Në dokumentin 5-faqësh, operativëve të CIA-s iu bie në sy edhe Hasan Kaleši, i cili më 1954 ishte dërguar në Stamboll nga Qeveria jugosllave për një hulumtim të paspecifikuar. Kështu, Kaleši, i cili përshkruhet si ndihmësprofesor në Departamentin e Filologjisë Orientale në Universitetin e Beogradit, cilësohet si “i vlefshëm për hetime të mëtejshme”. Ai kishte rënë në sy për shkak të kontakteve me një nga informatorët e CIA-s në Stamboll në margjinat e kongresit të Asociacionit të Refugjatëve Evropianë që u mbajt po në vjeshtën e 1954-s në Stamboll. “Në dritën e mundësisë që Kaleshi është përfshirë në aktivitet inteligjent për UDB-në përderisa është në Turqi, ai duhet të jetë në listën e gjelbër dhe të gjitha zyrat duhet ta gjurmojnë atë, nëse diçka e tillë nuk është bërë ende”, thuhet në këtë raport
Në qershor të 1954-s, Kaleši i nisi një parashtresë të sapothemeluarit Institut Albanologjik, në Prishtinë, për t’ia financuar harxhet e fotokopjimit të dokumenteve historike osmane për shqiptarët në kuadër të një vizite që po matej ta bënte në Turqi. Si drejtor i asokohshëm, Selman Riza, teksa ia miratoi kërkesën, akordoi për Kalešin 40 mijë dinarë për fotokopjimin e dokumenteve siç thuhej “për të ndritshue historinë e shqiptarëvet masëfori të atyne në Jugosllavi nën sundimin otoman”.
Kah fundi i qëndrimit të tij në Turqi, Kaleši i çonte fjalë Institutit Albanologjik se me t’u kthyer në Prishtinë do të hartonte një “referat të hollësishëm” mbi punën e bërë në Stamboll. Është disi e çuditshme që ky referat nuk është gjetur deri më sot dhe nuk ka farë indicie të besueshme që është mbledhur ndonjë dokument gjatë këtij qëndrimi.[26] Madje as shkrimet e studimet e botuara prej tij më 1955 e në vitet në vazhdim, nuk kanë ndonjë referencë për dokumente a burime të qëmtuara në arkivat turke gjatë kohës sa qëndroi atje.
Në mënyrë mjaft domethënëse kjo vizitë u bë sebep që emri i Kalešit të binte në llupën e inteligjencës amerikane si “agjent i mundshëm i UDB-së”. Zbulimi i kësaj u bë i mundur vetëm në janar të 2017-s kur Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) dritësoi online 930 mijë dokumente të deklasifikuara. Siç mësohet nga dy dokumente që lidhen me njëra-tjetrën, inteligjenca amerikane asokohe po bënte përpjekje për të ndikuar mbi emigrantët shqiptarë, veçmas ata në Itali. E gjithë kjo përpjekje ishte pjesë e projekteve “Obdurate” dhe “Oblong”, në të cilat bëhej kujdes që të mos jepej identiteti i informatorëve në terren.
Kështu, njëri nga raportet që mban datën 20 dhjetor 1954, sipërfaqëson edhe aktivitetet e tilla në mesin e mërgatës shqiptare në Turqi. Në këtë dokument 5-faqësh, operativëve të CIA-s iu bie në sy edhe Kaleši, i cili më 1954 ishte dërguar në Stamboll nga Qeveria jugosllave për një hulumtim të paspecifikuar.[27] Kështu, Kaleši, i cili përshkruhet si ndihmësprofesor në Departamentin e Filologjisë Orientale në Universitetin e Beogradit, cilësohet si “i vlefshëm për hetime të mëtejshme”.
Ai kishte rënë në sy për shkak të kontakteve me një nga informatorët e CIA-s në Stamboll në margjinat e kongresit të Asociacionit të Refugjatëve Evropianë që u mbajt po në vjeshtën e 1954-s në Stamboll. “Në dritën e mundësisë që Kaleshi është përfshirë në aktivitet inteligjent për UDB-në përderisa është në Turqi, ai duhet të jetë në listën e gjelbër dhe të gjitha zyrat duhet ta gjurmojnë atë, nëse diçka e tillë nuk është bërë ende”, thuhet në këtë raport. Në vazhdim, operativët e CIA-s sugjerojnë që të gjitha burimet në dispozicion duhet të qëmtojnë çdo informacion të qasshëm për Kalešin (të dhëna biografike), për veprimtarinë dhe kontaktet e tij në Turqi. Si “possible UDB-a agent”, Kaleši përmendet në po të njëjtin raport, duke vënë në dukje që informatori që kishte pasur takim më 23 shtator, po i bishtnonte pyetjes nëse kishte pasur kontakte me Qazim Gojanin, një tjetër agjent i UDB-së në Stamboll.

Rragatjet e Kalešit me Tiranën
Kaleši do të harxhonte jo pak bojë edhe në kundërvëniet ndaj Tiranës dhe estabilishmentit të atjeshëm akademik. Këtë e kishte nisur qysh në vitet ‘50 duke i mëshuar asaj që e quante “rusifikim” i botimeve në Shqipëri[28] — një kritikë kjo që ishte pjesë e mantrës zyrtare të Jugosllavisë kundrejt shtetit shqiptar pas prishjes përfundimtare të marrëdhënieve.
Në botimet kryesisht në shqip, si fjala vjen te “Gjurmime Albanologjike”, Kaleši shumë-shumë shfaqte respekt ndaj punës së kolegëve orientalistë në Tiranë.
Bie fjala, në një recensë mbi librin e përgatitur nga Selami Pulaha “Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV: Burime Osmane” (Universiteti shtetëror i Tiranës, 1968), ai shkruante se përkthimi “është krejtësisht korrekt dhe autori meriton çdo respekt”, ani pse transkribcioni, sipas tij, ishte i dobët që vinte për shkak të mungesës së traditës dhe përvojës në punë të këtilla. “Po të abstrakojmë të metat e përmendura, të cilat janë më tepër të një natyre teknike, libri i Selami Pulahës meriton çdo lëvdatë. Ky plotëson një zbrazëti në historigrafinë shqiptare”, shkruante ai në këtë vlerësim recensial.[29]
Në shkurt të vjetit 1971, Kaleši kishte pranuar një shkresë nga Universiteti i Prishtinës ku njoftohej se ishte përzgjedhur që më 27 mars të mbante një cikël ligjëratash me temën “Mbi Sami Frashërin” në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Nga arkiva personale e tij është edhe një letër e datës 13 shkurt 1971 e nënshkruar nga drejtori i asokohshëm i Institutit të Historisë në Tiranë, Androkli Kostallari. Në të, ai i përgjigjet kërkesës së Kalešit për disa materiale të karakterit historik mbi Tiranën meqë ishte duke përgatitur një zë enciklopedik në “Enciklopedinë Islame” në Stamboll.[30]
Megjithëkëtë frymë kolegjialiteti nga Tirana, Kaleši nuk e reciprokonte me të njëjtën monedhë. Në kumtesën e tij të lexuar në vjeshtën e vitit 1973, me rastin e Kongresit të Parë të Turkologjisë në Stamboll, e që më vonë u botua edhe si artikull më vete në revistën “Südosteuropa...” të Mynihut, ai akuzonte in tutto historiografinë e Shqipërisë. Duke marrë vëng nga dy simpoziumet e mbajtura në Tiranë dhe Prishtinë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, ai hakërrehej se historianët shqiptarë kishin “einer völlig negativen Einschätzung” (vlerësim fort negativ) për Perandorinë Osmane, sundimin osman në Ballkan, kulturën lindore dhe goxha shumë edhe gjithçka lidhet me Lindjen.[31]
