Shtojca për Kulturë

Shqiptarët dhe fqinjët e tyre tapioklastë të pangopshëm

“Edhe pse të gjithë popujt e Gadishullit Ballkanik kanë ardhur dikur në të kaluarën, vetëm dy popuj janë autoktonë dhe jobarbarë: grekët dhe shqiptarët; vetëm dy gjuhë janë autoktone dhe të mëdha: greqishtja dhe shqipja. E para e ardhur nga thellësitë e errëta egjeane dhe e shkruar në papyrus e në letër; e dyta ka ardhur duke kalëruar mbi netët pellazgjike e skalitur vetëm në gurë, në gjak dhe në shpirtra…”, Ferdinand Schevill (1868-1954): “History of the Balkans”

Krishterimi në hapësirat shqiptare u shfaq në dekadat e para të kohës kristiane, pikërisht në nismën e promovimit të ungjillit në Evropë. Për këtë dëshmon apostull Shën Pali, i cili pas udhëtimit të tij të tretë nëpër rrugën romake Via Egnatia (e cila lidhte Romën, Durrësin, Selanikun dhe Kostandinopojën), rreth vitit 59 të erës sonë, i shkroi Kishës së Romës: “Që nga Jerusalemi e përreth deri në Ilirikum unë predikova tërësisht ungjillin e Krishtit”. Sipas historianit Farlati, Kisha e Durrësit është më e lashta në Shqipëri. Atë e themeloi Shën Pali gjatë predikimeve në Iliri dhe në Epir. Në vitin 58 në Durrës kishte shtatëdhjetë familje të krishtera. Ndërsa Lavardin, duke shkruar në vitin 1576 për antikitetet e Dukagjinit në pjesën malësore të Shqipërisë së Veriut, bën fjalë se: “Në pjesën e brendshme të kësaj krahine shihen… disa shënime apo dëshmi prej të cilave është e dukshme se apostull Shën Pali ia predikoi popullit Ligjin e Birit të Perëndisë”. Edhe Shën Jeronim Delmata (shek. IV), që ishte ilir, përkthyes i Biblës në latinisht, pajtohej se apostull Shën Pali duhet të konsiderohet pishtar i krishterimit mes ilirëve. Pastaj, më 385, u vendos në Shkodër selia episkopale, e cila pas qindra shekujsh ekzistimi, më 1867, ngrihet në shkallën e Argjipeshkvisë. Eksperienca dymijëvjeçare e krishterimit te shqiptarët ishte dramatike, siç pohon edhe David M. Young në librin e tij “The Gospel in Albania” (Ungjilli në Shqipëri): “…kohë e gjatë vuajtjesh, gjakderdhjesh dhe heroizmi”. Kjo kohë apokaliptike i takon periudhës pasapostulike, kur filloi persekutimi romak i të krishterëve në Iliri. Martirët e parë qenë Florini dhe Laurini nga Ulpiana (afër Prishtinës), që u vranë gjatë sundimit të Hadrianit (76-138). Gjithashtu, edhe Shën Asti i Durrësit, njëri nga tre ipeshkvijtë e kishës së hershme, u martirizua gjatë sundimit të Trajanit. Edhe gjatë sundimit të Diokletianit, që ishte ilir, u bënë përndjekje (303-311) nga të cilat vdiqën aq shumë të krishterë, saqë mbeti përmendorja me mbishkrimin latin: Extincto nomine Christianorum (emri i të krishterëve u shua).

Ngjarje tjetër që ndali përparimin e ungjillit ishte invadimi nga lindja: vërsuljet e sllavëve paganë mbi Ilirinë rreth shekullit VI qenë shkatërrimtare. Prokopi, rreth vitit 560, shkruante: “Sllavët nuk i vrisnin burrat me shpatë, as me shtizë, as në mënyra të tjera të zakonshme, por i shtynin me forcë mbi hunj të mprehur gjersa të vdisnin, apo i lidhnin të mjerët me duart dhe me këmbët mbi katër hunj të futur në dhe, i rrihnin duke i goditur në kokë posi vriten qentë apo gjarpërinjtë”. Kështu, sllavët shkatërronin qytetërimin iliro-greko-romak, duke imponuar sundimin e paganizmit të tyre primitiv. Një numër i madh i banorëve të Ilirisë kërkoi strehim në jugperëndim të Gadishullit Ballkanik – në malësi të Shqipërisë së sotme. Hapësira autoktone shqiptare, duke qenë vazhdimisht nën juridiksione të huaja përjetoi fatkeqësi të pakompensueshme që nga viti 395, kur Perandoria Romake u nda në dy pjesë, pastaj gjatë skizmave të mëdha (ndarjes së një pjese të besimtarëve nga tërësia e kishës), së pari skizma ortodokse-lindore (bizantine) nën patrikun Foti, më 867, dhe definitivisht nën patrikun Mihal Kerularin, më 1054.

Image
Manastiri i Krushedollit në Serbi ndërtuar nga Shën Angjelina shqiptare

Andaj, shqiptarët, që ndër të parët në Evropë kishin përqafuar krishterimin, kishin ndërtuar një mori kishash dhe baptisteresh (pagëzimoresh) anembanë trojeve të tyre. Ata tanimë kishin krijuar një traditë kristiane disashekullore me hierarki të veten shqiptare të pavarur. Ndërkaq, sllavët, që ende nuk ishin të krishterë, shkatërronin këto faltore me po aq dëshirë sa edhe objektet e tjera të çfarëdo lloji. Por, nënshtrimi i shqiptarëve do të tregohet i pamundshëm, për faktin se ata ishin trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të një tradite të shkëlqyer pellazgo-ilire-arbërore, helene dhe romake, dhe, si të krishterë që ishin – ndjenin superioritet ndaj sllavëve ende barbarë. Dhe, kur në shekujt IX-X sllavët përqafuan krishterimin, ata zgjodhën pikërisht Liqenin e Ohrit, ku nxënësit e misionarëve vëllezër nga Selaniku, Kirili dhe Metodi – Klimenti dhe Naumi, filluan njërin nga misionet më të rëndësishme të kishës dhe të shkollës sllave. Dhe ja, këtu, mbi themelet e rrënojave të një kishe të lashtë në truallin shqiptar, u rindërtua faltorja që sot njihet me emrin Kisha e Shën Naumit. Këtë kishë e stolisën me veprat e veta dy piktorë shqiptarë: Konstandin Jeromonaku pikturoi ikonat e ikonostasit të gdhendur në dru me bukuri të veçantë, ndërsa Tërpo Korçari (Zografi) pikturoi freskat më 1806. Sikurse i ati i tij, Athanasi, po ashtu edhe Tërpoja pikturonte shenjtorë shqiptarë si Shën Jan Kukuzelin e Durrësit, Shën Gjon Vladimirin e Elbasanit, Shën Nikodhim Vithkuqarin, Shën Naumin e Poradecit etj. Sot e kësaj dite, si dëshmi e gjallë, është mbishkrimi që vërteton autorësinë shqiptare, e që gjendet mbi pjesën e epërme të brendshme të portës së kësaj kishe të mrekullueshme. Ky territor, që gjithmonë i përkiste Shqipërisë, për herë të parë iu dha Jugosllavisë (1925) me një akt arbitrar të Mbretit Zog. Me Kishën e Shën-Naumit mund të fillojmë parashtrimin e varganit të vetëm disa shembujve flagrantë, me ç’rast trualli, vepra dhe trashëgimia janë shqiptare, ndërsa përvetësimi është i huaj. Pason rasti i së ashtuquajturës perandori serbe të Dushanit (1331-1355), i cili e shpallte vetveten perandor të serbëve, shqiptarëve, grekëve dhe bullgarëve – që në të vërtetë ajo ishte njëfarë aleance e këtyre popujve, e që serbët sot e përvetësojnë si perandori të tyre. Pastaj, vetëm tre vjet më vonë, më 1358, Simeon Paleologu – vëlla i Dushanit nga nëna, gjithashtu e shpallte vetveten në Kostur (Kastoria) të Greqisë – perandor të grekëve, serbëve dhe të tërë Shqipërisë. (Kjo kartë, e kaligrafuar në një copë pergamene, është e ekspozuar në vitrinën e bibliotekës së një manastiri në Meteora të Greqisë). Shembull tjetër është Beteja e Kosovës (1389), e cila ishte një koalicion i popujve të krishterë të Ballkanit kundër pushtuesve osmanë, me ç’rast përleshja ndodhi në tokën shqiptare shekullore dhe ku, natyrisht, shqiptarët luftuan të prirë nga princërit e tyre – serbët përsëri e përvetësojnë si tërësisht të tyre. Atyre, assesi nuk u pëlqen të dihet se bamirësja shqiptare e shekullit XV, Angjelina, e bija e fisnikut dhe e trimit shqiptar Gjergj Arianitit ishte shqiptare – të cilën kisha serbe e ka shpallur shenjtëreshë me pagëzimin Prepodobna mati Angelina srpska. Angjelina, e cila ishte motra e Donikës – bashkëshortes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ishte martuar për djalin e Gjergj (Gjurgj) Brankoviqit – smederevasit. Ja si kishte ndodhur kjo: më 1459, kur Smedereva kishte rënë në duart e turqve, Gjurgj Brankoviqi kishte kërkuar strehim me familjen e tij në shtëpinë e princit shqiptar Gjergj Arianiti. Angjelina (e cila kishte lindur në rrethin e Elbasanit në pjesën e parë të shekullit XV) martohet më 1461 në Shkodër për Stefanin e verbër – birin e dytë të Gjurgj Brankoviqit. Asaj i kishin lindur tre fëmijë: dy djem: Gjergji dhe Joani dhe një çupë – Mara. Për shkak të rrezikut osman, mërgojnë në Itali (Furlani). Pas vdekjes së të shoqit, Stefanit (1471), Angjelina (e vejë) me familjen e saj vendoset në Srem (Serbi), ku mbreti hungarez, Mateja, ia jep në pronësi qytetin dhe pasurinë e Kupinovës. Atje, ajo i kishte bartur edhe eshtrat e të shoqit, Stefanit. Biri i saj, Gjergji, kishte refuzuar titullin e dhespotit, që ia kishte ofruar mbreti Matejë Korvini, për t’ia lënë vëllait të vogël Joanit, i cili vdes së shpejti. Pastaj, Gjergji bëhet kallogjer dhe e ndërron emrin në Maksim. Ai do të arrijë të bëhet peshkop vllehozapllanit, sipas ftesës së dukës vllah, Joan Radulla. Më vonë si mitropolit beogrado-sremas, së bashku me të ëmën, Angjelinën, do ta ngrenë manastirin e njohur Krushedoll, në shpatet e Frushka-Gorës. Atëbotë aty do të vendoset edhe rezidenca peshkopale, me ç‘rast do të përtëritet kryepeshkopata e Sremit. Maksimi vdiq dhe u varros në Krushedoll, më 1516. Angjelina do të bëhet kallogjere (murgeshë) dhe do të ruajë emrin e saj të pagëzuar Engjëllore. Misioni i saj religjioz dhe bamirës do të jetë i jashtëzakonshëm dhe do të shtrihet në tërë hapësirën e Sremit dhe të Vojvodinës. Ajo do të ndërtojë dhe do të përtërijë shumë kisha e manastire, do të kujdeset për varfanjakët dhe të sëmurët. Për këto vepra fisnike dhe bamirësie populli i këtyre krahinave në shenjë mirënjohjeje e kishte pagëzuar me emërtimin “Nëna Angjelinë”. Ajo vdiq dhe u varros në Krushedoll, më 1520. Pastaj, më 1716, kur turqit ua vunë zjarrin këtyre kishave dhe manastireve, murgeshat arritën ta shpëtonin vetëm një pjesë të eshtrave të Shën Angjelinës – dorën e majtë, që sot e kësaj dite ruhet në kivotin e Kishës së Manastirit të Krushedollit. Kisha ortodokse serbe e feston ditën e Shën Angjelinës – “Pamjat prepodobne matere našeja Angelini despotici serbskija” – 12 gushtin (30 gushtin në kalendarin e vjetër). Atë ditë në Krushedoll organizohet kremte e madhe kishtare dhe popullore.

Edhe në rastin e Cërnojeviqëve, Stefan dhe Ivan (familje me origjinë shqiptare më pas e sllavizuar), të cilët ishin martuar (Stefani me motrën e Skënderbeut, Marën, ndërsa i dyti me të bijën e sunduesit të Shqipërisë Jugore, Arianit Komnenit) – nuk u pëlqen të shpaloset kombësia e tyre. Familja sunduese e Cërnojeviqëve (Zintëve) përmendet për herë të parë në shekullin XIV, anëtarët më të rëndësishëm të së cilës ishin: Stefani (1426-1465), Ivani (1465-1490) dhe Gjergji (1490-1496). Me pushtimin osman të Cetinës, më 1499, kryeqyteti i Zetës përfshihet në Sanxhakun e Shkodrës, kur edhe përfundon sundimi i Cërnojeviqëve. Cërnojeviqët një kohë të gjatë luftuan kundër Balshajve, sunduesve të fuqishëm shqiptarë. Balshajt, siç dihet, ishin familje e madhe feudale e Shqipërisë së Veriut, të cilët sunduan prej vitit 1360 deri më 1421 në Principatën e Shkodrës, në të cilën arritën të bashkojnë, deri më 1385, një pjesë të madhe të trevave shqiptare. Përfaqësuesit kryesorë të tyre ishin: Balsha I (deri më 1362) dhe tre djemtë e tij: Strazimiri (deri më 1372), Gjergji I (deri më 1379) dhe Balsha II (deri më 1385), pastaj Gjergji II Strazimiri (më 1385-1403) dhe Balsha III (më 1403-1421). Balshajt, duke përdorur forcën, aleancat dhe lidhjet martesore, sundonin Zetën, Shkodrën, Tivarin dhe Buduan. Një lidhje martesore bëhet edhe ndërmjet familjes së njohur fisnike shqiptare Komneni dhe asaj Cërnojeviq. Çift bashkëshortor do të bëhen Ivan Cërnojeviqi dhe Nora Komneni, e bija e sunduesit të Shqipërisë Jugore – Aranit Komnenit.

Ivan Cërnojeviqi zë vend të rëndësishëm në historinë malaziase. Ai ishte themelues i Cetinës (1481), kryeqytetit të Zetës. (Zeta u themelua në hapësirën që në lashtësi quhej Dioklea, qendër e fisit ilir të Diokleatëve, për t’u shkatërruar nga sllavët në shekullin VII, pastaj për t’u përfshirë në shtetin serb të Rashës në shekullin XIII e deri në vdekjen e Stefan Dushanit (1355) që, së fundi, nga pushtimi osman e këtej të pagëzohet me emërtimin Mali i Zi. Pastaj, Ivan Cërnojeviqi ngriti një manastir në stilin renesanso-gotik (që është kuriozitet) dhe një kishë të vogël. Supozohet se në shtypshkronjën e këtij manastiri është botuar libri i parë i shtypur, inkuanabulik – “Oktoih” (1494) në alfabetin cirilik në jugun sllav.

Më 1986, duke bërë gërmime arkeologjike, ekipi i Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve të Malit të Zi zbuloi eshtrat e sunduesit të Zetës (Malit të Zi) dhe themeluesit të Cetinës, Ivan Cërnojeviqit – pesë shekuj pas vdekjes së tij. Eshtrat u gjetën në kishën oborrtare të Cetinës, nën pllakat e dyshemesë që gjenden pranë ikonës së Krishtit Shpëtimtar në altar. Ndërkaq, asgjë nuk u kumtua për eshtrat e bashkëshortes së tij shqiptare, Norës. Sepse, të dhënat flasin se Ivani ishte varrosur në themelatën e vet të përshpirtshme së bashku me të shoqen. Këtë e pohon edhe historiani malazias, Sava Vukmanoviq, duke thënë: ”U istoj crkvi sahranjena je i Ivanova žena, po narodnoj pjesmi Nara, a po historiji Gojislava, kćerka Arvanita Komnena, gospodara Južne Arbanije”. (Në kishën e njëjtë është varrosur edhe gruaja e Ivanit, sipas këngës popullore Nara, ndërsa sipas historisë Gojislava, e bija e Arvanit Komnenit, kryezotit të Shqipërisë Jugore). Kështu pohonte edhe poeti Jovan Sundeçiq, i cili ndër të tjera thoshte: “… gde su bile sahranjene kosti Ivanbegove i Ivanbegovice.” (… ku kanë qenë të varrosura eshtrat e Ivanbegut dhe Ivanabeges). Deri tash nuk kemi hasur në të dhëna të tjera, as në burimet shqiptare, e as të huaja, që do të ndriçonin sado pak figurën e fisnikes shqiptare – Nora Komnenit – zonjës së parë të kryeqytetit të Zetës mesjetare, Cetinës.

Atyre nuk u pëlqen të dihet as e vërteta se komediografi i madh serb, Branisllav Nushiq (emri i vërtetë i të cilit ishte Alkibiad Gjergj Nushi), kishte prejardhje shqiptare nga babai, i cili në shënimet mbi origjinën e vet theksonte se në të kishte “shqiptare edhe vllehe edhe serbe” (“arnautskoga i vlaskoga i srpskoga”).

Seria e teksteve “Kujt i përkasin, në të vërtetë, tempujt fetarë në Kosovë?” të Shyqri Nimanit (6 maj 1941 – 22 qershor 2023), u botua për herë të parë në Shtojcën për kulturë, prej korrikut deri në gusht të vitit 2014.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës