Shtojca për Kulturë

Maj 1999: Policia kishte hyrë nëpër banesa dhe kishte bastisur e rrahur shqiptarët

Lufta në Kosovë

Një vajzë shqiptare ndez shkëndijën e paqes të mërkurën, më 5 maj 1999, pak pasi kaloi kufirin në Bllacë. Më shumë se 700 mijë refugjatë janë dëbuar nga Kosova gjatë muajit të kaluar, shumë prej tyre me histori të tmerrshme abuzimesh nga forcat serbe (Foto: Associated Press /John McConnico)

“Janë mbushur pesëdhjetë ditë që s’kam dalë jashtë kësaj ndërtese. Më ka mbërthyer një krizë shpirtërore që kurrë më parë nuk e kam përjetuar. Kur dola në katin e gjashtë të bisedoj me Arianitin, në derë gjeta të shkruar mbi një letër të bardhë: “Stop, policija!” U ktheva pas me shpirt të thyer dhe pa ndonjë shpresë se do të mund të vendosja më kontakt me djalin”, shkruante gazetari Zenun Çelaj në ditarin e luftës më 16 maj 1999

E premte, 14 maj

Dhëndri dhe motra e Fadilit rrëfejnë tregime rrëqethëse dhe të pabesueshme për vuajtjet e njerëzve, për vrasje, djegie shtëpish, plaçkitje.

Në banesën e Nexhdetit prapë kishte hyrë dikush nëpër derën e ballkonit. Nuk mund të hetoja nëse i mungonte gjë.

E shtunë, 15 maj

Vediha Topçiu, profesoreshë e gjuhës dhe motra e madhe e Myberasë, më tregoi se në lagjen ku banon ajo policia kishte hyrë nëpër banesa dhe kishte bastisur e rrahur shqiptarët. Riza Smakën e kishin rrahur keq, kurse Asllan Pushkës ia kishin shqyer pasaportën. Ishte shumë e tronditur. Më shqetësoi edhe mua. Rusha e Rrustem Ulajt më tregoi se e kishin vrarë Beqir Prelvukajn me të vëllain, kurse të mbesën ia kishin rrëmbyer dhe tani s’dinin gjë për të. Nuk dinte hollësi, pos se këta i kishin vrarë njerëz me maska. Beqiri ishte burri i një kushërirës sime. Jetonte në Vitomiricë. Kishte ardhur këtu nga Martinajt e Plavës para shumë vjetësh. Kushërira ime, Sanija, për pak kishte shpëtuar. E shkreta tash i ka gjashtëdhjetë e pesë vjet.

E diel, 16 maj

Janë mbushur pesëdhjetë ditë që s’kam dalë jashtë kësaj ndërtese. Më ka mbërthyer një krizë shpirtërore që kurrë më parë nuk e kam përjetuar. Kur dola në katin e gjashtë të bisedoj me Arianitin, në derë gjeta të shkruar mbi një letër të bardhë: “Stop, policija!” U ktheva pas me shpirt të thyer dhe pa ndonjë shpresë se do të mund të vendosja më kontakt me djalin.

E hënë, 17 maj

Mbrëmë, si zakonisht, ndenjëm me Qazën deri në orën një pas mesnate. Ai kishte sjellë akullin, e unë uiskin. Fatkeqësisht unë nuk guxoj të pi. Nata ishte e qetë. Si me orë, në gjashtë më doli gjumi, por nuk isha i sigurt nëse u zgjova vetvetiu, apo nga krismat e një automatiku.

Paradite erdhi Selajdin Skeja, miku i Nexhdetit, pra i pronarit ku përdorim të vetmin telefon që di se ka mbetur në rrethin që njoh unë. Ai dhe të afërmit e tij vinin për çelësin e asaj banese, meqë e mbaja unë. Kur po i shpjegoja se banesën e mikut të tij e kishte bllombuar policia, ai nisi të qeshet: “Unë e shkrova atë ‘Stop! Policija’, që sadopak t’i frikësoj ata që thyejnë shtëpi, nëse nuk janë policët vetë. M’u kthye disponimi, meqë prapë do ta kam telefonin për të biseduar me djemtë e të afërmit.

E martë, 18 maj

Gjithë dita më kaloi duke “shëtitur” radiostacionet në një transistor që të marr vesh nëse kishin dhënë fryt iniciativat diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje të çështjes së Kosovës. Nehati, që erdhi prapë, si gjithnjë pesimizmin e mbulon me mahi dhe parashikime të argumentuara: “Ky tash do të jetë gati për çfarëdo kompromisi, vetëm të mbetet vetë në këmbë…” (e ka fjalën për Millosheviqin).

Ibrahim Rugova mohon nënshkrimet me Millosheviqin dhe kjo më gëzon. Por, dëshpërohem me arsyetimin: “E bëra për të shpëtuar jetën e familjes…” Kujtoj Adem Jasharin i cili sakrifikoi veten dhe tërë familjen për çlirimin e Kosovës. Bukoshi shkakton huti me veprime e deklarime. Nuk më mbushet mendja se ai njeri lë interesat kombëtare për një interes të vetin karrierist. Deklaratat e liderëve tanë politikë jashtë paralajmërojnë përçarje të reja ndërmjet tyre. Duket nuk e meritojmë më mirë seç jemi.

Refugjatë shqiptarë presin të kalojnë nga Kosova për në Maqedoni në pikën kufitare në Bllacë, të shtunën e 15 majit. Nja dhjetë ditë ka pasur pak lëvizje por të shtunën (15 maj) ka rinisur vala e refugjatëve (Foto: Associated Press /John McConnico)

E mërkurë, 19 maj

Në lagjet nga Kodra e Diellit njoftojnë se është përforcuar kontrolli. Qaza përpiqet për të satën herë të dijë për fatin e të vëllait, për të cilin nuk dihet asgjë që nga 1 maji. Të gjithë të strehuarit në Kodrën e Trimave, që më parë i kishin dëbuar nga Llapi, i kanë urdhëruar të kthehen nëpër shtëpitë e veta. As dreqi s’e merr vesh ç’po ndodhë.

Jashar Kabashi më vizitoi dhe ma rrëfeu historinë e dëbimit të tij nga banesa. “Merre me mend, komshiu ma tha shumë gjakftohtë: Më duhet mua!” – më tha Jashari.

E enjte, 20 maj

Cingërima e ziles së derës ishte e pazakontë. Ajo ra gjatë dhe herët, në mëngjes para orës shtatë. U ngrita nga shtrati, mbatha një palë çorape të dimrit, mbi pizhame vesha pantallonat dhe hapa derën, shumë i sigurt, pa shikuar fare, se ishte policia. Çuditërisht u sollën mirë. Kërkuan letërnjoftimin dhe informacione se kush banonte me mua. Ua thashë të gjitha. Vetëm nuk u thashë se isha gazetar. Kur më pyetën se ç’profesion kam, iu përgjigja: “Punëtor grafik”. Vetë me vete e blova shpejt përgjigjen: edhe nëse më zbulojnë, s’do të mund të më thoshin se kisha gënjyer shumë. Gazetaria ka lidhje me punët grafike. Shihej se nuk ishin policë nga Kosova.

Hynë brenda dhe shikuan dhomat. Legjitimuan dhëndrin dhe mbesën time. Atij i thanë të bëhej gati. Ai është i ri, rreth të 35-tave. U thashë se nuk e dinte serbishten. “Mos u merakosni, do të kthehet!” Atë e pashë kur e futën në një kombi me grila me disa të tjerë, që nuk i njihja. Me Valdeten mbetëm të heshtur, të frikësuar e të mërzitur për Fadilin. Druanim se nuk do të kthehej më. Rrugës, te soliterat e kishin marrë edhe Qazën. Njëri as tjetri s’kishin bërë gjë. Por s’kishin bërë gjë as mijëra shqiptarë të tjerë, ndër ta gra e fëmijë, që vriteshin. Ata u kthyen rreth orës 15:00. Thanë se në stacionin e policisë, në një bodrum, kishin qenë edhe dhjetëra të tjerë. Gjithë kohën kishin qenë të detyruar t’i mbanin duart pas qafe. I kishin provuar me parafinë mos kanë përdorur armë.

Dje i kishin marrë edhe djemtë e Halil Kajtazit, Besimin e Veliun. Por, derisa Besimin e kishin liruar, Veliun jo.

E premte, 21 maj

Erdhën Ukë Rexha me Rrustem Ulajn. Që të dy i kam kushërinj. Biseduam gjatë. U kthyem edhe në të kaluarën.

