Shtojca për Kulturë

Tri ditë në Lisbonën e historive të panumërta

Pamje panoramike e Lisbonës nga Lumi Tejo

Pamje panoramike e Lisbonës nga Lumi Tejo (Foto: KOHA)

Si do të përshkruhej Lisbona sot? Qytet plot histori, bukuri, sharm e njerëz të mirë e mikpritës. Besohet se Lisbona u themelua si vendbanim në vitin 1200 para erës sonë dhe krahas Athinës është një nga qytetet më të vjetra në Evropë. Pas vendosjes së keltëve në atë trevë, qytetin e themeluan fenikasit me emrin Alis Ubbo (“strehë e sigurt”). Tri ditë në Lisbonën e qindra rrëfimeve dhe historive

“Nata në Lisbonë”, ishte titulli i romanit të shkrimtarit gjerman Erich Maria Remarque, që më kishte intriguar aq shumë për të kuptuar më shumë për kryeqytetin e Portugalisë sesa për rrëfimet e dashurisë, për të cilat ai kishte qenë ekspert i sojit të veçantë. Para disa dekadash, kur e pata lexuar, nuk e kisha ditur se ky kishte qenë romani i tij i fundit, të cilin ia kishte dalë ta përfundonte. Shkrimtari do të vdiste tetë vjet pas botimit të bestsellerit që kishte arritur t’i shiste thuajse një milion kopje në botë. Për botën tonë të vogël, për t’i shitur aq kopje të një libri do të na duheshin mbase dy shekuj.
Por, libri më së paku ka folur për qytetin, porse ka shërbyer për të dëshmuar për një copëz historie – që Lisbona kishte qenë një prej pak porteve neutrale gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kishte shërbyer si strehimore për shumë refugjatë e spiunë. Gjithashtu kishte qenë vendi prej nga mbi 100 mijë njerëz kishin ikur nga Gjermania naziste për në SHBA gjatë luftës shkatërrimtare.

E porti i Lisbonës ka qenë dikur, gjeografikisht, në njërën nga pikat e skajshme që e përkufizojnë qytetin, e që mbase më së thjeshti përshkohet nga lumi Tagus. Kështu e quajnë të gjithë pos spanjollëve që e quajnë Tajo (Taho), dhe portugezëve, që e quajnë Tejo (Tezhu). Lumi e ka burimin në Spanjë dhe thuajse e pret gadishullin Iberik përgjysmë me rrjedhën e gjatë 1007 kilometra. Në rrjedhën e tij përmbyllëse, para arritjes te delta që e bashkon me Oqeanin Atlantik, e ku di të zgjerohet deri në 17 kilometra, Tejo shndërrohet natyrshëm në tehun e skajshëm të qytetit të vjetër të Lisbonës.

Lindja e një qyteti

Si do të përshkruhej Lisbona sot? Qytet plot histori, bukuri, sharm e njerëz të mirë e mikpritës.
Besohet se Lisbona u themelua si vendbanim në vitin 1200 para erës sonë dhe krahas Athinës është një nga qytetet më të vjetra në Evropë. Pas vendosjes së keltëve në atë trevë, qytetin e themeluan fenikasit me emrin Alis Ubbo (“strehë e sigurt”). Përderisa kjo pjesë e historisë mbetet disi e paqartë, ajo që dihet me siguri është se kjo trevë kishte qenë nën pushtimin romak nga vitit 205 p.e.s. deri më 409 e.s. dhe se Jul Çezari e kishte ngritur atë në nivel të municipiumit (qytet) dhe e kishte pagëzuar Felicitas Julia. 

Romakët u dëbuan nga një popull nomad, të cilët gjithashtu u dëbuan nga një tjetër popull nomad dhe kështu më në fund Lisbona ra në duart e vizigotëve, të cilët besohet se edhe i kanë vendosur bazat e fortifikimit të qytetit. 

Në shekullin e 8, morët, myslimanët afrikanë, e pushtuan Lisbonën dhe e mbajtën të pushtuar thuajse pesë shekuj. Dhe në kohën e pushtimit të tyre, qyteti u njoh me emrat Luzbona, Liksbuna, Uliksbone dhe Olisibona.

Në shekullin 12, portugezët e morën kontrollin mbi qytetin, nën udhëheqjen e mbretit të parë portugez, Alfonso I, dhe me ndihmën e kalorësve të kryqëzatave. Qyteti, e më vonë edhe territori më i gjerë, u vunë nën kontrollin e krishterë. Tempujt fetarë myslimanë si dhe gjuha arabe thuajse u zhdukën krejtësisht. Lisbona, për shkak të pozicionit të saj strategjik, u bë kryeqytet i mbretërisë së re, në të cilin madje u themelua një universitet, më 1290.

Zbulues a pushtues

Monumenti impresiv, i ndërtuar për nder të detarëve portugezë, që e shndërruan atë në superfuqi në mesjetë  (Foto: KOHA)

Padrão dos Descobrimentos (Monumenti i zbulimeve) është një monument jashtëzakonisht i bukur. E ka formën e një karavele që bart stemën e Portugalisë dhe shpatën e dinastisë Avis, që e nisi eksplorimin oqeanik. Në krye të anijes është figura e Henrique de Portugalit, njeriut që kishte qenë nismëtar i eksplorimeve. Në dy rreshtat anësorë të secilës anë të monumentit, janë statujat e, siç i quajnë, heronjve portugezë që ishin përfshirë me zbulimet, si dhe figura hartografësh, lundruesish dhe mbretërish. 

Monumenti u ndërtua më 1960 për ta shënuar 500-vjetorin e vdekjes së Henriques me porosi nga diktatori Salazar që kishte mbajtur pushtetin 33 vjet. 

Struktura impozante prej 50 metrash lartësie është pikë vizite e pashmangshme e turistëve, jo vetëm për t’u impresionuar me të, por edhe për të mësuar se eksplorimet e para oqeanike të Portugalisë nisën në shekullin 14, fillimisht me “ekskursionin” në Ishujt Kanarine e më vonë në arkipelagun atlantik, Madeira e Açores (që tash janë pjesë e shtetit portugez, si pikat më të perëndimore të Evropës). Një shekull më vonë do të “zbulohej” bregu perëndimor i Afrikës e nga fundi i shekullit 15, Vasco da Gama do ta gjente rrugën detare drejt Indisë për ta vendosur praninë detare dhe tregtare të Portugalisë në Oqeanin Indian.

Për popujt që e kanë shijuar hidhësinë e pushtimit, emri i monumentit vret veshët. Për ata që kanë jetuar të pushtuar nga Portugalia me shekuj, do të jetë simboli që e ilustron mjerimin e tyre.

Lundrimi nëpër Tejo

Te ky dhe dy monumente të tjera të jashtëzakonshme në atë zonë, mbërrihet me veturë. Por, mbërrihet edhe me varkë, që e përshkon të gjithë gjatësinë e lumit Tejo prej pikës së nisjes, përballë sheshit impozant Praça do Comércio (pra, Sheshi i Tregtisë), që ka një sipërfaqe prej mbi 30 mijë metrash katrorë.

Praça do Comercio – qendra e tregtisë në mesjetë. Sot pikë e pashmangshme vizite e Lisbonës  (Foto: KOHA)

Sheshi, që dikur kishte mbajtur në gji pallatin mbretëror, u “çlirua” nga ky Paço de Ribeira, si quhej, pas tërmetit dhe cunamit katastrofal që e kishin goditur Lisbonën më 1755. Nga fundi i shekullit 18, kjo hapësirë impozante ishte ndërtuar për ta reflektuar pasurinë dhe ambiciet e Portugalisë me udhëtimet e panumërta në Brazil, Indi dhe Azinë Juglindore prej nga ktheheshin me mallin e marrë për të tregtuar me të.

Tash, e gjithë hapësira vezullon nga ngjyra e verdhë e fasadave dhe në mes e mban një statujë të vetme: të mbretit reformator të Portugalisë, Jose I, gjatë kohës të të cilit u ndërtua bërthama e Lisbonës së sotme.

Lundrimi në Tejo është përvojë më vete.

Kompani të ndryshme turistike tashmë i kanë zënë vendet brenda ndërtesës administrative të shekullit 18 dhe secila prej tyre, me udhëzime të qarta, të orienton drejt kejit dhe shtigjeve që çojnë drejt lundrave. Nisja e tyre është e koordinuar dhe me distancë kohore ndërmjet secilës nisje, për ta shmangur ndonjë aksident apo edhe për të mos trazuar rrjedhën e lumit tepër të madh. 

Lundrimi që zgjat rreth 30 minuta prej një pike të qytetit në tjetrën të ofron panorama të papërsëritshme të tij: bukuri të cilën më së miri e përshkruan fotografia. Përderisa nga ana e djathtë nuk ngopesh së shikuari objekte të vjetra e të ruajtura, nga ana e majtë e sheh një copë toke që i ngjet një ishulli me shumë objekte të braktisura, por bukur të shfrytëzuara nga artistët që i kanë mbushur grafite plot kolorit.

Ana e mjatë e lumit Tejo, Komuna e Almadas. Grafitet mund të gjenden gjithandej në qytet  (Foto: KOHA)

Diku nga mesi i shtegut, varka kalon nën urën varëse të quajtur “25 Abril” (25 prilli), që shënon datën e revolucionit të tretë portugez dhe rrëzimin e diktaturës. Revolucioni ndodhi më 1974 (posa u shënua 50-vjetori) dhe botërisht njihet si “Revolucioni i karafilave”. Kjo, për shkak se ushtarët, që me grusht shtet e rrëzuan diktaturën, nuk e shkrepën asnjë plumb, sepse zgjodhën që tytat t’i mbyllnin me nga një lule të kuqe karafili.

Edhe ura ishte porositur nga diktatori Salazar. Atë e kishin projektuar dhe ndërtuar firmat amerikane që kishin qenë përfshirë në ndërtimin e urës së famshme të San Franciscos në SHBA. Ura shërben për ta lidhur Lisbonën me komunën e Almadas (nga ana e monumentit të Krishtit) dhe u përurua më 1966.

Ura 25 prilli, e gjatë 1013 metra, fillimisht e quajtur Ura Salazar (për nder të diktatorit që e kishte urdhëruar ndërtimin). Ndërroi emrin më 1974, pas Revolucionit të karafilave  (Foto: KOHA)

Nga e majta, po në këtë lartësi, dallohet përmendorja e madhe e Krishtit, Santuário de Cristo Rei (Shenjtërorja e Krishtit mbret), e cila u ndërtua frymëzuar nga Krishti në Corcovado të Rio de Janeiros. Përderisa ajo në Brazil u ndërtua më 1931, kjo e Lisbonës u vendos më 1959.

Shenjtërorja e Krishtit mbret  (Foto: KOHA)

Histori nga të sillesh

Pas urës, nga e djathta, do të shihen një varg objektesh industriale të shndërruara në muze. Përndryshe, nuk di a ka qytet me më shumë muze e ekspozita sesa Lisbona, nëse përpjesëtimisht matet popullata – janë rreth 70 në gjysmë milioni banorësh që jetojnë në qytet. Ai që dallohet shikuar nga lumi, është ish-objekti i centralit elektrik të shndërruar në Muzeun e Rrymës.

Ajo që dikur ishte njohur si Estaçao dos Barbadinhos ka qenë në funksion ndërmjet viteve 1880 dhe 1928, kurse në brendi ende i ruan makinat me avull me pompat përkatëse. Avulli ishte prodhuar me qymyr.

Muzeu i Rrymës (Foto: Pedro Simões / wikimedia.org)

Ngadalë, varka na afron në lagjen Belém. Fillimisht kalojmë pranë monumentit të pushtuesve, si do ta quaja unë, për t’u ndalur te “stacioni i fundit”, Kulla e Betëlhemit, apo Torre de Belém, një shembull unikal i arkitekturës “manueline”, gotikes së vonshme portugeze. Ky stil u emërua kështu pas mbretit portugez Manuel I, gjatë kohës të të cilit janë ndërtuar disa nga godinat më impresive në qytet.

Pika e nisjes për në zbulimin e botës së re, për në pushtimin e tokave të panjohura deri atëherë (Foto: KOHA)

Kulla kishte shërbyer si pikënisje e “zbuluesve” dhe tregtarëve dhe ishte ndërtuar më 1519, mbi një ishull të vogël në lum. Por, tërmeti i dy shekujve më vonë do ta ndërronte rrjedhën e lumit dhe tash ndërtesa është mbi tokë, thuajse e lidhur me pjesën tjetër që çon drejt edhe një objekti impozant.
Kulla 30 metërshe që ka detaje të arkitekturës së morëve (minaret e vogla), është shpallur trashëgimi botërore nga UNESCO-ja më 1983. Për t’u ngjitur në të, e për t’i vizituar katër katet e saj, duhet pritur më së paku gjysmë ore rresht. 

E hapur nga lumi e oqeani, në Lisbonë nuk ndalen erërat që vijnë nga të gjitha drejtimet. Në veçanti fryma ndihet buzë Tejos – ngado të krijohet përshtypja se ke hipur në anije dhe je nisur “zbulimit” të tokës së re.

Mikroklima ndryshon vetëm disa dhjetëra metra më në brendi. 

Bash përballë monumentit të lundruesve, pasi e kalon rrugën me katër shirita, mbërrin te një shesh simetrik, në formë katrore, me dimensione 175x175 metra. Quhet Praça do Império (Sheshi i Perandorisë) dhe daton nga viti 1940, kur u ndërtua, ia qëlloni, me vendim të diktatorit Salazar. 
Edhe ky shesh me mbi 30 mijë metra katrorë sipërfaqeje, pos një fontane të madhe, i gjithë është mbushur me skulptura e gjelbërim, dhe i tillë shpien drejt një monumenti mbresëlënës: Mosterio dos Jeronimos (Manastiri i Jeronimëve).

Mesi i Sheshit të Perandorisë në drejtim të Mosterio dos Jeronimos  (Foto: KOHA)

Monumenti vigan

Manastiri është shembulli më i veçuar i gotikes portugeze “manueline”. Ndërtimi i tij nisi më 1501 dhe e zuri vendin e një kishe të vogël të lagjes. Qëllimi pas vendimit për ta ndërtuar qe që ai të shndërrohej në nekropolin e dinastisë së avisëve. 

Tashmë “zbulimi” i territoreve të reja sillte shumë pasuri prapa. Paratë nuk ishin problem, ngase mbreti Manuel I kishte vendosur që për ndërtimin e tij të shfrytëzoheshin paratë nga tatimi i quajtur Vintena da Pimenta (tekstualisht: e njëzeta pjesë e piperit) që ngërthente 5% të tatimit mbi tregtinë që realizohej nga Afrika dhe Lindja, e që barazohej me nja 70 kilogramë ari në vit, me përjashtimin e tatimit të mbledhur nga tregtia me piper, kanellë dhe karafil që i shkonin direkt mbretit në buxhet. 

Ndërtimi mori 100 vjet. Deri nga shekulli 19, nuk ka pasur shumë ndërhyrje në të, kurse nga mesi i këtij shekulli, objekti pësoi disa ndryshime në disa nga krahët e tij, për të mbetur e tillë në formën çfarë është sot. 

Që nga fillimi i shekullit të 17 deri më 1833 shërbeu pikërisht si manastir murgjish, që kishin për detyrë të luteshin për jetën e amshueshme të familjes mbretërore, si dhe për jetën dhe suksesin e detarëve që niseshin nga kulla që kishin përballë. Në atë vit, manastiri u zbraz dhe mbeti pa përkujdesje, derisa shteti e mori nën mbikëqyrje të veten, përfshirë tashmë edhe një numër varresh që ishin shpërndarë gjithandej ndërtesës, përfshirë edhe atë të Vasco da Gamas.

Manastiri është mbi 300 metra i gjatë, por rreshti që duhet pritur për të hyrë aty di të zgjatet bile edhe për nja 200 metra. Mesatarisht duhet pritur një orë e gjysmë për të hyrë brenda, me biletat që rekomandohet të blihen online.

 Manastiri i Jeronimëve, në lartësi të hyrjes së Muzeut të Arkeologjisë  (Foto: KOHA)

Dhe derisa jeni në pritje, do të ishte mirë të kishit një shishe ujë, një kasketë dhe një çadër me vete, sepse ndryshimit të menjëhershëm të motit nuk i dihet. Por, nëse cilado nga këto ju mungojnë, aty do të jenë shitësit ambulatorë që do t’ju drejtohen në të gjitha gjuhet e mundshme që i dinë dhe nuk do të largohen derisa nuk ia dalin të shesin bile diçka, qoftë ai ndonjë shall, ndonjë byzylyk, a çfarëdo që mund t’jua ofrojnë nga torbat që i bartin në krah.
Po qe se nuk jeni të interesuar për të blerë gjë, mënyra më e lehtë për t’i larguar është nëse u flisni shqip – është gjuhë që nuk e kuptojnë dhe do të largohen me bindjen se nuk mund të kuptoheni.

Reshti për të hyrë në manastir. Objekti në të djathtë është Muzeu i Arteve Popullore; qiparisat e përshkojnë Sheshin e Perandorisë, kurse në të majtën shihet Monumenti i Zbuluesve  (Foto: KOHA)

E brenda? 

Brenda thjesht mbetesh pa fjalë. 

Ky është vend të cilin duhen vizituar arkitektët dhe ndërtimtarët në rend të parë e edhe historianët e artit. I gjithë ai ndërtim dhe përpunim i gurit gëlqeror për t’i nxjerrë gjithë ato ornamente, pa frikën se cilado copë do të mund të bjerë (madje as tërmeti katastrofal i 1755-s nuk kishte arritur ta dëmtonte), thjesht të lë pa frymë. Pavarësisht qindra njerëzve që sillen nëpër objekt, megjithatë është një qetësi që dominon. Dhe përnjëherë, të gjithë nisin ta zbulojnë talentin e fshehur për fotografinë – ka aq shumë detaje të bukura, sa secilin do të doje ta mbyllje në kornizë.

Dhe ajo që lë më së shumti përshtypje është kombinimi i pllakave të qeramikës në enterier – dhe efekti tepër i çuditshëm i ngrohtësisë të cilin e ngjallin në gjithë atë hapësirë e thellësi.
Gati dy orët e kaluara brenda kalojnë thuajse në ëndërr.

Brendia e Mosterio dos Jeronimos, shpallur trashëgimi e njerëzimit më 1983  (Foto: KOHA)


Manastiri në fakt është kompleks turistik i cili është adaptuar për nevoja të tjera kulturore. Përderisa kisha ka orare të kufizuara vizitash, e të dielën nuk lejohet hyrja pos për meshë, pjesa e mesme e objektit është ndarë për nevojat e Muzeut të Arkeologjisë, kurse pjesa e skajshme perëndimore, i është kushtuar Muzeut të Detit. Secili muze kërkon bileta të veçanta për t’u vizituar, por mbi të gjitha, kërkon edhe kohë për t’i vizituar.

E se nuk janë vetëm të huajt ata që impresionohen me këtë ndërtesë, e dëshmon një pllakë që bart nënshkrimet e përfaqësuesve të 27 shteteve anëtare të BE-së, me rastin e nënshkrimit të Traktatit të Lisbonës, më 2007, që kishte miratuar ndryshimin e dokumenteve bazë, kushtetuese, të ish-Komunitetit Evropian. Paraprakisht, në po të njëjtin objekt, më 1985, pas tetë vjetësh negociatash, Portugalia e nënshkroi Traktatin e Bashkimit në BE, anëtare e së cilës u bë formalisht më 1986, krahas Spanjës. 

Histori e pafund.

Ky është vetëm fillimi

Distanca nga Belémi deri në qendër të Lisbonës është diku rreth gjashtë kilometra, pra sikur të nisesh nga semaforët te Filozofiku e deri në Gërmi. Me dallimin shumë të madh se atje zor se do të mund të të shkelte dikush në trotuar, sepse ato njëmend janë trotuare, dhe se asaj rruge do t’i dalloje dy gjera fondamentale: gjelbërimi dhe pastërtia e jashtëzakonshme. Askund të dukshëm kontejnerët kolektivë sikur që na ndodh neve. Pastër, thuajse dikush përkujdeset ta mbledhë bërllokun me një makinë të madhe thithëse, e të padukshme.

Opsioni tjetër i kthimit në qytet është sërish varka, më pas tramvaji, treni dhe autobusi urban. Por, është edhe një tjetër mundësi, e ky është autobusi i kuq apo i verdhë turistik, që në përkthim të lirë do të mund të quhej “hyp-zhdryp”. 

Qarkullimi me këta autobusë nëpër qytet është shpëtim për këmbët dhe energjinë që duhet ruajtur për aktivitetet dhe shëtitjet e tjera. Kombinime biletash ofrojnë mundësinë e përzgjedhjes së rutave dhe vendeve për të vizituar, sikurse edhe intensitetin e qarkullimit me to, për një, dy a tri ditë. Bileta treditore për tri linja busi/varke kushton 46 euro dhe gjithsesi ia vlen. Sepse e përshkruara më lart, është vetëm një copëz e asaj që vizitori në Lisbonë do të mund ta përjetonte, e megjithatë të mbetet pa parë edhe shumë gjëra që fshihen nëpër shtatë kodrat e qytetit.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë