Shtojca për Kulturë

31 mars 1999: Qyteti po zbrazet nga shqiptarët

Bombardimet e NATO-s

Bombardimet e NATO-s, Prishtinë 25 mars 1999 (Foto: Reuters)

Vëllait i them se unë e kam vendosur të rri këtu. Më mirë të vdes në shtëpi, se duke ikur. Prapë fola me Elez Biberajn. Edhe me Arianitin. Më japin zemër. Valdetja e vizitoi të motrën, Valbonën, në Aktash. Gjashtëdhjetë vetë në pesë-gjashtë dhoma të Halil Kajtazit. Nga Kodra e Trimave dëbohen të gjithë banorët. Janë ndjekur edhe nga Dragodani. As në Taslixhe thuhet s’kanë mbetur më banorë. Nga Velania janë dëbuar që në fillim të bombardimeve. Qyteti po zbrazet nga shqiptarët. Nëpër Bulevardin Ramiz Sadiku ka kaluar sot një lumë njerëzish në këmbë, me traktorë, vetura të ruajtura nga policë, me tyta të kthyera drejt tyre”, shkruan gazetari Zenun Çelaj në ditarin e luftës më datën 31 mars 1999

E hënë, 29 mars

Lajme që të ndalin frymën. Njoftohet se janë ekzekutuar Fehmi Agani, Agim Hyseni, Baton Haxhiu, Alush Gashi… Nuk mund e frenova veten. Qava me zë. Valdetja me Fadilin përpiqen të më qetësojnë. Dua të mos besoj se lajmi ishte i vërtetë. Më kishin thënë se i kishin parë në varrimin e Bajram Kelmendit. Por me këtë varrim lidhej edhe vrasja e tyre. Duke u kthyer nga varrimi i kishin rrëmbyer e pastaj i kishin vrarë, thoshin njoftimet.

Alban Bujari me Myberanë, të ëmën, dhe Nexhdetin, dajën, kanë marrë rrugë me veturë. S’dihet a do të mbërrijnë ku e kanë bërë mendjen. Veçanërisht druaj për Albanin. Është i ri dhe shqiptar. Për policinë këto janë fakte të mjaftueshme që ta trajtojnë si terrorist.

Gjyla, gruaja e fqinjit në katin e sipërm, vjen e panikosur. Thotë se i kanë thënë nga Zvicra të largohen sa më parë. Përpiqem ta qetësoj.

Nga djemtë lajme të mira. Së paku kështu më transmetohen. Liraku më thotë si me mahi: “S’na lanë ata ‘pisat’ të vëmë gjumë në sy. Bam tash e bam tevona…!”

Ikje masive në të gjitha drejtimet. Më duket se jam në ndonjë ëndërr të keqe. Kurrë më shumë nuk jam frikësuar. Megjithatë nuk dua të ik. Unë gati gjashtëdhjetë vjeçi të ik për të shpëtuar, e ta lë djalin 26 vjeç në front për të vdekur – më dukej e pamoralshme, qyqarllëk. Do të rri edhe nëse e di se më vrasin në këtë çast. Edhe nëse më ndodh kjo, më shkurtohen mundimet shpirtërore.

Tani kemi rezerva buke për disa ditë. Kush e din a do t’i shpenzojmë. Si ia kanë nisur këta, zor.

Refugjatët, Llapushnik 1999 (Foto: Alban Bujari)

E martë, 30 mars

Po humbi forcën dhe durimin për të mbajtur ditar.

Vasfije Syla me të bijën, Reitën, u nisën në rrugën e shpëtimit. Ishte një skenë rrëqethëse kur kjo solli dy herë drynin në derën e banesës dhe u nis. Pasi bëri disa hapa teposhtë, u kthye edhe një herë dhe e pa derën. Sikur përshëndetej me banesën që tash ishte bosh. U nda prej nesh dhe zbriti shkallët duke qarë. Unë e ndoqa nga dritarja përmes perdeve të nëpërdukshme. Ndoshta nuk shkojnë larg. Ia kisha drojën Reitës, që përveç se është e re, është edhe e bukur. Para nisjes u krijua një mosmarrëveshje. Vasfija ishte marrë vesh me një shoqe dhe burrin e saj që të shkonin bashkë me një veturë. Por derisa po hynin brenda në veturë, i vjen i vëllai, Izeti, me familje. Natyrisht se vëllai kishte përparësi.

