“Zakonisht në orën tetë të mëngjesit e dëgjoj Radio Beogradin. Më intereson të di ç’thonë. Nga fundi dhanë lajmin që m’i preu këmbët e shpirtin: Fehmi Agani, njëri nga njerëzit që i jepte shpirt politikës në Kosovë, u gjet i vrarë afër Lipjanit. Atë, tha Radio Beogradi, e ka vrarë UÇK-ja, që të mos i bashkohej Rugovës në bisedat për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nuk dua ta besoj lajmin”, shkruante gazetari Zenun Çelaj në ditarin e luftës më 8 maj, 1999
E premte, 7 maj
Pamjet që mund të shihen nëpër dritaret e banesës në D9, në Ulpianë, ku jam mbyllur nga fillimi i bombardimeve të NATO-s, frikësojnë. Rrugë të boshatisura e të shurdhra. Herë pas here shihen gra me nga dy, tre e më shumë fëmijë, me ndonjë trastë plastmasi në dorë, ose ndonjë plak a plakë, që shpejtojnë për të ikur larg, ose për t’u strehuar ku kujtojnë se është më sigurt. Vjen vetëm ndonjë zë në gjuhën serbe. Po edhe këta kohëve të fundit janë më pak të zhurmshëm. Kanë filluar të tremben.
Rexhë Blakaj, i biri i Bollovanit, që ka mbetur me gjyshen dhe me hallën e vet, që të dyja invalide, dhe që pasi ua kishin djegur shtëpinë në Istog kanë ardhur në Prishtinë, më thotë të mos lëviz nga banesa këto ditë. Në soliterin këtu afër është gjetur një njeri i vrarë. Ti je në sy të keq, ma rikujton. Edhe për vete thotë se nuk do të lëvizë. I ati i ka shkuar në Francë.
Ende janë në Prishtinë: Skender Blakaj, Destan Rukiqi, Fazli Balaj, dr. Abdyllatif Fusha, Skender Daci, Asllan Pushka, Jashar Kabashi, Dalip Limani, Rexhep Zogaj, Qerim Gashi…
S’më hiqen nga mendja Zaim Kurti me djemtë. A do të mund ta përballojnë. Po Flora Brovina? Thonë se ka edhe të tjerë. Dalip Limani ishte takuar me Arifen, gruan e Zaimit, dhe më tregoi se më 27 prill ata i kishte marrë policia në shtëpinë e Nazmi Zekës. Po Nazmiun dhe Taulantin (djalin e Nazmiut) i kishin rrahur e pastaj i kishin liruar, kurse Zaimin me djemtë Albinin dhe Arianitin i kanë mbajtur dhe që atë ditë nuk dinte gjë për ta. Po ashtu, më tha se edhe Flora Brovinën me siguri e kanë arrestuar, por s’dinte më shumë për fatin e saj. I thashë Arianitit në Londër që t’i tregojë Lirakut për këto arrestime. Në lajmet e mbrëmjes të TVSH-së satelitor dhe në Evropa e Lirë e në Zërin e Amerikës u dha njoftimi për ta. Ndjeva një lehtësi. Të paktën bëra një punë, bëra diçka për këta njerëz, fati i të cilëve nuk dihet si do të përfundojë.
Shoku i Ilirit, një berber, erdhi në banesë dhe na qethi mua, Fadilin dhe Mehmetin, të nipin e Qazës. Kurrsesi nuk deshi të merrte para.
E shtunë, 8 maj
Zakonisht në orën tetë të mëngjesit e dëgjoj Radio Beogradin. Më intereson të di ç’thonë. Nga fundi dhanë lajmin që m’i preu këmbët e shpirtin: Fehmi Agani, njëri nga njerëzit që i jepte shpirt politikës në Kosovë, u gjet i vrarë afër Lipjanit. Atë, tha Radio Beogradi, e ka vrarë UÇK-ja, që të mos i bashkohej Rugovës në bisedat për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Nuk dua ta besoj lajmin. Qava. Kujtova gjithë ato vite që e njihja, fillimisht si arsimtar të shkëlqyeshëm, më vonë si koleg të rrallë në “Rilindje” dhe pastaj shok të mrekullueshëm. Kishte refleks të jashtëzakonshëm politik, aftësi për të gjetur rrugëdalje. Ishte realist. Kundërshtar grindjesh. Tolerant. Një humbje e pakompensueshme për Kosovën, për skenën politike të saj. Në rrethana të tjera e gjithë Kosova do të ishte në këmbë.
Goditja e Ambasadës kineze në Beograd mund të bëhej pengesë për gjetjen e një zgjidhjeje më të shpejtë të problemit të Kosovës.
Mahijes, bashkëshortes së Qazës, i vdiq nëna. Më pyeti nëse dija si kishin bërë kur vdiq Zenel Prelvukaj, burri i një kushërirës sime dhe i ati i piktores Zake Prelvukaj. E pyeta Rrustemin (Ulaj) dhe ai më tregoi se duhej të shkohej në ndërmarrjen “Komunalac”, të bëhet pagesa. Pasdite Qaza më tha se plakën e kishin varrosur në varrin e përgatitur për Fehmi Aganin, kurse atë do ta fusin diku tjetër.
Mediumet e huaja elektronike bëjnë të ditur se djali i Fehmiut, Shpendi, demanton pohimet serbe, se atë e kishin marrë njerëz me uniformat të UÇK-së, në fakt ishin me uniforma të ushtrisë serbe dhe se për këtë ka informuar përfaqësues shtetesh të huaja. Volfgang Petriç deklaroi se u kishte thënë autoriteteve serbe që të kishin kujdes për këtë njeri (Fehmiun).
Erdhi Ibrahim Kadriu që të më ngushëllonte për Fehmiun. E dinte sa shumë e kam dashur e çmuar. Edhe unë e ngushëllova atë.
Nga TVSH-ja satelitore mora vesh se djali i dajës tim nga Lutogllava e Pejës, Besim Bardhi, kishte kaluar në Shqipëri dhe se mezi i kishte shpëtuar një masakre. Ai tha se nuk dinte ç’ka ndodhur me Hajdar Mekajn (dhëndrin e tij), të birin e tij dhe disa të tjerë.
E diel, 9 maj
Një i ikur nga Kosova, që kishte arritur në Shqipëri, i deklaroi sot “Zërit të Amerikës” se kishte qenë në një tren me Fehmi Aganin dhe se atë e kishin marrë diku përtej Ferizajt. Kur i kishin ndarë disa burra e të rinj nga turma, ky kishte hequr shallin dhe mantelin. Pastaj e kishin marrë policët, - tha ai.
Në mëngjes avionët e NATO-s prishën heshtjen. Valdetja kishte gjetur bukë së paku për dy ditë. Në Prishtinë ende funksionon furnizimi. Në Prizren një kilogram patate kushton 30 dinarë (5 DM).
Rugova është takuar me Shrëderin dhe Çernomirdinin. Është mjaftuar me autonomi, me praninë e forcave ndërkombëtare me NATO-n dhe me kthimin e refugjatëve. Pastaj prapë është kthyer në Romë. E pashpjegueshme. Italia sikur mban më shumë anën e Millosheviqit.
E hënë, 10 maj
Nga Prizreni erdhi kunata e Nexhdetit, pronarit të banesës, ku shfrytëzoi telefonin. Ka ardhur për t’u furnizuar. Atje, thotë, nuk gjen asgjë. Rrugës kishte parë vetëm shtëpi të djegura, kafshë pa barinj ose të ngordhura. Askund njeri. Vetëm në Lipjan e kishin ndalur.
Ibrahim Kadriu kishte takuar një grua që ishte parë me Sadijen, gruan e Fehmiut. Ajo i kishte thënë se Fehmiun e kanë varrosur katër romë. Kishin qenë aty edhe katër gra, ndër to edhe Sadija. E paskan varrosur pranë të vëllait, Hilmiut. Fehmiu kishte pasur tri plagë, dy në ballë. Në morgun e Spitalit e kishin mbajtur dy ditë. Sipas kësaj, ai është likuiduar të enjten, po atë ditë që është kapur.
E martë, 11 maj
Nga Podujeva ishin përvjedhur me një autobus prej Serbisë dy llapjanë. Thanë se ana e majtë e rrugës Prishtinë-Podujevë është krejtësisht e boshatisur, kurse në anën e djathtë mund të shihet aty-këtu ndonjë njeri.
Kinezët duken si të tërbuar për katër kinezë që u vranë nga goditja e NATO-s në ambasadën e tyre në Beograd, edhe pse kanë mbetur edhe më shumë se 1.3 miliard të tjerë, kurse për fatin e dy milionë shqiptarëve, që përkujtojnë skena biblike, as që ua bën.
Radiot serbe njoftojnë se gjoja Serbia ka filluar tërheqjen e një pjese të forcave të armatosura “pasi kanë shpartalluar të ashtuquajturat grupe të UÇK-së”. Kush e di çfarë manovre bën?!
Rreth orës një e gjysmë, pas mesnate ra zilja e derës. Po dëgjoja “Evropën e lirë”. Kishte muaj që në këtë kohë nuk më kishte trazuar kush. Thashë me vete: “Bëhu gati Zenun!”. Pistoletën e vëllait, që i kishte mbetur në banesë, e futa në pambukun e jastëkut, dhe shikova nëpër vrimën e derës. Pashë një grua lakuriqe. Më shkoi mendja, do të jetë ndonjë nga ato shqiptaret fatkëqija, e dhunuar dhe e lënë në rrugë. Por, mund të jetë edhe provokim ose kurth serb, të thonë pastaj se “kish dashur ta çnderonte dhe ne e vramë”. Pa e hapur derën e pyeta çfarë donte. Ajo ma ktheu me një shqipe të deformuar, theks rom: “Ku të shkoj une qetashi, kështu…?” E pyeta kush ishte dhe ajo ma tha një emër që nuk mbahej mend dhe përmendi edhe ca të tjerë. Dukej nuk ishte normale. E zgjova Valdeten dhe i thashë t’i jepte ndonjë rrobë. Ajo mori ato që ia dha dhe vazhdoi të murmuriste nëpër korridor.
Nata qe e zhurmshme me fluturime avionësh e bombardime. Herë-herë dëgjohej edhe ndonjë kollitje automatikësh. Më vinte të qeshja. Krijoja skena lufte ndërmjet “Avaksave” e luftëtarëve serbë me pushkë automatike.
Në mëngjes pashë barin e rritur anëve të rrugës. S’kishte kush as ta shkelte, as ta priste. Tani as fëmijët e serbëve nuk dilnin.
Radiot në gjuhën serbe vazhdojnë të përtypin lajmin për gjoja tërheqjen e një pjese të forcave serbe nga Kosova. Perëndimi shfaq pakënaqësi me këtë lojë dhe shpreh vendosmërinë për vazhdimin e bombardimeve deri sa të mos plotësohen pesë kushtet minimale të NATO-s.

E mërkurë, 12 maj
Më ka marrë malli të eci nëpër asfalt, nëpër baltë a bar, i lirë, pa drojë se mos më sheh kush i cili më me qejf do të më shihte përmes nishanit. Vrasja e Fehmiut, përveçqë më ka pikëlluar, ma ka futur frikën edhe më shumë.
Në lojë, pas bombardimit të Ambasadës në Beograd, ka hyrë edhe Kina, e cila shqiptarëve ua ka borxh hyrjen në OKB, sepse Shqipëria ishte ajo që ia hapi rrugën. Por duket se do të na kthejë me të keq.
Ia dëgjova zërin Lirakut në “Zërin e Amerikës”. U përmallova. Edhe krenohesha me vendosmërinë dhe guximin e tij, edhe shqetësohesha për fatin e tij. A do të mund t’i përballojë sfidat e luftës?
E enjte, 13 maj
Sot nuk mund të flas me Arianitin. Ia kanë ndërprerë telefonin, sepse s’ka pasur me çka t’i paguajë shpenzimet. Çdo ditë kemi folur bashkë.
Aq më shkohet te Nehati, por nuk kam guxim.
Nga ndërtesa përballë vjen Zana, një grua e re e martuar për një bashkëvendës timin, dhe më njofton se dikush e kishte thyer banesën e Nexhdetit, prej nga flasim me telefon. U nisa të shkoja, por Valdetja më ndali. “Do të shkoj unë!” - ma preu. Po si ta lë vetëm? E thirra Vinkën, gruan e fqinjit, Kërxhiqit, me të cilin ndonjëherë komunikojmë. I tregova dhe ajo u nis përpjetë shkallëve, bashkë Valdeten. Kur e kishin hapur derën, një i ri i kishte pritur gjakftohtë, i ulur në kolltukun në mes të dhomës. “Erdhëm të bisedojmë me telefon” i kishte thënë Valdetja. “Ani, ja telefoni!” – i ishte përgjigjur. Valdetja kishte sjellë ca numra pa lidhje dhe pastaj ishte nisur të dalë. Meqë u vonuan, më kapi droja mos i ndodhi ndonjë e keqe. Mora pistoletën e vëllait dhe u nisa. Për kur do ta ruaja, atë të bekuar, mendova. Në ndërkohë, Vinkës i ishte kujtuar ta kërcënonte me polici. Ai pastaj ishte identifikuar: “Nuk më njihni? Unë jam djali i Spirës” dhe kishte dalë. Spira ishte banor i kësaj hyrjeje, nga kati i parë.
Profesorin Jashar Kabashi e kishte ndjekur nga banesa fqinji i parë. I kishte thënë vetëm “Shko prej këndej!” Edhe Myberaja, kur kishte shkuar në banesën e së bijës, Vjosës, s’kishte mundur ta hapte derën me çelësin që kishte. E kishte pyetur fqinjin serb nëse dinte ç’kishte ndodhur. Dhe ai, pa u skuqur as pa u zverdhur i kishte thënë: “Mua më duhet për djalin. Nëse fitojmë ne, e mbaj unë. Po fituat ju, do t’jua kthej!”
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë Shkëputur nga kapitulli “Ditari luftës: Ferri para lirisë” i librit “Udhëtim në të shkuarën” i Zenun Çelajt, Botimet KOHA, tetor 2020.
Titulli i këtij artikulli është i Redaksisë