festivalit, e ka vlerësuar “DokuNights” si një dritare të festivalit që e pason programin e filmave. 

“Si çdo vit edhe sivjet, ‘DokuNights’ fillon me fillimin e ‘DokuFest’ dhe mbaron me mbarimin e ‘DokuFest’. Pavarësisht se është brenda festivalit, prapëseprapë programi i muzikës nuk është domosdoshmërisht i lidhur krejtësisht me tematikën e filmave ose me temën, por gjithmonë mundohemi t’i sjellim publikut një dritare të re që pas shikimit të filmave nga mëngjesi deri në mesnatë, mandej të argëtohen dhe të dëgjojnë diçka të re’, ka thënë ai. 

Publiku i huaj është mbase paralel në numër me atë të Kosovës kur merret për bazë pjesëmarrja e tyre.

Prizreni dhe ndjesia si në Ballkanin e trazuar të viteve ‘90

Beatrix Price, profesoreshë e gjuhës angleze nga Hungaria, ka thënë se është befasuar me imazhin e Prizrenit e të “DokuFestit”. 

“Dua ta lidh titullin e ‘DokuFestit’ sivjet me eksperiencën time në Prizren ngase të vish nga Hungaria këtu, u befasova, edhe pse e kisha imazhin e Kosovës pa e ditur se si ishte. Trende të reja janë në këtë qytet shumë energjik. Ato ndihen kudo në qytet, sikur edhe në këtë festival”, ka thënë ajo. 

Pricce, e cila në Prizren po qëndron si mentore e shkollës verore, ka thënë se ngjarjet e fundit e çojnë në Ballkanin e trazuar të viteve ’90. 

“Ka shpresë në këtë botë. I kujtoj luftërat e viteve ’90 kur ne në Hungari ishim shumë të shqetësuar për Ballkanin me luftërat këtu. Tani është shumë pikëlluese që po ndodh e njëjta. Siç kam dëgjuar këtu nga njerëzit, të gjithë po ndërtojnë një jetë të re dhe shpresoj se e njëjta do të ndodhë edhe me njerëzit në Ukrainë”, ka thënë ajo më tej. 

Mikja e saj juriste Alexandra Klich nga Polonia, ka thënë se tema është interesante dhe prek edhe vendin e saj të prekur nga lufta në një formë. 

“Tema është shumë e rëndësishme për ne pasi Polonia është vendi i parë pas Ukrainës dhe shumë refugjatë kemi pranuar qëkur ka nisur lufta. Tema është shumë e fuqishme dhe aktuale. Kjo është pika që e lidh këtë festival me ne”, ka thënë ajo. 

Ka shumë pika që e lidhin secilin me “DokuFestin”. Thirrja për një “Rend të ri” e dalje nga kaosi, është si emërues i përbashkët. Dhe ditët për t’i dhënë zë të ardhmes tjetër, sapo kanë nisur. Në Prizren.