Bisedova me Iliren në Strugë. Mbesat, Bardha e Rozafa, më bënë të përlotem. “Gjysh, sa zë të mirë ke! Kur të vijmë do të rrimë vetëm bashkë, shumë, shumë…” – e shprehën ato dashurinë për mua. Unë s’pata forcë të them asnjë fjalë.

Njoftohet për të vrarë në Burgun e Dubravës nga bombardimet e NATO-s. NATO nuk e ka mohuar sulmin as në Dubravë, as në Koshare, kur u vranë shtatë e u plagosën 20 pjesëtarë të UÇK-së.

E shtunë, 22 maj

Një ditë e zymtë, pa rrymë, pa ujë, me njoftime për ngecje në bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit të armatosur në Kosovë.

Dalip Limani më tha se ka gjasa që Zaimi me të dy djemtë të jenë gjallë.

Ka vazhduar dëbimi i shqiptarëve për në Maqedoni e në Shqipëri, pas një ndërprerjeje kush e di për çfarë arsye.

E diel, 23 maj

“Zëri i Amerikës” njofton për lirimin e mbi 600 të burgosurve nga Burgu i Smrekovnicës. Të paktën tani dihet se janë gjallë. E çuditshme, serbët në një anë arrestojnë e vrasin, në tjetrën lirojnë të burgosur. Hajde bëhu i mençur e shpjegoje?! Skenat që sjell televizioni rrëfejnë për tmerret që kanë përjetuar këta njerëz. Këtë e thonë edhe para kamerave. Pohojnë se në Smrekovnicë kanë mbetur edhe nja dy mijë të burgosur të tjerë.

E hënë, 24 maj

U zgjuam pa dritë elektrike. NATO-ja ka qëlluar centrale e trafostacione në Serbi dhe ka shkaktuar çrregullime të mëdha në rrjetin energjetik në gjithë Serbinë, po edhe në Kosovë e në Mal të Zi. Bukë kemi në friz dhe atë do ta shkrijmë.

Alija, e mbesa e Qazës, u kthye nga Podujeva, pas bredhjeve disaditëshe në kërkim të babait të vet, të cilit i ka humbur çdo gjurmë që nga një maji. Çdo gjë i ngjason një ëndrre të keqe. Njerëzit flasin ndryshe-ndryshe. Dikush e ka parë duke hipur në autobusin e qëlluar nga NATO-ja në urën e Lluzhanit, bile disa thonë se e kanë parë brenda autobusit. Të tjerë thonë se kanë qenë aty kur është nisur autobusi, por atë nuk e kanë parë. Njëri thotë se e kishte parë në Prishtinë shëndosh e mirë dhe të veshur me shije. Në morgun e Spitalit në Prishtinë ofrojnë të dhëna për disa të vdekur, por asnjë e dhënë nuk sugjeron të jetë ndonjëri i vëllai i Qazës. Ta konsiderojnë të vdekur apo ta mbajnë për të gjallë, është një dilemë që tërë familjen e lë pa gjumë.

Një dajë i Metit, të nipit të Qazës, që banon në lagjen mbi hekurudhë, te Xhamia e Llapit në Prishtinë, tregon për një kolonë të pafund njerëzish të lodhur që kishin shkuar gjatë natës drejt stacionit të trenit, pa çadra, çanta, këpucë e sende të tjera të lëna në hapësirën ku dikur ishte stacioni i autobusëve, afër ndërtesës së Televizionit të Prishtinës.

Dikush përsëri ka hyrë në banesën e Nexhdetit.

Vëllai nga Nju-Jorku më sugjeron që të largohem si të gjithë të tjerët. Ia kthej si me mahi, do të rri këtu si gjithë të tjerët.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë Shkëputur nga kapitulli “Ditari i luftës: Ferri para lirisë” i librit “Udhëtim në të shkuarën” i Zenun Çelajt, Botimet KOHA, tetor 2020.

Titulli i këtij artikulli është i Redaksisë

Lexo edhe:

https://.koha.net/shtojca-kulture/416271/fati-i-tyre-me-trondit-femije-pleq-gra-pa-strehe-pa-buke

https://www.koha.net/shtojca-kulture/414730/31-mars-1999-qyteti-po-zbrazet-nga-shqiptaret

https://www.koha.net/shtojca-kulture/413742/24-mars-1999-oshtima-e-pare-e-raketave-te-nato-s