Relacioni sekret i 1974-s: “I shërben dikujt tjetër”
Rragatjet e vazhdueshme të Kalešit kundër kolegëve të tij në Kosovë dalëngadalë filluan të bënin njëfarë jehone edhe në Shqipëri. Fjala vjen, në qershor të 1974-s një delegacion studiuesish nga Kosova, që përbëhej nga Ali Hadri, Skënder Rizaj dhe Emin Pllana, qëndruan në Tiranë për të shfrytëzuar materialet arkivore. Ashtu siç ishte fiksuar praktika shtetërore që vizita të tilla të kalonin mes vigjilimesh të plota, një relacion mbi këtë vizitë i hartuar nga zëvendësdrejtori i Institutit të Historisë Petrit Sinani, i datës 4 korrik 1974, apostrofonte edhe emrin e Hasan Kalešit. Duke përmbledhur krejt ato që ishin thënë nga mysafirët kosovarë, ky relacion ndalej veçmas te qëndrimet e historianit Ali Hadri, i cili “nuk kishte simpati për Hasan Kaleshin dhe shprehu mendimin se ai duhet t’i shërbejë dikujt tjetër”. Me vlerësime po aq jodashamire kishte qenë edhe Skënder Rizaj i cili, sipas relacionit sekret, “fliste me urrejtje për Hasan Kaleshin, me të cilin kishte kontradikta të thella... Skënderi e quante atë ‘antishqiptar’ dhe falsifikator të historisë, njeri që ishte shitur tek serbët”.[32]
Kaleši te Obeležja: “Po na i kontradiktojnë pikëpamjet tona jugosllave”
Idhnak deri në ditët e fundit të jetës, Kaleši do ta mbyllte korpusin e tij shkrimor me një pamflet më të cilin sërish e kthente tytën në drejtim të kolegëve studiues në Kosovë. Për këtë ai zgjodhi revistën serbe që dilte në Prishtinë “Obeležja”, me kryeredaktor Dragoljub Moračićin. Si vjegë i shërbeu kritika që i kishte bërë profesori i historisë Skënder Rizaj monografisë “Kosova”, në të cilën disa kapituj ishin autoruar prej vetë Kalešit.[33] Sidoqoftë, reagimi në fjalë vinte më fort si kundërpërgjigje ndaj Rizajt që asohere po e zhdrivillonte një pikëpamje të re mbi të ashtuquajturën “dyndje e madhe serbe”, duke rrahur të thoshte se ajo nuk kishte ekzistuar fare ose kishte pasur përpjestime të papërfillshme. “Propaganda zor që ka ndonjë kërkim të ri pas vete, asfarë dokumenti të ri nga burimet turke, gjermane apo hungareze që do ta konfirmonte atë, apo diçka që nuk është e njohur mbi këtë problem në shkencë”, shkruante Kaleši.[34]
Nga Beogradi ku e shkroi këtë pamflet, studiuesin asokohe 54-vjeçar po e hante brenga se kontestime të tilla ndaj shpërnguljes së vjetit 1689 do të shkaktonin “nepoverenje”(mosbesim) në mesin e popujve jugosllavë që ishin prekur nga ky proces. Sipas tij, “Rizaj, duke e falsifikuar të kaluarën, në të vërtetë nuk qartëson asgjë, por vetëm sa i nakatos edhe më shumë gjërat: krijohen mëdyshje, krijohet mosbesim kundrejt popujve të tjerë jugosllavë, për shkak se kjo shpërngulje përshkon historinë e serbëve, malazezëve, maqedonasve, vojvodinasve, kroatëve e boshnjakëve”.[35]
Ashtu si një vit më parë te artikulli në “Südosteuropa...”, Kaleši sërish e vuri në thumb dyvëllimshin “Historia e popullit shqiptar” të Institutit të Historisë në Tiranë, që ishte botuar dy herë në Prishtinë më 1968 e 1969. Shqetësimin e kishte me atë se shumë pikëpamje të shprehura aty “janë të papranueshme nga pikëpamja e historiografisë sonë jugosllave dhe shpesh i kontradiktojnë pikëpamjet tona”.[36]
Në vijim, Kaleši moralizonte se në historishkrim nuk ka “tema të shenjta”, por rezultatet ekzistuese shkencore duhet të sfidohen objektivisht e pastaj, duke u bazuar në argumentime të reja e të pakundërshtueshme, të afirmohen pikëpamje të reja. “Unë nuk i bashkohem pohimit se në historiografi ka ‘tema të shenjta’ që nuk duhen prekur; nuk mendoj se është thënë gjithçka mbi një ngjarje historike e se nuk ka më asgjë të re për t’u thënë; nuk mendoj se duhet t’i mbyllim sytë ndaj gabimeve të rëndomta apo interpretimeve të anshme mbi ngjarjet historike; nuk e mbroj qëndrimin që shumë çështje të historiografisë serbe, shqiptare, turke e të tjera nuk duhen rishikuar, trajtuar më gjerësisht dhe, mbi të gjitha, ndriçuar në mënyrë marksiste”, shkruante ai në “Obeležja”.[37]
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
[26] Kjo pranohet edhe prej një nga apologjetëve të Kaleshit, shih Muhamed Mufaku, ‘Kontributi i Hasan Kaleshit në themelimin e Institutit Albanologjik’, Koha Ditore, 6 shkurt 2022, fq. 11
[27] Raporti origjinal gjendet në vjegëzën https://www.cia.gov/readingroom/docs/OBDURATE%20DEVELOPMENT%20AND%20PLANS_0007.pdf. Për një kontekst më të zgjeruar të dokumenteve të inteligjencës amerikane shih S. Mehmeti, ‘Si i rekrutonte UDB-ja intelektualët shqiptarë në vitet ’50: Rasti i Martin Camajt dhe Hasan Kaleshit’, Konica.al, 13 Mars 2017, https://web.archive.org/web/20170815212009/http://konica.al/2017/03/si-rekrutonte-udb-a-intelektualet-shqiptare-ne-vitet-50-t-rasti-i-martin-camajt-dhe-hasan-kaleshit/.
[28] ‘Rusifikimi i botimeve në Shqipni’, Rilindja, 9 gusht 1953.
[29] H. Kaleshi, ‘Selami Pulaha: Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV. Burime Osmane’, (Kritika e recensione), Gjurmime Albanologjike, ff. 298-99.
[30] Sadiku, vep. cit., f. 310.
[31] Kaleshi, ‘Das türkische Vordringen…’, Südosteuropa unter dem Halbmond, 1975, f. 125: “Die albanische Historiographie ist sich seit zwei Jahrzehnten einig in einer völlig negativen Einschätzung des Osmanischen Reiches, der osmanischen Herrschaft auf dem Balkan, der orientalischen Kultur und ziemlich allem, was irgendwie mit dem Orient in Beziehung seht”.
[32] Dashnor Kaloçi, ‘Letra për Ramiz Alinë: Profesor Ali Hadri më tha se Rexhep Qosja s’ka të drejtë dhe ne ja bëmë mirë, që t’i ulet pak hunda…’, në https://memorie.al/letra-per-ramiz-aline-profesor-ali-hadri-me-tha-se-rexhep-qosja-ska-te-drejte-dhe-ne-ja-beme-mire/ (Qasur për herë të fundit më 9 dhjetor 2023).
[33] Skënder Rizaj, ‘Si u shkrua dhe çka paraqet monografia ‘Kosova’’, Përparimi, 6, Prishtinë, 1973, ff. 545-567.
[34] Hasan Kaleši, ‘O seobama Srba sa Kosova krajem XVII i početkom XVIII veka, etničkim promenama i nekim drugim pitanjima iz istorije Kosova’, Obeležja VI/4 (1976), ff. 193-216.
[35] Kaleši, artikulli i cituar, f. 198.
[36] Po aty, f. 200: “...neprihvatljivi su za gledišta naše, jugoslovenske istoriografije i često u syprotnosti za našim stavovima”.
[37] Po aty., f. 204.