Bisedova me Arianitin. Ky më mbante në lidhje me të afërmit e tjerë. Çfarë t’i them këtij e të tjerëve? S’kam forcë shprehëse t’i përshkruaj gjithë ato që ndiej, përjetoj e shoh nëpër dritaret e banesës, prej nga nuk dal jashtë. Flitet për shumë të vrarë, por s’ke si t’i verifikosh njoftimet. Përmenden emra personalitetesh të njohura: Fehmi Agani, Idriz Ajeti, Teki Dervishi, Baton Haxhiu, Alush Gashi, Agim Hyseni, Din Mehmeti… Dihet me siguri se janë vrarë Bajram Kelmendi me djemtë, Agim Hajrizi dhe Latif Berisha.

Lajmet e sotshme ishin njësoj trishtuese si ato të djeshmet. Të vrarë, lumenj njerëzish të ndjekur nga shtëpitë e tyre, fshatra e lagje të tëra shqiptarësh në flakë. Të gjitha rrugët çojnë në tri drejtime: në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Mal të Zi. I vetmi lajm që provokon shpresa është ardhja e përfaqësuesve rusë. Këta u kishin dhënë zemër serbëve, këta edhe mund t’i ndalnin. Por, vështirë se i hyjnë kësaj pune.

Dritat u ndalen në orën 19 e 15 minuta. Nata qe e gjatë e me shpërthime.

E mërkurë, 31 mars

Qielli me re nuk premtonte bombardime të mbara. Megjithatë rreth orës katër të mëngjesit një detonim i fuqishëm u duk se do t’i thyente edhe xhamat e dritareve të banesës. Objekti i goditjes do të jetë diku afër Prishtinës, ndoshta në vetë Prishtinën. Është vështirë ta përcaktoj. Por, kjo ma solli gjumin, sikur më qetësoi.

Mybera Bujari me të birin, Albanin, dhe të vëllanë, Nexhdetin, janë kthyer. Në fakt i kishin kthyer diku te Rashka. Kishin dashur që nëpër Serbi të shkonin në Turqi. Vasfije Syla është lajmëruar me një telefon nga kufiri me Maqedoninë, por ende është në këtë anë.

Më thirri vëllai, Sadiku, nga Nju-Jorku. Fol me Kërxhiqin ndoshta mund të ndihmon të dalësh në Mal të Zi. Kërxhiqi është mjek, me banesë afër asaj të vëllait tim. Njihemi me të nga Mali i Zi. Është nga Murina e Plavës. Vëllait i them se unë e kam vendosur të rri këtu. Më mirë të vdes në shtëpi, se duke ikur. Prapë fola me Elez Biberajn. Edhe me Arianitin. Më japin zemër.

Valdetja e vizitoi të motrën, Valbonën, në Aktash. Gjashtëdhjetë vetë në pesë-gjashtë dhoma të Halil Kajtazit. Nga Kodra e Trimave dëbohen të gjithë banorët. Janë ndjekur edhe nga Dragodani. As në Taslixhe thuhet s’kanë mbetur më banorë. Nga Velania janë dëbuar që në fillim të bombardimeve. Qyteti po zbrazet nga shqiptarët. Nëpër Bulevardin Ramiz Sadiku ka kaluar sot një lumë njerëzish në këmbë, me traktorë, vetura të ruajtura nga policë, me tyta të kthyera drejt tyre. Të kujtonte skena nga filmat e Luftës së Dytë Botërore. Kurrë s’kisha besuar të kishte diçka të tillë të vërtetë. Thanë se do t’i hipnin në tren dhe t’i dëbonin në Maqedoni, e prej andej nëpër botë.

Misioni i Primakovit ka dështuar. Por ai thotë se nuk i ka humbur shpresat.

Këtu bëj jetë pa shumë fjalë. Dhëndri Fadili është një djalë i qetë, sikurse edhe Valdetja, e mbesa ime. Përpiqem ta kaloj kohën duke mbajtur sytë mbyllur dhe duke ëndërruar i zgjuar.

Valdetes sot i kanë dhënë vetëm dy bukë. Serbët merrnin pa kufizime.

E enjte, 1 prill

S’kam forcë ta vazhdoj ditarin. Fundja çdo ditë e re i ngjan të vjetrës: e rëndë, me frikë, në pritje brenda mureve të banesës me lajme trishtuese, por jo të papritura. Mjafton një fjalë për të çuar peshë një mëhallë.

2, 3, 4, 5 prill

Ka shkuar edhe Qazim Qerimi, fqinji mbi mua, me familjen. Në banesë ka mbetur e mbesa, e bija të vëllait, Alija. Ajo duhet të kujdeset për të vëllanë, Cetin, të plagosur ditë më parë në një shpërthim në qendër të Podujevës. Te Qaza nuk funksionon më telefoni. Ka mbetur Kërxhiqi, por kam dilema. Më përshkon një ndjenjë rrëqethëse e vetmisë. Nexhdet Limani, që banon në katin më të sipërm të këtij pallati, më thotë se ende i funksionon telefoni. E thirra vëllanë në Amerikë që t’i tregoj se jam gjallë. Ia dhashë edhe numrin e telefonit të Nexhdetit. Por, ia kujtova edhe Kërxhiqin. Këtij në Luftën e Dytë Botërore kushërinjtë e mi ia kishin shpëtuar axhën. Malazezët kanë mentalitet të ngjashëm me ne shqiptarët. Dinë të bëhen burra.

U gëzova si për djalin kur dëgjova lajmin se Baton Haxhiu ishte gjallë. Shpresoj të jetë ashtu edhe Fehmi Agani e të tjerët.

Vasfija (Syla) u kthye pas shtatë ditësh pritjeje në Han të Elezit, kurse e bija, Reita, kishte depërtuar. Rrëfimi i saj nga Hani i Elezit të tmerron. Ka ndodhur të mos lëvizim përpara as një metër nga dy e tri ditë rresht, pa bukë, pa ujë, në të ftohtë. Hani i Elezit dukej si një kufomë e copëtuar, thotë. Dyer e dritare të hapura. Nëpër shtëpi gjerat të hedhura nëpër tokë. Njerëzit hynin nëpër to për të gjetur ndonjë gjë për të ngrënë, ndonjë plaf për t’u mbështjellë. Mbetëm fare pa bukë. Por, në një shtëpi gjetëm miell dhe pastaj poqëm kuleç.

Mbesat e mia, Valbona dhe Valdetja me fëmijë dhe bashkëshortët e tyre, daja im Kero (Bardhaj) me grua e fëmijë vendosën të niseshin për në Maqedoni. Treni shkonte herët në mëngjes. Unë dua të rri, por Valdetja është këmbëngulëse: ose edhe ti vjen, ose ndalemi edhe ne. Ata kishin frikën e fëmijëve. Më thyen.

Ardhja e Vasfijes dhe njoftimi i saj se të gjithë ata që kishin qenë duke pritur i kishin kthyer, e ndërroi plotësisht situatën.

E marte, 6 prill

Televizioni sjell pa ndërprerë pamje nga takimi i Rugovës me Millosheviqin dhe me ambasadorin rus. Nuk dua të besoj. Përpiqem të gjej elemente montazhi.

Pleurati, 14-15 vjeç, djali i dajës tim, të cilin e kishin ndjekur nga banesa në Kodrën e Diellit dhe ishte bashkuar me mua në Ulpianë, më pyet: “Nipash, nëse çlirohemi e fillon mësimi normalisht, a do të mundet Liraku dhe Ilirja të më ndihmojnë për t’u regjistruar në Akademinë e Artit? Më pëlqen të bëhem artist. Për një çast më ktheu nga jeta. Fillova të mendoj për të ardhmen. Atij i dhashë shpresë.

Sot mora vesh se vëllezërit e gruas sime të ndjerë, Besim Bokshi me të vëllanë Shpendin dhe familjet kishin mbërritur në Tiranë. Besimit ia kanë kallur shtëpinë dhe të gjitha dorëshkrimet. Më dhimbsen poezitë dhe aforizmat e pabotuara të tij. Bashkimi, vëllai tjetër i tyre ka mbetur në Prishtinë. Pasi e ndoqën nga banesa në Kodër të Diellit, u kthye. Nuk e kisha njohur për trim. Më viziton me gjithë bashkëshorten, Nashiden. Më shfaqi një brengë për të bijën: Zana po rritet shpejt! E kuptova pa ma shpjeguar arsyen. Zana është studente e rritur dhe e bukur. I ati ka frikë nga serbët. Do ta donte të bijën sa më të vogël.

Gjithë natën s’bëra gjumë. Bombardimet e NATO-s qenë shumë të zhurmshme. Nga dritarja që sheh në drejtim të Goleshit dhe të kazermave ushtarake shihet flakë. Shtëpitë dridheshin.

Shkëputur nga kapitulli “Ditari luftës: Ferri para lirisë” i librit “Udhëtim në të shkuarën” i Zenun Çelajt, Botimet KOHA, tetor 2020. Titulli i këtij artikulli është i Redaksisë