Ndërsa artisti sfidon dhe merret dhe me metafizikën, koha ka limitet e veta duke e ndalur ritmin biologjik...qoftë dhe të vizionarëve. Kështu ndodhi edhe me Rexhepin, por jo për ta ndalur, por tashmë për ta përcjellë në panteonin e vlerave tona, që e pret krahëhapur. Po rrallohen vërtet burrat e bukur....por jo prej represionit të kohës e politikës, porse njerëz si Rexhep Ferri mbetën të paktët, që atdheun dhe artin e kishin në qelizë, kurse dinjitetin si busull
Në një shfrim zhgënjimi, Majakovski, poeti i revolucionit po konstatonte se sa shumë po shkonin me teprimet “idolët” e tij. Befas, u rralluan burrat e bukur..., shkroi me hidhërim një moment duke aluduar për njerëzit e letrave, intelektualët dhe vërtet njerëzit e mirë, që po iknin njëri pas tjetrit.
Në një farë mënyre, kjo ndjesi të vinte më 7 qershor në homazhet për nder të Rexhep Ferrit në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Prej ditësh, javësh, pak muajsh, Rexhepi s’ishte më aktiv në këtë institucion, ku kolegët, punonjësit e thjeshtë dhe deri rrugëtarët e përshëndesnin me adhurim, porse ishte po kaq i pranishëm, ngaqë koha biologjike shkon deri diku me përfytyrimin metafizik, që ta lënë njerëzit me shpirt të bukur si ai. “Nga raca ime, do të jem i vetmi, që nuk do të vdes me plumb dhe kjo s’është fare e këndshme...”, thoshte duke qeshur dhe pasonte me ndonjë frazë humori, ku autoironia përfshinte atë ndjesi që përballte atë moment, kontributin e bashkatdhetarëve, kolegëve në Akademi dhe vetë realitetin. Vetëm se i ndjeri nuk kishte nevojë për plumbin, që të mbahej mend, fjala dhe arti i tij ishin vërtet një lloj plumbi. Ai me pak kolegë të tij ngjallën Kosovën, kohë para se të përgatitej lëvizja e rezistencës; lartësuan mendimin e saj intelektual; treguan se shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë nuk mund të ishin kurrsesi inferiorë. Abstragimet e tyre ishin prova më e madhe dhe faktet i hidhnin poshtë argumentet.
Rexhep Ferri i ka bërë një të mirë të madhe dhe Shqipërisë (vendlindjes së tij), që ngërthyer në matricën e Realizmit Socialist nuk gjen dot për historinë e saj të pas Luftës së Dytë Botërore, elemente të modernizmit dhe bashkëkohësisë. Në të gjallë, Ferri i ofroi Galerisë Kombëtare në Tiranë një pjesë të veprave të tij, pas një ekspozite personale retrospektive, ku mes shumë punësh ishin dhe pikturat e tij të hershme, bash ato që plotësojnë zhvillimin e pikturës mbarëshqiptare dhe i japin periodizim, por edhe histori. Për fat të keq, burokracia e shtyu, sepse është e vështirë që të kuptosh dhe këto ofrime, që njerëz si Rexhepi nuk i bënin për emrin e tyre, po për misione që kalojnë brezat. Një ndjesi patriote, që nuk këlthiste apo donte të dukej, por që e quante si detyrim për atë që kishte nevojë çështja kulturologjike shqiptare. Kur torzot e tij të trandnin, por që jo pak i shikonin pak me tmerr se nuk i kuptonin, mbase prej paditurisë, ai u ofroi si balsam edhe esetë e tij. Me një stil gati atik, por me elementë puantalizmi, u mundua të shpaloste më së shumti atë që e shqetësonte dhe e shihte para syve, ani pse bashkatdhetarët e këqyrnin ende nga larg. Mëvetësinë e identitetit dhe atë të artit, që akademik Mehmet Kraja me të drejtë e cilësoi si burimin për ngritjen e Republikës së Kosovës, ne do t’i shtonim dhe vizionin për të ndikuar në metafizikën e mendimit të shqiptarëve, bash atë shtrat që përgatit të ardhmen e mbijetesës dhe konsolidimit të brezave.
Artisti, pedagogu, krijuesi letrar, akademiku dhe prindi i mirë Rexhep Ferri dha imazhin e njeriut me vetëdije të lartë, angazhimit kulturor, por më shumë se kaq dinjitetit, bash atë që vende të caktuara e plazmojnë në identitetin e tyre. Kjo ka qenë një nga përpjekjet e kahershme dhe të vazhdueshme të tij, që e kaluara e shtresëzuar mes punëve interesante dhe cikleve të ndryshme pikturike të shkonin dhe të krijonin një mendim, të ndihnin perceptimin se e ardhmja fillimisht duhet parë në art e kulturë dhe se atributet më të para të mbijetesës së kombeve duhet të jenë kulturore. Këtu ka qenë pjesa më e brishtë kombëtare ku na kanë goditur, nëpërkëmbur dhe vrarë, ndaj Rexhepi, biri i mësuesit idealist dhe nipi i patriotit të madh mitik e kishte moto të shprehjes së tij artistike. Dhe, varësisht momentumit apo tallazeve të shpirtit të tij gjeje lirizmin apo kapërcimet e mëdha plot jetë, ndërsa kur dyshonte dhe ndihej keq i derdhej shkrimit, për të disiplinuar mitin dhe dalldinë e bashkëkombësve.
Veçse, ndërsa artisti sfidon dhe merret dhe me metafizikën, koha ka limitet e veta duke e ndalur ritmin biologjik...qoftë dhe të vizionarëve. Kështu ndodhi edhe me Rexhepin, por jo për ta ndalur, por tashmë për ta përcjellë në panteonin e vlerave tona, që e pret krahëhapur. Po rrallohen vërtet burrat e bukur....por jo prej represionit të kohës e politikës, porse njerëz si Rexhep Ferri mbetën të paktët, që atdheun dhe artin e kishin në qelizë, kurse dinjitetin si busull. T’qoftë i lehtë dheu, i dashur mik!
LEXO EDHE: