Ka diçka të magjishme kur dielli lind në “Sunny Hill Festival”. Bashkë me të rrëzon edhe një tjetër imazh i vendit, së paku për katër ditë. Kosova përmendet si destinacion festivalesh e telashet ditore mbesin nën hije. Vendi, shtetasit e të cilit tek sivjet nisën të lëvizin pa viza, nuk është i panjohur për artistë të mëdhenj, e të huajve u duket një festival krejt unik në botë. Problemet teknike, përplasjet edhe politike që i paraprinë “shtëpisë së re” në Bërnicë të Poshtme, janë dëshmi se ka ende punë për ta bërë festivalin më të madhin në këtë pjesë të Kontinentit të Vjetër
Një ngjarje si “Sunny Hill Festival” në një shikim të parë është format i thjeshtë: shkon, pi ndonjë birrë, dëgjon muzikë me shpresë që ditët të shënohen në kujtesë.
Por historia, zhvillimi e synimet e ngjarjes më të madhe muzikore e kulturore në vend janë larg nga modestia. Nisin prej numrit të vizitorëve, emrave që shkelin skenën e tij e deri te çmimi që duhet paguar për një shishe ujë. 2018-a kishte qenë viti inaugurues i festivalit në Parkun e Gërmisë. Jo më shumë se 12 mijë bileta kishin qenë në shitje. Kishte shkaktuar sensacion në makinën kërkuese të “Google” me mbi 52 milionë kërkime. Dua Lipa, atë vit kishte fituar pesë trofe “Brit Awards”, e ndër ta dhe atë për depërtimin më të suksesshëm, por ajo do t’i jepte shtysën më të fuqishme në këtë dekadë dhe imazhit artistik e kulturor të Kosovës, me njoftimin se babai i saj Dukagjin Lipa, do të niste një festival në vendin e saj, Prishtinë. Emri: ashtu siç quhet lagjja ku është rritur – “Bregu i diellit”.
Kështu një trofe do t’ia jepte edhe vendit të saj duke bërë që veç asaj të depërtonte dhe emri i Kosovës.
Atëkohë gazeta prestigjioze “The New York Times” do të publikonte një artikull pikërisht për “Sunny Hill Festival”. Shkrimi do të niste me një bisedë me organizatorin e festivalit, Dukagjin Lipën, i cili tregonte se sa i vështirë ka qenë organizimi pasi ky ka qenë edhe festivali i parë i këtij lloji që ishte organizuar në Kosovë dhe vazhdon ta mbajë primatin si i tillë.
“Kemi dashur që të tregojmë se Kosova është një vend i gjallërishëm dhe njerëzit këtu mund të kalojnë momente të bukura. Kemi problemet tona por gjithashtu kemi edhe një rini e cila është më e bukura. Ata janë inteligjentë dhe kreativë”, do të shoshte Lipa. “A mund ta bëjë Kosovën ‘cool’ një festival i muzikës?”, ishte pyetja. Përgjigja nënkuptohej.
Tash e gjashtë vjet kjo ndërmarrje gjigante e cila ngërthen elementë të ndryshëm prej kulturës e deri te imazhi i shtetit ka realizuar gjithsej katër edicione të suksesshme – përfshirë edhe të sivjetshmin që të shtunën mbrëma ka përmbyllur natën e tratë – duke sjellë emra ndërkombëtarë të industrisë muzikore. Martin Garrix, Miley Cyrus, Calvin Harris, J Balvin, Diplo e shumë të tjerë arritën që ta vendosin emrin e Kosovës në hartë pikërisht nga rruga e “Sunny Hillit”, e kësaj liste iu bashkuan dhe Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy e DJ Snake, me të katërtin edicionin. Qe vetë Dua Lipa që u ngjit në skenë në edicionin inaugurues.
Pandemia do t’ia ndalte hovin më 2020 e 2021, më 2022-tën u çua pluhur për lokacionin e tanishëm me 16.9 hektarë në Bërnicë të Poshtme, u zhvendos në Tiranë por u rikthye edhe në Prishtinë. Por, saga e “shtëpisë” së “Sunny Hillit” kishte vluar vitin e kaluar me diskutimet e shumta për adresën permanente të festivalit por edicioni u shty për sivjet pasi “shtëpia e re” në hapësirën për 99 vjet nuk ishte gati.
Kështu do të shkruhej dhe epilogu i kësaj çështjeje, por historia e tij vazhdon e shkruhet edhe sot, e diel, në finale me DJ Snake dhe të tjerë.
Që nga data 25 e këtij muaji është dëshmuar vazhdimisht se këtij festivali nuk i gjendet i njëjti në këto anë. Teknika, komoditetet, “lineup-i”, e ashtuquajtura “kulturë e festivalit”, janë krejt pikat që plotësojnë koordinatat e vezullimit të kësaj ngjarjeje. Prishtina transformohet në qendër globale të muzikës, shpesh krahasohet dhe me të tjera festivale të stilit të njëjtë. Ka të tillë që i quajnë simotra me “Glastonbury” ikonik. Ka edhe nga ata që shpresojnë se do të përmirësohet me vite.

Aty ku pulson energjia
Në Bërnicë të Poshtme, në periferi të Prishtinës tash pozicionohet shtëpia e “Sunny Hillit”. Emri me shkronja të kuqe vendosur në një kodrinë bën që të marrë kuptim edhe më, teksa i bien rrezet e diellit nga agimi deri në perëndim. Derisa dita kthehet në natë aty ajri pulson me energjinë e mijëra individëve që mblidhen bashkë nëpërmjet gjuhës universale – muzikës. Janë disa hapësira ku ofrohen lojëra, rekreacion, e të tjera aktivitete por vëmendjen pa dyshim që e marrin skenat.
“Main stage” ajo kryesorja, më masivja që ka parë Kosova ndonjëherë dhe “C4” e cila mirëpret “sunyhillsat” me një skenë në formë dielli duke e pritur lindjen e atij, të vërtetit, në orët e para të mëngjesit me muzikë plot ritëm, lojë skenike dritash e bas që dridh tokën. Është një lloj i festës që vlerëson mbi të gjitha krijimtarinë njerëzore, një moment ku ritmi i Kosovës sinkronizohet me atë të botës. Pikërisht në sinkron me këto nota ngjau dhe fillimi i mbrëmjes së parë kur në skenë u ngjitën bendi i muzikës alternative “The Milk Snatchers” nga Prishtina. Atmosfera që transmetuan ata ishte nga ato që veç argëtimit, në këndin e duhur tregon dhe historinë e muzikës së Kosovës dhe udhëtimit të këtij zhanri, është njëfarë reflektimi që dëshmon mbi një pjesë të suksesshme të mozaikut muzikor i cili duket se dita e ditës po e konsolidon dhe publikun e vet.
Në atë stil në “Sunny Hill” u ngjitën dhe LaFazani, Zwada, e Elsa Mala, sollën ngjyra e zotim të skenës si për nga impenjimi teknik, njësoj edhe me improvizimet e komunikimin me publikun. Përveç se si një përjetim unik të cilin nuk kishte pasur rastin ta provonte më herët, për Jon Shalën basistin e “The Milk Snatchers”, skena kryesore e “Sunny Hillit” si eksperiencë është shkollë në vete. Ka shpresa që ky festival do të ketë rrugëtim të gjatë e në të të ketë edhe më shumë muzikë alternative.
“Jam ndjerë shumë mirë që na kanë ftuar dhe kisha pasur dëshirë që ‘SNH’ në të ardhmen si sot të paktën në njërën nga netët të ia kushtojë muzikës alternative në Kosovë, e jo vetëm asaj komerciale. Shumë mirë qe ka muzikë komerciale por pse jo dhe zhanret e tjera, eksperimentimi me to kishte me qenë i mirëseardhur besoj”, është shprehur Shala pas performancës të enjten e 25 korrikut.
Për artistin Genc Salihu, i cili ishte i pranishëm afër skenës kryesore pak para se të niste performancën i vëllai La Fazani, “Sunny Hilli” e mbështet skenën alternative kosovare vazhdimisht duke i ofruar hapësirë dhe mundësi atyre që të paraqiten para publikut masiv të përzier me të huaj e vendorë.
“Ky festival sjell top-yje botërorë dhe është shumë me rëndësi. Kjo e ka një vlerë pa dyshim. Por çka më pëlqen është që ky festival përkujdeset me përfaqësu dhe skenën alternative dhe e bën atë tradicionalisht prej kur ka filluar duke i mbështetë këta artistë”, ka thënë Salihu i cili kishte performuar dhe vetë në skenën e “Sunny Hillit”, në vitin 2018, në edicionin e parë të festivalit.

Në sinkron me ritmet e botës
Ecejaket e turmave mes akteve për në hapësirat e pushimit dhe ushqimeve janë material studimi. Aty vërehet se të gjithë ndajnë një habitus, fliten shumë gjuhë të huaja bashkë me shqipen, njerëzit janë të lirshëm e të përhumbur nga atmosfera. Radhët e gjata për një copë picë që kushton 4.50 euro dhe një shishe me ujë 1.50 euro, zënë e të ngacmojnë mendjen shumë nocione të mërzitshme që nuk përbëjnë interes për “sunnyhillsat”. Por pavarësisht se ka çfarë ofrohet në parkun e “Sunny Hillit” nuk ka veç lule.
Genta, rreth të 20-ave e cila ka ardhur enkas nga Gjermania për të parë Stormzyn dhe Burna Boy ka thënë se si organizim ka ende hapësirë për t’u përmirësuar.
“Nuk mendoj që kemi arritur ende në nivelin e festivaleve botërore sinqerisht, për shkak të organizimit kryesisht sepse është ende ajo përshtypja që këtu ndodh gjithçka në momentin e fundit”, ka thënë ajo në një prononcim për KOHË-n në mesditën e 25 korrikut, natën e parë të “Sunny Hillit”
Por të ardhmen e festivalit e sheh si të ndritur Genc Salihu i cili e lidh fatin e tij drejt rrugës së duhur. E identifikon edhe pengesën eventuale për këtë rrugë.
“Ky festival është ndër dy-tre më të mëdhenjtë në Evropën Juglindore, dhe ka një të ardhme shumë të ndritur. I vetmi send që mundet me pengu atë është vetë shteti qysh edhe provoi me pengu, por shpresoj që kanë me e lanë rahat prej tash e tutje, me mbështetë me i kriju hapësirë. Për dhjetë vjet besoj që ka me qenë ndër festivalet më të mëdha të Evropës”, ka thënë ai.
Një problem të festivalit e evidentoi dhe Julia H., amerikania e cila bashkë me një grup miqsh nga SHBA-ja ka ardhur enkas për “Sunny Hill”.
“Mendoj që ky festival është shumë fantastik por më duket shumë e padrejtë që biletat të jenë kaq të shtrenjta kur i krahason me rrogat e atyre që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Më bën të pyes veten se a është vërtet ky festival për Kosovën apo për një audiencë ndërkombëtare e diasporën. Do të doja shumë që ky moment kulturor, kjo ngjarje të ishte më e qasshme”, ka thënë ajo.
Kontrasti në sytë e të huajve
Atmosferën dhe energjinë e “Sunny Hillit”, plot bindje e krahason me festivalet e tjera të këtij stili që janë të njohura nëpër botë.
“Kam qenë dhe në ‘Glastonbury’ dhe në disa festivale në Holandë dhe mund të them që definitivisht ky festival mund të krahasohet me ata, veçanërisht kur merr në konsideratë që ka filluar pak vjet më parë, prej tash është në një nivel ku mund të krahasohet me festivale të tjera të Evropës perëndimore. Pastaj energjia këtu në Kosovë ka shumë shpresë e inspirim sidomos nëpër biseda me njerëzit, e rrjedhimisht mendoj që ky vend është adekuati për një festival të këtij lloji”, ka shtuar Julia H.
Tjetër detaj ka potencuar miku i saj Miles për të cilin është hera e tretë që vjen në Kosovë.
“Më ka pëlqyer gjithmonë Kosova, këtu ka shumë hapësirë, ka entuziazëm për të ardhmen e cila kontraston me shumë vende të tjera të cilat janë të kapluara nga ankthi, e këtu njerëzit janë të përkushtuar në këtë entuziazëm dhe rrjedhimisht kanë sukses me ngjarjet si ky festival”, ka qenë observimi i tij.
Jacob Endemano, miku tjetër i grupit i frekuenton festivalet vazhdimisht. “Sunny Hillin’ e rangon lart dhe e quan unik.
“Kam qenë në shumë festivale të ndryshme gjate jetës sime dhe ky është definitivisht diku në maje të listës, komoditetet këtu janë për mrekulli dhe në përgjithësi është një eksperiencë shume e mirë. Nuk do të mund ta krahasoja me ndonjë festival tjetër, definitivisht e ka emrin e vet që e ka krijuar ndër vite, ka artistë të mrekullueshëm nga Kosova e ndërkombëtarë të cilët sjellin shije unike dhe eksperienca të ndryshme në këtë festival”, ka thënë Endemano.
Sikur “Glastonbury” si “Cochella”, apo si asnjëra, një gjë është e ditur: “Sunny Hill” ka krijuar identitetin e tij dhe po e forcon atë dita e ditës e ky edicion i katërt është krejt një kapitull tjetër për të. Organizatorët pretendojnë 100 mijë vizitorë, shifrat dali në fund por ajo që shihet ende pa lindur dielli në “Sunny Hill” është fakti se bashkë me të lind edhe imazhi tjetër i vendit. Së paku për katër ditë e shumë të tjera që flitet për të edhe në vitin kur shtetasit e vendit ku mbahet mund të lëvizin lirshëm pa viza.
Derisa ai do të vazhdojë edhe të dielën, ajo që ia del ta bëjë ky festival është edhe një tjetër fakt: e vë atë në diskursin mediatik për pak ditë jashtë politikave ditore. Entuziazmi e energjia s’kanë të reshtur deri kur të lindë dielli i të hënës. E siç këndoi edhe Bebe Rexha në mbrëmjen e parë kur elektrizoi masën me hitin e saj “In the name of love”, edhe “Sunny Hill” këtë radhë mori dashuri e ia ktheu atë Kosovës duke promovuar unitet mes notave e ritmit.